Debate

Pavarësia de fakto e Kosovës është 12 Qershori 1999

 

Nga Skënder S.KAPITI

Muaji Qershori i vitit 2017 në Shqipëri dhe në Kosovë: për botën politike dhe të pushtetit, por

edhe atë akademike, mediatike dhe të shoqërisë civile shqiptare të cilat janë mbërthyer nga edhet

politike të fushatës elektorale të mashtrimeve e gënjeshtave politike për të fituar pushtetin duke i

lënë pothuajse në harresë të plotë: Ngjarjen më madhështore të historisë sonë kombëtare, Lidhjen

Shqiptare të Prizrenit të 10 Qershorit 1878, dhe 12 Qershorin e vitit 1999, Ditën e Çlirimit të

Kosovës që është Pavarësia de fakto e saj.

Pothuajse asnjë parti politike apo kandidat për deputet nuk i ka përmëndur këto dy ngjarje gjatë

fushatës elektorale dhe jo më t’u besohet atyre se do të interesohen për mirëqeverisje dhe për

politikë në interes të publikut dhe të kombit këta injorantë dhe interesaxhinj, përderisa ata nuk janë

mirënjohës të sakrificave të mëdha që kanë bërë brezat për kombin dhe për dy shtetet shqiptare.

Kjo tregon pra se sa e interesuar dhe e ndjeshme është politika shqiptare për ngjarje të tilla të mëdha

me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, ku pushtetit dhe politikës aktuale shqiptare si në

Shqipëri dhe në Kosovë më shumë se çdo gjë tjetër u intereson vetëm interesi personal politik dhe

ai pushtetit.

Në historinë tonë kombëtare çdo datë kalendarike ka shënuar në Kosovë një ngjarje të madhe

kombëtare, dhe çdo derë shqiptare kosovare ka dhënë dëshmorë për kombin. Me 12 Qersor 1999

forcat ushtarake të NATO-s të udhëhequra nga SHBA hynë në Kosovë dhe kjo është Dita e Madhe

e Lirisë së Kosovës, pasi u dëbuan forcat policoro-ushtarake serbe nga Kosova dhe njëkohësisht

mori fund dhe sundimi administrativo-kolonialist i Serbisë mbi Kosovën. Popujt të cilët lirinë e

kanë fituar me sakrifica dhe luftë, festën kombëtare e kanë Ditën e çlirimit. Pra festa kombëtare

Kosovës është de fakto 12 Qershori 1999, ndërsa 17 Shkurti 2008 është shpallja shumë e vonuar e

Deklaratës së Pavarësisë që është pasojë e gabimit të faktorit politiko-ushtarak të Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2008 ishte faktikisht më së realshmi Njohja

Ndërkombëtare e Pavarësisë dhe e Shtetit të Kosovës që u çlirua dhe u pavarësua me 12 Qershor

1999.

Si Deklaratë Pavarësie apo si prelud i saj shërben edhe Deklarata e Pavarësisë që njihet si e tillë,

Deklarata Kushtetuese e ishdelegatëve të Kuvëndit të Kosovës me 2 Korrik 1990 për Pavarësi

shtetërore dhe territoriale nga Serbia, që ishte sakrifica dhe sfida më e guximshme politike e asaj

kohe kundër regjimit ushtarako-policor barbar serb, regjim i cili fshiu edhe Statusin e Kosovës si

Krahinë Autonome. Ky akt heroik i deputetëve të Kosovës së asaj kohe ishte sa patriotik së pari aq

edhe demokratik dhe vizionar, pasi shpërbërja e ngrehinës Jugosllavi ishte e pashmangshme dhe

Statusi i Kosovës si shtet dhe Republikë automatikisht i jipte të drejtën e Pavarësisë Kosovës dhe

shkëputjen si nga Serbia së pari por edhe nga Jugosllavia ashtu siç vepruan Sllovenia, Kroacia e

Maqedonia. Pra Pavarësia e vitit 2008 ishte vijimësia dhe kurorëzimi i luftës një shekullore të

popullit shqiptar të Kosovës kundër kolonizatorit serb; periudhë e cila ka brënda diapazonit kohor

saj edhe atë të rezistencën paqësore rugoviane e që kulmoi me Luftën e Lavdishme heroike të

UҪK-së si dhe me ndërhyrjen vendimtare ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA që e çliroi

Kosovën me 12 Qershor 1999, Luftë e cila pra e vulosi ndarjen përfundimtare të Kosovës nga

Serbia, dëbimin përfundimtar dhe dhënien fund të sundimit kolonialist serb mbi Kosovë, pra de

fakto kjo është dhe vetë Pavarësia e Kosovës dhe ngjarje më e rëndësishme Kombëtare e saj.

Pikërisht, po atë ditë me 2 Korrik 1990 ndoshta dhe jo rastësisht në Shqipëri ndodhi shpëthimi dhe

dyndja e shqiptarëve të Shqipërisë nëpër Ambasadat e shteteve Europiane, akt i cili eklipsoi

Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe opinioni botëror e spostoi vëmëndjen me atë se

çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe i la dorë të lirë regjimit serb të përdorte shtypjen dhe persekutimin

mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe nuk është rastësi as fakti tjetër që në kulmin e represionit serb mbi

Kosovë, në Shqipëri ndodhën ngjarjet katastrofike e vitit 1997 dhe ato të vitit 1998 të gati të

shpërthimit të një lufte qytetare në Shqipëri pikërisht në kohën kur në Kosovë regjimi i

Millosheviçit kishte 8 vite që bënte genocidin dhe pastrimin etnik të heshtur e ”paqësor”; dhe

pikërisht në kohën kur në Kosovë po shpërthente pashmangshmërisht Lufta çlirimtare për lirinë dhe

pavarësinë përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Prej kesaj politike të pastrimit te heshtur etnik të

Kosovës pati përfitues të mëdhenj kontrobanda dhe trafikantët e qënieve njerëzore te politikës dhe

të pushtetit të atëhershëm në Shqipëri ashtu sikurse me kontrabandën dhe shkeljen e embargos së

karburanteve, pra e marrëdhënieve të errëta me Malin e Zi dhe me Serbinë ; ashtu sikurse dhe tërë

periudha e regjimit komunist që gjithë “ndihmesa” për Kosovën dhe çështjen e saj ishin disa

“kërcënime”e shkrime “bombastike”në gazetën e Partisë Punës Shqipërisë, “Zëri i Popullit”.

Patriotizmi i periudhës së enverizmit ishte i burgosur brenda kornizës ideologjike marksist-

leniniste; regjimit të internacionalizmit proletar dhe revolucionit internacionalist; regjim që

harxhonte miliona dollarë për propagandë ideologjike dhe financime të parave të popullit të varfër

të Shqipërisë për grupe dhe organizata botërore marksist-leniniste. Regjimi komunist në Shqipëri që

i bëri gjëmën vetë Shqipërisë e si mund ta ndihmonte çështjen kombëtare të Kosovës kur ai e kishte

shpallur armik të tij Perëndimin demokratik europian dhe SHBA-në të cilët e çliruan Kosovën me

12 Qershor të vitit 1999?

Këto fakte dhe shumë të tjera si keto ka akoma, po i përmënd këtu për të treguar madhështinë e

rrallë të luftës dhe rezistencës së pashoqe të popullit martir shqiptar të Kosovës për Liri dhe

Pavarësi, luftën gati një shekullore edhe për të bindur Europën fajtore për padrejtësitë që i kishte

bërë edhe ajo Kosovës; luftë e përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës për Liri e Pavarësi

edhe pse politika e Shtetit shqiptar nuk ka treguar interesimin, përkrahjen dhe vëmendjen e duhur

për shqiptarët jasht Shqipërisë londineze, pse jo në shumë raste e në vazhdimësi politika e Tiranës

me indiferentizmin e saj dhe për interesa të ngushta politike, ideologjike dhe pushteti personal edhe

i ka bërë dëme të mëdha çështjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, dhe jo vetëm të Kosovës por

edhe të vetë Shtetit shqiptar madje.

Me Deklaratë Pavarësie kuptohet sqarimi pse një komb shpall Pavarësinë ashtu siç bënë amerikanët

me 4 Korrik të vitit 1776, dhe më pas meqenëse Britanikët nuk e pranuan Pavarësinë atëhere u

zhvillua lufta për Pavarësi. Por, në Kosovë përderisa lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e NATO-s e

çliruan Kosovën nga pushtuesi dhe barbarizmi kriminal serb, nuk ishte aspak e nevojshme as të

vonohej dhe as të pritej 9 vite që të shpallej formalisht Pavarësia, pasi vetë ndëkombëtarizimi dhe

ndërhyrja vendimtare ushtarake e NATO-s e kishte “sqaruar”mirë si Rusinë e atëhershme ashtu si

edhe Serbinë shoviniste dhe miqtë e tjerë të saj se Serbia e kishte humbur sovranitetin mbi

Kosovën, pasi me Kosovën Serbia ka qene në luftë pothuajse 100 vite, se Serbia e kishte humbur

edhe betejën paqësore të paraluftës me Kosovën e udhëhequr nga I. Rugova.

Faktori ushtarak dhe politik i Kosovës po edhe i Shqipërisë duhej ta shfrytëzonin këtë shans të artë

historik që u erdhi nga përkrahja e SHBA dhe e Europës demokratike dhe ta shpallnin Pavarësinë e

Kosovës menjëherë sapo Kosova u çlirua nga sundimi serb; faktori ushtarako-politik shqiptar ashtu

siç veproi kompaktësisht në Rambuje duhej ta shfrytëzonte në maksimum faktin e rrënimit ushtarak,

politik e diplomatik të Serbisë si dhe diskreditimin ndërkombëtar të saj si shtet terrorist, kriminal

dhe genocidist dhe se Serbia akoma kishte atëhere në pushtet Milosheviçin; dhe shansi tjetër ishte

fakti se në Rusi ishte në pushtet Boris Jelcin, një demokrat që nuk kishte marrëdhënie të mira me

regjimin e Millosheviçit.

Politikanët shqiptarë në atë kohë nuk duhej t’i mbërthente euforia, as përçarja politike dhe as

synimet e interesat e ngushta personale për pushtet, por duhej ta projektonin strategjinë e

menjëherëshme për shpalljen e Pavarësisë, pasi kishte potencialet edhe ushtarake ,edhe politike

edhe diplomatike për ta ndërmarrë këtë veprim.Edhe poqese ndërkombëtarët atëhere nuk do të

ishin dakord, por e them me bindje se kjo për ata do të kishte qene e përkohshme dhe shumë shpejt

do ta kishin pranuar edhe ata Shpalljen e Pavarësisë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, pasi Serbia

e mundur dhe e dobësuar dhe shumë e diskredituar botërisht nuk kishte as besimin dhe as takatën

për të kundërshtuar dhe jo më për të lobuar kundër Pavarësisë së Kosovës. Bindja ime se edhe

shtetet kryesore perëndimore do ta njihnin Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës edhe sikur shqiptarët

do ta shpallnin atë më vjen prej asaj se pas shpalljes formale të saj me 17 Shkurt 2008, menjëherë

zinxhir dhe në një kohë rekord ajo u njoh nga pjesa më e madhe e shteteve të kombeve

demokratike. Këtë mendim unë e kam pasur që atëhere dhe madje ua kam pasë thënë edhe shumë

atyre që u bënë politikanë dhe pushtetarë karriere pastaj në Kosovën e çliruar të pas 12 Qershorit

1999.

Kosova për 9 vite ishte pjesë e administrimit ndërkombëtar, kështu pra, kryesisht për fajet, për

paaftësinë dhe për papërgjegjshmërinë dhe për pa strategjinë kombëtare të politikës shqiptare në

përgjithësi që nuk diti që ta shfrytëzojë si duhet këtë shans të madh historik, por i dha mundësinë

dhe kohën Serbisë që të rikuperohet e të kalojë në ofensivë paqësore por siç a ka historikisht zakon

me shpifje, intriga, me fabrikime e falsifikime akuzash kundër luftës dhe sakrificave të mëdha të

shqiptarëve të Kosovës me qëllim për të penguar si shpalljen e pavarësisë ashtu dhe duke lobuar e

penguar njohjet ndërkombëtare të saj.

Edhe ndërkombëtarët , NATO dhe SHBA, që e çliruan Kosovën gabuan rëndë dhe u vetëmashtruan

se duke e vonuar dhe penguar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës sapo u çlirua ajo me 12 Qershor

1999, pasi ata shpresonin se do t’i mbushej mendja Serbisë për ta pranuar më pastaj Pavarësinë e

Kosovës se demokratizuar. Por fajin kryesor për këtë gabim e kanë politikanët shqiptare se ata

duhet të ishin më të interesuar për interesin kombëtar shqiptar, për shpalljen në atë moment të

Pavarësinë, pasi askush tjetër në Botë nuk i njeh mashtrimet, spekulimet, intrigat, shtirjet,

gënjeshtrat e serbëve ashtu si dhe krimet dhe barbarizmat e tyre më mirë se sa shqiptarët e Kosovës

që e kanë pësuar nga kolonizatori serb që prej vitit 1912. Vonesat si në kryerjen e veprimeve

kombëtare dhe të reformave demokratike edhe sot si në Shqipëri dhe në Kosovë i kanë lënë

shqiptarët jasht dyerve të integrimit europian akoma,dhe kjo krejtesisht per fajet e politikaneve

shqiptare.

 

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *