Published On: 24 Tetor, 2016

NEZAQETE HYSENI (OSMANI)

(IN MEMORIAM)

 

( 3.12.1935 – 25.10.2015 )

Sot, më 25 tetor 2016 u bë një vit i plotë nga ikja në Përjetësi e nënës tonë të madhe dhe gjyshes shumë të dashur e të respektuar, Nezaqete Hyseni (Osmani).

E lindur dhe e rritur në një familje me tradita të mëdha e të lavdishme  intelektuale e patriotike, me histori të bujëshme sakrifice, shqetësimesh e trishtimesh të pafund, kaçakllëku e rrezistence të vendosur që nga stërgjyshi i saj, Osman Efendiu, i cili ishte avokat me nam në Vilajetin e Kosovës.

Aktiviteti dhe përkushtimi i tij patriotik deri në sakrifikim në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive  të cunguara të shqiptarve nën regjimin e Perandorisë Osmane, e mbulojnë me lavdi dhe nam këtë figurë të çmuar intelektuale e kombëtare shqiptare.

Kurse, gjyshi i saj, Shaip Efendiu ishte gjithashtu jurist i diplomuar dhe ishte gjykatës në Kazanë e Preshevës (1848-1912), i cili këtë detyrë e kreu me përgjegjësi e devotshmëri të lartë njerëzore e kombëtare.

Prandaj, regjimi i Nikolla Pashiqit të Serbisë, që u instalua pas Luftës së parë dhe të dytë Ballkanike, që masakroi pamëshirshëm me pretendime të shfarosjes së shqiptarve për t’ua marrë tokat dhe shtëpitë e pasuritë, duke i dëbuar gjithandej nëpër botë.

Këtë gjendje të tmerrëshme e gjenocidale ndaj shqiptarve të pafajshëm, gjykatësi Shaip Efendiu nuk kishte mundur ta toleroj pa ua dhënë denimin e merituar kriminelëve.

Asokohe, Ai i kishte dënuar me vdekje dhe kishte urdhëruar ekzekutimin e disa serbëve, në burgun pas ndërtesës së Kuvendit të Komunës së Preshevës, që kishin kryer krime mbi shqiptarët e pafajshëm.

Për këtë arsye, Shaip Efendiun regjimi i asaj kohe i Serbisë e dënon me vdekje!

Mirëpo, ai heroikisht i ikë ekzekutimit në momentet e fundit, në vitin 1916, dhe së bashku me djalin e madh Osmanin, shpërngulet në Diari Bekir, në Anadoll të Turqisë, duke lënë gruan Naxhijen me tre djemtë: Abdullahun, Tefikun dhe Ibrahimin.

Dora e zezë dhe kriminale e Serbisë do ta gjej dhe ekzekutoj  pamëshirshëm atje, tre vjet më vonë Shaip Efendiun me djalin Osmanin 18 vjeçar, duke i lënë jetimë gruan dhe tre djemtë.

Lufta e Dytë Botërore ishte e tmerrëshme për të gjithë shqiptarët. Por, për familjen e Nënës Nezaqete ishte edhe më e trishtueshme, meqë kishin “kaçak” xhaxhain e saj, Ibrahim Kelmendin, i cili ishte komandant i Luftës dhe rrezistencës së armatosur të NDSH-së, pas kapitulimit të Bullgarisë fashiste në vjeshtën e vitit 1944.

Sidomos është e njohur Lufta e Bajramit e shtatorit 1944, kur shqiptarët e organizuar dhe të udhëhequr mirë i shpëtuan mrekullisht masakrimit të tyre nga forcat sllavokomuniste e çetnike, kur ata kishin mësyrë “t’ua hajmë sillën e bajramit dhe t’ua çnderojmë gratë!”.

Siç dihet, shqiptarët korrën fitore të madhe dhe sidomos në lumin e Raincës, u shpartalluan deri në asgjësim të plotë forcat e tërbuara serbe.

Profesor Ibrahim Kelmendi me përfundimin e LDB-së, bashkë me Luan Gashin, Adem Gllavicën, Hysen Tërpezën dhe me shumë patriotë e intelektualë të tjerë të NDSH-së, do të shpërngulet për Greqi, pastaj për një kohë të shkurtër do t’i dërgojnë në Gjermani, dhe pastaj për Melbourne të Australisë, ku nuk do të pushoj së vepruari deri në fund të jetës së tij, më 14 janar 1979.

Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë patriotike e intelektuale të tij, Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës me katër paralelet e ndara të saj, sot me krenari e dinjitet mban emrin “Profesor Ibrahim Kelmendi”.

Abdulla Osmani, gjyshi jonë kishte mbetur fëmiu më i madh në familje, që kishin mbetur herët jetim dhe ai u kujdes për mirëmbajtjen e familjes dhe për shkollimin e vëllazërve Tefikut dhe Ibrahimit në Medresenë e Madhe (Velika Medresa) në Shkup, kurse të Ibrahimit edhe në studime në Beograd, Zagreb dhe në Perugja të Italisë.

Si burrë i urtë që ishte, Abdullahu edhe sot e kësaj dite, 57 vjet pas vdekjes së tij, përmendet me admirim për kontributin çmuar me mençurinë dhe urtësinë e tij në pajtesa dhe në falje gjaqesh e ngatërresash, në atë kohë kur nuk kishte gjykata të mirëfillta në regjimet antipopullore e antishqiptare.

Nana Nezaqete me shumë dashuri e emocione, si dhe me një aftësi të spikatur narrative na rrëfente momente të pafund vuajtjesh, rreziqesh familjare dhe bastisjesh të egra të ushtrisë sllavokomuniste në shtëpinë e tyre, duke kontrolluar në çdo kohë, ditën e natën dhe duke hedhur anë e kënd teshat dhe orenditê e shtëpisë.

Tregimet e saj, ne si fëmijë i dëgjonim me interesim të madh dhe kujdeseshim që të mos na shpëtoj asnjë detaj.

Vetëm lotët dhe dënesja në vaj ia ndëprente herë pas here rrëfimin e nanës, pas të cilës edhe nuk i mbanim lotët.

Prej saj kemi mësuar se për shqiptarët e Preshevës nuk ishte shumë me rëndësi orientimi i tyre ideologjik, se a ishin komunistë apo nacionalistë.

Sepse, për regjimin antishqiptar të Serbisë me rëndësi ishte vetëm se ata ishin shqiptarë, të cilët i shikonte me mosbesim dhe me dyshime, qofshin ata madje edhe komunistë të devotshëm.

Kështu, tregonte nëna Nezaqete sa e sa herë për takimet e shpeshëta që i bënin në oborr, nën dyertë e mëdha të shtëpisë së tyre në rrugën e Gjilanit, në orët e mbrëmjes e deri natën vonë, në terr, me Abdulla Krashnicën dhe Selim Selimin, duke biseduar për fatin e Preshevës dhe të Luginës. Pra, edhepse Ibrahim Kelmendi ishte aktivist i devotshëm i NDSH-së, ose “nacionalist”, siç i quanin atëherë, kurse këta ishin komunistë, megjithatë bashkëpunimi i ngushtë midis tyre nuk ka munguar në ato kohë të rrezikëshme për ekzistencën e shqiptarve.

Pastaj, tregonte nëna për varrimin e Abdulla Krashnicës, më 15 janar 1945, kur si nxënëse e shkollës së parë shqipe që ishte hapur në “Villa Letafet”, kishin marrë phesë në ceremoninë e varrimit, me ç’rast, sipas zakonit të atëhershëm u paskan dhuruar edhe para.

Me tu kthyer në shtëpi, nana i kishte gjetur dyertë e shtëpisë të hapura “krahëmkrah”, meqë sapo ishin bastisur, kurse në pleme (plevicë), si kaçak ishte strehuar axha i saj, Ibrahim Kelmendi, i cili “mbante në dorë mindilin dhe herë mas here i fshinte lotët. Më kishte pa

nëpër plasa të derës së plemes se ishna unë edhe më thirri aty mbremda: “Nezaqet, eja axhës, kallxom a e vorrosët Abdullahin?” Po, i thashë axho. “A pat kallaballëk”, më veti. Masherri ishte aty i thashë edhe axho na dhanë edhe pare neve nxansave. Atëherë vazhdoi të hecke poshtë e naltë me nervozë edhe i fshini lotët me mindil dhe tue dënesë, bërtiti: “Më dhimbet Abdullahi sepse e ka pasë nana njo, djalë hasreti”. Pastaj i boni edhe disa hapa edhe kthye me nervozë:

“I kom thonë se kthehet komunisti e i han nji nga nji, të gjithë”!

Nga ky rrëfim autentik i nanës, si histori e gjallë që ishte, si dhe nga shumë e shumë rrëfime të pafund të nanës kam mësuar anën tjetër të realitetit dhe të së vërtetës autentike të fatit të shqiptarve, që nuk kam mundur ta mësoj nga askush tjetër, az nga shkolla e fakulteti, as nga ligjëratat, shtypi dhe librat, por vetëm nga goja e saj e ëmbël dhe nga mbamëndja e saj e kthjellët deri në ditët e fundit të jetës së saj të vështirë, por dhe krenare.

Historia e hidhur e familjes së nanës tonë, sikur nuk kishte fund!

Tragjedia e vdekjes së papritur, tragjike dhe shumë të dyshimtë, e djalit të axhës, Qenan Shaipi, më 12 mars 1976, në delegacionin me Kryetarin e RSFJ-së Josip Broz Titon në Kankun të Meksikës, ishte haraçi i fundit në gjak që kjo familje ia pagoi regjimit antishqiptar të Serbisë dhe të Jugosllavisë, ashtu si gjyshi i tij Shaip Efendia me të birin Osmanin, gjashtëdhjetë vjet para tij, që u vranë nga regjimi i Nikolla Pashiqit.

Kjo e vërtetoi faktin se të gjitha regjimet sllave ishin antishqiptare dhe gjakëpirëse ndaj kuadrove dhe intelektualëve shqiptarë.

Edhepse kaloi një vit nga humbja e nënës dhe gjyshes tonë të dashur, dhëmbja e pikëllimi për te nuk na pakësohen e zvogëlohen, si dhe kujtimet e shumta që na ka lënë neve bijëve të saj, si dhe nipave e mbesave, që aq shumë i deshti, si dhe mbarë familjes e farefisit.

Malli i pa shuar, kujtimet dhe krenaria për te do të na mbeten të përjetëshme!

Zoti i Madhëruar e shpërbleftë në Xhenet!

Nehat Hyseni

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...