Published On: 2 Nëntor, 2016

Opozita thotë se Serbia do t’i vazhdojë arrestimet edhe brenda territorit të Kosovës

Shteti i Serbisë për një periudhë shumë të shkurtër ka arrestuar dy qytetarë të Kosovës, nën akuzën se të njëjtit kanë kryer krime lufte.

I arrestuari, Nehat Thaqi nënkolonel i Policisë në Mitrovicë i cili qëndroi një muaj në qendren e paraburgimit në Nish, u lirua të martën. Ndërsa ditë më parë u arrestua me po të njëjtën akuzë, edhe një ish pjesëtar i UÇK-së, Hilmi Kelmendi.

Kjo situatë që e ka krijuar shteti serb, ka zgjuar reagime shumë të ashpra në vend. Ndonëse Qeveria vazhdimisht thekson se janë duke bërë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që veprime të tilla të mos ndodhin më, është opozita ajo që fajtor kryesor për këtë e bën koalicionin qeverisës.

Zëdhënësja e subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, thotë se shteti nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Këtë sipas saj e tregon rezoluta e propozuar më 12 tetor në Kuvend, ku  PDK e LDK e votuan.

“Si kundërpërgjigje e Serbisë erdhi arrestimi i Hilmi Kelmendit, me të njëjtën akuzë sikurse Nehat Thaçi. Për fat të mirë, dje Nehat Thaçi u lirua, por duhet theksuar se kjo është bërë jo nga presioni i Kosovës sepse e vetmja gjë çka ka bërë Kosovë gjatë kësaj kohe ishin deklaratat qesharake si ato të Enver Hoxhajt, i cili ftonte qytetarët të mos kalonin nga Serbia, ndonëse vazhdimisht na flasin për normalizim të marrëdhënieve me këtë shtet”, u  shpreh ajo për lajmi.net.

Ky, siç thekson Kurti, është provokim, dhe  kushtëzimet janë ato që sipas saj duhen si përgjigje ndaj Serbisë. Ndërsa pohoi se arrestime të tilla mund të ketë prapë.

Se Qeveria s’ka bërë asgjë në këtë drejtim, e thotë për lajmi.net edhe Muharrem Nitaj nga AAK.

Sipas tij, Qeveria jo vetëm qe nuk ka bërë sa duhet në mënyrë që Serbia të mos ketë guxim t’i arrestojë shtetasit e Kosovës, por thotë se, sikur është pajtuar me një gjë të tillë.

“Më e pakta që ka mundur të bënte qeveria, është që të kishte aplikuar masa reciproke dhe të mos kishte pranuar të zhvillojë kurrfarë bisedimesh derisa Serbia e atakon Kosovën, i sulmon pasuritë e saj dhe për me tepër i arreston dhe i burgos qytetarët shtetas të Kosovës”, u shpreh Nitaj.

Madje çështja e arrestimeve të qytetarëve kosovarë nga Serbia mund të shkojë edhe më keq. Këtë e thotë Bilall Sherifi nga Nisma, sipas të cilit nuk duhet befasuar nëse shteti serb fillon të bëjë arrestime edhe brenda territorit të Kosovës.

“Qasja e Qeverisë së Kosovës  në raport me shtetin serb dhe qeverinë e Serbisë është  e tillë që mos të ju befasojë që nesër në rast se në territor të Kosovës fillojnë t’i arrestojnë shtetasit e Kosovës.  Se sa i përket arrestimeve kjo u bë diçka e rregullt dhe Qeveria jonë nuk është në gjendje të bëjë asgjë, edhe pse këta mund të bëjnë shumë gjëra por po i ngrisin duart lartë dhe thonë ne nuk mund të bëjmë asgjë. Me këtë qeveri ne nuk mund të presim rezultate as qasje tjetër, thotë për lajmi.net, sekretar i Nismës, Bilall Sherifi.

Ai potencon se, për të ndryshuar qasja në raport me Serbinë  duhet s’pari të ndryshojë qasja në raport me qeverinë e Kosovës, dhe se kjo Qeveri sipas tij duhet të shkojë në shtëpi, e t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, me një Qeveri tjetër që ka qasje tjetër.

“Unë po shpreh shqetësimin tim se kur të dëgjojmë  që në qeverinë e Kosovës kanë filluar edhe arrestimin e tyre, jo më vetëm në territor të Serbisë”, ka  thënë ndër tjerash Sherifi.

Nehat Thaqi u arrestua më 29 shtator nga policia kufitare e Serbisë, dhe i njëjti  u lirua dje. Kurse arrestimi i Hilmi Kelmendit u bë mes të premtes dhe së shtunës për gjoja krime lufte të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-99. Ndërkohë, MPJ e Kosovës u  ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë për në Serbi.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...