Published On: 17 Gusht, 2017

Nga Mero Baze/ Basha paska pritur diçka nga Edi Rama

Ndërsa ministrat teknikë u larguan, si një lloj bezdie që më shumë kujtonte dështimin e Partisë Demokratike se sa triumfin e çadrës, reagimi i Lulzim Bashës përmes Tritan Shehut, zbuloi se ai paska pritur diçka kaq gjatë, dhe se ata po rrinin jo më si dëshmitarë të zgjedhjeve, por si gardianë të marrëveshjes Rama- Basha.

Shumica, dhe këtu kam parasysh shumicën politike, mendonin se Basha po i linte ministrat teknikë, se përtonte t’i hiqte, ngaqë i kujtonin humbjen. Të tjerë, pra njerëz brenda PD-së, por kundërshtarë të Bashës, mendonin me gjysmë konspiracion, se ai priste ndonjë sinjal nga Edi Rama për qeverisje.

Por reagimi i Tritan Shehut, i cili është padyshim përçuesi më i pastër i qëndrimit të Bashës, tregon se në fakt Lulzim Basha paska qenë duke pritur diçka.

Reagimi i pare i tij, pas ikjes së ministrave, u duk se drejtohej pikërisht ndaj kundërshtarve të vet, që ja kishin gërvisht gjatë këtë plagë. Ai nuk pati asnjë fuqi të përshkruante ndonjë meritë të qëndrimit në detyrë të ministrave, por duket se ndjehej i lehtësuar që akuza për bashkëpunim me Edi Ramën nuk qëndronte më, pasi ministrat u larguan.

Kjo është një shenjë se Lulzim Basha paska pritur diçka gjithë këto muaj dhe tani ndjehet më shumë i zhgënjyer nga Rama, dhe më shumë triumfues ndaj kundërshtarëve të vet, që nuk e akuzojnë dot më, se po bashkëpunon me Ramën.

Dhe kjo ka dhe shpjegimin e vet.

Nëse Basha vërtet nuk do të kishte pritur ndonjë shenjë, apo sinjal nga Rama, nuk kishte pse i mbante ministrat, sidomos pas humbjes të turpshme të 25 qershorit. Ai duhet të ishte vet i pari që duhet t’i tërhiqte.

Por llogaria e tij e parë ka qenë gara brenda PD. Duke i mbajtur ministrat në qeveri, ai nuk është se nuk dha sinjale se kishte dhe mandatin e Edi Ramës si kryetar opozite. Dhe në këtë drejtim, edhe Rama e luajti syrin.

Por qëndrimi në qeveri, edhe pas farsës së 22 korrikut, duket se ka qenë diçka më shumë për Lulzim Bashën.

Lehtësimi me të cilin Tritan Shehu ju kthye kritikëve të Bashës, pas dorëheqjes së ministrave, duket se ajo ka qenë një kosto të cilën Basha po e merrte për ndonjë llogari më të madhe.

Ilustrimi i ikjes me një raport qesharak, jashtë procedurës se si duhet të hartohej raporti për zgjedhjet dhe në një kohë kur vet PD zyrtare nuk ka bërë asnjë ankesë për zgjedhjet, është thjeshtë një mënyrë për t’u justifikuar, përse u vonuan kaq shumë për të ikur.

Por në fakt arsyeja përse u vonuan duket se ka qenë më serioze. Këtë e tregon joserioziteti me të cilin Tritan Shehu ndjehet superior ndaj kritikëve të Bashës, tani që ministrat ikën. Ata më shumë se roje të votave, duket se paskan qenë gardianë të marrëveshjes Rama- Basha, e cila tani duket se vdiq përfundimisht.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...