Published On: 3 Gusht, 2017

Panik nga Vetingu/ Gjyqtarë, prokurorë, politikanë… nxjerrin jashtë pasuritë; 178 raste në 6 muaj

Gjyqtarët, prokurorët, politikanët, por dhe bosët e krimit kanë filluar të marrin masa para zbatimit të reformës në drejtësi. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka dhënë alarmin për një rritje të ndjeshme të pastrimit të parave gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama mblodhi njësinë task forcë kundër kanabisit, ku paralajmëroi se në shtator do nisë një operacion shumë i madh kundër kapove të krimit dhe do ketë sekuestrim pasurie.

Në këtë takim ishte dhe kreu i DPPPP, i cili ka dhënë detaje mbi situatën. Drejtoria ka zbardhur të dhënat e deklaruara aty dhe shqetësimi i ngritur nga Arlind Gjokuta ka qenë se ka pasur një rritje të ndejshme të pastrimit të parave. Sipas të dhënave të DPPPP, është rritur ndjeshëm numri i raporteve të aktivitetit të dyshimtë dhe janë referuar në Prokurori e Polici 178 raste të dyshimta për pastrim parash, nga të cilat për 31 raste, me vlerë totale 3.8 mln euro, është nxjerrë urdhër bllokimi i transaksioneve në gjashtëmujorin e këtij viti. 91% e rasteve të referuara kanë indicie. Sipas burimeve nga kjo drejtori, të përfshirë në pastrim parash janë kryesisht njerëz të botës së krimit, por në listë janë dhe gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të niveleve të larta.

Vetë drejtori i DPPPP ka deklaruar se kanë nisur hetimet dhe në kuadër të procesit të vetingut. Mësohet se drejtoria në fjalë po verifikon të gjitha llogaritë bankare të gjyqtarëve dhe prokurove dhe çdo transfertë të kryer në banka. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, shumica e parave të pista dalin jashtë vendit dhe kjo do të thotë se në prag të vetingut zyrtarët dhe bosët e krimit po tentojnë të largojnë pasuritë pasi e dinë se me të nisur reforma do ketë sekuestrime. Në shtator pritet të fillojë vetingu dhe si duket të gjithë po marrin masa për të shpëtuar pasuritë.

Paratë e krimit dhe korrupsionit jashtë vendit

Në faqen e saj në internet, Drejtoria e Pastrimit të Parave ka bërë me dije se përgjatë vitit 2016 janë bllokuar 28,772,733 euro, ndërsa u sekuestruan 8 milionë prej tyre. Sipas DPPPP, pjesa më e madhe e parave të pista dalin jashtë vendit. Gjatë vitit 2016 ka pasur 619 raportime nga banka të nivelit të dytë të cilat kanë raportuar për shuma të mëdha parash. Më pas vijnë shoqëritë e transfertave. Prej tyre ka pasur 209 denoncime. Edhe në këtë rast ka pasur transferta jashtë vendit. Një tjetër teknikë që përdoret për pastrimin e parave është nxjerrja e tyre në mënyrë tokësore.

Vetë Doganat kanë denoncuar 47 raste, ku individë të caktuar kanë kaluar me para të shumta më vete. Por teknika tjetër më efikase është investimi i parave në pasuri të patundshme. Vetë Hipoteka ka evidentuar gjatë vitit 2016, plot 134 raste të dyshimta. Por sipas raportit të siguruar nga gazeta, ata që kanë rolin më të madh në pastrimin e parave janë noterët. Ata kanë denoncuar plot 205 raste, kur individë të caktuar kanë nënshkruar akte noteriale, dhurimi, kalimi pronësie apo llogari bankare me vlera shumë të mëdha. Mirëpo në dokument deklarohet se ka dhe mjaft raste të tjera që noterët nuk raportojnë pranë DPPPP. Po ashtu, raste të tjera ku pastrohen paratë janë shoqëritë e automjeteve.

Sipas drejtorisë, ka pasur 35 raste denoncimesh nga këto shoqëri për raste të dyshimta nga individë të caktuar. Në fund vijnë shoqëritë e leasking dhe ato të pagesave elektronike. Pra gjatë vitit 2016 janë shënuar 1.300 raste të dyshimta të pastrimit të parave./Kliti Topalli

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...