Published On: 4 Nëntor, 2016

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës shënon 26 vjetorin e themelimit

 
Mbi një çerek shekulli PSHDK-ja është pjesë e spektrit tonë politik. U themelua në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, në kohën e ndryshimeve të mëdha historike në Evropën Juglindore, por edhe në ish Jugosllavi, kur fryma e demokracisë perëndimore po depërtonte tek shtetet e fundit me sistem monist, një partiak.

Atëbotë, shqiptarët në Jugosllavi, me të drejta të cunguara dhe të shumtën të mohuara nacionale, shfrytëzuan fillimin e shpërbërjes së shteteve në ish Jugosllavi dhe në një situatë të tillë, u vetorganizuan me qëllim të mbijetesës fizike në këto troje, por edhe të ngritjes së shumë çështjeve jetike që deri atëherë jo vetëm që nuk gjetën mbështetjen në shtetin e përbashkët, Jugosllavinë, por edhe ato të drejta që kishim me kushtetutën e vitit 1974, sa vinin e tkurreshin, për të ardhur në një pikë, kur ato u suprimuan dhe u mohuan tërësisht.

Në këto rrethana edhe shqiptarët e Kosovës, u futën në fillet e një organizimi politik plural. PSHDK-ja ishte ndër partitë e para politike, e cila duke pasur në ballë intelektualë të shquar e të dëshmuar, morën mbi supet e veta barrën e rikthimit të Kosovës në familjen e madhe evroperëndimore, e shkëputur padrejtësisht nga ky trung për shekuj me radhë.

Çështja e pazgjidhur nacionale ishte një angazhim parësor i demokristianëve të Kosovës, të cilët përpiqeshin që përmes miqve tanë në Amerikë dhe Evropë, ta sensibilizojnë opinionin e këtyre shteteve, por edhe kancelarive të tyre për synimet e popullit tonë, si në aspektin politik, ashtu edhe të interesave nacionale.

Gjithë ky aktivitet në organizimin e brendshëm, por edhe në rrafshin e internacionalizimit të çështjes sonë kombëtare, pozitës sonë si popull, në ketë periudhë të shpërbërjes së Jugosllavisë, është bërë me sakrifica të mëdha dhe jo me pak pasoja.

Përndjekjet, persekutimet, rrahjet, burgosjet etj. në ketë periudhë ishin përditshmëri dhe në këtë aspekt edhe udhëheqësia e partisë dhe anëtarët e saj ishin viktima të këtij brutaliteti të mekanizmave represivë të pushtetit serb.

PSHDK-ja ka bashkëpunuar shumë ngushtë me LDK-në si lëvizje gjithëpopullore, por edhe me segmente të tjera jashtëpolitike siç ishin Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Shoqatën Humanitare Bëmirëse “Nëna Tereze”, Këshillin për Financim, Sindikatën e Arsimit dhe asociacione tjera që vepronin jashtë subjekteve politike, por që punonin në të mirën e popullit tonë dhe ishin pjesë e organizimit dhe veprimit pozitiv në shoqëri.

Gjatë luftës, pjesëtarët e subjektit tonë iu kanë përgjigjur kushtrimit për liri dhe pavarësi, një numër i të cilëve sot janë përjetësuar në altarin e lirisë, kurse shumë simpatizantë dhe përkrahës të subjektit tonë si dhe pjesëtarë të familjeve të tyre janë martirizuar për idealin e shenjtë, lirinë e Kosovës.

Ndërkaq, me mjete financiare dhe forma të tjera kanë ndihmuar masovikisht anëtarësia jonë dhe familjet e tyre, gjatë rezistencës paqësore, kurse kanë mbështetur edhe luftën e armatosur të popullit tonë të udhëhequr nga UÇK-ja.

Subjekti ynë, edhe pas përfundimit të luftës, ka vazhduar aktivitetin e tij, me intensitet të shtuar, në tejkalimin e pasojave që solli lufta si në njerëz, ashtu edhe në ekonomi familjare, por edhe në konsolidimin e radhëve për të vepruar në rrethana të reja.

Kontribut të jashtzakonshëm për mbajtjen gjallë të partisë dhe frymës demokristiane të saj kanë dhënë anëtarësia e saj dhe kuadrot e reja, të cilët nuk kursyen mundin e tyre për organizimin sa më të mirë për të qenë pjesë e konkurrencës në skenën politike dhe për t’i dhënë një imazh pozitiv spektrit politik në Kosovë.

Tani prioritet i PSHDK-së në planin e brendshëm mbeten një mori çështjesh të pazgjidhura të natyrës politike, por edhe asaj sociale. Papunësia, krijimi i vendeve të reja të punës, zhdukja e varfërisë, rritja e cilësisë në arsim, shendetësi etj. kurse në atë politik e nacional çështjet e hapura në raportet me fqinjët, ndërkaq në Planin e jashtëm lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallërave, integrimi në strukturat evroatlantike etj.

PSHDK-ja pas riorganizimit dhe strukturimit synon që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet pjesë e Parlamentit dhe institucioneve me qëllim që edhe zëri i demokristianëve të Kosovës të dëgjohet dhe të merret parasysh. E gjithë kjo kërkon punë dhe përkushtim edhe më të madh për arritjen e objektivave tona.

Urime demokristianëve, anëtarësisë së gjerë dhe gjithë mbështetësve dhe përkrahësve të PSHDK-së!

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...