Published On: 28 Tetor, 2016

Origjina e shenjtë e Përkrenares së Skënderbeut, nga pellazgët, Aleksandri, Pirro…


Dr. Arsim Spahiu

Në numizmatikën ilire tërheq vëmendjen një fakt tjetër interesant: në disa monedha autonome të prera para e. s., në disa qytete ilire, figuron Dhia e Shenjtë Amalthe! Kjo duket në monedhat autonome të ishujve ilirikë të Isës dhe të Farit (Kroaci), të prera në shek. IV para e. s., etj.

Rreth dy shekuj më vonë, në vitet 211-197 para e. s., pritet gjithashtu monedhë autonome me kokën e Dhisë Amalthe në faqe të monedhave, të prera në Lissus (Lezhë). Dhia e shenjtë Amalthe shihet edhe në monedha të prera te fisi i athamanëve të vendosur në ekstremin jugor të hapësirës epiroto-ilire.

Në mitologjinë pellazgjike dhe në letërsinë greko-romake, janë katër versione për prejardhjen e kësaj dhie, por këtu parashtrohet më i përhapuri ndër ta: Amalthea është bijë e Diellit, pra është parahelenike rreth një mijëvjeçar e gjysmë.

Në legjendat pellazgjike dhe në traditën letrare greko-romake, Amaltheia kishte marrë përsipër ta fshihte Zeusin foshnje në malin e Idas (Kretë) dhe ta ushqente me qumështin e vet e ta rriste, sepse i ati, Kroni, e kërkonte gjithandej për ta gëlltitur. Amalthea e kishte maskuar Zeusin në degën e një peme me qëllim që i ati të mos e gjente dot “as në qiell, as në tokë, as në det”. Ajo kishte mbledhur kuretët që me këngët dhe me vallet e zhurmshme luftarake të mbulonin të qarat e Zeusit kërthi. Më vonë Zeusi, kur u rrit dhe u përgatit për të luftuar me titanët, bëri një mburojë me lëkurën e Dhisë së Shenjtë, e cila u quajt aegis, egjidë (mbrojtje).

Siç thuhet nga mitologët dhe njohësit e thelluar të letërsisë greko-romake, Zeusi në lojë e sipër ia thyen Dhisë së Shenjtë njërin bri dhe ia bën dhuratë, duke i premtuar se briri do të mbushej mrekullisht me të gjitha frutat që ajo do të dëshironte. Ky është briri i Amalthesë, ose cornu-copiae (briri i bollëkut), aq i pranishëm në numizmatikën epiroto-ilire.

Figura e kokës së dhisë, që duket në përkrenaren e Gjergj Kastriotit, lidhet me Dhinë e Shenjtë pellazgo-ilire, që figuron në monedhat ilire, duke përfshirë këtu edhe ato epirotet, sigurisht. Siç thotë Shtjefën Gjeçovi, “Zojzi (Zeusi) edhe sot nderohet në Shqipninë e Veriut, në mos me dije, me padije”. Në fakt, në Shqipërinë e Sotme, që shtrihet në hapësirën gjeografike të Ilirisë Jugore, mbijeton një mitologji e lashtë, ku të gjitha dukuritë e natyrës kanë për themel një mitologji të lashtë, të ruajtur me zell, si themel të një besimi të patrandshëm. Në Shqipëri ende festohen kremtime, që mund të kenë rrjedhje ilire (Bernardin Palaj). Tomorri “asht mali ma i naltë i Shqipnisë Jugore dhe sajon nji farë altari të shêjtë fetar e kombëtar, pa dallim besimesh dhe fisesh” (“Drini”).

Duke pasur parasysh këto që u thanë më lart, ne bindemi se koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut e lidh Heroin Kombëtar Shqiptar me Dhinë e Shenjtë Amalthe të traditës pellazgo/ilire të Zeusit Dodonaeus, çka përbën një argument tjetër të vijimësisë pellazgo-iliro-shqiptare.

Si përfundim përkrenarja me kokën e Dhisë së Shenjtë Amalthe e Heroit Kombëtar Shqiptar, i përkasin plotësisht traditës pellazgo-iliro-arbëreshe të Dodonës.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...