Published On: 20 Qershor, 2017

Nisma ndahet nga PAN-i, e vetme në Kuvend

Nisma për Kosovën ka vendosur që në legjislaturën e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, të ketë grup parlamentar të vetin.

Nisma për Kosovën edhe pse në koalicion parazgjedhor me 2 parti tjera, PDK-në dhe AAK-në, ka vendosur që në legjislaturën e ardhshme të veprojë si grup parlamentar i vetëm.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami në një prononcim për KALLXO.com e ka konfirmuar se deputetet e Nismës do të veprojnë si grup parlamentar në vete.

“Nisma për Kosovën në këtë legjislaturë do të ketë numër më të madh të deputetëve sesa në legjislaturën e kaluar dhe kjo tregon qartë se Nisma ka pasur rritje për 40%. Kryetari Limaj qysh gjatë fushatës zgjedhore ka deklaruar se deputetët e Nismës për Kosovën do të funksionojnë si grup parlamentar në vete”, ka thënë Bajrami.

Përmes një komunikate për media, Nisma ka njoftuar të shtunën se në këto zgjedhje ka arritur të marrë së paku 8 deputetë në Kuvend.

Ndërsa nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se kjo nuk është çështje diskutimi ndërmjet partnerëve, duke shtuar se këto vendime do të merren pas certifikimit të rezultateve.

“Momentalisht jemi duke pritur certifikimin e rezultateve dhe për ndryshimet tjera që mund të ndodhin në të ardhmen janë përfaqësuesit e partive politike të cilët bëjnë marrëveshje që mund të kenë një grup parlamentar, apo secila parti ndan të drejtën ta ketë grupin e vet parlamentar, por kjo nuk është temë e ditës tani”, tha Isufi.

Nënkryetari Isufi deklaroi se nuk e di nëse është zgjedhur deputet dhe shtoi se është duke pritur rezultatet e dala nga KQZ-ja.

Koalicioni i tri partive që po njihet ndryshe si PAN në zgjedhjet e 11 qershorit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka dalë e para duke marrë 33.92 për qind të votave.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...