Published On: 8 Gusht, 2017

Polemika e avokatit të SHIK-ut, me apologjetin avokatit të Millosheviçit

  • Marrëzia e gjithë tekstit tënd qëndron pikërisht në faktin se derisa Badiou mbron Milosheviqin, ti merr në mbrojtje Badioun, pra bën avokatin e avokatit të shqiptarvrasësit. Platoni do të thoshte: derisa Milosheviqi është ideja, Badiou është hija e idesë, ndërsa Elvisi është hija e hijes.
  • BLERIM LATIFI

I dashur Elvis, po të drejtohem kështu për herë të fundit, ngase vërejtja që bën rreth kësaj, dua ta pranoj, është me vend: unë nuk i takoj vëllazërisë suaj ideologjike dhe si rrjedhim nuk mund të marrë pjesë në solidaritetin e përditshëm gjuhësor të cilin e presupozon kjo trajtë e adresimit. Natyrisht ajo që kam dashur të përcjell përmes këtij adresimi është se e pelqej si slleng tiranas, por pse jo edhe si shenjë të miqësisë filozofike.Sidoqoftë kjo pak ka rëndësi.

Të kalojmë tash tek thelbi i çështjeve për të cilat po zhvillohet kjo polemikë.

Pikësepari ti bën një gabim të pafalshëm filozofik: ti nxjerr gjykime për leximet dhe interpretimet e mia të filozofëve, jo nga ndonjë bashkëbisedim filozofik me mua (kur të duash mund ta bëjmë edhe live në media), por nga thashethemnaja e miqve tu në kafehanet e llumpenproletariatit digjital, të cilin, nëse flasim me terma Oruellian, mund ta quajmë ushtria e qenve të facebook-ut, e cila është e gatshme 24 orë online të kafshojë pamëshirë secilin që guxon të mendojë ndryshe prej shokut Albin, i cili si derri Napoleon në Fermën e Kafshëve të Oruellit gjithmonë ka të drejtë.

Si filozof, do të duhej ta merrje në konsideratë logjikën aristoteliane, e cila thotë se një premisë e gabuar shpie në konkluzion të gabuar.

Si adhurues i Platonit, siç konsideron se je, do të duhej ta dije se e gjithë Republika e Platonit është shkruar si protestë kundër fuqisë së thashethemnajës, e cila në gjyqin e rrugës e dënoi me vdekje Sokratin, pikërisht se donte që njerëzit e qytetit t’i çlirojë nga thashethemnaja mbi punët e shtetit.

Pra, ti ende nuk ke arritur te Platoni, që t’i tregosh dikujt për Platonin, ndonëse po bën përpjekje prej sizifi me gurin e quajtur Badiou të ngjitesh në lartësitë platonike, por meqë ke bërë mëkatin filozofik të rënies në dogmatizëm, atëherë perënditë e filozofisë të kanë dënuar që kurrë të mos arrish në cak. Me rrufetë e tyre të kritikës, posa t’i afrohesh majes, ato do ta rrokullisin gurin persëri në fund, e aty poshtë ku gremisesh, vazhdimisht do ta rigjesh thashethemnajën. Një gjë është e sigurt: aty ke për të mbetur për sa kohë ndjek rrugët e gabuara filozofike.

Thashethemnaja është bota e injorantëve dhe budallëve kundër të cilës Platoni shkroi, jo vetëm Republikën, por edhe shumë dialogë të tjerë.

Platoni shkroi Republikën për t’i larguar turmat nga shteti, ndërsa ti kërkon saktësisht të kundërtën, që këto turma të hyjnë në shtet dhe ta vendosin drejtësinë e tyre të tërheqjes zvarrë të njerëzve, verdiktin e thashethemnajës së tyre.

Si lexues i Hegelit do të duhej ta dije se shteti dhe drejtësia nuk bëhen kështu dhe po si lexues i Hegelit do të duhej ta mësoje se gjykimi filozofik nuk niset nga thashethemnaja, sëpaku po të lexoje pjesën e fundit të “Filozofisë të së drejtës” ku Hegeli analizon thelbin e opinioneve të publikut, ku bashkohen të gjitha paragjykimet dhe thashethemet e rrugës.

Por ashtu, siç je larg prej Platonit, poaq je larg edhe prej Hegelit, sepse Hegeli është filozof i shtetit dhe brenda shtetit, ndërsa ti dhe lëvizja jote maoiste jeni kundër shtetit dhe nuk ka si të mos jeni, duke pasur parasysh adhurimin tuaj për Badioun dhe doktrinën e tij të luftës kundër “kapitalo-parlamentarizmit”.

Urrejtja e Badiou për parlamentarizmin demokratik natyrshëm shpie në doktrinën e kalljes së parlamentit, hedhjes së bombave me helme kimike brenda parlamentit dhe këputjen e përçuesve të energjisë elektrike në ndërtesën e parlamentit me idenë që të hidhet në erë ndërtesa. Me Badioun nuk ndërtohet shteti. Me të vetëm shkatërrohet dhe ti bashkë me lëvizjen tënde Vetëvendosje jeni argumenti më i mirë për këtë.

A nuk thotë Badiou yt i dashur se se “populli” ka kuptimin e zhdukjes së shtetit ekzistues dhe si dogmatë të pandreqshëm që jeni ju e lexoni këtë në mënyrë literale, si një porosi të Zotit dhe me të zbardhur drita i suleni shtetit me bomba artizanale, të punuara në magazina të fshehta, sikurse bënin dikur terroristët rusë, të cilët morën formën më të organizuar në partinë bolshevike të shokut Lenin dhe i dhanë jetë Puqit të Tetorit 1917,  puq të cilin filozofi yt i dashur Badiou e quan eventin më madhështor të shekullit XX krahas revolucionit kulturor kinez, versionin shqiptar, nëse jo ti, e kanë provuar prindërit e tu.

Gjithesi ju keni të drejtë të humbni kohën në refleksione gjenerike mbi marrëzitë ideologjike të shekullit të kaluar, por të siguroj se ne jemi këtu për të mos lejuar që shteti i Kosovës të shndërrohet në laborator të ri të mbetjeve të këtyre marrëzive, që për fatin tuaj të keq filozofik dhe moral, vazhdoni t’i merrni seriozisht. Dhe këtë do ta bëjmë, jo për hir të pushtetit, sepse rotacioni demokratik mos sot nesër të largon nga pushteti, por sepse, nuk mund të lejojmë që ky shtet, i arritur pas gati një shekulli robërie nën çizmen serbe, të bëhet lodër në duart e atyre që ende verbërisht besojnë në kauzat e humbura. Vajmedet për njerëzimin dhe kombin shqiptar në duart e kujt ka mbetur emancipimi i tyre.

Sa i përket Hegelit, ti bën dy gabime, njërin teknik dhe tjetrin logjik. Përpiqesh ta gjesh ndarjen hegeliane në mes popujve historikë dhe atyre johistorikë, duke e kërkuar në vend të gabuar në fenomenologjinë e frymës, derisa ajo e qetë bën gjumin eurocentrik në faqet e filozofisë së historisë të Hegelit

Gabimi logjik, i cili në fakt ta përcakton krejt rrjedhën e shkrimit tënd, është se derisa në njëren anë e kritikon Hegelin për këtë “ndarje të dhunshme të popujve”, në anën tjetër gjithë kohën operon me këtë ndarje dhe përmes saj përpiqesh të justifikosh avokatin e Milosheviqit, që pasi nuk e paske kuptuar, po ta tregoj se është pikërisht filozofi yt i dashur Alain Badiou, që në ditët më të rënda të gjenocidit serb në Kosovë bërtiste nga shpella e tij maoiste në Paris se ky gjenocid është një fake news i imperalizmit amerikan.

A nuk është kjo avokati e nivelit më të lartë, shoku Elvis? Marrëzia e gjithë tekstit tënd qëndron pikërisht në faktin se derisa Badiou mbron Milosheviqin, ti merr në mbrojtje Badioun, pra bën avokatin e avokatit të shqiptarvrasësit. Platoni do të thoshte: derisa Milosheviqi është ideja, Badiou është hija e idesë ndërsa Elvisi është hija e hijes.

Tek e vërteta e Kosovës arrihet duke lexuar Bernard Henri Levy-n, Pacal Bruckner-in, André Glucksmann-in, filozofët e rinj të Parisit, të cilët, kur Badiou yt thërriste “ndaleni o të poshtër bombardimin e Milosheviqit”, u vunë në mbrojtje të plotë të popullit të Kosovës. Por ti nuk i lexon ata, sepse udhëzimi ideologjik i Badious është i prerë: filozofët e rinj të Parisit janë në shërbim të kapitalo-parlamentarizmit dhe si të tillë nuk duhet marrë në konsideratë. Ata janë reaksionarë, e reaksionarët nuk duhen lexuar, por duhet dërguar në gulag ose në fushat e orizit të Pekinit.

Derisa filozofët e rinj të Parisit zhvillonin dallimin në mes lëvizjes nacionaliste çlirimtare të Kosovës dhe nacionalizmit shovinist serb, Badiou yt barazonte UÇK-në me Ushtrinë e Milosheviqit dhe këtë e bënte saktësisht në majin e vitit 1999 kur Kadri Veseli ishte në malet e Kosovës me armë në dorë, ndërsa Albini yt shqetësohej se në banesën e tij të ngrohtë në Prishtinë gjatë natës kishte ndërprerje të ujit dhe si rezultat nuk do të mund ta lahej në mëngjes. Merri këto dy situata se të ndihmojnë ta davaritësh terrin dogmatik që ta ka mbërthyer trurin, mbi të cilin, duke u nisur nga modestia jote, aspiron të themelosh popullin e ri të Kosovës, sepse ky populli ekzistues, sipas teje, nuk vlen ngase është themeluar prej NATOs, kësaj bande internacionale siç e quan Badiou yt. Natyrisht një pretendim të tillë prej të marri mund ta ketë vetëm dikush që konsideron se populli është lëndë e parë me të cilën mund të bëjmë çfarë të duam. Populli i Kosovës e  nxori Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pikërisht se nuk ka dashur të trajtohet si lëndë e parë, si objekt përpunimi dhe meqë, në tërë pafytyrësinë tënde pseudofilozofike, në një moment i lejon vetes fjalinë për “të mrekullueshmen praktikë jetike të UÇK-së”, atëherë të pyes ty se kush e ka themeluar këtë praktikë të mrekullueshme? A Kadri Veseli me armë në dorë në malet e Kosovës, apo Albin Kurti në shtratin e ngrohtë të banesës së tij në Prishtinë?

Shoku Elvis, nuk mund të jesh pro UÇK-së dhe kundër Kadri Veselit, ashtu siç nuk mund të jesh edhe me UÇK-në edhe me Badioun. Vetëm i marri mund të vendosë raporte koherence mes këtyre qëndrimeve. Natyrisht unë ende nuk mendoj se je i marrë, por po e marrë këtë si shenjë dobësie e momentit në gjykim. Sidoqoftë koha do të tregojë se cili nga këto dy interpretime është i drejtë. Me rrugën që ke marrë nuk është e vështirë të parashihet, por le të presim.

Badiou yt i dashur me barazimin e UÇK-së me Ushtrinë e Millosheviqit të shpie drejt Dick Martit dhe në bodrumet e UDB-së ku fabrikohet fiksioni për Shtëpinë e Verdhë në Burrel dhe prej andej në doktrinën që thotë se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte i padrejtë dhe si rezultat edhe shteti i Kosovës një shtet i paligjshëm. Ti je vetëbërë një donkishot që pasi ka humbur mendjen në leximin e librave të kalorësisë marksiste, është armatosur me armët e ndryshkuara të marksizmit dhe është në nisur në kërkim të lavdisë prej themeluesi të popullit të ri.

Por në rastin tend, përveç dimensionit komik, ekziston edhe një dimension tragjik, e ky është se si donkishot je duke ecur nëpër rrugët ku u përgadit dhe u justifikua plani për shkatërrimin e popullit të Kosovës, dhe kur kjo dështoi, tani ende punohet për delegjitimimin e tij.

Meqë më flet për letërësinë dhe raportin e saj me mendimin atëherë do të shërbehem me një tezë marksiste për ta bërë më të prekshëm donkishotizmin tënd dhe të partisë tënde. Marksi thoshte se historia ndodh dy herë: njëherë në formë të tragjedisë dhe herën e dytë në formë të farsës. Kur e aplikojmë këtë në rastin e Kosovës atëherë na del se UÇK-ja është pjesa tragjike, ndërsa Vetëvendosja është farsa e saj. Natyrisht farsa në letërsi na bën të qeshim të gjithë, por farsa në realitetin politik rrezikon të na kthejë në objekt qeshjeje për të tjerët. Ju si Vetëvendosje veç e keni dhënë një provë të shquar të kësaj: me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ju e bëtë gjithë botën të qeshë me Kosovën. Ju keni filluar si farsë ideologjike dhe si e tillë do të përfundoni. Kjo mund të marrë kohë por, më lejo të bëhem pak hegelian, mendja botërore që i ka ndihmuar këtij vendi t’u mbijetojë tragjedive do t’ia mundësojë t’u mbijetojë edhe farsave.

Këto ditë një bashkëpartiak i yti, shoku Elvis, publikoi një foto të tij duke hedhur në toalet flamurin shtetëror të Kosovës. Ky akt, përveç përçudnimit në të cilin mund të bjerë një mendje e dehur nga ideologjia juaj, shpreh saktësisht edhe dëshirën më sublime të Beogradit zyrtar: hedhjen në toalet të shtetit të Kosovës. Por një gjë të siguroj: ai që hedh në toalet gjakun e derdhur të Kosovës herët a vonë ka për të përfunduar vetë në toalitetin e historisë të atyre që punuan me fjalë e me vepra kundër lirisë së Kosovës.

Prekaz

07.08.2017

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...