Published On: 21 Tetor, 2016

PROBLEMET DHE SFIDAT NDËR-SHQIPTARE

 

Shkruan: Frank Shkreli

Debatet, komentet, analizat, deklaratat dhe intervistat e shumëta të nxitura dhe të nxituara nga vizita e fundit në Serbi e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama, ende vazhdojnë në të gjitha mediat shqiptare, në ato vizive dhe të shkruara, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe duken sikurë nuk kanë të ndalur, madje edhe pothuaj dy javë pas vizitës. Ato kanë humbur jo vetëm fokusin por shpeshëherë edhe arsyen. Është e dhimbshme që shumica e komenteve dhe e debateve në lidhje me këtë fenomen është përqëndruar në ndryshimet që gjoja mund të ekzistojnë midis shqiptarëve dhe jo në të përbashktat midis tyre, përfshirë problemet dhe sfdiat me të cilat ata përballen çdo ditë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ato që kisha për të thënë për vizitën e Kryeministrit Rama dhe komentet në lidhje me të — nga të dy anët e kufirit – i kam shprehur në mënyrë modeste — në një shkrim para vizitës së udhëheqsit shqiptar në Beograd dhe me një artikull tjetër pas vizitës së tij. Si përfundim, këtë radhe refuzoj të kontriboj në vazhdimin e kësaj sagë të këtyre debateve të dhimbshme ndër-shqiptare. Por mendova me veten, merre me mend nëqoftse gjithë kjo energji dhe i gjithë ky debat të merrte një qasje pozitive dhe të drejtohej për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta që janë unike për të gjithë shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe në trojet e tjera të banuara nga shqiptarët në Ballkan. Sepse dihet që problemet dhe sfidat janë të shumëta dhe të përbashkëta me të cilat përballen të gjithë shqiptarët pa marrë parsyshë se në cilin shtet jetojnë. Këtu mund të përfshihen problemet që kryesojnë listën e gjatë — të shkaktuara, kryesisht nga partitë politike dhe udhëheqsit e tyre, probleme të cilat me të drejtë i bëjnë shqiptarët ndjehen cinikë dhe të zemëruar me udhëheqsit e tyre, pikëspari, për mungesën e integritetit në qeverisje, korrupcionit dhe mos zbatimit të ligjit. Shqiptarët janë gjithashtu të zemëruar dhe të zhgënjyer, se thjeshtë si individë ose si pjesëtarë të shoqërisë së gjërë shqiptare që e quan veten demokratike, nuk ka asnjë zë për të vendosur të tashmen ose për të ardhmen e vet dhe të familjes. Shqiptarët në përgjithsi përballen jo vetëm me realitetin e varfërisë materiale por edhe me realitetin e varfërisë shpirtërore. Mbretëron ndjenja se shpresat që ekzistonin para 25 viteve se demokracia në Shqipëri dhe më vonë pavarësia e Kosovës dhe demokracia që pasoi, kanë dështuar ose nëqoftse punët vazhdojnë kështu, ëndërrat për një jetë më të mirë, janë në proces të dështimit. Hendeku mbetet gjithnjë i madh midis realitetit dhe endërrave. Fatkeqsisht, ëndërrat e shqiptarëve për një jetë më të mirë janë zhdukur në realitetin e sotëm shoqëror dhe politik në të cilin ata jetojnë sot. Në të vërtetë, shumica e shqiptarëve e konsiderojnë “ekperimentin politik” të çerek shekullit të kaluar si një dështim dhe si rrjedhim vazhdojnë të shprehin zhgënjimin e tyre me realitetin. Të zemëruar janë duke u larguar në masë nga trojet e veta. Emigracion do të ketë gjithmonë, por një fenomen i tillë në këto përmasa që po ndodhë me largimin e shqiptarëve nga trojet e veta nuk mund të justifikohet sot. Shqiptarët si komb, pa marrë parasyshë nëse jetojnë në Shqipëri në Kosovë ose gjetkë, presin dhe meritojnë më shumë nga udhëheqsit e tyre politikë. Ata presin që të aktualizohen premtimet dhe parimet e lirisë dhe të demokracisë, të fituar me gjak e mundime. Ata presin nga partitë politike dhe udhëheqsit e tyre jo debate — në nivele zyrtare dhe jo zyrtare – mbi ndryshimet që mund të ekzistojnë midis tyre, ose Zot ruajna mbi identitetin e shqiptarëve, por presin nga udhëheqsit e tyre politikë që, natyrisht, të zgjidhin së bashku problemet dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët, e që janë pothuaj identike anë e mbanë trojeve shqiptare. Ata presin nga udhëheqsit e vet, që të përcaktojnë dhe pastaj të pëmbushin qëllimet dhe objektivat kombëtare, jo të përçajnë, por të përpiqen të mbështesin krijimin e një shoqërie ku të gjithë t’a ndjejnë veten pak a shumë të barabart para institucioneve qeveritare dhe shtetërore si dhe para organeve të drejtësisë. Janë shqiptarët, shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës pa dallim, ata që përbëjnë burimin nga i cili rrjedhë pushteti i qeveritarëve shqiptarë për të qeverisur, dhe jo anasjelltas. Kjo e drejtë e shqiptarit, po të ishte e mbara, duhej të zgjërohej dhe jo të kufizohej ose të keqpërdoret nga pushtetarët. Kjo është mënyra më e mirë për të krijuar një komunitet kombëtar të shqiptarëve, duke krijuar dy shtete funksionale, të lira dhe demokratike, me të njëjtin identitet, gjuhë e kulturë dhe me të njëjtat interesa në trojet e veta si dhe në fushën ndërkombëtare, përfshirë marrëdhëniet me fqinjtë. Vetëm kështu mund të zhduket eventualisht ose të pakën të ngushtohet hendeku midis ëndrrës së djeshme dhe realitetit të sotëm pplitik dhe ekonomik në radhët e shqiptarëve kudo. Debatet e kohëve të fundit në Prishtinë dhe në Tiranë janë një devijim nga qëllimet dhe objektivat e përbashkëta që duhet të ketë një komb. Parimet kombëtare nuk duhet të bien viktimë e interesave afatgjata ose aftashkurtëra për qëllime politike, nga kushdo qoftë. Udhëheqsit politikë shqiptarë kudo, duhet të shikojnë drejtë së ardhmes duke dëgjuar zërin e popullit që ata përfaqësojnë. Njëkohsisht të mos lënë pas dore të përbashkëtat që eksiztojnë midis shqiptarëve, por t’i ruajnë dhe t’i kultivojnë ato. Për ndryshe interesat e huaja, sidomos ato që ende ruajnë armiqësitë e vjetra ndaj shqiptarëve dhe që gjithnjë po punojnë drejtë përçarjes dhe mohimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve si një komb i vetëm – do t’ia dalin në të ardhmen që të përçajnë shqiptarët në grupe të ndryshme gjeografike dhe interesi. Ky është një rrezik real dhe i pranishëm. I takon këtij brezi politikanësh që jo vetëm të ruaj dhe të mbroj identitetin kombëtar të shqiptarëve, përball ndasive të mundshme të mbrendshme dhe të ndërhyrjeve nga jashtë duke venë në dyshim historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve. I takon këtij brezi të politikanëve, por edhe individëve nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë, siç është media — para se të jetë vonë — që me fjalët dhe sjelljet e tyre të rivendosin besimin dhe parimin e Besës së Lezhës dhe të Lidhjes së Prizrenit, se kombi shqiptar është një dhe se pa marrë parsyshë në cilin shtet jetojnë shqiptarët, ata kanë të njëjtin identitet dhe ndajnë të njëjtin fat. Kjo nuk është diçka e pa-arritshme. Një komb ekziston bazuar në gatishmërinë, pikëspari të atyre që u është besuar pushteti por edhe të sektorëve të tjerë të komunitetit kombëtar, që me përgjegjësi të punojnë për të mirën e përbashkët të kombit. Por, është kryesisht në dorë të udhëheqsve politikë të shqiptarëve, në të dy shtetet dhe më gjërë, që të përcaktojnë tonin e debatit dhe të shprehin vizionin për të ardhmen e kombit, në harmoni dhe bashkpunim me njëri tjetrin pa dallim feje a krahine, me besimin e vendosur në fatin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve si komb m identitet, gjuhë dhe kulturë të përbashkët në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit Perëndimor.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...