Published On: 21 Prill, 2017

Partitë shqiptare shërbëtore të projekteve sllave, VMRO-së DHE LSDM-së

  • Intervistë me Roland Gjonin studiues i konflikteve ndëretnike në University College Dublin
  • Katër muaj pas zgjedhjeve në Maqedoni vendi nuk ka qeveri dhe bllokimi institucional nga VMRO-DPMNE po e mban vendin ne krizë të vazhdueshme? Komenti i juaj rreth kësaj çështje?

Roland GJONI: Situata politike në Maqedoni është e ndërlikuar dhe kriza aktuale vështirë se do të zgjidhet në një të ardhme të afërt.  Arsye kryesore për këtë krize të tejzgjatur është refuzimi i VMRO-së për të pranuar transferimin paqësor të pushtetit tek koalicioni i ri i kryesuar nga LSDM.  Këmbengulja e VMRO-së për të qënë ajo parti kryesore në koalicionin e ri qeveritar ka për qëllim shmangjen nga pergjegjesia penale e lidershipit te VMRO-së e cila për afro një dekadë me ndihmën e BDI-se ka arritur kapjen totale te shtetit. Dominimi i VMRO-së për më shumë se një dekade është bazuar në katër shtylla kryesore 1) menaxhimi relativisht i suksesshem i ekonomise, sidomos në vitet 2006-2012 përkundër rritjes së shfrenuar të borxhit publik 2) kooptimi dhe nënshtrimi total i një pjese të madhe të lidershipit te BDI- nëpërmjet formulës “BDI-ja merr kulaçin ndërsa shqiptarët e Maqedonisë kërbaçin” 3) mungesa e një opozite të fortë dhe paaftësia e lidershipit të LSDM-së për të ofruar një alternativë serioze ndaj VMRO-së pavarësisht zbulimit të skandalit të përgjimeve dhe 4) rënia e presionit nderkombetar për reforma të brendshme dhe çkapjen e shtetit që në në vitet e fundit ka mundësuar disa shtete anëtare të BE-se si Hungaria dhe Austri të mbështesin Gruevskin për interesa të ngushta vetjake duke e projektuar Gruevskin si aktor të dobishëm per pengimin e valës së refugjatëve.

Këto katër shtylla të pushtetit kanë siguaruar kapjen totale te shtetit dhe shtrirjen e ndikimit te VMRO-se brenda partive shqiptare BDI dhe PDSH, në gjyqesor, prokurori, media, biznes, pushtet lokal dhe te gjithe sektorët e shoqerisë.  Siç dëshmuan edhe përgjimet BDI-ja prej vitesh ishte kthyer në një patericë të VMRO-se që jo vetëm nuk mbronte dhe përfaqësonte si duhej interesat shqiptare por i sherbente verbërisht interesave të VMRO-së në këmbim të përfitimive personale dhe grupore nga veprimtaritë e paligjshme dhe korrupsioni i dirigjuar nga Gruevski dhe Mijallkov.   Projektimi i VMRO-së dhe BDI-së si parti kryesore nacionaliste të dy popujve respektiv, në fakt maskonte bashkëpunimin perfekt në ndarjen e resurseve shtetërore dhe përfitimeve materiale të paligjshme.

Me 11 dhjetor 2016, zhgënjimi i skajshëm i votuesve shqiptar solli dobësimin e BDI-se duke shënuar përgjysmim të përfaqësimit të saj.  Një rënie e tille nuk ka ndodhur në Evropë me partitë moderne dhe mendoj se BDI-ja ende nuk e ka kuptuar mesazhin e fuqishëm që i ka dhënë elektorati shqiptar.  Rënia e BDI-së solli forcimin e partive te reja shqiptare si edhe rritjen drastike të LSDM-se nëpërmjet transferimit te votes shqiptare.   Pra faktori shqiptar rrënoi dy nga shtyllat e dominimit të sigurtë të VMRO-së duke e dënuar nënshtrimin e BDI-së dhe duke fuqizuar LSDM-në.   Kjo dobesoi epërsinë e VMRO-së dhe mundësoi hapjen e opsioneve të tjera për koalicione paszgjedhore.   Gjithçka tjetër që ka ndodhur pas pamundësimit të koalicionit mes VMRO-së dhe BDI-së është thjesht refuzim i VMRO-së për t’u larguar paqësisht nga pushteti.  Edhe pse VMRO-ja e paraqet veten si mbrojtës të shtetit nga rreziku shqiptar, retorika nacionaliste ka si qëllim themelor mbajtjen me çdo kusht te pushtetit dhe vazhdimin e dominimit te VMRO-së gjë që do të siguronte edhe pandëshkueshkmërinë e eksponenteve kryesorë të VMRO-së për veprimtarinë kriminale që u shpërfaq në përgjimet e publikuara nga lideri i LSDM-se dy vjet me parë.

– VMRO dhe Ivanov pretendojnë se kriza politike është shkaktuar nga ndërhyrja e Shqipërisë dhe Kosovës në punët e brendshme dhe hartimi i të ashtuquajturës “Plaftormë të Tiranës”, cili është opinioni juaj për këto pretendime?

GJONI: Problemi i VMRO-s nuk është aspak me Republikën e Shqipërisë ose Kosovës.  Kryeministri i Shqiperisë e ka pranuar publikisht se ka lehtësuar takimin e partive shqiptare në Tirane ku është arritur pajtueshmëri për veprim politik të perbashket nga BDI-ja, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët rreth një numri ceshtjesh që janë përfshirë në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.  Gjithashtu, Shqipëria dhe Kosova kanë mbeshtetur publikisht kërkesat e partive shqiptare për avancimin e statusit të shqiptareve si element shtetformues ne Republikën e Maqedonisë.  Pavarëisht mbështetjes, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë patur rol strategjitë e koalicionimit të partive shqiptare dhe mënyrës se si ato parti mendojnë t’i realizojnë pikat për të cilat janë pajtuar se do të ndërmarrin veprim politik të përbashkët dhe afatgjatë.

Prandaj pretendimi i VMRO-se se Shqipëria ka ndërhyrë në punët e brendshme është ekzagjerim i një roli që Kryeministri Rama e ka pranuar publikisht dhe kërkim i armikut imagjinar atje ku nuk ekziston në të vërtetë.  Kjo qasje e VMRO-së mund të ketë sukses afatshkurtër por nuk e ndihmon Maqedoninë në zgjidhjen e problemeve reale të shkaktuara nga qeverisja afatgjate e VMRO-së sic janë kapja totale e shtetit, korrupsioni galopant, kontrolli total I gjyësorit, dhunimi i lirisë së medias, përndjekja dhe frikësimi i shoqërisë civile.  Këto probleme që identifikohen në të gjitha raportet e BE-së dhe SHBA-së të viteve të fundit nuk i ka shkaktuar Shqipëria dhe nuk mund të zgjidhen duke përdorur ndërhyrjen e saj si burim i krizës.

Ne fakt, VMRO-ja nuk e ka shtruar gjate periudhes 20 ditore te negocimit ne janar problemin e nderhyrjes nga Shqiperia dhe Kosova.  Ajo ka negociuar dhe e ka pranuar pjesën më të madhe të deklaratës politike, ka ndarë edhe postet me BDI-në dhe vetëm pasi dështoi nënshkrimi i marreveshjes për koalicion me BDI-në, VMRO-ja hapi ceshtjen e ndërhyrjes nga jashtë.  E vërteta është se deklarata e partive shqiptare nuk përbën kurrfarë rreziku për të ardhmen e Maqedonisë. Deklarata e partive politike shqiptare në masë të madhe i dedikohet zgjidhjes së këtyre problemeve duke dhënë mbështetje për Prokurorinë Speciale.

Ndërsa ceshtjet që shqetësojnë shqiptarët, si barazia gjuhësore, politike, ekonomike dhe kulturore, nuk janë gjëra që shqiptarët i kërkojnë për herë të parë, por janë lënë pas dore nga keqpërfaqësimi i shqiptarëve nga partitë që kanë marrë pjesë në qeveritë e VMRO-së në dekadën e fundit si BDI-ja dhe PDSH-ja.  Nënshtrimi i partive shqiptare ka larguar vëmendjen nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimit i diskriminimit të shqiptarëve.  Mirëpo, kjo nuk do të thotë se kërkesat e shqiptarëve janë të pabaza apo të rrezikshme për të ardhmen e Maqedonisë.

Pra ndryshe nga pretendimet e VMRO-së, realizimi i deklaratës në planin afatgjatë do të forcojë klimën e besimit mes dy popujve më të rëndësishëm në Maqedoni dhe përkushtimin e shqiptarëve ndaj shtetit të përbashkët.  Deklarata në vetvetë shtron kërkesa minimale për avancimin e statusit te shqiptarëve dhe asnjëra nga pikat nuk mund të realizohet pa shumicen e cilësuar. Pra celësin për realizimin e pikave të platformës që lidhen me të drejtat e shqiptarëvë nuk e ka LSDM-ja dhe shqiptarët por vëtë VMRO-ja pasi pa votat e saj nuk mund të bëhën ndryshimet e nevojitura ne ligje dhe Kushtetutë.  Prandaj, ska kurrfarë arsye për panik ose paranojë por VMRO-së i intereson bllokimi institucional pasi cdo ditë që kalon në krizë dhe amulli do të thotë shmangje e përgjegjësisë penale dhe vazhdim i kapjes së shtetit.  Kohet e fundit përflitet Gruevski ka pranuar që të jetë edhe ne minorancë në qeveri të kryesuar nga Zaev me kusht që të jepen garanci për mosndjekje penale të eksponentëve kryesorë të VMRO-së.  Kundërshtia e VMRO-se nuk ka aspak lidhje me kërkesat e shqiptarëve për më shumë të drejta por bazohet ne frikën nga Prokuroria Speciale.  Me sa duket lidershipi rreth Gruevskit është i gatshëm për të nisur konflikt etnik që do të conte në shpalljen e gjendjes së jashtezakonshme dhe mbajtjen ne dorë të institucioneve nga VMRO përsa kohë që kriza vazhdon.  Duke marre parasysh se qendrimet dhe veprimet e Presidentit Ivanov përputhen plotësisht me qendrimet e VMRO-së është jo reale të pritet që zgjidhja do të vijë nga Ivanov.  Madje Ivanov po e përdor situatën e krijuar dhe simbiozën me VMRO-në për të krijuar një profil të tij politik që mund t’i shërbejë në të ardhmën për interesa politike më afatgjatë në skenën politikë të Maqedonisë.

  • Sa mund të vazhdojë kriza aktuale dhe si mund të dilet prej saj?

GJONI: VMRO është makineri shumë e fuqishme dhe me sukses ka arritur të mobilizojë anëtarësinë dhe punonjësit e administratës shtetërore në protesta ditore. Ketu vlen te theksohet që lidershipit te VMRO-së i shkon për shtat që të kalohet nga kriza politike në dhunë dhe incidente ndëretnike.  Vetë Gruevksi dhe njerëzit rreth tij justifikohen para të huajve se kinse brenda VMRO-së ka rryme radikale që jane për konflikt të hapur me shqiptarët duke projektuar veten si një rrymë e butë Brenda VMRO-së. Ka edhe lajme te pavertetuara se grupe radikale brenda partisë kane organizuar trupa paramilitare për një fushatë spastruese ndaj shqiptareve.  Vlen të permenden edhe dyshimet për përkrahjen e VMRO-së nga Rusia dhe fakti që në muajit e fundit Ministria e Jashtme e Rusisë ka dhënë 5 deklarata mbi situatën në Maqedoni cka dëshmon për një interesim të madh të Rusisë rreth situatës politike në Maqedoni.  Ndonese Rusia nuk ofron nje alternativë afatgjate dhe serioze për gjendjen ku ndodhet Maqedonia, prononcimet e shpeshta tregojnë interesin rus për ta përdorur gjendjen e brishtë në Maqedoni për të forcuar vijën ndarëse Perëndim-Rusi.  Ndërkohë që faktori shqiptar dhe ai ndërkombëtar e kanë keqllogaritur fuqinë reale të VMRO-së për destabilizim duke shpresuar në një marrëveshje të thjeshtë mes Gruevskit për pandëshkueshmërinë e figurave drejtuëse të VMRO-së.

Kjo lloj qasje neglizhon përmasat gjeopolitikë të krizës dhe rolin në rritje të Rusisë në Maqedoni dhe Serbi për shkak të vakumit të lënë në rajon nga SHBA dhe BE.  Me sa duket, bllokimi institucional do të vijojë edhe pse nuk parashikoj që përpjekjet e VMRO-së për përhapjen e dhunës të gjejnë mbështetje në popull.  Sidoqoftë, nuk përjashtohet mundësia që të inskenohen ngjarje të dhunshme ose incidente nderetnike me qëllim që të pamundësohet formimi i çfarëdo qeverie pa VMRO-në. 

Nga ana tjetër LSDM-ja dhe partitë shqiptare po mundohen ta largojnë VMRO-në nga pushteti pa shkaktuar dhunë dhe destablizim.  Edhe nëse qeveria krijohet nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare, VMRO do të tentojë ta rrezojë qeverinë e re në afat sa më të shkurtër dhe gjithsesi para se Prokuroria Speciale të ketë paraqitur aktakuza ndaj lidershipit aktual.  VMRO-ja shpreson se nëse mobilizimi popullor e thellon krizën dhe shpallen zgjedhjet e reja ajo më siguri i fiton zgjedhjet për shkak të kontrollit afatgjatë mbi resurset shtetërore dhe ngritjes së retorikës nacionaliste.

Pra nëse kriza vazhdon ajo favorizon VMRO-në por edhe nëse ka zgjedhje të reja VMRO-ja me siguri del fituese.  Pengesa e vetme e planit të VMRO-së për të vazhduar dominimin në skenën nuk politike nuk është LSDM-ja por faktori shqiptar.  Nëse partitë shqiptare tregojnë unitet dhe kohezion politik, VMRO-ja do ta ketë te vështirë të ndërtoje qeveri edhe në të ardhmen.  Madje edhe nëse siguron e vetme 63 vende në Kuvend, çdo qeveri që bazohet në retorikën antishqiptare do ta ketë të veshtirë të drejtojë Maqedoninë.  Ne themel të strategjisë politike të VMRO-së ndaj shqiptare qëndron formula se shqiptari kokëbosh me xhepin plot është i përdorshëm dhe i manipulueshëm.  Mirëpo, kjo lloj formule bazohet në marrëdhëniet vasale që ka arritur të krijojë VMRO me BDI-në dhe PDSH-në por nuk përfaqëson elektoratin shqiptar i cili me 11 dhjetor tregoi se nuk e pranon nënshtrimin e dyfishtë nga VMRO dhe BDI.

Sa më shpejt VMRO-ja ta kuptojë që blerja e lidershipit të partive politike nuk mund ta fshehë shtypjen dhe dhe diskriminimin e shqiptarëve të Maqedonisë aq më mirë të jetë për VMRO-në si parti dhe për të ardhmen e Maqedonisë si shtet.

  • Çfarë roli po luajnë ndërkombëtarët për daljen nga kriza?

GJONI: Fatkeqësisht nuk pritet ndonjë angazhim serioz nga BE dhe SHBA për sa kohë kriza politike është e manaxhueshmë dhe nuk ka dhunë dhe viktima.  Kjo qasje e ndërkombëtarëve nuk është karakteristike për Maqedoninë por rrjedhojë e pranisë së shume krizave më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare si në Siri, Irak, Ukrainë dhe së fundmi edhe tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut.

Vlen të theksohet se nuk ka qëndrim unik mes BE-së dhe SHBA-ve se as mes vetë shteteve anëtare të BE-së për mënyrën se si duhet të veprohet për të nxjerrë Maqedoninë nga kriza.  Ekziston një konsensus i brishtë se VMRO-ja dhe Gruevski kanë krijuar një sistem illiberal dhe të korruptuar që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat euro-atlantike por nuk ka pajtueshmëri si të veprohet për daljen nga kriza dhe si të largohet VMRO-ja na pushteti pa dhunë.  Mundësia per sanksione ndaj eksponentëve të VMRO-së dhe Presidentit Ivanov po diskutohet në BE por vështirë se shtete Hungaria dhe Austria miratojnë nisma të tilla për shkak të mbeshtetjes që i kane dhënë në të shkuarën VMRO-së dhe interesave ekonomike dhe politike vetjake të shteteve përkatëse.

Kjo situatë po përdoret me mjeshtëri dhe pa shumë kosto nga Rusia e cila I përdor shqiptarët si gogol ndaj maqedonasve dhe serbëve duke përdorur albanofobinë si mënyrë për betonimit e ndikimit rus në rajon dhe si kundërpeshë e ndikimit të SHBA-së dhe BE-së.  Me forcimin e pozitës kushtetuese të Erdoganit, edhe Turqia do të mundohet të projektohet si një aktor në krizën maqedonase dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë në krah të VMRO-së.  Kjo për shkak se Turqia ka ndikimi kulturor dhe fetar më të madh tek shqiptarët e Maqedonisë por investimet dhe bizneset kryesore i ka me Gruevksin dhe njereëzit rreth tij.

  • Cili eshte roli partive shqiptare?

GJONI: Në elektoratin shqiptar vërehët një pakënaqësi e madhe ndaj partive shqiptare për apatinë dhe mungesën e mendimit dhe veprimit energjik politik për kapërcimin e krizës.  Pafuqia e treguar nga 4 partitë parlamentare shqiptare dhe përcarjet mes Besës dhe BDI-se ia mundësuan VMRO-së të ndërtojë me sukses akuzat ndaj Republikës së Shqipërisë për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.  Fakti që partitë (pervec PDSH-se) kane rënë dakord që deklarata e përbashkët të jetë program i tyre afatgjatë, nënkupton edhe bashkëpunimin dhe veprimin në bllok për sa i përket shtjellimit, operacionalizimit dhe afatizimit të Deklaratës.  Mungesa e kohezionit mes partive shqiptare të krijon përshtypjen se ato tre parti tashme janë penduar për cka janë dakorduar në Tiranë dhe do donin që ajo Deklaratë të mos ishte nënshkruar kurrë që të kishin duar të lira për lojëra dhe pazare politike.  Mirëpo, mbështetja popullore për një bllok të përbashkët politik shqiptar, kundërshtia nga VMRO dhe ndërkombetarizimi i Deklaratës ua pamundeson partive shqiptare distancimin haptaz dhe publikisht nga Deklarata.  Madje nëse ndodh dicka e tillë nga Besa ose BDI (gjë që nuk pritet), tërheqja publike nga Deklarata mund të shënojë dhe fundin e tyre politik.

Tek shqiptarët e Maqedonisë shtrohet pyetja se si të operacionalizohen ato pika të Deklaratës nga këta politikane të dobët dhe të kontrolluara nga sherbimet sekrete ose të ndikuara nga partitë VMRO dhe LSDM.   Me rëndësi është që koncepti politik i BDI-së  i bazuar në tregtimin e interesave shqiptare për përfitime personale dhe grupore ka marrë ndëshkim shembullor nga votuesi shqiptar.  Në situatën aktuale, BDI-ja duket se ka më shumë mundësi të shpërbëhët sesa të reformohet për shkak se një pjese e mirë e figuravë qëndrore të BDI-së ende janë nën ndikimin e VMRO-së dhe sidomos pjesa e kriminalizuar e BDI-së do t’i rezistojë reformave të brendshme në parti pasi një pjesë e tyre me largimin nga postet politike do duhet të përfundojnë para drejtësisë bashkë më ortakët e tyre nga VMRO.  Një nga variantet eshte qe te pastrohet BDI-ja nga pjesa e kriminalizuar dhe strukturat e saj te përtërihen me njerëz të rinj të mirëarsimuar dhe të pakorruptuar që e marrin në dorë partinë duke e pensionuar gradulisht Ahmetin. Mirëpo, figurat e vjetra te BDI-se që kanë ende interesa ekonomike në ruajtjen e status quos dhe do të bëjnë të pamundurën që të mos ketë hapje dhe ndryshim rrënjësor të partisë.

Në situatë edhe më të dobet gjendjet PDSH-ja e cila ka humbur arsyen e ekzistencës së saj dhe me sa duket do të përfundojë në një parti pa peshë e njëjtë me PPD-ne e dikurshme.  Edhe pse PDSH-ja ka aktivistë dhe votues besnikë, përfshirja e lidershipit aktual në interesa biznesore më VMRO-në, mbështetja e pakuptimtë për Ivanovin dhe distancimi nga Deklarata e partive shqiptare e kanë dobësuar shume PDSH-në duke e kthyer anëtaresinë e PDSH-së në target për Besën dhe LR-PDSH-në. Me sa duket si BDI-ja ashtu edhe PDSH-ja shihen nga shumica e shqiptarëve si parti të dirigjuara nga VMRO-ja dhe pavarësisht se BDI-ja shihet si më e inkriminuar, përgjimet tregojnë se PDSH-ja ka qënë kurdoherë e gatshme të zëvendësojë BDI-në si një patericë shqiptare në qeveritë e VMRO-së.

Mirëpo diskretitimi dhe shkërmoqja e partive të vjetra nuk do të thote se partitë e reja janë më të mira ose me premtuese për shqiptaret.  Besa dhe Aleanca per Shqiptaret nuk do po dëshmojnë lidership në këtë periudhë të krizës dhe është pafuqia e këtyre dy partive që mundësoi zhvendosjen e votës drejt LSDM-së.  BESA përvec se sulmohet si parti e ndikuar nga Turqia dhe me financim nga Katari, në muajt e fundit ka treguar një mungesë serioze të konsistencës dhe konfuzion të qëndrimeve.  Mungesa e autonomisë në veprimin e saj politik dhe kombinuar edhe me mungesën e një lidershipi karizmatik me sa duket i ka shkaktuar krizë besimi elektoratit shqiptar ndaj Besës.  Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët mbetet një koalicion i dobët dhe përzierje e partive që nuk kanë arritur të dalin nga modeli i partive lokale përtej Gostivarit, Dibrës dhe Strugës dhe nuk ngjallin shpresë se do të mund të shndërrohën në një opsion serioz politik në të ardhmen e afërt.

Prandaj, ne cdo variant, trendi i nisur me 11 dhjetor i forcimit të LSDM-së me vota të shqiptarëve pritet të vazhdojë dhe është e pakuptueshme pse partitë shqiptare kohët e fundit duket sikur kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale.  Zgjedhjet lokale në konstelacionin aktual politik në Maqedoni jo vetëm që nuk favorizojnë asnjë nga partitë shqiptare por thjesht do të thellojnë defaktorizimin e metejshem të partive shqiptare në favor te LSDM-së në të gjitha komunat ku shqiptarët janë shumicë.  Përderisa në Maqedoninë lindore pritet zgjerimi i mbeshtetjes se VMRO-së në zonat shqiptare mbajtja e zgjedhjeve lokalenë këtë situatë thjesht do të nxjerrë në pah krizën e besimit të elektoratit shqiptar tek partitë shqiptare.  Kjo letargji e partive politike ndihmohet jo pak edhe nga dorëzimi dhe dizorientimi i një pjese të mirë të shoqërisë civile shqiptare të cilët tregojnë mospërfillje totale ndaj situatës politike në Maqedoni por janë shumë të zellshëm për të dhënë mendime për referendumin në Turqi ose tensionet në Korenë e Veirut.  Është e pakuptueshme se si mund nje pjesë e mirë e analistëve, gazetarëve por edhe profesorëve shqiptar në Maqedoni investojnë shumë për të treguar simpatinë e tyre ndaj Erdoganit dhe Turqisë ndërsa tregojnë mungesa totale angazhimi për të përmirësuar përfaqësimin politik të shqiptarëve.

Aktualisht nuk ka popull më të diskriminuar dhe më të shtypur në Evropë sesa shqiptarët e Maqedonisë. Mjafton të krahasoni rolin e Valonëve në Belgjikë që janë rreth 30% e popullsisë ose të drejtat që kanë serbët e Kosovës që jane 5% e popullsisë së Kosovës për të kuptuar pozitën e dobët të shqiptarëve në Maqedoni.

Prandaj ne periudhen afatgjate vetem levizje e re politike e shqiptareve te Maqedonise qe ka aftesi profesionale dhe integritet moral e kombetar te pacenuar mund t’i prije ceshtjes shqiptare.  Nëse nuk ka një lëvizje masive tek shqiptarët e Maqedonisë për formësimin e një opsioni të ri politik, partitë aktuale shqiptare rrezikojnë të shnderrohen ne degë jozyrtare të LSDM-se dhe VMRO ose zbatuese të politikave neo-otomane në Ballkan por jo perfaqësuese të dënja të interesave të shqiptarëve.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...