Published On: 18 Gusht, 2017

Përpjekja për ngjalljen e fantazmave jugosllave!

Gani Mehmetaj: Kujtime (42)

Xhaxhai Surroi me të ashtuquajturit turq të Prizrenit, ulërinte për Milosheviqin, nipi Vetoni çirrej për serbin tjetër Ivan Stamboliqin. Ndërsa qe të dytë flisnin me tërbim kundër Rugovës.


Pas lirimit të Rugovës dhe paralajmërimit të afërt të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, çuditërisht erdhën disa diplomatë perëndimorë në redaksinë e “Rilindjes”. Kërkonin informacione, apo donin të mësonin si frymonin shqiptarët, nuk e kapja dot qëllimin e vizitave, sepse një kohë të gjatë nuk kishin qenë në redaksi, kurse më herët kryesisht interesoheshin për qëndrimin e Rugovës ndaj problemeve të caktuara.

I pari erdhi zyrtari britanik, i cili më vonë ndenji disa vjet në Kosovë. Interesohej për fatin e shqiptarëve, për solidaritetin, por nuk e fshihte se i interesonin, sidomos simpatitë e shqiptarëve ndaj personaliteteve të caktuara, duke filluar nga presidenti Rugova. Isha kryeredaktor i gazetës me ndikim te shqiptarët në diasporë, prandaj e kuptoja se donte të mësonte a ka ndryshuar mendimi i shqiptarëve për Rugovën, meqë po ashtu e mbroja presidentin legjitim nga sulmet e ndryshme. Por nuk e kuptova kur i nxori nga mangët AS-at e vet dhe donte që të m’i shiste si fitoren time.

Një si acarim pezull në ajër nisi kur më pyeti për Rugovën për të cilin fliste sikur ai të kishte marrë fund. I thashë se ai është personaliteti më i fuqishëm shqiptar në Kosovë e në Shqipëri. Që në fjalët e para pata përshtypjen sikur e kishin bindur për të kundërtën. Këtë nuk e tha në mënyrë të drejtpërdrejtë, por grimasat ia thoshin. Më duket e nxori vetëm një pyetje me një fjalë: “Athua?” I tregova se po u përpoqën ta hiqnin nga skena politike, sipas sugjerimeve të të tjerëve, do të gabonin rëndë, sepse kjo gjë do t’u binte si fatkeqësi shqiptarëve. Do të qe fatkeqësi edhe për diplomacinë britanike. Askush nuk do të qëndronte më pranë Perëndimit, pra edhe Britanisë së Madhe sesa Ibrahim Rugova, sepse edhe Britania e Madhe me Toni Blerin, kryeministër, i qëndroi aq pranë Kosovës e Rugovës në situatat dramatike. Bler u angazhua krahas Bill Klintonit, madje ku e ku i dha shtysë presidentit amerikan që të lëvizte levat e presionit mbi Serbinë, pra u priu zërave për bombardimin e Serbisë.

Ndërkaq, Ibrahim Rugova ishte shumica shqiptare. Sikur e ka humbur popullaritetin me marrjen peng nga Milosheviqi, sikur e la të nënkuptohej me stilin e diplomacisë karakteristike ishullore. “Shqiptarët nuk mund ta duan një hero të këtillë!” – m’u bë se ma tha prapë me një gjuhë diplomatike, që e kisha dëgjuar nga folkloristët e politikës shqiptare .

“Kam frikë se shqiptarët ende po i përjetoni si popull ekzotik. Nuk janë shqiptarët e sotëm shqiptarët e Isa Boletinit, që u fut me kobure në institucionet britanike”, ia ktheva si në shaka.

Ai më shikonte i hutuar. Pse si mendon, e duan ende shqiptarët Ibrahim Rugovën, edhe pas tërë asaj që i ndodhi?

E duan edhe më shumë, – ia ktheva i sigurt në atë që thosha, sepse vërtet e ndieja  që mbështetja ndaj tij shtohej, e ndieja nga reagimet me letra e telefonata mbështetëse që vinin në redaksi.

“Fatkeqësia që i ndodhi me pengmarrjen e ka bërë edhe më të afërt me popullin e përvuajtur, i cili po ashtu kaloi nëpër të njëjtën Golgotë”, vazhdova ta habis diplomatin britanik. “Ata e kanë shndërruar tashmë në martir të gjallë, në Krisht që e përjetoi Golgotën, që vdiq e u ringjall”. Isha i sigurt se s’kishte si të jetë ndryshe, kur e dija mbështetjen e qindra telefonatave në redaksi, ardhjen e qindra letrave e postimeve elektronike.

“Shqiptarët, sikurse prijësi i tyre, Rugova, kaluan nëpër gacat e ndezura këmbëzbathur,  prandaj i çmojnë vuajtjet e Rugovës edhe më shumë. Gabimi i vlerësimit ndryshe do të na hakmerret”, ia ktheva i sigurt. Edhe një kohë të gjatë nuk do të gjendet zëvendësim për Rugovën.

Ndërkaq, ai para kësaj më pyeti si rrëshqitazi çka mendoj për V. Surroin? “ Mendoj se është figurë margjinale, e papeshë që s’do të dale kurrë në sipërfaqe në lojën e madhe politike. Shqiptarët nuk e vlerësojnë, pavarësisht se disa qarqe ndërkombëtare përpiqen ta fusin kudo. Me braktisjen e autonomisë së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë si opsion i dikurshëm, Surroi është si pendël pule, i pa peshë, kush nuk e merr seriozisht.  Nuk është vetëm e kaluara e tij pengesë e karrierës, të kaluarën shqiptarët ua falën edhe të tjerëve, por dashurinë për Jugosllavinë nuk ia falin. Ia kanë frikën edhe në të ardhmen. Nuk dua të bëhem profet, por kurrë ai njeri nuk do të mbledhë ithtarë as për një autobus në një shtet të pavarur. As në sajesat frankeshtajne të Jugosllavisë.

Xhaxhai Surroi me të ashtuquajturit turq të Prizrenit, ulërinte për Milosheviqin, nipi Vetoni çirrej për serbin tjetër Ivan Stamboliqin. Ndërsa qe të dytë flisnin me tërbim kundër Rugovës.  Po ashtu i tregova se si e pyesin çdo refugjat të Kosovës me të shkelur në tokën britanike se çka mendoni për V.S. Kjo gjë i dogji, prandaj vetëm sa s’më tha kush ta tha këtë gjë.

Për ta zbutur paksa atmosferën e nderë, sepse kalkulimet e tilla të padrejta e të dëmshme më nxirrnin nga baraspesha, ia ktheva me shaka: E dini si? Gazeta është si shërbimi i fshehtë, i ka spiunët e vet në terren dhe i ka të gjitha të dhënat, që na i dërgojnë, ndërsa i shfrytëzojmë atëherë kur na duhen. Ndërkaq, i pata këto e shumë të dhëna të tjera, të cilat na i dërgonin bashkëpunëtorët tanë, sidomos simpatizantët e LDK-së, ndërkaq simpatizantët e LDK-së ishin shumica dërmuese e shqiptarëve në Perëndim.

Nuk i erdhi mirë, por vazhdonim bisedën. Çka mendon për M. Bakallin? Më pyeti pa të keq. “Mendoj se është kartë e djegur, në të cilën nuk do t’ua preferoja të vini bast”, ia ktheva në stilin anglez. “Nuk përfitoni asgjë nga ai dhe nga kasta e komunistëve të vjetër, me frymën jugosllave. Janë kufoma politike që s’do t’u hyjnë në punë për asgjë, kundërmojnë ”, përpiqesha t’ia parashtroja jo vetëm opinionin tim.

“Ashtu mendoni ju, apo presidenti juaj?”, ma ktheu me dozë ironie. “Ashtu mendojnë pjesa dërmuese e popullatës shqiptare në Kosovë e në ish-Jugosllavi, sepse personi që e përmendi ju me zyrtarët e tjerë dështuan në kohën kur duhej të mbronin shqiptarët”.

Pse përpiqeshin të ngjallnin fantazmat jugosllave, më dukej paksa e habitshme. Athua donin të na fusnin sërish në kuadër të Jugosllavisë?

Ai përpiqej të më tregonte se ata donin të ishin praktikë, si për të m’i hequr mëdyshjet e mia, ndërsa druante se Rugova është shpenzuar.  Ashtu i kishin thënë pëshpëritësit.

“Keni informata krejtësisht të gabuara, ose e kanë me hile ata që u pëshpëritin në vesh sado që i financoni.

Besoja se Rugova do të kthehet në Kosovë triumfues, pa asnjë dyshim. Prapë isha i sigurt në këtë që e thosha, sepse e dija nga reagimet e diasporës që e mbështetën gjatë gjithë kohës sa qëndroi peng i kriminelit Milosheviq, e mbështetën edhe më vonë kur shkoi në Itali.

Ibrahim Rugovën e adhuronin para dhe pas luftës. Asnjë personalitet shqiptar nuk e gëzonte këtë respekt e dashuri, asnjë lider shqiptar nuk ishte më afër tyre.  Të vetmin e zgjodhën në krye të shtetit paralel, do ta zgjidhnin sa herë që të kandidohej, sepse popullata e adhuronte, pavarësisht pengmarrjes nga policia serbe.

Diplomacinë angleze duket më herët e bombarduan me të dhëna të shtrembëruara, sidomos kundër qëndrimit të përgjithshëm të popullatës shqiptare, jo vetëm pse ata që komunikonin me anglezë ishin tepër projugosllavë, por edhe sepse pjesa më e madhe e korrespondentëve shqiptarë të BBC raportonin kundër Rugovës.

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...