Published On: 15 Qershor, 2017

Nezim Frakulla dhe Konti Drakulla

Ag Apolloni

Dje në Berat, para se të largoheshim me Orjelën, pasi pamë qytetin, kështjellën, muzeun “Onufri”, Urën e Goricës, sheshin, shkollën, universitetin etj., thashë “hajt të shohim edhe ndonjë gjurmë bejtexhiu” dhe pyetëm për Nezim Frakullën, nëse kishte ndonjë shenjë (shtëpi, vend a rrugë) që do ta mbante të gjallë kujtimin e tij, pasi bashkë me Sulejman Naibin, i kishte dhënë vulë epokës së tij në Berat. Pyetëm qytetarë të ndryshëm: mësues, nxënës, studentë, zyrtarë të Bashkisë, taksistë, policë, hoxhallarë dhe kalimtarë të rastit. Jo vetëm që nuk dinin nëse ka ndonjë shenjë nga Nezimi, por as që kishin dëgjuar ndonjëherë për këtë emër. Disa na pyesnin se ç’moshë ka ky Nezimi, të tjerë donin të dinin se si dukej, kurse një pjesë e madhe e tyre vetëm ngrinte supet dhe thoshte se kurrë në Berat s’është dëgjuar emër i tillë. U thashë se ai ishte tepër i njohur në kohën e tij dhe se pikërisht për këtë njihej edhe si Nezim Berati. Por, kot këmbëngulja unë në famën e tij, ata s’kishin dëgjuar për të. Pyeta edhe në zyrën e informacionit, as aty s’kishin dëgjuar për të. Njëri tha: “Prit, sa të thërras Kadriun, se ai i njeh të gjithë.” Prita sa ta pyeste në telefon këtë të gjithëdijshimin, por as ky s’na ndihmoi. E shikova telefonuesin i habitur se si ka mundësi që as ai i gjithëdijshmi të mos dijë gjë për Nezimin. “Ky,” tha personi që sapo mbylli telefonin, “i di të gjitha rrugët dhe shtëpitë sepse shpërndan postën, por duket se kësaj here s’ju ndihmojmë dot.”
Të dëshpëruar u larguam prej aty dhe skaj rrugës, në dalje të qytetit të vjetër, pamë një burrë që rrinte ulur, para një muri me gurë. Kishte ca dhëmbë frikësues dhe një fytyrë të vyshkur. I thashë Orjelës: “Hape dritaren dhe pyete këtë Drakullën!” Për çudinë tonë, ai e njihte. “E njoh Nezimin, e kam mik,” tha. Oh, shfreva unë, Nezimi ka vdekur më 1760 dhe ky e paska mik! Ai, sikur të më kishte dëgjuar mua, tha: “Vërtet e kam mik, domethënë kemi miqësi me të. Djali i tij ka hallën time për grua.” Bëra një llogaritje të shpejtë dhe prapë s’më dilnin vitet, s’më përputheshin as shekujt, e jo më të dhënat e tjera biografike për Nezimin. “Pasi e ke mik, a na tregon ku e ka shtëpinë?”, i tha Orjela. “Nezimi i Frakullave e ka shtëpinë te Materniteti. Shkoni aty dhe pyetni se afër është.”
Ne u shikuam njëherë dhe thamë se mund të kishte një të vërtetë edhe në “vampirizmin” e këtij “konti” që ishtë ulur aty ku fillonte rruga për Kështjellë. Ajo “e vërtetë” duhej të ishte shtëpia-muze e Nezimit. Shkuam andej nga na udhëzoi ai dhe pyetëm. Na thanë: “Për Nezim s’kemi dëgjuar, ama Maternitet vërtet ka pasur dikur këtu. Tani në atë vend kemi Universitetin.”
Thashë: Drakulla s’paska dalë prej kohësh në qytet. Mendova se ndoshta ai që pamë, ai Drakulla, ka qenë vetë Nezim Frakulla, që ka dashur të tallet me ne. Dhe u kthyem prapë rrugës ku e kishim lënë, por nuk e gjetëm më.
Nga ai moment unë nisa të besoj që vampirët, ashtu si idiotët, ekzistojnë në Berat. Dhe tash më bren një dyshim: Mos Konti Drakulla dhe Nezim Frakulla janë i njëjti person?

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...