Published On: 27 Tetor, 2016

Nishani: Sulm i enveristëve pas dekorimit të ballistëve

Çështja e dekorimit të 67 pjesëtarëve të Ballit Kombëtar të ekzekutuar nga partizanët në Lushnjë në vitin 1943, ka shkaktuar sërish polemika dhe konflikt mes presidencës dhe qeverisë. Nishani, e ka shoqëruar vendimin e dekorimit të tyre me një deklaratë, ku i cilësonte sulmet ndaj tij si provokime nga nostalgjijët e diktaturës.

Por zv/ ministri i Mbrojtjes Petro Koçi përmes një reagimi të djeshëm e quajti presidentin ballist, dhe veprimin thikë pas shpine dhe tradhëti ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Nishani e quan detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike dhe i quan martirë.

Reagimi i Nishanit

“Institucioni i Presidentit të Republikës hedh poshtë të gjitha sulmet dhe provokimit e adresuara nga nostaligjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore në Evropë, Diktaturës Hoxhiste.

Kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike.

Asnjë prej martirëve të ekzekutuar dhe në asnjë moment të vetëm të jetës së tyre nuk pati një bashkëpunim me pushtuesin.

Përkundrazi, ata ishin luftëtarë të lirisë kundër nazi-fashizmit.

Ata u ekzekutuan në mënyrën më makabre të mundshme vetëm për faktin se ishin kundër modelit dhe ideologjisë bolshevike, që një grup individësh po përhapnin përmes terrorit në viset shqiptare.

Ata u ekzekutuan në mënyrën më kriminale të mundshme pasi ishin kundër shitjes së trojeve shqiptare tek të huajt.

Ata u ekzekutuan se kërkonin orientimin perëndimor të Shqipërisë.

Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtarë të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.

A nuk u ekzekutuan pa gjyq me qindra intelektualë në qytetet e Shqipërisë me akuzat e rreme të bashkëpunimit me pushtuesin?

A nuk u ekzekutuan dhe burgosën me qindra klerikë martirë me akuzat e rreme të bashkëpunimit me pushtuesin?

A nuk u ekzekutuan, burgosën, interrnuan me qindra mijëra shqiptarë të pafajshëm me akuzat se ishin bashkëpuntorë të “imperializmit” dhe të “revizionizmit”?

A nuk u ekzekutuan në kufi me qindra të rinj me akuzën se donin të tradhëtonin Atdheun dhe partinë?

A nuk u konfiskua çdo pronë shqiptarëve me akuzën se ishin armiq të pushtetit po të pasuroheshin me pronat e tyre?

A nuk u burgos brenda një kampi të madh me tela një popull i tërë i lënë në varfëri ekstreme dhe padituri të thellë me akuzën se liria është opium për popullin?

Ky realitet shqetësues tregon se sa shumë është dëmtuar shoqëria shqiptare nga moshetimi dhe mosdënimi i krimeve të komunizmit, si i vetmi vend ish-diktatorial që nuk e ka kryer këtë proces.

Këto provokime na treguan edhe njëherë se sa seriozisht e kërcënuar mbetet liria jonë.

Ata që e kanë përdhosur Luftën Antifashiste dhe sakrificat për liri të shqiptarëve duke kryer krime mbi shqiptarët, do të mbeten përjetësisht në altarin e turpit të historisë së kombit shqiptar”.

Postimi i Petro Koçit në “Fb”

Menjëherë më pas ka ardhur dhe reagimi i dytë nga zv. ministri i Mbrotjes Petro Koçi:

“Rreshtimi i Presidentit në radhët politike të Ballit Kombëtar është një akt antinacionalist.
Kjo dëshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish-bashkëpunëtorët e fashizmit, ndryshe nga e majta që eshte distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit.

Të jesh kunder dekorimit të bashkëpunëtorëve të pushtuesit nuk të bën komunist.
Antiballistët nuk jane patjeter komuniste apo bolshevikë. Ashtu si antikomunistët nuk janë të gjithë ballistë. Presidentin ballist e kemi dhuratë nga Sali Berisha”.

26 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...