Published On: 3 Gusht, 2017

Presidenti Ilir Meta në panik, shet 500 mijë euro pasuri, frikësohet nga konfiskimi

Meta dhe Kryemadhi shesin tre apartamente para ngritjes së Byrosë së Hetimit, dyshime për burimin e parave

Presidenti i Republikës Ilir Meta, politikani më i akuzuar në Shqipëri për korrupsion dhe pasurim të padrejtë, duket se i trembet veprimit të ligjit të ndryshuar anti-mafia, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, institucione të cilat do të ngrihen në fillim të legjislaturës së re.

Presidenti i ri, de fakto edhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili i bëri thirrje për armatosjen e popullit në fushatë, ka nisur që të shesë pasuritë e paluajtshme, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të deklaruara. Gjatë vitit 2016, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e zgjedhur në krye të LSI, kanë shitur tre apartamente për 487 mijë euro, shumë kjo e madhe krahasuar me të ardhurat e deklaruara të çiftit në fjalë. Meta dhe Kryemadhi kanë shitur një apartament me sipërfaqe 200 metra katrorë në vlerën 345 mijë euro. Referuar dokumenteve, ata thonë se posedojnë vetëm 50 % të këtij apartamentit. Meta dhe Kryemadhi kanë shitur një tjetër apartament banimi me sipërfaqe 166.2 metra katrorë, në vlerën  85 mijë euro. Ata kanë shitur një tjetër apartament banimi me sipërfaqe 108 metra katrorë, me vlerë 57 mijë euro. Për një vit Meta dhe Kryemadhi kanë kthyer në para më shumë se një gjysmë miliardi lekë pasuri të paluajtshme.

Ndryshe nga paratë, të cilat mund të fshihen apo të largon jashtë vendit, apartamentet e deklaruara të banimit janë më të rrezikuara që të sekuestrohen një ditë, nëse ato nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme. Pavarësisht dyshimeve, indicieve dhe akuzave të forta, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë folur shumë rrallë për pasurinë e tyre të vërteta dhe burimin e krijimit të saj.

Meta ka deklaruar se posedon një vilë normale në Gjirin e Lalzit, e cila në fakt llogaritet me një vlerë mbi 1 milion euro, me 2000 m2 oborr me ullinj, palma gjigante dhe 11 WC. Vetëm mobilimi i ka kushtuar mbi 400 mijë euro. Paga e Metës dhe e Monikës nuk mjaftojnë vetëm për mirëmbajtjen e saj, pa llogaritur pallatin 5-katësh ku ata jetojnë, në qendër të Tiranës në zonën e bllokut. Në ditët në vijim, do të sjellim edhe një shpjegim të dokumentuar të Ilir Metës për mënyrën se si i ka bërë këto pasuri, vetëm me dy paga, të tijën dhe të bashkëshortes.

Pse Ilir Meta ka frikë nga konfiskimi?

Ilir Meta ka arsye të forta për të pasur frikë nga veprimi i organeve të reja dhe të ligjeve të ndryshuara që do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta në Shqipëri.

Së pari, Ilir Meta nuk mund t’i justifikojë pasuritë me vlerë miliona euro me të ardhura të ligjshme, pra më pagën e tij dhe të bashkëshortes, e cila disa vite më parë është deklaruar edhe si e papunë.

Së dyti, organet e reja nuk do të kontrollohen më nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, siç kanë kontrolluar për më shumë se dy dekada me radhë drejtësisë aktuale. Shitja e pasurive vjen në fund të mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili perceptohet si një garanci apo mburojë për Ilir Metën. Me ikjen e Llallës, Ilir Meta nuk është më i sigurt.

Së treti, ndryshe nga politikanë të tjerë, Ilir Meta, në kohë të ndryshme, i kanë deklaruar në deklaratat e pasurisë pasuritë e tij të paluajtshme, për rrjedhojë ato nuk mund të fshihen apo të kamuflohen në emër të njerëzve të tjerë.

Rregullat e reja të konfiskimit të pasurive të paligjshme

Ligj për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, ka ndryshuar disa herë vitet e fundit. Në vitin 2014, ky ligj pësoi ndryshimin më të rëndësishëm, duke përfshirë si objekt të veprimit të tij edhe veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Përveç goditjes së pasurive të grupeve kriminale, ligjit do të godasë edhe pasuritë e paligjshme të pushtetarëve.

Ligji pësoi të tjera ndryshime të rëndësishme në maj të vitit 2017, duke zgjeruar më tej rrethin e personave që do t’u konfiskohen pasuritë si dhe numrin e veprave penale.

Sipas ndryshimeve, kur vërtetohet se disa pasuri i janë transferuar apo janë regjistruar në emër të të tretëve, me veprime juridike fiktive ose të simuluara, gjykata konstaton pavlefshmërinë e këtyre veprimeve juridike.

Në këto raste, ligji i ri parashikon konfiskimin e pasurive në emër të bashkëshortit, fëmijës, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërve, motrave, xhaxhallarëve/dajave, hallave/tezeve, nipërve/mbesave, fëmijëve të vëllezërve dhe motrave, vjehrrit, vjehrrës, dhëndrit, nuses, kunatës, kunatit, bashkëjetuesit, thjeshtërit, thjeshtrës, njerkut dhe njerkës. Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi. Personat kanë barrën për të justifikuar që të gjitha veprimtaritë dhe pasuritë e sekuestruara, të poseduara, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, janë fituar në mënyrë të ligjshme. Po ashtu, personat e parashikuar në ligj kanë barrën e provës për të treguar që pasuritë e konfiskuara janë pronë e tyre ekskluzive dhe nuk janë në pronësi indirekte të personave të tjerë, të parashikuar në ligj./Pamfleti.com

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...