Published On: 4 November, 2016

Në Shqipëri, të kërkosh të drejtën gjen taksiratin

Nga Skënder S. KAPITI

Mënyra se si është sjellur politika dhe pushtetarët në Shqipëri, e vertetuar tashmë dhe e pranuar publikisht dhe ndërkombëtarisht si politikë me politikanë me rekorde kriminale, pra si politike  e kriminalizuar e që duhet dekriminalizuar me Ligj të Dekriminalizimit: mënyra se si ka funksionuar dhe funksionon Drejtësia në Shqipëri si tejet e korruptuar, manipulatore dhe kontrabandiste me ligjin dhe me te drejtën, pra edhe kjo e kriminalizuar, e cila duhet ndëshkuar e pastruar me Ligjin për Reformën në Drejtësi i kanë dhënë fizionominë, vulën dhe damkën e funksionimit të shtetit si një shtet i kriminalizuar dhe i korruptuar, antidemokratik, antiligjor e antishtet të shtetit në Shqipëri.

Kështu ndodh,  pasi si qeveriset shteti nga politika dhe si funksionon ai dhe drejtesia ashtu edhe cilësohet edhe vetë vëndi apo shteti, si p.sh. shtet diktatorial kur qeverisat nga diktatori dhe diktatura, shtet demokratik, komunist, autokrat etj., si dhe shtet i mirë kur ka ligje të mira por sidomos kur sundon dhe qeveriset shteti dhe shoqëria prej tyre dhe kur sundon drejtësia, dhe shtet i keq kur nuk ka ligje të mira dhe kur nuk sundojne drejtësia por anarshia, krimi  dhe korrupsioni.

Legjislacioni dhe  drejta administrative, civile, penale dhe ajo shtetërore e të tjerat, në Shqipëri përbëjnë dhe janë një shans të artë abuzimi, përfitimi, grabitje , korrupsioni, manipulimi, falsifikimi, përvetësimi dhe rrjedhimisht pasurimi për të gjithë vulëmbajtësit qoftë të politikës, të pushtetit, të administratës dhe sidomos të drejtësisë, veç e veç por sidomos në një bashkëveprim,  akordancë e bashkëpunim simbiozë dhe reciprok  me njëri-tjetrin në kurriz të qytetarit, shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, të cilët paguajnë faturat e taksirateve dhe fatkeqësive që u vijnë prej kësaj padrejtësie të këtij kooperimi korruptiv ligjor, politik dhe shtetëror.

E Drejta në Shqipëri, kërkesa për ta fituar e gjetur atë të kthehet në fatkeqësi dhe në taksirat shtesë pasi ose mund ta humbasësh padrejtësisht atë ,ose duhet ta blesh atë por edhe mund të “akuzohesh” dhe të “ndëshkohesh” prej së drejtës tënde nga shteti dhe drejtesia e padrejtesive ne Shqipëri edhe për faktin se përse e kërkon atë. Kjo ndodh sepse shteti dhe drejtësia në Shqipëri të kapur dhe të pronësuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë bëjnë padrejtësinë dhe përfitojnë me fatkeqësitë që vetë ata  u shkaktojnë qytetarëve shqiptarë , mbi të drejtat e tyre duke përfituar prej këtyre fatkeqësive ligjore dhe dëmeve që ata u shkaktojnë kështu shqiptarëve  si dhe shtetit. Dhe prej politikanëve, pushtetarëve dhe gjyqtarëve është krijuar monopoli, kasta më e fuqishme juridike, politike, ekonomike dhe financiare parazitare, e korruptuar dhe e kriminalizuar që kanë privatizuar shoqërinë dhe shtetin dhe që ja kanë bërë qytetarëve  shqiptarë jetën sketerrë e të padurueshme duke kërkuar largimin nga Shqipëria sapo t’u jepet rasti e mundësia.

Në Shqipëri problem më i madh pra, është Drejtësia. Mjerë ai që ka punë në  drejtësinë në Shqipëri pasi aq shumë e vështirë është gjetja dhe siguria e saj, gëzimi i lirë dhe fitimi ligjor i saj sa që, sa më shumë e kërkon atë aq më shumë të largohet dhe të humbet ajo, pasi të drejtën tënde ta merr, ta grabit dhe e blen te institucionet e shtetit dhe te drejtësia tjetri, pra të tjetërsohet apo të grabitet e të vidhet ajo, sidomos, sidomos prona. Pra shteti dhe drejtësia funksionojnë si prona private të vulëmbajtësve të tyre.

Arrin deri atje sa që edhe sikur ta gjesh dhe ta “fitosh” të drejtën tënde duke paguar për të, më pastaj i bie edhe pishmanit se përse e këkove atë, pasi aq shumë shtrenjtë të kushton ajo dhe aq telashe e taksirate heq dhe i ke parë asaj të drejte, duke humbur aq shumë vite e vite kohë dyerve të shtetit dhe të drejtesisë nëpër gjykata, duke  vuajtur dhe u  stresuar aq shumë psiqikisht, moralisht, materialisht dhe financiarisht sa që më shtrenjt kushtojnë këto se sa vlera e të drejtës nëse  e “fiton” atë.

Madje as kënaqësi emocionale nuk ke më prej saj, pasi nëse edhe arrin për ta marrë e fituar të drejtën në Shqipëri nëpër institucionet, zyrat dhe nëpër gjykatat shqiptare të vjen shpirti në majë të hundës siç thotë një proverb popullor, sepse aq shumë të kushton kostoja e saj dhe aq shumë vuajtje dhe stërmundime heq nëpër to, kot dhe padrejtësisht, dukë edhe u “gjobitur” rëndë për “kundravajtjen” e kërkesës për drejtësinë tënde.

Ka qytetarë në Shqipëri që prej 25 vitesh  enden me dokumente pronësie tokash e pasurish nëpër institucionet shtetërore dhe të drejtësisë dhe akoma nuk kanë marrë pronën por dhe as pjesë të saj; ka shumë prej atyre me dëshmi penaliteti për vuajtjet dhe persekutimin e regjimit komunist që nuk kanë marrë as dëmshpërblimin për to; ka dhe shumë e shumë qytetarë shqiptarë që dëbohen politikisht nga punët dhe nga institucionet publike dhe shtetërore qëndrore dhe vendore, nga arsimi, shëndetsia, policia etj.,edhe pse janë shumë më të aftë profesionalisht krahasuar me ata që zëvëndësohen prej tyre, ku këta të fundit si merita punësimi kanë dijet dhe diplomat e blera, kanë mikun dhe ryshfetin politik e nepotik, pra kanë korrupsionin dhe klientelizmin. Pra, edhe e drejta e punësimit në administratën shtetërore fitohet me lekë dhe me korrupsion. Dhe truri, dhe inteligjenca e aftë dhe e shëndoshë kombëtare detyrohen të emigrojnë dhe të largohen nga Shqipëria nga padrejtësitë institucionale dhe shtetërore  që ata pësojnë , ndjejnë dhe persekutohen në Shqipëri.

Prej të drejtës që kërkon qytetari kërkojnë të fitojnë të gjithë: pushtetari apo administratori, komisioneri, kryetari i komunës e bashkisë, avokati, dëshmitari, gjykatësi, prokurori etj. etj. dhe nuk e di se çfarë i mbetet nga e drejta( prona)  e kërkuesit,  pronarit të saj.

Në Shqipëri siguri, të drejtë dhe vënd apo tapi ka dhe fiton mashtrimi, korrupsioni, krimi, grabitja dhe vjedhja e së drejtës dhe e pronës së tjetrit dhe të shtetit. Jo vetëm kaq por ai që kërkon të drejtën ligjore dhe pronën është më i humburi, më i rrezikuari dhe më i kërcënuari.

Për të drejtën tënde duhet të paguash e ta blesh atë me ryshfet, me para apo edhe duke falur dhe “dhuruar” pjesë të saj atyre që duhet ta faktojnë, ta mbrojnë  dhe ta njohin, ta kthejne dhe ta japin ligjërisht  atë, e që ato janë “shteti” ligjor i drejtësisë së padrejtësisë  në Shqipëri.

Faj për këtë ka edhe  vetë shoqëria  shqiptare e paedukuar dhe e papjekur  mirë me sensin se çfarë është e drejta dhe prona, një shoqëri e pamësuar me botën e ligjeve demokratike dhe moderne të respektimit të së drejtës sipas parimit: mos e grabit, mos e prek e mos e merr  atë që nuk është e jotja,  të asaj se: prona fitohet vetëm me trashëgimi dhe duke e blerë atë; të asaj se respektoje dhe bëja tjetrit atë  dhe sillu ashtu sic dëshiron të respektojë dhe të sillet tjetri me ty; të asaj, të mos durimit dhe të kundërshtimit e ndëshkimit të mashtrimit, të korrupsionit, të krimit dhe të padrejtësive të politikës, të qeverisë dhe të pushteteve të tjera.

Pra, shoqëria shqiptare duhet të piqet kështu moralisht së pari në mënyrë që ajo të funksionojë moralisht dhe ligjërisht dhe jo të kërcënohet nga keqfunksionimi dhe falimentmi edhe i vetëvetes, nga kërcënimi i qytetarëve me njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë më pastaj në Shqipëri të mos mund të sundojë pushteti mbi shtetin; hajdutëria e korrupsioni  dhe  paligjshmëria mbi drejtësinë që kanë bërë hatanë dhe kërdinë mbi shtetin dhe shoqërinë.

Në Shqipëri ndodh edhe tjetra , ajo që: sa më i kulturuar, më i edukuar, më i moralshëm; sa  më i aftë intelektualisht dhe profesionalisht,  më i ndershëm , sa më patriot dhe sa më kombëtar që të jesh aq më pak i vlerësuar dhe i respektuar je, je edhe i izoluar dhe i braktisur edhe nga shoqëria, dhe madje për këto cilësi dhe virtyte,  harbutizmi dhe injoranca, politika e papërgjegjshme dhe e kriminalizuar si dhe pushteti abuziv dhe i korruptuar në Shqipëri  t’i marrin këto virtyte  për dobësi dhe tallen me to. Pra , a nuk është “taksirat”, pra fatkeqësi e madhe për ata që kërkojnë të drejtën ligjore që i takon si dhe për moralitetin dhe për virtytshmërinë civile në këtë realitetin e sotëm shqiptar.

Kam shkruar vazhdimisht duke menduar se po i shërbej të drejtës dhe të vërtetës, duke demaskuar dhe kundërshtuar të keqen civile, politike e kombëtare; të ligën, korrupsionin  e tradhëtinë sipas parimit të moralit: kundërshtoje të keqen që të mos bëhesh pjesë e saj! Por shumica e atyre që më kanë lexuar, nxitur, inkurajuar dhe që më jipnin të drejtë, shumica e atyre që e kanë humbur të drejtën dhe pronën, e të zhgënjyerve dhe që e kanë pësuar nga padrejtësitë tani po më thonë: mos shkruaj më se e ke kot, nuk të dëgjon, as nuk të mbështet kush dhe  të është mirënjohës shumë  pakkush, dhe  kështu vetëm sa i bën dëm vetes! A ta besoj apo jo këtë, dhe a ta marr këtë thënie të tyre si të vërtetë dhe jo si të kotë? Tani do mendohem edhe më shumë  se përse qënka edhe kjo gjë  kështu? Edhe kjo pra, të kërkosh të drejtën duke demaskuar dhe në përpjekje kundër të pavërtetës dhe të së padrejtës, dhe më së shumti të jetë vallë edhe kjo si dicka kot!? Kjo ndodh vetëm atëhere kur nuk funksionon as ligji, as shteti dhe as shoqëria.

 

 

Loading...
 
Displaying 1 Comments
Have Your Say
  1. Eshte e veshtire,shume e veshtire;te mendosh,te flasesh e te veprosh me nierez qe vuajne
    nga kompleksi i inferioritetit.
    Jane nierez te vuajtur,te raskapitur deri pertej skllaverise.Peseqind vjet ne erresiren myslimane,pesedhjete vjet ne diktaturen komuniste;nuk jane pak per nje popull te pa identifikuar ne menyre totale shkencerisht.Akoma eshte nje popull i dyshimte ne perzierjen
    e tija.I pa konsoliduar;d.m.th. i lire ne degjenerimin e tija psikologjik.
    Popullorshe i thone;-SHTO UJE E SHTO MIELL.Mjer ata qe vriten nder veti.
    Ironia tragjike,çdo dite qe kalon,eshte i terhequr te ndertoje minaret turke.Fatkeqesi per ta
    Zoti i ndimofte,ne qofte se ai ekziston.

    Reply
    Pelqej(0) Nuk Pelqej(0)

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...