Published On: 18 Nëntor, 2016

Pensionistët kosovarë, jetim të paqeveri!

  • Papërgjegjësia politike e juridike e Qeverisë
  • Prof. Dr .Riza SMAKA

Në shtetet e së drejtës të demokracive parlamentare, qeveria e vendit, kryesisht, është ekzekutivi i akteve juridike të përgjithshme (kushtetutës, akteve ligjore, akteve nënligjore) në funksion të  implementimit, përmbushjes, materializimit, realizimit të të drejtave të qytetarëve të vetë!

Madje në këtë funksion (sikundër është përcaktuar edhe me nenin 93 të Kushtetutës së R. të Kosovës)  ekzekutivi ndërmerrë të gjitha masat, aktet e veprimet legale.

Në rast të dështimit në këtë plan  dhe  drejtim,  qeveria e shtetit të së të drejtës, së pakut, legjislativit respektiv do t’i ofronte dorëheqje të parevokueshme.

Ndryshe, edhe pa ofertën e tillë,  legjislativi përkatës, konform me Kushtetutën, qeverinë dështake të tillë do ta shkarkonte nga funksioni i ekzekutivit!

Në vendin tonë, së paku jo deri tani, një gjë e tillë nuk ka ndodhë, madje, edhe kur Qeveria e Kosovës, explicite, në dëmin e 61 705 qytetarëve- pensionistë të vetë, me indiferencë të paparë neglizhon  dispozitat e n. 22 par. 1, 93  dhe 94 të Kushtetutës së Kosovës!

Disa pensionistë, pa ndihmë minimale qeveritare, në harxhime të veta, pa ndihmë institucionale as juridike, të drejtën themelore në pension e të abroguara arbitrarisht nga autoritetet serbe, e kanë fituar në Gjykatën Europiane për Të Drejtat e Njeriut, në një anë, por realizimi i shumave pensionale padrejtësisht të mohuara, është ca më i ndërlikuar, kërkon kohë, mund dhe durim, në anën tjetër!

Cila do qeveri e cilit do shtet të së drejtës, pos asaj të vendit tonë, në situatë të tillë do të mobilizohej me përkushtim dhe do të vihej në dispozicion të qytetarëve të vetë për t’ju mundësuar realizimin e të drejtave themelore pensionale të tyre!

Përderisa qytetarët kosovarë gjatë periudhës historike kritike 1989 – 1999 ishin jetim të pa qeveri dhe institucione të veta, aktualisht, mbi 60 000 pensionistë kosovarë, përkitazi me indolencën, indiferencën, dhe impotencën qeveritare, aktualisht janë jetimë, bonjakë edhe pse kanë qeveri ( të tillë).

Pra dikur jetim të pa qeveri e tani jetimë me qeveri!

 

Violenca arbitrare e shtetit serb në dëmin e pensionistëve, kryesisht, shqiptarë të Kosovës

Shteti serb, pos diskriminimeve antishqiptare të rënda, të ndryshme e të shumta, veçanërisht të  ushtruara brutalisht në Kosovë gjatë  periudhës 1989 – 1999, në vitin 1999, pensionistëve kosovarë   kryesisht shqiptarë, arbitrarisht dhe me arrogancë violente, pa asnjë farë procedure ligjore, ua ka pasë abroguar pagesat e pensioneve të cilat ishin në realizim.

Shteti serb, në atë mënyrë, në dëmin e pensionistëve kosovarë, e ka pas cenuar
–              të drejtën e fituar ( Acquired Rights),
–              ligjin materjal dhe ligjin formal në aplikim si dhe
–              Konventën e EU-së për  Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut  tok me
protokollet e saj.

Në këtë kontekst, vlen të theksohet se, kjo Konventë, konform me nenin 22 të Kushtetutës së RK-së, në vendin tonë aplikohet drejtpërdrejtë!

Abrogimi i pensioneve në fjalë nuk ka qenë bërë në procedurën e përcaktuar me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (Lex Generalis) as me Ligjin për Pensionet (Lex Specialis), po ashtu në aplikim.

Pensionistëve kosovarë, për abrogimin e  pagesave vijuese të pensioneve, nuk u kanë qenë dhënë aktvendime shkrimore konform me ligjin aplikativ pra, as  informimi profesional për aktin arbitrar të  tillë  dhe pashmangshëm as udhëzimi juridik referuar të drejtës themelore në pension, që kurdoherë duhet (Ius Imperativum) të figurojë në çdo aktvendim përkatësisht  aktgjykim !

Qeveria e Kosovës, indiferente dhe shpërfillëse!

 

Në   skopin e autorizimeve dhe obligimeve të Qeverisë së RK-së,  të  përcaktuara  me  dispozitën e nenit  93 të Kushtetutës së RK-së , nder të tjera,  theksohet se ajo,

–              miraton vendime, akte juridike  të nevojshme për zbatimin e ligjeve ,

–              udhëzon dhe mbikëqyrë   punën e organeve të administratës ,

–              udhëzon veprimtarinë dhe zhvillimin e  shërbimeve  publike si dhe

–              ushtron veprime tjera  në  funksion të  zbatimit të Kushtetutës dhe të akteve juridike të

miratuara  në implementim të saj!

 

Në  kontekstin  e  deprivimit  arbitrar të të drejtave pensionale përkatësisht të të drejtave themelore  vitale e sensitive të cirka  qindra mia  qytetarëve kosovarë, më parë  të imponuara  padrejtsisht nga shteti serb, Qeveria  e RK-së , si ekzekutiv i vendit,  do t’ishte dashtë   dhe  , duhet ( Ius Imperativum) qe konform me autorizimet dhe  obligimet kushtetutare të sipërtheksuara,  në   favorin e  rivendosjes legale të   pagesave   të pensioneve   , të ndermirrte  dhe   imediatisht   të ndermerr  masa dhe veprime politike e juridike në dimensionin  ndërkombëtar e vendor.

Në kompleksin e rrethanave të këtilla , padyshim, çdo  qeveri e  cilit do shtet të së drejtës , nder të tjera , do të  obligonte eventualisht   do të themelonte institucion publik special për  ndermarrje të masave  dhe veprimeve në  funksion të   realizimit të  drejtave  të pensionistëve përkatësisht qytetarëve të vetë të nëpërkëmbur ,  të neglizhaur dhe të  privuar nga të  drejtat  jetësore të garantuara me  të  drejtën vendore   ( Ligji për Pensionet) si dhe  me të  drejtën   ndërkombëtare të sanksionuar edhe me Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore  të Njeriut!

Për të qenë ironia sarkastike e bizarre edhe më evidente, Qeveria e RK-së, deri tani, virtualisht jo qe nuk ka bër, sëpakut diç,   përkundrazi në këtë drejtim ishte dhe mbeti  indiferente, indolente, impotente  dhe krejtësisht e papërgjegjshme   moralisht ,politikisht  dhe  juridikisht!

Pensionistët  shqiptarë kosovarë , jetimë , të pa Qeveri as mbështetje institucionale!

Pensionistëve  kosovarë, kryesisht , shqiptarë,   autoritetet serbe , në vitin 1999, pa administruar  procedurë administrative , pra,  pa aktvendime, pa  arsyetime dhe pa  udhëzime juridike   dhe duke  jua  nëpërkëmbur të drejtën e fituar ,   të njejtëve,  arbitrarisht  jua ka  pasë abrroguar të  drejtën themelore , pagesat e pensioneve të fituara konform me ligjin dhe në procedurë ligjore!

Aktin  arbitrar të tillë edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, me aktgjykim , të datës 27 mars 2012 e me disa aktgjykime në  vijim,  e ka  pasë cilësuar antiligjor  dhe, me të njejtin, e ka pasë   obliguar shtetin serb për të ju paguar   pensionet e abrroguara  shfrytëzuesve të  tyre    nisë nga viti 1999 tok me  kompensimet e   harxhimeve për procedurë tok  me reimbursimet e dëmeve  morale  për shkak të  vuajtjeve shpirtërore.

Konkretisht  ajo Gjykatë ,  ka konstatuar se ndërprerja  arbitrare e pagesave të pensioneve të  paditësve Grudiq,është shkelje e nenit 1 të Protokolit të Konventës së EU-së për të Drejtat e Njeriut  e cila  duhet të evitohet nëpërmjet  restorimit të pagesave të pensioneve legale nga dita e  abrogimit e tutje tok me  shpenzimet procedurore dhe reimbursimet për dëmtime morale! Ajo Gjykatë , shtetin serb e ka obliguar për tua paguar pensionet paditësve Grudiq nga data 15. 02. 1999 – 01. 07. 2002! Gjykata e ka obliguar  Komitetin e Ministrave të Këshillit të EU-së për të siguruar ekzekutimin e aktgjykimit të saj!

Benefitium Cohaesionis

 

Kur disa entitete natyrale apo legale kanë status juridik të njëjtë e autoriteti pushtetar jua cenon ndonjë të drejtë dhe, ta zëmë, vetëm një  entitet në fjalë nisë procedurë dhe në të e fiton rastin juridik, rasti  juridik i tillë vlen sa për palën  në procedurë aq edhe për të gjitha entitetet (subjektet, personat) tjera!

Konform me këtë parim juridik të mirënjohur në teori dhe në praktikë, rastin gjyqësor të fituar të paditësve Grudiq e mëpastaj edhe të z Shaban  Kelmendit eventualisht edhe të ndonjë entitetit tjetër, është e drejtë themelore e të gjithë pensionistëve kosovarë e mëtej për të marrë pensionet mujore nisë nga 15  . 02. 1999 – 01. 07. 2002 në një anë dhe është obligim peremptor i shtetit serb qe të njëjtëve tua paguajë pensionet mujore  të  abrroguara padrejtësisht  tok me   shumat e harxhimeve procedurore dhe të dëmtimeve morale, në anën tjetër.

Qeveria  e cilit do shtet të së drejtës , në situata juridike e faktike të tilla , do të ndermerrte masa   politike e juridike adapte në   dobinë e qytetarëve të vet në këtë rast të pensionistëve të vetë .

Ndërkaq Qeveria e Kosovës , krejtësisht e papërgjegjshme ndaj obligimeve kushtetutare të përcaktuara edhe me n. 93 e 94, deri sot, praktikisht , në vend të  angazhimit të devotshem , nuk ka ndërmarrë asgjë në funksion të   realizimit të të drejtave themelore   pensionale  të 61 705 qytetarëve përkatësisht pensionistëve kosovarë  të shkelura  arbitrarisht nga shteti serb e të  konfirmuara afirmativisht edhe nga autoriteti gjyqësor ndërkombëtar!

 

Të dhëna faktike

Në  vendin tonë  janë 61 705 pensionistë ,kryesisht, shqiptarë, të cilët kanë të drejtë  në pensionet mujore padrejtësisht të  abroguara gjatë periudhës  15 shkurt 1999 – 01 .07. 2002 të fituara konformn me ligjin në  fuqi dhe në procedurë ligjore ( të drejta të fituara).

Secilit pensionist , mesatarisht , për periudhën e sipërthënë,  i takon  shuma  prej Eu 33  150,00 me EU 7000 për rimbursimin e dëmit moral dhe  EU 3000 për kompensimin e  harxhimeve  procedurore ose përgjithësisht EU 43 150,00!

Sipas qëndrimit dhe pikëpamjes  juridike të  Gjykatës Europiane për  të Drejtat e Njeriut, të  shprehur na aktgjykime konkrete të saj, Komitetit të  Ministrave të Këshillit të EU-së, Avokatit të  Popullit   të   Kosovës – n. 132 i Kushtetutës së RK-së, Avokatit të Popullit të shtetit serb si dhe të  profesionistëve për çështjet  pensionale, pensionistëve kosovarë,  shteti serb  duhet tua paguajë :

–              për çdo pensionist ,  EU 33 150,00  e për 61 705 pensionistë shumën e përgjithshme prej EU 2  045  520 570,00,

–              për një pensionist     EU 7000 për  çdëmtim moral e për 61 705 pensionistë shumën prej EU 431 935 000,00,

–              për një pensionist     EU 3000 për  kompensimin e harxhimeve në procedurë përkatësisht për 61 705,00 shumën prej 185 115 000,00!

–              Borxhi total i shtetit serb ndaj 61 705 pensionistëve kosovarë, për pensionet e abrroguara arbitrarisht,  dëmtimet morale dhe harxhimet  procedurore, konsiston në  shumën e përgjithshme prej EU   2  662 570 570,00.

Përfundime

Autoritetet serbe , gjatë  zbatimit të politikave shtetërore antishqiptare , nder të tjera, arbitrarisht , pa përfillë procedurë ligjore e sëandejmi pa aktvendim , pa arsyetim dhe pa  informim juridik për palët laike, në vitin 1999 ia ka  ndaluar pagesat e pensioneve të 61 705   qytetarëve kosovarë kryesisht shqiptarë! Në Atë rast dhe mënyrë, autoritetet serbe nuk e kanë përfillë as të drejtën themelore të fituar të pensionistëve e cila në shtete e së drejtës është garantuar për aq sa është  fituar në procedurë dhe bazë ligjore qe ishte rasti i qytetarëve në fjalë.

Autoritete serbe , për të qenë   ironia sarkastike e bizare , në një anë ,  theksojnë se  qytetarët kosovarë janë  qytetarë të shtetit serb , por , kur referenca ishte dhe është për të drejtat themelore   të   fituara legalisht  të pensionistëve kosovarë përkatësisht shqiptarë,  të njëjtëve,  me arrogancë të paparë dhe me arbitrarizëm antiligjor ,ato të drejta jua mohon, në anën tjetër.

Pos   shkeljeve  ligjore të rënda të numëruara më sipër, autoritetet serbe kanë bërë dhe bejnë shkelje ligjore edhe më brutale , në baza nacionale , ashtu qe, pensionistëve kosovarë të kombit serb nuk jua ka abroguar pensionet dot dhe, për dallim nga pensionistëve kosovarë  shqiptarë , të njëjtëve rrjedhimisht jua paguan pensionet e fituara ligjësisht!

Shkeljet flagrante  të Ligjit për Pensionet, Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, të drejtës së fituar, të   drejtës për informim ,  të  drejtës për udhëzim dhe ndihmë juridike si dhe të  diskriminimit  nacional,  të  shkaktuara nga autoritetet serbe   nëpërmjet   abrrogimit   arbitrar të pensioneve të  dhjetra mia shfrytëzuesve  të tyre,  janë evidente, të pakontestuara dhe  të konfirmuara nga institucioni gjyqësor  ndërmkombëtar  kompetent, avokati i popullit të shtetit serb, avokati i popullit të shtetit kosovar si dhe nga profesinistët  për  çështje  pensionale.

Qeveria e RK-së , për dallim nga pasiviteti, indiferenca dhe indolenca e saj e deritashme,  kërkohet të veprojë aktivisht , me përkushtim dhe konform me n. 92 dhe 93 të Kushtetutës. Ajo  kërkohet qe t’i kompletojë  lëndët  e  61  705  pensionistëve ,  t’i kryejë të gjitha punët  administrative në favorin e  mbi 60 000 qytetarëve  të vetë  të nëpërkëmbur,  çështjen e  pagesave të pensioneve arbitrarisht të abrroguara nga viti 1999 – 2002 të  aktualizojë në instancat dhe institucionet  ndërkombëtare  dhe  njëjtën të  parakushtëzojë me   procesin vijues të  negociatave kosovare- serbe dhe të sigurojë  pagesën e pensioneve të abroguara  padrejtësisht!

Shuma prej EU 2  662 570,570,00 konsiston në borxhin e shtetit serb  ndaj 61 705 pensionistëve kosovarë dhe ajo duhet të depozitohet nergut për likuidimin e pensioneve të abroguara arbitrarisht por kurrsesi nuk janë borxh ndaj shtetit të Kosovës ndaj  nuk  lejohet të paguhet në  konton buxhetore përkatësisht shtetërore.

Cështja e  pensionave  të qytetarëve kosovarë  kryesisht shqiptarë ,të abrroguara  arbitrarisht nga  autoritetet serbe, nuk  duhet të kërkohet të vëhet në tryezën   e negociatave kosovare – serbe , nga se nuk është temë ndërshtetërore ,përkundrazi  është obligim  peremptor  i shtetit sërb ndaj  61 705 pensionistëve kosovarë, i  konfirmuar si i tillë me aktgjykim të Gjykatës së EU-së për  të Drejtat e Njeriut.

Kur është  çështja e të drejtave të konfirmuara me  aktgjykim nuk ka vend as nevojë për negociatime, dialogime, bisedime por për kërkim të ekzekutimit të pa asnjë farë parakushit të obligimeve qe rezultojnë nga aktin gjyqësor të caktuar.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...