Published On: 6 Nëntor, 2016

Një shoqëri mercenare!


Mero Baze

Shoqëria shqiptare bën një diferencë të fortë nga Serbia dhe Greqia, lidhur me qëndrimin që mban ndaj konflikteve shtetërore dhe historike. Nëse në dy vendet fqinje, shoqëria në tërësi mbështet në bllok Qeverinë për konfliktet me Shqipërinë, në Shqipëri ndahen gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverive fqinje. Në kushte të tjera, kjo duhej parë si epërsi e shqiptarëve dhe do të ishte një lajm i mirë për mendjen e hapur të tyre, por fatkeqësisht nuk është ashtu. Shqiptarët nuk rreshtohen se janë mendjehapur dhe çmojnë diçka tek Greqia apo Serbia, apo gjejnë gabime historike tek Shqipëria, po rreshtohen nga inati i Qeverisë shqiptare.

Nëse në debatin mes shqiptarëve dhe serbëve, ka plot shqiptarë që dënojnë dhe palën shqiptare apo gabime të saj, nuk gjen thuajse asnjë intelektual serb, ta bëjë këtë. Edhe me gjenocidin e fundit të Serbisë ndaj Kosovës më 1999, gjithsej janë vetëm dy veprimtare të të drejtave të njeriut nga Serbia, që kanë bërë diferencën në Serbi.

Në Shqipëri, deri në vitin 1997 shumë zëra të politikës dhe shtypit shqiptar ishin hapur me Serbinë dhe kundër kërkesës së Kosovës për pavarësi.

Ben Blushi ka shkrime në gazetën “Koha Jonë”, ku ka bërë thirrje që kosovarët të dalin në zgjedhjet serbe, Andi Bejtja pak më butë, por ka sulmuar legjitimitetin e kërkesës së Rugovës për pavarësi, ndërsa një delegacion i Aleancës Demokratike bash në kulmin e luftës së Bosnjës, shkoi në Beograd dhe u takua me gjithë krerët e lartë, përveç Milosheviqit, që “nuk gjeti kohë t’i priste”.

Antikosovarizmi në Shqipëri u kthye në një lloj racizmi shqiptar, kundrejt një pjesë të kombit të tyre që “shqetësonin” Serbinë.

Madje teoria e kombit kosovar, nuk është as e Halil Matoshit, as e Nexhmedin Spahiut, por e Fatos Lubonjës.

Shkrimi i tij “Ne shqiptarët dhe kosovarët”, botuar tek “Përpjekja”, ka qenë manifesti i parë relativizues i çështjes shqiptare në Ballkan, duke e ndarë atë në dy probleme, në atë shqiptare dhe kosovare. Por, po të mos ishte parë si çështje shqiptare, Kosova nuk do ishte çliruar kurrë. Tani që u çlirua si çështje shqiptare, si çështje kosovare mund të konsiderohet vetëm stili i qeverisjes së tyre. Mirë është të mos na ngjajnë në këtë pikë, por kam frikë se janë më keq.

Frrok Çupi pastaj ishte kampion i fushatës proserbe në Shqipëri, aq sa dhe kur ishte në ATSH si drejtor, shpërndante lajme ku thuhej se “Ushtria jonë rrëzoi një avion armik”. Bëhej fjalë për rrëzimin e një avioni amerikan që bombardonte Serbinë nga Ushtria serbe. Aq e turpshme ishte situata, sa Pandeli Majko u detyrua ta shkarkonte si drejtor dhe nuk e firmoste shkarkimin presidenti.

Por, e njëjta gjë ndodh dhe me Greqinë. Prej vitit 1991 kur është hapur Shqipëria e deri më sot, kemi pasur kriza ciklike me Greqinë, të natyrës politike, historike, fetare, emocionale dhe ndonjëherë banale, por në të gjitha rastet opinioni në Shqipëri ka qenë i ndarë, kurse në Greqi është unik, kundër Shqipërisë.

Kriza e parë e fortë ajo e vitit 1993, që nisi me incidentin me një prift grek në Dropull, lindi fenomenin “fshesa” . Ajo u thellua më tej me ngjarjet tragjike të Peshkëpisë, ku u vra një oficer dhe dy ushtarë shqiptare dhe një nga të akuzuarit për vrasje është Fred Bejleri, ai që kandidon për Bashkinë e Himarës nga PBDNJ. Kundërpërgjigja shqiptare ishte po aq paranojake, dhe çoi në arrestimin e pesë veprimtarëve grekë të minoritetit lidhur me sillogjet e “Vorio Epirit”, duke i akuzuar për tradhti kombëtare dhe përkeqësimi shkoi tek vendosja reciproke e vizave dhe gati gjendje lufte.

E gjithë kjo situate, ku natyrisht kishte përgjegjësi dhe qeveria shqiptare, në fakt shikohej me admirim nga opozita e asaj kohe dhe e përdori politikisht. Aq shumë u frikësua Berisha nga kjo sjellje e opozitës shqiptare dhe përfitimet e saj, sa iu mbush mendja që e rrëzoi Greqia nga pushteti dhe jo “Piramidat” dhe votat e vjedhura, dhe kur u rikthye, u bë njeriu më servil ndaj Greqisë.

E njëjta situatë po ndodh dhe sot me Edi Ramën. Retorika e tij antigreke është e qartë, jo aq si retorikë, po si mospërfillje për ta. Ashtu si nisi debati, pra tek brutaliteti i Qeverisë greke për një garazh në Himarë që prishet nga plani rregullues, natyrisht që është provokim, por si vazhdoi në fakt tregoi se si janë punët mes dy vendeve.

Por, dhe në këtë debat, shoqëria shqiptare mendon politikisht. Mbështetësit e Edi Ramës e lavdërojnë për patriot, të tjerët, që nuk e duan Edi Ramën, kanë nisur vajtojnë për ata që kthen Greqia në kufi dhe po mallkojnë Kryeministrin pse ua kthen fjalën mbrapsht grekëve.

Në fakt, për shkak të origjinës së tij nga Bregu, për shkak të formimit të tij, për shkak origjinës ortodokse familjare dhe besimit katolik që ka vetë, Rama nuk ka komplekse ndaj grekëve, dhe është i sinqertë në distancën me ta. E ka natyrale, si qytetar, por ai është i dënuar të sillet si Kryeministër.

Do të ishte fatlume nëse do kishim një shoqëri mendjehapur dhe kozmopolite dhe intelektualë të mirëfilltë, që me mençurinë e tyre do të ulnin tonet e politikës rajonale dhe do t’i vinin frê nacionalizmit etnik, por kjo që ndodh në Shqipëri, është diçka më primitive se ajo që ndodh në Greqi dhe Serbi. Aty, në të dy ato vende ka një nënvleftësim për shqiptarët si njerëz koti, dhe bëhen pa menduar shumë me qeverinë e tyre dhe kur nuk e duan.

Kjo që ndodh në Shqipëri është më primitive. Këtu opinioni ndahet gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverisë greke apo serbe, për shkak se i shikojnë ata si aleatë për të rrëzuar qeverinë. Sikur ta shisnim këtë për shoqëri mendjehapur, me intelektualë vizionarë, mirë do ishte, por e keqja është se ata e dinë çfarë jemi. Një shoqëri mercenare! /

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...