Published On: 16 Korrik, 2017

NOTI BASHKON TROJET SHQIPTARE

 Nga Frank Shkreli

Gazeta Telegraf e Tiranës njofton se gjatë këtyre ditëve po zhvillohet në Durrës një veprimtari e parë sportive në historinë e notit shqiptar. Me këtë nismë, Federata Shqiptare e Notit bëri histori duke organizuar në pishinën e Durrësit, Kampionatin Mbarëkombëtar në këtë sport, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kësaj ngjarjeje mbarëkombëtare i parapriu Kampionati Kombëtar i muajit të kaluar për moshat deri në 14 vjeç, tha për gazetën Telegraf, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku. Në një intervistë për gazetën Telegraf, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Çiraku, me të drejtë e cilësoi Kampiontaion Mbarëkombëtar të notit si, “Një veprimari të madhe të notit në vendin tonë… ku marrin pjesë notarë nga të gjitha trevat shqiptare, çka e bën më të rëndësishëm dhe më interesant këtë event”, theksoi ai në intervistën për gazetën Telegraf. Kjo nuk ishte një ndërmarrje e vogël dhe do si do, por kërkonte seriozitet dhe aftësi organizimi. Z. Çiraku shtoi se në Kampionat po marrin pjesë rrethë 300-notarë të zgjedhur nga federatat e trojeve shqiptare. Ai theksoi se përgatitjet e mëdha, për pjesëmarrjen e qindra notarëve në garat e Durrësit, kanë përfshirë, ndër të tjera, organizimin dhe përzgjedhjen e skuadrave dhe të gjyqtarëve, si dhe detaje për akomodimin e gjithë këtyre pjesmarrësve që vërshuan në Durrës, nga të gjitha trevat shqiptare. Z. Çiraku duhet të ndihet krenar për këtë ndërmarrje, jo vetëm nga pikëpamja dhe natyra mbarëkombëtare e garës, por edhe për faktin që po i sjellë notit shqiptar, ose më mirë të themi këtij sporti tashti i konsideruar si mbarë shqiptar, vendin që i takon në rajon dhe në botë. Por edhe për faktin se siç nënvijoi edhe ai vet, ky organizim sportiv, shënon, “Rikthimin e traditës së mirë që Durrësi ka patur me sportin e notit”, ndërsa Shqipëria nuk kishte organizuar kurrë më parë, në këtë nivel mbarëkombëtar, një garë të tillë në not. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku njoftoi lexuesit e gazetës Telegraf se në garat e Durrësit do të merrnin pjesë 150-notarë nga 15-16 ekipe nga mbarë Shqipëria, ndërsa nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi ishin regjistruar një numër i njëjtë pjesëmarrsish në këtë garë, përfaqsues të federatave të tyre respektive të notit. Z. Çiraku u shpreh optimist se notarët shqiptarë nga Shqipëria dhe nga viset e tjera shqiptare do të shënojnë rekorde të reja gjatë këtij Kampionati Mbarëkombëtar në Durrës. Sa bukur tingëllon kjo, “Kampionati Mbarëkombëtar i Notit”, sidomos sot në këtë moment të historisë së shqiptarëve kur aq shumë gjëra mund të organizoheshin në nivel kombëtar, jo vetëm në sport, por pothuaj në të gjitha fushat e aktiviteteve kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike, por që nuk kanë ndodhur deri më tani, aq sa do të duhej të ndodhnin. Ndoshta duhej që sporti, pikërisht një organizim si Kampionati Mbarëkombëtar i Notit që, më në fund, të hapë rrugën drejtë një bashkpunimi dhe bashkrendimi të mirëfilltë mbarëkombëtar edhe në aktivitete të tjera të fushave të ndryshme. Urime Federatës Shqiptare të Notit dhe Presidentit të saj Z. Agim Çiraku për këtë ndërmarrje kaq të madhe e kaq domethënse sportive shqiptare, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për faktin se kjo garë po mbahet në shkallë kombëtare. Në një kohë, kur politikanët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, bëjnë deklarata bombastike që i merr era për bashkim kombëtar, kryesisht për qëllime politike, para zgjedhjeve – ndërkohë që nuk mund të zgjidhin problemin e tarifës për disa thasë potatesh në kufirin shqiptaro-shqiptar – ja një organizatë jo-qeveritare, siç është Federata Shqiptare e Notit, u tregon udhën politikanëve se si duhen bërë gjërat, duke bashkuar shqiptarët në një eveniment mbarëkombëtar garash në not. Ashtu, pa bujë, pa rrahje gjoksi — dhe pa deklarata bombastike boshe të politikanëve shqiptarë për bashkim kombëtar, të cilat sikur bëhen me qëllim dhe në kohë të caktuara, për të zemëruar miqtë dhe armiqtë e kombit — Federata Shqiptare e Notit organizon këto ditë — për herë të parë në histori, në Durrësin bregdetar shqiptar, gara në not – në shenjë të përparimit dhe bashkimit kombëtar, me pjesëmarrrës nga të gjitha trojet. Duke venë në dukje vlerat më të çmueshme sportive po se po, por edhe vlerat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, më të çmueshme të shqiptarëve. Ndërkohë që gjatë 100-viteve të fundit – për arsye historike që dihen — të ndarë e të përçarë gjeografikisht dhe ideologjikisht nga njëri tjetri, familja me familje, në një kohë kur shqiptari nuk u suall mirë me shqiptarin — sot shqiptarët nga të gjitha trojet së bashku, në paqë dhe pa frikë nga askush, garojnë në not, aty në qytetin e vjetër të Durrësit. Dihet se gjatë historisë, sporti ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm për bashkim dhe për mirëkuptim, madje edhe në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë. Historia ka shënuar efektin e “diplomacisë ping pong” në marrëdhëniet amerikano-kineze, kur lojtarët amerikanë të ping pongut kishin shkuar për herë të parë në Kinë, në fillim të 1970-ave, ngarje kjo që përgatiti rrugën për vizitën e famshme të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Riçard Nixon në Kinë, duke zbutur kështu atmosferën politike midis dy vendeve kundërshtare dhe duke sjellur një ulje tenisonesh në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. “Asnjëherë në histori nuk është përdorur sporti si një mjet më efikas në diplomacinë ndërkombëtare”, ishte shprehur udhëheqsi i atëhershëm komunist kinez, Çu En Lai, duke iu referuar qëndrimit prej një jave të sportistëve amerikanë në Kinë. Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbe valvitet sot i lirë mbi tokën shqiptare dhe në mjedisin e garave të notit në Durrës, si një simbol shprese për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët kudo dhe së bashku. Garat mbarë-kombëtare të notit të organizuara nga Federata Shqiptare e Notit në pishinën e Durrësit më 10, 11, dhe 12 korrik – përveçse se janë siç e cilësoi Presidenti I saj, Z. Agim Çiraku, një, “veprimtari e madhe e notit në vendin tonë”, mund të konsiderohen gjithashtu edhe si një simbol lirie, barazie dhe vëllazërie midis shqiptarëve të të gjitha trojeve – një miniaturë e bashkimit të trojeve shqiptare, në të vërtetë! Kampionati i notit në Durrës, shënon gjithashtu edhe besimin në vet-vete se garat sportive mbarëkombëtare janë, njëherazi, një shprehje e zotësisë dhe aftësive, si dhe e fuqisë krijuese të sportistëve shqiptarë për të garuar me njëri tjetrin dhe me të tjerët, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, në paqë, barazi e vëllazërim. Por, në këtë mjedis zhgënjimesh politike dhe ekonomike në jetën e përditshme të shqiptarëve, Kampionati mbarë kombëtar i notit në Durrës, mund të shikohet, ndoshta si një çfaqje e vogël, si një hap I parë por domethënës i realizimit shpresës në arritje, eventualisht, të synimeve kombëtare për një të ardhëme më të ndritur për brezat, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...