Published On: 29 Tetor, 2016

PDK-ja e Veselit në rënie të lirë

Partneri në koalicion, LDK-ja “fërkon” duart

“Deputetët gjykohen dhe shkojnë nëpër burgje, të tjerë vijnë nga burgjet, pasi i kanë mbajtur dënimet. Në njëfarë mënyre, nga burgjet vijnë, në burgje shkojnë. Kjo ndodh edhe me kryetarët e komunave të PDK-së”, tha deputeti Adem Salihaj. Ai e sheh ngritjen e avantazhit të LDK-së karshi këtij subjekti politik në koalicion, vetëm nëse me kohë ndodhë edhe distancimi për veprimet e deritanishme, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deklarimin e para disa ditësh të Kadri Veselit, kreut aktual të PDK-së, për opsionin e mundshëm të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, zyrtarët e LDKsë dhe analistët politikë e shohin si një frikë reale, që ka kapluar PDK-në, për shkak të ndryshimeve në lidership dhe ballafaqimit të shumë figurave nga ky subjekt politik me drejtësinë. Sipas tyre, është e pritshme që Veseli të insistojë që zgjedhjet të mbahen më së largu në mars, para arrestimeve të Gjykatës Speciale. Adem Salihaj, deputet nga LDK-ja, thotë se PDK-ja është në panik dhe në një ankth të vazhdueshëm.

“Afrimi i arrestimeve nga Gjykata Speciale veçanërisht e shqetëson shumë PDK-në dhe eksponentët e saj kryesorë. Mendoj se nëse arrestohen eksponentët kryesorë të PDK-së, kjo parti do të ketë probleme serioze për rikonsolidimin e radhëve të saj. Vërtet është një dukuri në Kuvendin e Kosovës dhe në gati të gjitha komunat, ku qeveris PDK-ja, por në mënyrë të veçantë në Kuvend deputetët gjykohen dhe shkojnë nëpër burgje, të tjerë vijnë nga burgjet, pasi i kanë mbajtur dënimet. Në njëfarë mënyre, nga burgjet vijnë, në burgje shkojnë. Kjo ndodh edhe me kryetarët e komunave të PDK-së”, tha Adem Salihaj. Ai e sheh ngritjen e avantazhit të LDK-së karshi këtij subjekti politik në koalicion vetëm nëse me kohë ndodh edhe distancimi për veprimet e deritanishme.

PDK-së i ngutet

Në defensivë ta madhe e sheh tani PDK-në edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Muhamet Kelmendi, prandaj të vetmin shpë- tim nga minusi i madh, që mund të marrë ky subjekt politik, ai e sheh në përshpejtimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, si të parakohshme, që, sipas tij, do të duhej të mbaheshin gjithsesi në vitin 2017.

“Duke e parë çështjen në anën e PDK-së, që është në tehun e veprimeve të inkriminuara, si dhe atë se Gjykata Speciale kryesisht është krijuar për çështjet nga lufta e UÇK-së, e ku anëtaret e PDK-së gjinden në teh të akuzave, pritet dhe është e kuptueshme që kjo parti ka mundësi dhe natyrisht se do të dobësohet. Dënimet e dhëna dhe ato që pasojnë do ta godasin shumë PDK-në. Priten masa të ashpra dhe natyrisht se edhe dobësimi i partisë do të ndodhë. Mirëpo, në anët tjetër, PDK-ja ka filluar përgatitjen e terrenit për të shkuar sa më parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ende pa u ballafaquar me rastet edhe më të rënda sesa ‘Drenica 1’ dhe ‘Drenica 2’ “, ka thënë Kelmendi.

“PDK-së i konvenon që të shkohet në zgjedhje. Madje, kjo duhet të kryhet sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që gjendja aktuale të shfrytëzohet dhe vetëm kjo ia siguron kësaj partie ndoshta edhe njëherë vendin e parë në zgjedhje. Paraprakisht është e pritshme që shumë shpejt të bjerë koalicioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Ai ka pohuar se parashikimet mund të jenë të pasakta, por zvarritja e zgjedhjeve e nxjerr gjithsesi në vendin e parë LDK-në. “Nuk dua të aludoj në këtë apo në atë parti. Por, koha më së shumti i konvenon LDK-së. Kjo për faktin se PDK-ja me Gjykatën Speciale do të dobësohet, sepse edhe shumë kuadro të saj do të akuzohen. Ky dobësim i konvenon kryesisht LDK-së”, theksoi Kelmendi.

Humbja e kredibilitetit

Dobësimin e PDK-së, për shkak të zhvillimeve të fundit dhe ndryshimeve në krye të lidershipit e shohin si trend real edhe analistët politikë: Blerim Burjani, Islam Krasniqi, Jeton Kelmendi e Arsim Haziri. “PDK-ja ka shumë telashe tani në vazhdimësi, duke humbur kredibilitetin para qytetarëve, për veprimet e saj politike dhe ushtrimit të kontrollit në të gjitha fushat profitabile të shtetit. Si subjekt politik është duke shkuar nga fundi, kur t’i shtohen edhe gjykimet ndaj individëve të këtij subjekti qoftë për keqpërdorime të mëdha të detyrës zyrtare, qoftë gjykimet për ‘Drenica 2’, si dhe fillimi i punës së Gjykatës Speciale”, tha Blerim Burjani.

Ditë të mira me këto zhvillime të furishme për PDK-në nuk sheh as politologu Islam Krasniqi. “Është e vërtetë se PDK-ja po dobësohet, sepse anë- tarët kryesorë të saj apo njerëzit më të fuqishëm brenda saj po dënohen me akuza të Beogradit, duke iu montuar raste të ndryshme, nga Beogradi apo UDB-ja që është shtrirë edhe brenda institucioneve vendore. Populli kërkon që të dënohen njerëzit e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilët marrin “ujemin” e çdo fruti, që ka në këtë vend. PDK-ja në rast zgjedhjesh do të jetë shumë më e dobët, por nuk besoj që LDK-ja do të jetë në një pozitë më të mirë se ajo”, tha Islam Krasniqi.

Afera “Pronto”, me pasoja të rënda Edhe Jeton Kelmendi pohon se PDK-ja assesi nuk po mund të bëhet parti normale e qytetare. “Reagimi i djeshëm për konfirmimin e dënimit të grupeve ‘Drenica 1’ dhe ‘2’ konfirmon se kjo parti është në gjendje të keqe edhe për dy pikëpamje: së pari del mbi drejtësinë, duke shkelur rëndë parimet e lirisë së Gjyqësorit dhe së dyti për faktin se me këta të dënuar PDK-ja edhe i ka fituar zgjedhjet. Të pika e parë kjo parti vazhdon ta dëmtojë rëndë shtetin e Kosovës dhe imazhin e këtij vendi në sytë e faktorit ndërkombëtar, sepse del mbi drejtësinë, ndërsa shihet qartë presioni nga grupet kriminele, sepse këto grupe që tani janë dënuar për krime janë të mëdha. Madje, këto grupe ankohen edhe tek shefat e tyre Thaçi e Veseli se nuk po i mbrojnë më”, tha Kelmendi.

Sipas vlerësimit të tij, PDK-ja definitivisht do të humb, por as LDK-ja nuk mund të fitojë kurrë me këtë lidership, derisa ta ketë për kryetar Isa Mustafën, i cili, sipas tij, me çdo kusht po mbron krimin. Zbehje, dobësim dhe mundësi rënieje të PDK-së e ngritje të dukshme të LDK-së sheh edhe analisti Arsim Haziri. “Zbehja e besimit qytetar në relacion me subjektin më të shtrirë në elektorat, pra PDK-në, është diçka çka është, duke ndodhur dhe për fat të keq është duke i shqetësuar mjaft shumë edhe eksponentët e saj. Kjo vjen si rezultat i veprimtarisë kriminale, që kanë ndjekur për kohë dhe që tashmë ka marrë formë publike, pra është shpërfaqur në tërësi.

Afera e dytë ‘Pronto’, shpërfillja e bartësve komunalë në detyra, si dhe rasti ‘Drenica’ përbëjnë mundësinë reale se ky subjekt është në rënie e sipër, madje kësaj i shtohet edhe ardhja e Veselit si kryetar i saj, i cili në asnjë mënyrë nuk është duke ditur se si t’i qaset rikonsolidimit të këtij subjekti politik”, tha politologu Haziri.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...