Published On: 30 Prill, 2017

PDK kërcënon se nëse LDK nuk i ka votat për demarkacion s’ka pse të ekzistojë kjo qeveri

  • Zyrtarët e PDK-së kanë paralajmëruar se do të humbë arsyeja e vazhdimit të koalicionit me LDK’në nëse Parlamenti dhe Qeveria vonohen në marrjen e vendimit për demarkacion. Rexhep Hoti ka thënë për Express se s’ka arsye për improvizim skenarësh por për vendime nga legjislativi e ekzekutivi.

Partia Demokratike e Kosovës po e konsideron të papranueshme mundësinë e shtyrjes së vendimmarrjes për demarkacion në Qeveri e Kuvend.

Rexhep Hoti ka thënë se nëse nuk do të merret shpejt vendimi në Qeveri e Parlament atëherë do të humbë edhe arsyeja e vazhdimit të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Kjo do të thotë se ky koalicion i quajtur në forma të ndryshme nuk ka asnjë perspektivë në qoftë se nuk do të ulet për të marrë vendime dhe t’i kryejë detyrat e shtëpisë. Rrugë tjetër nuk ka. Pa vendimmarrje nuk mund t’i shtyjmë proceset në pafundësi. S’kemi nevojë të improvizojmë skenarë tjerë. Nëse ky koalicion s’merr vendime s’ka pse të ekzistojë”, ka thënë Hoti, për Express, të dielën.

Një ditë më parë, Kryeministri Isa Mustafa paralajmëroi se dërgimi i demarkacionit për votim në Parlament do të ndodhë vetëm atëherë kur t’i sigurojnë votat. Deri më tash, koalicioni ka dështuar të dërgojë këtë çështje në parlament, pikërisht, për shkak se deputetë të opozitës dhe pozitës kundërshtojnë një proces të tillë.

Sidoqoftë, Rexhep Hoti i PDK’së thotë se vendimet për çështje të mëdha, si demarkacioni, do të duhej të merreshin javë më parë. Madje, ka thënë se tashmë është shumë vonë kjo Qeveri e Parlament me mungesë të marrjes së vendimeve të mëdha.

“Këto vendime janë vonuar. Është dashur të merren muaj më parë. Jemi të vonuar”, ka shtuar ai.

Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për përcaktimin e vijës kufitare nuk ka shkuar ende për votim në Parlament. Opozita ka organizuar edhe protesta për të kundërshtuar këtë dokument me arsyetimin se Kosova po humbë tokë.

Ndërkohë, votimin e kësaj marrëveshje në Parlamentin e Kosovës e kanë kërkuar zyrtarë amerikane e europianë.

Në këtë mënyrë, Rexhep Hoti thotë se institucionet e Kosovës po i nëpërkëmbin edhe kërkesat e amerikanëve duke mos marrë vendime të rëndësishme për Republikën.

“Është hera e parë që Kosova është duke e nëpërkëmbur faktorin politik amerikan, pa të cilët ekzistenca e Republikës është e paimagjinueshme”, ka shtuar ai.

Koalicioni PDK-LDK i lidhur para dy viteve ka dështuar të marrë ndonjë vendim lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kusht ky për liberalizimin e vizave. Veç kësaj, pozita ka dështuar të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka dështuar edhe të themelojë ushtrinë.

Idenë për zgjedhje të reja, PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar ai.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...