Published On: 12 Nëntor, 2016

Opozita: Thaçi synon ta përjetësojë veten në Presidencë

Iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për ta vazhduar reformën zgjedhore, të dështuar në mandatin e kaluar qeverisës nga PDK-ja, përfaqësues të opozitës e vlerësojnë si një veprim joserioz, një lloj cirku dhe monolog, që zhvillohet vetëm brenda koalicionit qeverisës.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, Ali Berishës nga AAK dhe Zafir Berishës nga Nisma për Kosovën, Thaçi po tenton që të gjejë mënyrën që me çdo kusht ta luajë rolin e presidentit të përjetshëm, qoftë përmes votimit 50+1 në Kuvend apo edhe përmes blerjes së votave me zgjedhje direkt nga populli.

“Faktikisht, me këtë veprim Hashimi po provon me qenë në qendër të vëmendjes se gjoja është një lloj faktori, përndryshe sa i takon reformës zgjedhore, në të cilën ai po thirret, kjo nuk është çështja serioze që i intereson atij, sepse pikërisht kjo reformë, në të cilën ai po thirret, është një tallje e madhe me opinionin”, theksoi deputeti i Nismës Zafir Berisha, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas Berishës, qytetarët e Kosovës kanë shumë halle më të mëdha, ngase Kosova është më e paqëndrueshme se kurrë, edhe politikisht edhe ekonomikisht, që nga paslufta.

Ai potencoi se edhe aktualizimi i dekriminalizimit të listave zgjedhore, është tallje e madhe e presidentit, ngase pikërisht vetë presidenti Thaçi, sa ka qenë kryetar i PDK-së, e ka propozuar dhe zgjedhur për kryetar komune njeriun e dënuar nga Gjykata, e ai është akoma kryetar komune në Prizren Ramadan Muja.

“Një njeri, i cili e ka deformuar, tash po thirret se është i interesuar për të bërë reformë, reforma në fund të fundit nuk bëhet me pallavrat e Hashim Thaçit e të Lutfi Hazirit, sepse pak rëndësi ka pragu zgjedhor a është -5-7 apo 10 për qind, por reformë zgjedhore do të thotë që sistemi zgjedhor të ofrohet te qytetari, që i zgjedhuri të jetë zë i vërtetë i qytetarit, që deputeti të jetë përfaqësues i vërtetë i qytetarit dhe jo si deri tash, kur vetëm në zgjedhje dalin e i marrin votat, kurse 90 për qind jetojnë në Prishtinë.

“Faza e parë e reformimit për mendimin tim është që Kosova duhet t’i ketë 7 zona zgjedhore dhe përfaqësuesit në Kuvend të zgjidhen sipas përkatësisë zonale, me sistem gjysmëproporcional, përndryshe të gjitha këto që Hashim Thaçi me njerëzit që po i mbledh rreth vetes vetëm po tallet me opinionin”, tha Berisha për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se edhe kalkulimet e Thaçit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit janë kalkulime personale, sado që do të ishte në interes të demokracisë, që zgjedhja vërtet të bëhet nga populli.

Edhe Ali Berisha, nga AAK-ja, tha se pavarësisht që vendi ka pasur dhe ka nevojë për avancimin e legjislacionit zgjedhor, momenti në të cilin presidenti ka ftuar subjektet politike nuk është i qëlluar dhe kjo nismë po bëhet vetëm për interesin personal të kreut të shtetit dhe partnerëve në koalicion.

“Kjo reformë zgjedhore është nevojitur të bëhet shumë më herët, kur është dashur të ketë përgatitjet e duhura dhe konsensusin e të gjitha subjekteve politike për nevojën e reformës zgjedhore në këtë kohë. Tani kjo qasje është krejtësisht e vonuar dhe çdo veprim, që po bëhet edhe nga kryetari i shtetit, por edhe nga ana e kësaj Qeverie aktuale, janë veprime të vonuara, sepse tani është cenuar legjitimiteti i tyre”, theksoi Berisha.

“Fillimisht presidenti duhet të jetë president, i cili përfaqëson të gjitha subjektet politike, popullin e Kosovës e pikërisht në këtë aspekt është bukur i cenuar. Edhe Qeveria e Kosovës ka probleme të shumta, që janë grumbulluar, prandaj sa më shpejt duhet të shkojë vendi në zgjedhje dhe të gjitha proceset të nisen nga fillimi me një Qeveri të re stabile dhe të përgjegjshme, edhe procesi i të gjitha reformave që kërkohen nga shteti”, tha Ali Berisha nga AAK-ja.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...