Kulturë Lajmi Levizes

Nga shekulli i V p.e.s, në diamantin e sotëm me emrin Ulqin. Historia e një civilizmi antik

Luftë, bukuri, trimëri, vuajtje, dhimbje janë këto ndjesi që të paktën një herë në jetën e tij një ulqinakas i ka ndier. Jo vetëm se është ndarë nga shteti amë, por edhe se u bë në mënyrë të pabesë pa marrë fare parasysh mendimin dhe dëshirën e tyre, po i shitën sipas njërës a tjetrës dëshirë.

Nëse i hedh një sy hartave të ndryshme të Ilirisë, do të të shkojnë sytë tek një qytet i vogël anës detit i quajtur Olcinium, qyteti që ndodhet afër qytetit tjetër i vjetër Scodras, Scutari (Shkodra), të cilat gjendeshin brenda shtrirjes gjeografike të fjalës Illiricum.

Periudha e kohës antike dhe mesjetës, sipas mendimeve faktike të shumë studiuesve vendas dhe të huaj, është e mbushur me shumë ngjarje dhe episode interesante për vetë jetën e qytetit të Ulqinit.

Nga thellësia e shekujve, banorët vendas gojë me gojë kanë përcjellë historinë e Ulqinit të vjetër, që rrënjët e tij të lashta i ka në veriperëndim të Ulqinit të sotshëm në katundin Krruç.

Ulqini për herë të parë përmendet në dokumentet historike të vitit 1376, kur një banor i quajtur Milgost Kovaçi, pa një varkë që po udhëtonte në ujërat e qetë të Detit Adriatik, buzë brigjeve të Ulqinit.

Ky argument historik përforcohet më së shumti nga dokumentet e vjetra të periudhës venedikase, e cila mendohej se është fundosur tek Ada e Krruçit.

Hipoteza është e mbështetur edhe në disa dëshmi të dokumentuara, që i përkasin periudhës së hershme dhe që kanë lënë gjurmë ndër shekuj deri në ditët tona.

Megjithëse ka shumë mendime gjithsesi, nuk përjashtohet fakti të ketë ekzistuar qyteti antik.

Këtë lokalitet e dëshmuan edhe zbulimet e rëndësishme arkeologjike që u bën nga ekspedita e historianëve të lashtësisë gjatë verës së vitit 1984.

Sipas Plinit (të vjetër) në shekullin V p.e.r. themelohet Kalaja me emrin Olcinium.

Muret e vjetër “qiklope” në hyrje dëshmojnë për vjetërsinë disa mijëravjeçare të sajë. Secila pëllëmbë e kësaj hapsire flet për një të kaluar të famshme, për një histori të bujshme të këtij vendbanimi.

Shumë gërmadha arkeologjike flasin për këtë kështjellë si për një vendbanim me civilizim të lartë, me një portë dhe me një flotë të famshme, e cila e ka lidhur Ulqinin me botën e njohur antike.

Shumë të njohur e të panjohur që jetuan dhe vepruan këtu lanë gjurmët e një civilizimi me të cilin gjeneratat e sotme mund të krenohen.

As pas luftrave romako-ilire ( 269-268 ) në Kala nuk u ndërrua substanca ilire. Romakët në Ulqin kanë sjellë veteranët, të cilët gëzonin po ato të drejta civile dhe qytetare, si në qytetet tjera të Perandorisë Romake.

Periudha më e errët e Kalasë është në shekullin VII-XI me ardhjen e sllavëve në Gadishullin Ballkanik.

Mirëpo, gjatë gjithë kësaj periudhë ajo ruajti identitetin e vet dhe gëzoi një autonomi edhe kur Zetën e pushton Stefan Nemanja me 1183.

Mbishkrimet në monumentet kulturo – historike dëshmojnë për këtë. Deri me 1403 mbizotëruese ka qenë feja katolike, të cilën e kanë pranuar edhe pushtuesit sllavë.

Ka të dhëna që flasin se Kalaja prosperitetin më të madh ekonomik në historinë e saj e arriti në kohën e Ballshajve (1363-1421).

Gjergj Ballsha ndërton pallate të ndryshme dhe kisha. Në Kullën e Ballshajve ka jetuar dhe vepruar reformatori i Talmudit, i famshmi Sabatej Cevi, në kohën e sundimit Osman, i cili në vitin 1666 kalon në Islam dhe me emrin e tij Mehmet Efendija jeton deri në vdekje, me 1676.

Në vitin 1421 Kalaja kalon nën Venedikun dhe pa dyshim e humb rolin dhe vlerën të cilën e ka patur më parë.

Mbetet si një kështjellë e fortifikuar me bedena por pa rëndësi politike në këto vise.

Me 1571 Ulqini bie nën Perandorin Osmane, nën sundimin e të cilës mbetet deri në Kongresin e Berlinit me 1878 (Vërejtje e redaks. Ulqini ra pas vitit 1880, kur y thye Lidhja e Prizrenit).

Gjatë kësaj kohë feja e re- islami- e ndryshon mënyrën e jetesës në Ulqin, kurse qyteti përjeton një zhvillim të madh ekonomik.

Vendoset një garnizon ushtarak në pjesën e Citadellës në Kala, i cili dirigjon me jetën e qytetit. Ndërtohen shumë objekte fetare dhe civile, rindërtohen muret dhe bedenet e Kalasë.

Gjurmët e jetës së vendasve dhe lulëzimit të civilizimit asokohe u zbuluan në villa rustica luksoze, që daton në antikën e vonë, e cila mendohet se i përket ndonjë njeriu të pasur asokohe.

Kjo ekspozitë mundi të zbulojë dhe faktojë edhe burime të tjera historike, sikurse ishin relike ose gjurmë të pjesëve të banimit, të cilat tregojnë se ka pasur banjë luksoze dhe afreske ose mozaiku që tregon nivelin e lartë të artit për kohën në këtë trevë të banuar nga banorët autoktonë.

Këtë e përforcojnë edhe gjetjet e fundit arkeologjike prej materialit të qeramikës dhe një seri monedhash të perandorëve të kohës, duke filluar të cilët, kanë sunduar e jetuar si të gjithëpushtetshëm mes shekujve V e VI mbas Krishtit.

Edhe muret e kohës ilire që gjenden në Kala, janë ndër zbulimet dhe dëshmitë e vijimësisë së lulëzimit të trevës në atë kohë, duke qenë kështu një qendër e rëndësishme tregtare dhe banimi.

Me sy të lirë nëse shikohet nga aeroplani në vështrimin fiziko – gjeografik ujëdhesa Ada e Krruçit ka pak a shumë pamjen e një gadishulli i futur në thellësi të ujërave të kaltra të detit Adriatik, duke krijuar kështu pamjen e një kështjellë natyrore.

Nëse shikohet me kujdes shfaqet një pamje piktoreske dhe e vështruar nga lart gadishulli i vogël laget nga të tria anët me ujë.

Gjiri i plazhit ose i Ulqinit të Vjetër në ditët e sotme frekuentohet shumë nga vizitorët e huaj, të cilët me kënaqësi vizitojnë edhe rrënojat e kalasë dhe konturat e Olciniumit.

Tërmetet e njëpasnjëshme që kanë përfshirë brigjet bregdetare të Adriatikut lindor dhe të trevave shqiptare gjatë shekujve, kanë sjellë edhe ndryshimin e konfiguracionit të saj.

Kështu në disa zona bregdetare terrori ka pësuar ulje ndërsa në disa të tjera ngritje dhe ulëse.

Nga ana tjetër, dihet se Shqipëria bën pjesë në zonat sizmike me aktivitet të vijueshëm.

Për pasojë, shohim se gjatë periudhave të hershme të historisë, lëvizjet sizmike (tërmetet) kanë sjellë për pasojë gjatë shekujve të mëparshëm fundosjen e shumë qyteteve antike bregdetare.

I tillë është qyteti antik Dyrrahu (Durrësi i Vjetër), këmbët e së cilës, pra muret e vjetra, sot gjenden të zhytura në ujërat e kastra të Detit Adriatik.

Këtë fat ka pasur edhe Ulqini i Vjetër, që si vijë lineare nuk është shumë portave të mureve nënujore të Durrësit.

Sipas burimeve arkivore historike, Ulqini i Vjetër përmendet për herë të parë në traktet ose dokumentet e hershme aty nga viti 1376. Gojëdhëna popullore vendase e përforcon edhe më shumë këtë fakt historik, kur si shembull përmendet emri i një banori të saj, i quajtur Milgost Kovaçi, i cili, pa me sytë e tij, se në ujërat detare të bregut të Ulqinit po lundronte e qetë një varkë, që për çudi nuk kishte asnjë njeri që po e drejtonte atë. Varka ecte mbi valët e detit, shoqëruar nga rrezet e diellit veror.

Ai e vështronte dhe mahnitej…Ky përshkrim është bërë në gjuhën latine, që asokohe ishte mbizotërues në burimet historike të kohës dhe në të njëjtën kohë shërben edhe si dëshmi arkivore interesante për të gjithë historianët dhe studiuesit e kohës dhe deri në ditët tona.

Emri i qytet më vonë bëhet i zakonshëm në përdorimin e përditshëm në shumë harta udhëtarësh vendas dhe të huaj, ku Ulqini i Vjetër lexohej si qendër banimi nga të gjithë.

Dhe kjo u bë një rutinë e zakonshme deri në fund të shekullit XVIII, ku syri i arkeologëve dhe studiuesve të toponimeve shikonte emërtimin Dolcigno Cecchio dhe shpesh Alt Dulcigno në shekullin XIX.

Gjatë një vizite që kam bërë disa herë në një library, Public Library, 42 Street and Fifth Avenue në Menhaten, në një nga sallat e saj kam parë disa harta të vjetra dhe globe realizuar shumë shekuj më parë, por që ruhen me kujdes si fond i pasur historik.

“ Duke parë me kujdes globet e harta të dimensioneve të ndryshme, sytë më shkuan tek qyteti Olcinium dhe qyteti tjetër i vjetër më i afërt i saj Scodra, Scutari (Shkodra), të cilat gjendeshin brenda shtrirjes gjeografike të fjalës Illiricum.

Qyteti gjendet i fundosur tek Ada e Krruçit   Pra, rrënojat e Ulqinit të Vjetër, ruhen si relikte edhe në burimet ose dokumentet historike të kohës venedikase.

Aty shpesh përmendet edhe gojëdhëna popullore, që ka mundur të mbijetoi deri në ditët tona edhe nga dëshmitë përsëritëse të banorëve vendas, të cilët me krenari flasin për evolucionin e historisë së emrit të qytetit të lashtë bregdetar.

Qyteti gjendet i fundosur tek Ada e Krruçit. Përforcimi i këtyre të dhënave vjen edhe nga gjetjet arkeologjike që u përkasin periudhave të ndryshme.

Materiali guror me ngjyra dhe forma katrore të dimensioneve të ndryshme, dallohen prej gurëve të tjerë të miranës.

Blloku i gurit i latuar me kujdes dhe dorë artisti ka skalitur dëshminë e jetës kulturore dhe mjeshtërinë e punimit të gurit asokohe.

Kalaja e Ulqinit është vetë krenaria e gjithë zonës përreth.Nëse do të shikonim edhe kështjellat e tjera të ndërtuar gjatë brigjeve bregdetare mesdhetare e përtej saj, do të shohim se ata kanë pak a shumë këtë fizionomi nga ku mund të kundrosh kaltërsinë e pafund të ujërave të detit të kaltër, anijet e shumta që lundrojnë mbi sipërfaqen e ujit dhe në të njëjtën kohë klimën e shëndetshme brenda kësaj pozite të favorshme gjeografike ku është ndërtuar Ulqini i Vjetër dhe Kështjella e saj antike.

Ndonëse të dëmtuar nga erozioni i kohës dhe tërmeti katastrofik që ra në shekullin II mbas Krishtit, disa nga elementët e rëndësishëm të hershmërisë së mureve të Ulqinit të Vjetër ose Kalasë me të njëjtin emër, janë edhe ekzistenca e një mozaiku të bukur ilir, enë të ndryshme me material prej qeramike dhe monedhat e perandorëve të kohës (ku shtrihej sundimi i perandorisë romake të lindjes, sikurse ishin asokohe: Anastasi, Justini e Justiano Prima, të cilët kanë jetuar mes shekujve V dhe VI mbas Krishtit), dëshmojnë për vijimësinë e jetës normale të qendrës së banimit.

Është i njohur fakti, se shumë vendbanime e qytete janë ngritur ose përtërirë mbi shtresat e themeleve paraprake, duke iu përshtatur stileve e nevojave të kohës, duke ruajtur kësisoj vijimësinë e mbijetesës ose të rilindjes pas çdo tjetërsimi.

Kështu u ndërtua dhe rindërtua herë mbas herë edhe Ulqini dhe qytetet e tjera antike pranë saj.

Për me shumë mendohet se ky qytet antik mund të jetë ndërtuar mbi themele edhe me të hershme kohore, afër themeleve më të hershme të qytetit antik Oleotopolis. Për këtë flasin edhe gojëdhënat.

Mendohet se vendbanimi i vjetër të ketë ekzistuar në Krruçin e sotëm, i mbështetur kjo edhe nga një sërë gjetjesh të shkencës bashkëkohore arkeologjike.

Megjithatë, vitet që do të vijnë do ta përforcojnë edhe më shumë këtë bindje faktike që kanë arkeologët dhe studiuesit e tjerë ulqinakë dhe të huaj.

Janë pikërisht këto themele të vjetra, të cilët shërbyen si bazë e njohjes së lulëzimit të jetës që pësoi ky qytet antik gjatë shekujve.

Kjo u bë bazë për zbulimet e reja arkeologjike duke e pasuruar edhe me tej hartën e burimeve me elementë të rinj, që shfaqen pamjen e historisë së dikurshme dhe vijimësinë e sotme të Olcinium.

Historia e lashtë e këtij qyteti shpeshherë vendoset në kohën e jetës së qyteteve antike ilire të rëndësishme, sikurse ishin: Scodra, Drinasti, Doclea, Lissus, Dyrrahu, Butrinti, etj.

Në rrugën romake Olcinium – Scodra, kanë qenë ndërtuar edhe disa qytete që sot gjenden të vdekura si qendra banimi përgjatë bregdetit lindor të detit Adriatik.

I tillë është qyteti antik i Shasit, ndërtuar mbi një kështjellë karakteristike për kohën ilire.Vijimësia e jetës së këtij qyteti ndërpritet menjëherë kur në trevat e saj shkelin mizorisht pushtuesit barbar turq nga viti 1571, ku dhe shkatërrohet përfundimisht.

Kjo barbari vjen nga fakti se në këtë qytet ishin të ndërtuar shumë kisha, të cilat sikurse dihet turqit i kthyen në gërmadha, sikurse kishin bërë edhe në shumë vise dhe treva të tjera të Arbërisë.

Ky vendbanim-qytet, ka pësuar dhe përjetuar lulëzim të kulturave të ndryshme, të cilat në vend kanë lënë gjurmë të veta deri para ardhjes së pushtuesve turq.

Sa herë që bëhen gërmime arkeologjike të reja, si: në Ulqin dhe Shas etj., aq më shumë dalin në pah vlerat historike të tyre, duke treguar dhe hedh dritë mbi jetën dhe gjallërimin e Ulqinit.

Bazuar në studimin e historianit Gjon Frani Ivezaj

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *