Published On: 22 Tetor, 2016

Për krimet tona

  • Arben Idrizi
  • Kush do t’i ketë vrarë gjyshërit e S. R.-së as që dihet. Dhe me gjasë as që do të zbulohet ndonjëherë. Tash e tutje, thjesht do të thuhet dhe mendohet se ata janë vrarë nga shqiptarët. Shqiptarët, në këtë mënyrë, nuk janë më një etni që dallon brenda vetes vrasësin nga jo vrasësi, por e ngërthen në vete, duke e bërë veten një etni vrasëse. Për aq sa tashmë nuk mund t’i zbulojë individët që e kanë kryer vrasjen, për aq nuk dëshiron. Ngase kurrë nuk dëshironte

Teksti që do të propozoj në vijim të lexohet, është shkruar muaj më parë dhe bën pjesë në fragmentet e mia. Por, duke qenë se Gazeta Express këto kohë është duke transmetuar dokumentarin “Gjahu në UÇK”, të kryeredaktorit Leonard Kerquki, i cili flet, në pjesën e dytë, për krimet mbi të gjitha ndaj civilëve serbë, ndava mendjen t’ia bashkëngjes, si një lloj ilustrimi dhe përkrahjeje.

Emrat e të gjithë personave që ishin të pranishëm në vizitën për të cilën flet teksti dhe të vetë kryeprotagonistës (së cilës i janë ruajtur inicialet), i kam hequr në këtë botim, nga frika se mund të përballen në vendin tonë me sharje, kërcënime, ose edhe më keq.

***

Siç i patëm premtuar S. R.-së, e dërguam në Gjakovë ta vizitonte shtëpinë e gjyshërve. Ajo jeton në Londër prej shtatëmbëdhjetë vitesh. Më 1999, i janë vrarë gjyshi dhe gjyshja, në shtëpinë e tyre, nga shqiptarët.

Duke parë se ajo e kishte aq për zemër ta vizitonte shtëpinë e gjyshërve dhe duke qenë se kishte frikë të shkonte vetëm, i ofruam ta dërgonim atje me makinë dhe ta shoqëronim tërë kohës, që të mos ndihej e rrezikuar dhe frikësuar. Hera e fundit kur i kishte vizituar gjyshërit ishte para luftës.

Në të vërtetë, nuk ishte një vizitë në shtëpinë e gjyshërve, sepse ajo tashmë është uzurpuar. Ishte një vizitë në afërsi, pa u vërejtur, pa lënë të nënkuptohet kush ishte dhe çfarë po bënte, pa folur në gjuhën e vet. Dhe as ne, pa mundur t’i flasim në gjuhën e saj. Megjithëse, ajo, tërë kohën kërkonte të flisnim, edhe në Prishtinë, anglisht, meqë ajo ndihej keq të flisnim në gjuhën e saj kur ajo nuk e njihte gjuhën tonë. Ishte një vizitë në afërsi të shtëpisë të cilën tashmë e banonte një familje që ajo s’e njihte. Por, na thoshte me shumë përulësi dhe dhembshuri, nuk donte tani për tani të dëbohej nga aty. Ne i thamë se ka një organizatë që merret me kthimin e pronave të uzurpuara dhe mund ta vëmë në kontakt. E kot, ngase ajo e dinte tashmë këtë gjë. Asaj i vinte keq, kaq. Nuk donte ta përdorte një institucion legal, një të drejtë, për t’i hequr nga shtëpia uzurpuesit, duke pasur frikë se ata, sado uzurpues, mund të mos kishin ku të strehoheshin. Nuk e dimë nëse është e vërtetë se ata s’kanë ku të shkojnë. Në të vërtetë, të paktë janë ata që s’kanë një strehë që të kenë uzurpuar për këtë shkak. Rëndom kanë uzurpuar pronat serbe ata që i ka shtyrë lakmia për të pasur një pronë më tepër, të huaj. Nuk ia thamë këtë. Ashtu siç nuk ia thashë, unë vetë, ta zëmë se mbase vrasësit e gjyshit mund të ishin vetë uzurpuesit. Ngase kështu ka ndodhur në më të shumtën e rasteve: shumica kanë shkruar të uzurpojnë dhe kur kanë gjetur pronarët në shtëpi, i kanë vrarë; një pjesë më e vogël kanë shkuar drejtpërdrejt në shtëpitë e caktuara, që ata e kanë ditur se janë pronë e serbëve, për të vrarë.

Pra, në fund të fundit, kush do t’ia ketë vrarë gjyshërit as që dihet. Dhe me gjasë as që do të zbulohet ndonjëherë. Për të, ashtu si edhe për mua, ashtu si edhe për secilin, tash e tutje, thjesht do të thuhet dhe mendohet se ata janë vrarë nga shqiptarët. Shqiptarët, në këtë mënyrë, nuk janë më një etni që dallon brenda vetes vrasësin nga jo vrasësi, por e ngërthen në vete, duke e bërë veten një etni vrasëse. Për aq sa tashmë nuk mund t’i zbulojë individët që e kanë kryer vrasjen, për aq nuk dëshiron. Ngase kurrë nuk dëshironte.

Lufta gjithmonë e bën këtë: e pësojnë mbi të gjitha ata që nuk e duan luftën dhe mbi të gjitha fëmijët, gratë dhe pleqtë, të cilët janë jashtë një fronti të mundshëm të atyre kafshëve që nisen t’ia presin gabzherrin njëra-tjetrës, për çfarëdo qëllimi a ideali.

S. ishte tepër e emocionuar dhe prekur nga kujtimet dhe dhimbjet për të na folur për gjyshërit. Nëse dinte ndonjë gjë për mënyrën si i kishin vrarë.

Nga ana tjetër, në Gjakovë janë vrarë qindra shqiptarë gjatë luftës. Edhe më shumë veta janë zhdukur edhe ende edhe sot e kësaj dite nuk dihet gjë për ta. Dhe për tërë ata të vrarë dhe të zhdukur nuk ka pothuajse asnjë të dënuar nga pjesëtarët e forcave serbe, të cilat i kanë kryer ato krime.

Tani, duke qenë kështu dhe para se gjithash duke qenë se njerëzit janë të prirë në përgjithësi nga natyra ta njohin vetëm veten viktimë dhe vetëm veten në të drejtë, shumicës së shqiptarëve, qofshin ata të prekur nga lufta ose jo, nuk iu intereson se çfarë ka pësuar pala tjetër, gjatë a pas luftës.

Si t’i shpjegosh një nacionalisti shqiptar, i cili nuk do të donte assesi ta shihte, për shembull, S.-në ta vizitojë shtëpinë e gjyshërve, vendin ku janë lindur, kanë jetuar dhe në fund janë vrarë ata, vendin ku ajo vetë ka ardhur çdo verë dhe është kënaqur, se ajo është një qenie njerëzore që nuk do ta shkelte as mizën; se ajo është njëra prej atyre qenieve njerëzore, e cila kurrë s’e ka dashur as kurrë s’do ta dojë luftën; se ajo është një qenie njerëzore, e cila kurrë s’ka pranuar që ajo luftë e vendit të saj të bëhet në emrin e saj; se ajo është një qenie njerëzore, e cila ka bashkëndier tërë kohën me të gjitha viktimat shqiptare; se ajo është një qenie njerëzore, në fund të fundit, pafundësisht më humane se ai mut nacionalisti shqiptar, i cili s’e duron dot praninë e saj në qytetin e gjyshërve të saj, pavarësisht se çfarë ka ndodhur shtatëmbëdhjetë vite më parë; se ajo është një qenie njerëzore, gjithsesi, më humane se tërë nacionalistët, luftëdashësit, kudo mbi faqen e dheut.

Unë nuk e di saktësisht si është të ta vrasin gjyshin e gjyshen dhe të mos mund të kthehesh e lirë në vendin e tyre që ta vizitosh, të shohësh ku i kanë vrarë. Me aq sa më mundëson mendja dhe shpirti, unë bashkëndiej me të.

Mirëpo, unë e di, po ashtu, si është të të vritet gjyshi dhe trupi i tij të zhduket. Sepse kjo ka ndodhur. Dhe këtë nuk ia thashë S.-së asnjëherë. Ashtu siç në të vërtetë nuk ua kam thënë asnjëherë as miqve të mi serbë. Kam shkruar para pak muajsh një tekst për personat e zhdukur dhe në atë rast kam folur edhe për gjyshin tim. Në fakt, as të tjerët nuk kishin dashur qëllimisht t’ia përmendnin këtë fakt, duke mos dashur ta bënin të ndihej edhe më keq.

Se, kështu duhet të jenë gjërat. Nëse unë një ditë do të kuptoja në cilën varrezë masive në Serbi gjenden eshtrat e gjyshit tim, të bartura deri atje me kamionët-frigoriferë namkeq, do të doja të isha i lirë të shkoja që t’i marr. Dhe, nëse dikush nga miqtë e mi serbë do të ishte aty për të më shoqëruar, duke u kujdesur të më bëjë të ndihem i sigurt në praninë e tij, pa u tutur se ndonjë kafshë serbe nacionaliste do të më përndiqte, do t’i isha shumë mirënjohës.

Në Gjakovë zakonisht ka pasur mjaft probleme përkitazi me vizita të tilla. Kur pelegrinët serbë, të zhvendosur në vende të ndryshme, vijnë për festa të caktuara fetare në Gjakovë, ata priten shumë keq, me qëllim të pamundësimit të atij pelegrinazhi, nga shoqata të ndryshme të të zhdukurve si dhe nga një lëvizje nacionaliste, Vetëvendosje. Autobusët e tyre gjuhen me gurë dhe nëse nuk do t’i mbronte Policia e Kosovës edhe do ta pësonin edhe më keq. Në të njëjtën kohë, edhe pas kaq vitesh pas lufte, shqiptarët nuk guxojnë të lëvizin lirshëm në pjesën veriore të vendit, të banuar kryesisht me serbë. Bile as ata që kanë prona dhe iu janë uzurpuar nga serbët lokalë.

Këto dy situata i ndezin gjakrat e nacionalistëve. Është e kuptueshme, meqë nacionalizmi nuk është veçse një marrëzi që ushqehet nga kushte të tilla. Nacionalistët serbë e shohin sulmin ndaj pelegrinëve si sulm ndaj vetë kombit të tyre dhe e akuzojnë shoqërinë tonë për jotolerancë etnike dhe fetare, duke i fryrë këtij fakti dhe duke injoruar faktin tjetër se institucionet shtetërore, shumica e mediave dhe intelektualëve nuk pajtohen me pengesat që iu bëhen. Nacionalistët shqiptarë e shohin pengimin e lëvizjes së lirë në veri të vendit si qëndrim dhe vullnet të shtetit serb për ta ruajtur kontrollin mbi vendin tonë, ose në fund për ta ndarë, gjë që edhe ka një të vërtetë; e nuk duan t’ia dinë më tej, nuk duan t’ia dinë për frikën e qytetarëve tonë serbë për të jetuar me ne, në një shtet që s’ishte më parë, jashtë një shteti të cilit i përkisnin dikur; nuk tregojnë tolerancë ndaj dyshimit të tyre ndaj dëshirës dhe detyrimit tonë për t’i konsideruar qytetarë të barabartë. Sepse, pas tërë asaj barbarie që shteti i tyre i dikurshëm e ka bërë në emrin e tyre dhe të cilën një pjesë e kanë bërë edhe vetë, sigurisht se do të kenë frikë hakmarrjen dhe mosinteresimin e palës që e kanë trajtuar aq mizorisht.

Për këtë unë mendoj, e sigurisht në të njëjtën mënyrë është thënë edhe nga të tjerët, se nacionalistët e njërës palë kurrë nuk do të kishin jetë pa nacionalistët e palës tjetër, me të cilët janë të vëllazëruar në urrejtje. Nëse nacionalizmi serb nuk do të haste në një nacionalizëm shqiptar dhe anasjelltas, fuqia e tij do të ishte pafundësisht më e vobektë. Ky është vëllazërimi në urrejtje, nacionalizmi njërës palë e do ekzistencën e nacionalizmit të palës tjetër në mënyrë që kështu të arsyetohet dhe jetësohet vetë.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...