Published On: 2 Gusht, 2017

Papa i parë shqiptar

Andreas Dushi

Papati ka njohur deri sot 266 papë, të gjithë nga Evropa përveç Françeskut që është argjentinas. E ndër këta, disa ishin edhe shqiptarë…

Papa i parë shqiptar ishte Eleuteri (Eleuther, Eleutherius (lindur në Nikopoli të Epirit, në një vit të papërcaktuar – vdekur në Romë, në vitin 189). Ai ishte i 13 Ipeshkëv i Romës e papë i Kishës katolike, e cila e nderon si shenjtor. Egesippi (110-180), historian i krishterë i shekullit II, që shkroi kundër herezive e nderohet edhe ai si shenjt nga Kisha katolike, ishte i pari biograf i Papës epirot.

  • Shën Eleuterus, Papë i XIII i kishës katolike romake

Sipas tij Eleuteri i lindur në Nikopoli (Prevezë) erdhi në Romë në kohën e Papës Aniçeti, qe diakon e mori pjesë, si sekretar në takimin e tij me Polikarpin. Këtë e vërteton edhe Euzebi në Historia Ecclesiastica (IV,11,7;22,3). Sipas tij Eleuteri ishte akoma ipeshkëv kur Irineu i Lionit përfundoi listën e tij ipeshkvnore romake (Adversus haereses III, 3,3). E Eleuterin e kujton edhe Tertuliani në “De praescriptione haereticorum” (30, 2).

Gjatë papnisë së tij u përhap masivisht herezia montaniste, quajtur kështu me emrin e themeluesit Montano. Ndoshta ish-prift i hyjneshës Cibele, ai pohonte se fliste në emër të Shpirtit Shenjt, se kishte vegime profetike për çështje të ndryshme të fesë e, sidomos, për kohën e ardhjes së dytë të Krishtit. Prej këndej, nën papninë e Eleuterit u shkruan më se 4 apologji, për të paraqitur ndryshimet ndërmjet të krishterëve e montanistëve.

Kuptohet se në kohët e përgjakshme të persekutimit pak mundësi kishte Kisha, asokohe e larë në gjak, të merrej me herezitë. Vetëm kur vdiq Mark Aureli e në fronin e tij u ul i biri Komodi, mundi t’i kushtohej plotësisht problemit të herezisë montaniste.

Nganjëherë Eleuteri qortohet për mungesë vendosmërie në dënimin e herezisë montaniste. Por historikisht mendohet se kjo ishte sjellje diplomatike që synonte ta zgjidhte pa shumë dhimbje, përçarjen në Kishë. Sjellje që nuk solli asnjë fryt. Gjatë papnisë së tij, Eleuterit iu desh t’u bënte ballë edhe herezive të tjera që vijonin të përhapnin doktrinat e tyre, sidomos gnosticizmit e marcionizmit.

Në Liber Pontificalis shkruhet se pati letërkëmbim me mbretin britanik Lucio që dëshironte të kthehej në fenë e krishterë. Por kjo traditë romake me sa duket nuk ka asnjë bazë historike. Këtë pandehmë e gjejmë edhe tek Shën Beda i Nderuar (673-735)  që jetoi në manastirin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, në Wearmouth. Beda me sa duket nuk e mori nga burimet angleze, por nga Liber Pontificalis.

Nuk kemi të dhëna që vërtetojnë se Papa Eleuteri u martirizua e sidomos se e quante veten shqiptar. Sepse as vetë Shqipëria asokohet nuk quhej Shqipëri. Shumë-shumë mund të krenohej se ishte ilir. Por as për këtë nuk kemi asnjë të dhënë. Aq më tepër kur po të kemi parasysh se, edhe në ato kohë të mugëta, kur shpesh ngjarjet humbisnin në mjegull pa lënë asnjë dëshmi pas, Kisha katolike, ndonëse e martirizuar vazhdimisht, vijonte ta shkruante e ta ruante me kujdes të madh, përmes akteve të martirizimit e të papnive, historinë e saj dymijëvjeçare. Duke na krijuar mundësinë t’i prekim me dorë ca ngjarje 2 mijë vjet larg nesh.

Për shembull, kohën kur vdiq Papa Eleuteri dhe vendvarrosjen e tij pranë varrit të Shën Pjetrit, varr me një histori më vete, me lëvizje relikesh, për t’i ruajtur nga dhunimi, mjegulluese për historinë tonë. Prej këndej nuk jemi të sigurt jo vetëm për shqiptarësinë e Eleuterit, por nuk e dimë me siguri as ku pushon në paqe, tani që dëshirojmë ta kujtojmë si Papa i parë shqiptar i një kohe kur nuk kishte ende Shqipëri!

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...