Published On: 6 Gusht, 2017

Presion i paskrupullt nga qeveria LSDM-BDI-ASH, ndaj Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

Në vend të sqarimit:

Të ndalet presioni i paskrupullt politik ndaj punës së institutit shqiptar!

Me tendencat e fundit për ndërhyrje flagrante në autonominë e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH)–Shkup, treshja e re qeveritare LSDM-BDI-ASH, po del se është shumë më vulgare se VMRO-DPMNE-ja.

Lexoni edhe: 

Ndërhyrje flagrante kundër institucioneve kulturore shqiptare!


Ato po instalojnë një standard të ri në udhëheqje, duke politizuar skajshmërisht dhe në mënyrë të hapur institucionet e larta hulumtuese, akademike, shkencore, duke mos respektuar asnjë procedurë ligjore.
Si në kohën e Partisë Komuniste të Maqedonisë, nga zyra e kryeministrit Zaev, përcillen urdhëresa çoroditëse, që në mënyrë urgjente, në ditë jopune, të mbahen mbledhje të organeve inekzistente në Institut! Me ligj, mbledhjet e Këshillit të Institutit (e jo Këshillit drejtues) i thirr kryetari ose zëvendësi i tij, e jo sekretari gjeneral i Qeverisë.
Kjo paraqet presion të paskrupullt politik dhe ndërhyrje brutale në punën e organeve drejtuese të Institutit, e që janë Këshilli dhe Drejtori.
Ligji për veprimtari hulumtuese-shkencore, parasheh qartë procedurën e zgjedhjes së organeve drejtuese të instituteve publike, për të cilat qeverisja neokomuniste maqedonase duket se nuk ka haber.
Sa për informim, tendenca për politizim të Institutit të vetëm shqiptar në Maqedoni të këtij profili, ka pasur edhe në të kaluarën. E fundit ishte ajo pas dorëheqjes së drejtorit paraprak në kohë zgjedhjesh, kur partia shqiptare në qeveri (BDI), për t’u lavduar me numra, e futi Institutin në listën e institucioneve që gjoja ajo i udhëheq. Asokohe, në “Komitetin” e partisë kishte kaluar një tjetër emër për drejtor të Institutit, pa i plotësuar kushtet ligjore, por rezistenca dhe lufta e drejtë e punëtorëve tonë shkencorë, rezultoi me zgjedhje të kuadrit nga brenda dhe në përputhje me ligjin. Ishte ky hapi vendimtar për depolitizim të Institutit, pas çka ky institucion shpërtheu fuqishëm në të gjitha qarqet shkencore vendore dhe ndërkombëtare, duke qenë bartëse e dhjetëra konferencave shkencore, botimeve, projekteve hulumtuese, studimeve pasdiplomike, etj., edhe pse me mbështetje minimale nga buxheti i shtetit. Tani derisa po e presim shënimin e 10-vjetorit të themelimit të Institutit, janë në proces të botimit mbi 30 vepra shkencore, të cilat për herë të parë dhe në mënyrë të argumentuar dëshmojnë për vlerat dhe traditën e pasur kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë në kontekst ballkanik dhe më gjerë.
Kujt mund t’i pengojnë këto suksese të Institutit shqiptar, përveç misionarëve të moszhvillimit dhe akulturimit të shqiptarëve?!
Si rrumbullakim, nuk është problemi i një emri drejtori, siç mund ta kuptojë gabimisht ndonjë i painformuar. Problemi është te ndërhyrja e paskrupullt e politikës në punët e shkencës, përkatësisht futja e Institutit në agjenda politike. Sipas kësaj logjike, çdoherë që do të ndërrohen partitë e pushtetit, do të duhet të ndërrohen edhe drejtorët e Institutit! Në këtë frymë, punëtorët tonë shkencorë, që janë fare pak, nuk do të kenë më motiv të merren me shkencë, me konferenca, me botime, por do të merren vetëm me politikë, meqë ky qenka kriteri kryesor për avancim!
Kjo është diçka e patolerueshme dhe e palejueshme!
Lufta jonë për depolitizim dhe kthim të Institutit në normalitet, do të vazhdojë deri në fund!

Me respekt,
Dr. Sevdail Demiri, kryetar i Këshillit të ITSHKSH, 
Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH.
Shkup, 6.8.2017

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...