Published On: 25 Prill, 2017

Për ata që i shtrembërojnë faktet e LDK-së në Deçan

E VËRTETA MEGJITHATË KËRKON KORREKTËSI

Arif Molliqi

-Disa nga anëtarët e Këshilli iniciues të LDK-së, në Deçan që ishin n´atë kohë, sot nuk janë. E, këta që janë sot, nuk ishin n´atë kohë.

Por kjo s´do të thotë se historiku i formimit të LDK-së, Dega në Deçan, duhet të shkruhet më plotë gabime, më plotë pasaktësi, duke ju përshtatur momentit dhe individëve. Aq më tepër kur shumica e atyre që vepruan në atë Këshill, edhe sot janë gjallë.
(E kam lexuar edhe një “monografi”, e cila mund të jetë gjithçka, por monografi jo. Si mund të jetë Monografi një fletushkë me 36 faqe, pa autor, pa redaktor, pa lektor dhe pa botues, këtë mund ta thonë vetëm zotërinjtë nga dega e LDK-së, në Deçan.)
Që të jam shumë më i qartë, dhe që të mos bëj gabime si ata që po shkruajnë ose lexojnë fjalë rasti në “përvjetorë” të kësaj dege, do mundohem që këtyre të dhënave t´ju bëj një korrekturë (ndreqje) të disa të pavërtetave të thëna për formimin e degës së LDK-së, në Deçan:

E para; Këshilli nismëtar i LDK-së, për Deçan, është formuar në fillim të Janarit 1990, e jo në dhjetor 1989 (Monografia, faqe 12, Kapitulli i dytë)
E dyta: Në përbërje të Këshillit nismëtar nuk ishin Binak Aliçkaj, Rexhep Shabanaj, Hajdar Mazrekaj, Sali Cacaj, për të cilët kam pasur dhe kam respekt, por e vërteta është kjo: në Këshillin nismëtar ose siç quhej atëherë “Këshilli iniciues” ishin ose përbëhej nga; Xhevdet Lataj, Esat Mushkolaj, Arif Molliqi, Genc Tahirsylaj, Dr. Selim Dobraj, Selim Ramosaj dhe Muj Dobraj. Kurse Sali Cacaj ishte si urë-lidhje mes këtyre iniciuesve dhe Këshillit qendrorë. Salihu e furnizonte me të gjitha materialin e nevojshme aktivitetin që zhvillohej në Deçan, e sidomos, rreth aksionit “Për Demokraci, kundër dhunës” Këtu s´duhet harruar të ndjerin Osman Cacaj, i cili ishte i vetmi që mori guximin dhe me një tavolinë, m´u në qendër të qytetit u vendos duke ua mundësua qytetarëve të nënshkruhen në peticionin kundër dhunës.
E treta: Kuvendi i parë u mbajt me 17 Mars 1990 në Restorantin “Dukagjini”, pasi asnjë institucion e as organizatë punuese (Gjimnazi, Pushimorja e fëmijëve dhe Hotel Turisti), nuk pranuan që ky kuvend të mbahet në lokalet e tyre, e jo në muajin Prill, siç po festohet tash e sa kohë. Në këtë kuvend u zgjodh kryesia e parë e Degës së LDK-së në Deçan prej këtyre vetave: për dy Carrabregët dhe Belegun u zgjodh Binak Aliçkaj, e njëherit edhe kryetar i degës. Për Voksh, Pobërgj dhe Sllup Emrush Lokaj, për Irzniq, Gllogjan, Shaptej Beqir Berisha, Pozhar, Llukë e Ultë, Lumbardh, Ali Gecaj, Drenoc, Lloqan, Hulaj Hajdar Mazrekaj, Isniq, Prapaqan, Dubovik Maxhun Tishukaj, Junik Agim Makaj, Ymer Alimusaj për Strellcin e Epërm, Strellci i Ultë, Rexhep Shabanaj u zgjodh për Llukë e Epërm dhe qytetin e Deçanit. Kurse Ali Mushkolaj përfaqësonte Gramaqelin, Dubraven, Baballoqin. Ishte edhe një që përfaqësonte Dashinocin, Maznikun dhe Ratishin, por për momentin nuk me kujtohet emri i tij.
Një sqarim: zgjedhja u bë me aklamacion sepse vendi ku mbahej kuvendi po hetohej nga policia. Pastaj, këshilli nismëtar kishte marrë një, ta quajmë vendim, që në kryesinë e parë të përfaqësohet nga një anëtar prej çdo “Bashkësi Lokale” të atëhershme, në mënyrë që punët dhe veprimtaria të funksionte sa më mirë në fillim, dhe që asnjë nga anëtarët e Këshillit iniciues të mos zgjidhet në kryesinë e degës.
E katërta: Kuvendin nuk e ka hapur Binak Aliçkaj por e ka hapur Esat Mushkolaj, kurse procesmbajtës ka qenë Arif Molliqi.
E pesta: mysafirë në kuvend ishin Stomatologu Shemsedin Agusholli nga Peja dhe Prof. Nimon Alimusaj, e zonja Sofije Berisha-Harxhi, as që ka qenë në sallë. E vetmja femër në atë kuvend ka qenë një punëtore –hoteliere boshnjake siç e quanin.
E gjashta: nuk qëndrojnë të dhënat në Monografi se; në të njëjtin tubim u formua edhe Këshilli për pajtimin e gjaqeve. E vërteta qëndron se Këshilli për pajtimin e gjaqeve kishte kohë që ishte formuar në Deçan, dhe se, tashme ai këshill kishte bërë pajtimin e disa gjaqeve dhe ngatërresave e nuk kishte pritur të vjen 17 Marsin.
E shtata: në Monografi dhe festime manipulohet më disa figura të respektuara të Komunës se Deçanit që luftuan dhe punuan për të mirën e Kosovës, por që asnjëherë nuk kanë qenë anëtarë të LDK-së, në Deçan.
Gabime të tilla, apo lëshime të tilla kanë bërë edhe Faton Mehmetaj dhe Fetnete Ramosaj në librin, DEÇANI-monografi, faqe 475, Formimi i partive politike në Deçan.
Për të gjitha këto që i thash e shumë të tjera, më siguri të gjallët; Emrush Lokaj, Xhevdet Lataj, Dr. Selim Dobraj, Genc Tahirsylaj, e shumë të tjerë që paskan harruar kaq shpejt. Më befasojnë pse kanë heshtur kur ata i kanë ditur të gjitha këto? Çfarë mund të thonë këta zotërinj që kanë heshtur apo ata që i kanë shtrembëruar faktet?
Zotëri, e vërteta kërkon korrektësi sado që për disa nuk është e pëlqyer.

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...