Published On: 24 Nëntor, 2016

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve akuzojnë Shpend Ahmetin se po gënjen për qentë endacakë (Dokument)

Organizatat për Mbrojtjen e Kafshëve thonë se Shpend Ahmeti po deklaron rrejshëm se po merret me zgjidhjen e problemit për qentë endacakë në Prishtinë. Ahmeti thotë se ka investuar 150 mijë euro për tri vjet për këtë çështje, kurse disa herë është deklaruar se s’ka të interesuar për aplikime për tenderë. “Asnjë përfaqësues i ndonjë organizate për mbrojtjen e kafshëve nuk është takuar ndonjëherë më Shpend Ahmetin për këtë çështje”, thotë Driton Gucia, themelues i organizatës “TBPK”. Kryetari i Prishtinës gjithashtu është akuzuar se ka shkelur Ligjin e Republikës së Kosovës për të Drejtat e Kafshëve

Janë së paku gjashtë organizata për mbrojtjen e kafshëve që deri tani thuhet se kanë kërkuar dhjetëra herë takim me kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti, mirëpo ai asnjëherë nuk është takuar me asnjë përfaqësues të tyre.

“Fatkeqësisht nuk po guxoj me i përmend emrat e të gjitha organizatave që janë dëshpëruar në Shpend Ahmetin, pasi nuk ju ka përgjigj asnjë kërkese të cilën e kanë paraqitur në Komunë. Njëra prej këtyre organizatave 13 herë ka bërë kërkesë për takim dhe nuk i kanë kthyer përgjigje”, ka thënë Driton Gucia, themelues i organizatës “Të Bashkuar për Kafshët” për Gazetën Express.

Gucia tregon se deri tani asnjë organizatë nuk ka marrë asnjë cent nga Komuna edhe pse Komuna secilin vit shpallë tenderë prej 50.000 euro deri në 100.000 euro.

“Përkundrazi, pas tërë këtyre viteve që kemi funksionuar si të pavarur nga mbështetja institucionale, Shpend Ahmeti deklaron rrejshëm në rrjete sociale se nuk ka pas interesim prej OJQ’ve për bashkëpunim”, thotë Gucia.

Aktivistët tregojnë se Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me strehimoren private në Harilaq, në të cilën kanë investuar buxhet vjetor prej 40 mijë deri në 70 mijë euro, e krejt kjo është bërë në mungesë të transparencës publike.

Në rrjetet sociale, Shpend Ahmeti deklarohet se nuk ka pasur aplikime për tenderë, kurse në anën tjetër thotë se kanë investuar 150 mijë euro gjatë tri viteve të fundit për trajtimin e qenve endacak në Prishtinë.

“Deri tani, Shpendi është arsyetuar se nuk dëshiron të investojë pa përfshirjen e të gjitha Komunave për këtë problem, mirëpo deri tani bashkësia e komunave gjithashtu ka qenë e pa interesuar të ofrojë zgjidhje”, thotë Gucia për Express.

Vlen të theksohet se një ekip vullnetarësh nga Holanda dhe Sllovenia, të cilët operuan në Strehimoren e Graçanicës, nuk arritën të takoheshin me Shpend Ahmetin.

“Shumica e qenve që janë trajtuar në kryeqytet besoj se janë rezultat i punës vullnetare të aktivistëve nga harxhimet e tyre e jo nga institucionet shtetërore”, thotë Gucia.

“Ne nuk po kërkojmë strehimore që i mbanë të gjithë qentë endacakë, nuk po kërkojmë ndërtimin e hoteleve për qenë, ne po kërkojmë bashkëpunim konstruktiv për një zgjidhje që dëshmon zgjidhjen e problemit dhe nuk kërkon buxhet ma të lartë sesa ai që vazhdimisht premtohet e nuk jepet”, thotë Gucia.

Gucia tregon se tash e disa vite organizatat për mbrojtjen e kafshëve i bëjnë apel sidomos Komunës së Prishtinës për parandalimin e rreziqeve që po ndodhin, mirëpo institucionet nuk po i mbështesin aspak.

Dafina Paca, aktiviste për të drejtat e kafshëve, studiuese për Antrozoologji, në letrën drejtuar Shpend Ahmetit e ka akuzuar atë se ka shkelur ligjin e Republikës së Kosovës për të Drejtat e Kafshëve, duke thënë se buxheti i cili është i ndarë nga Qeveria për këtë çështje, Ahmeti nuk po ua ndanë kujdesit për qentë endacakë.

Gazeta Express sjell të përkthyer në gjuhën shqipe pjesë të kësaj kërkese ndaj Shpend Ahmetit:

“Sa i përket buxhetit, deri më sot zyra e juaj nuk ka treguar se si po shpenzon paranë publike të dedikuar për qentë endacak. Përkundër faktit që paratë po merren nga taksapaguesit, qentë jetojnë në kushte të mjerueshme dhe po ngordhin pa ushqim. Është e lehtë të vjedhësh nga ata që nuk kanë zë për ta mbrojtur veten, megjithatë dëshmia në rrugë konfirmon se paraja nuk është duke u përdorur për qentë. Prandaj, a mund të na ofroni informatë se si po shpenzohet buxheti. Ligji në Kosovë për qasjen në dokumente zyrtare ju detyron juve dhe zyrën tuaj që të na ofroni këtë informatë”,shkruan në kërkesën e Dafina Paca’s.

“Ju keni bërë deklaratë publike nga e cila keni nxitur frikën te njerëzit ndaj qenve endacak. Derisa këta qenë nuk kanë pronar, është përgjegjësi e juaja t’i ushqeni, t’u mundësoni strehimin dhe kontrollin e veterinarit, por ju nuk e keni bërë asnjërën nga këto edhe pse e keni buxhetin e ndarë për qentë endacakë. Në mënyrë efektive, ju keni shkelur ligjin për të Drejtat e Kafshëve. Për këtë arsye Qeveria e ka një buxhet për t’i ndihmuar qentë”, shkruan në kërkesë./GazetaExpress/

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...