Published On: 25 Prill, 2017

Përpjekjet e fundit të Mustafës për ta shpëtuar Qeverinë nga rënia

Vizitën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në Bruksel, analistët e vlerësojnë si përpjekjen e tij të fundit që t’ia zgjasë jetën Qeverisë që ai udhëheq sa më shumë që të jetë e mundur.

Supas analistëve zgjedhjet e parakohshme janë duke trokitur në derë, dhe mbajtja e tyre po shihet si diçka e pashmangshme.

Analisti Arben Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se Mustafa nuk ka qëndruar në zyrat e Bashkimit Evropian (BE), për të hequr kushtin e demarkacionit për liberalizim të vizave, sepse, sipas tij “ai dhe çdokush e di që një gjë e tillë nuk arrihet”.

“Mustafa ka ikur këto ditë në Bruksel, me qëllim që të shmang dërgimin në Kuvend edhe këtë javë të demarkacionit, dhe rrjedhimisht rënien e Qeverisë. Ka ekzistuar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës  një kalkulim i gabuar, se nëse nuk bie këtë javë Qeveria, atëherë PDK do të bindet që të mos e dërgojë vendin në zgjedhje”, ka shtuar ai.

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë se “kryeministri bëri përpëlitjen e fundit për të vazhduar të qëndrojë në pushtet deri në fund të mandatit”.

Sipas tij, Mustafa e di se e ka shkelur vullnetin e elektoratit të LDK-së, kur ka vendosur të bashkëqeveris me PDK-në, duke shtuar se “e ka të pamundur të bëhet sërish kryeministër, andaj synon ta shfrytëzojë mandatin deri në fund”.

“Ai e ka hallin e vet, e jo të qytetarëve. Po të ishte ndryshe, ai do të provonte ta zgjidhte çështjen e demarkacionit gjatë gjithë muajve që kanë shkuar kot, pa e sjellë situatën politike në bllokadë totale”, ka theksuar Mushkolaj, për Telegrafin.

Ndryshe, Takimi i shumëpritur i kryeministrit Isa Mustafa me Komisionierin evropian Dimitris Avramoploso, në Bruksel përfundoi me dështimin e kryeministrit Mustafa, në përpjekjen për heqjen e demarkacionit si kusht për liberalizimin e vizave.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Tove tha për Tribuna Channel se Avromoplos vlerëson përpjekjet e kryeministrit Mustafa për demarkacionin me Malin e Zi dhe tha ka inkurajuar kryeministrin që ta dërgojë në Kuvend.

“Komisioneri Avramopoulos gjithashtu pranoi përpjekjet që Kosova ka bërë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe inkurajoi Kryeministrin Mustafa, qeverinë e tij dhe partitë politike që të vazhdojnë së shpejti me votën në Kuvend”, tha Tove.

Ndërkaq, komisioneri evropian ka dhënë mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave dhe ka vlerësuar edhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu bëhet e ditur se Avramoplos do të vizitojë Kosovën para stinës së verës./Telegrafi/

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...