Published On: 2 Gusht, 2017

Në rezidencën e Presidentit


Shkruan: Sabedin Haliti – QIK

Prishtinë, 20 korrik – Gjashtë muaj pasi kanë kaluar qëkur pushoi së rrahuri zemra e madhe e Presidentit Rugova, përsëri gjendem në mjediset e punës dhe aktiviteteve të përditshme në rezidencën e tij në Velani.

Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar, vetëm që tani në ato mjedise ka vetëm heshtje. E njëjta renditje në enterier të sallonit ku priteshin mysafirët, zhvilloheshin takimet, bisedimet. Sikur koha është ndalur.
Ende në krye të sallonit qëndron fotografia e Presidentit me një buqetë lulesh të freskta, ku kohë pas kohe ende vijnë për ngushëllime, diplomatë të huaj, miq e dashamirë nga vise të ndryshme, sidomos bashkatdhetarë nga diaspora e largët.
Rrinë aty pesë flamuj të paluar – i Dardanisë, shqiptar, i OKB-së, i BE-së edhe amerikan – sikur presin dorën e Presidentit që t’i nxjerrë jashtë dhe të valojnë në ditën e shpalljes së pavarësisë për të cilën aq shumë gjakoi Ibrahim Rugova.
Qëndron aty tavolina me 12 karriga ku Presidenti i takonte këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Qëndrojnë në sallon të gjitha ato fotografi, piktura, gjësende të shumta dhe një vitrinë me kristalet më të bukura të Kosovës, si dëshmitarë të heshtur të viteve të kaluara, ku Presidenti priti shumë mysafirë, politikanë, diplomatë të njohur e më pak të njohur, personalitete të ndryshme; aty ku zhvilloi biseda nganjëherë jo edhe aq të lehta, ku pati jo pak presione.
Aty ku më së shumti e ka shqiptuar fjalën pavarësi për Kosovën. Në të njëjtin kat, ngjitur me sallonin, rri e mbyllur dhoma e mineraleve dhe kristaleve, të cilën mysafirëve të nderuar gjithmonë me kënaqësi ua ka treguar.
Ngjitemi lart në katin e tretë të shtëpisë, në bibliotekë, aty ku e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës. Një dhomë e gjatë, me dy pjesë e nivele. E para e mbushur me libra nga më të ndryshmet, kurse në tjetrën, në një nivel pak të lartë, një si dhomë e mobiluar thjesht me vetëm dy kauça dhe një tavolinë të ulët. Aty ka kaluar kohën e pushimit dhe të punës deri në orët e vona të natës, apo më mirë të themi deri në orët e hershme të mëngjesit. Aty asgjë nuk ka ndryshuar që nga 21 janar 2OO6. E njëjta renditje, e mobiljeve…
Mbi tavolinë syzat e Presidentit mbi një libër, tre lapsa, urimi për Vitin e Ri nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush; dy flamuj të paluar nga dita e funeralit, një njëri që ishte vendosur mbi arkivolin, kurse tjetri që valoi gjatë zisë kombëtare në Presidencë në gjysmë shtize dhe një orë tavoline, dhuratë nga gjenerali Riçard B. Majers, shef i shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane.
Në një kënd tjetër është një fashikull ku gjenden shënimet e fundit të Presidentit – përgatitjet për takimet që ka pasur deri më 17 janar 2OO6. I njëjti dorëshkrim, i njëjti kujdes për pedanteri. E shkruar e qartë atë që ka për të thënë në takim. Data, muaji viti, ora, bashkëbiseduesit… Aty është edhe fjalimi i fundit që ka mbajtur jashtë rezidencës: 1O dhjetor 2OO6 në Prishtinë, në Sheshin Skënderbeu kur ndriçoi drurin e paqes.
Në një vitrinë në krye të dhomës shihen dy libra të trashë dhe brenda tyre plot letra të vogla me shënime. Ata janë dy libra në anglisht dhe frengjisht nga shekulli XIX mbi antikën dhe secili prej tyre ka mbi 2OOO faqe dhe të mbushura me skeda nga Presidenti. Në atë vitrinë, ku ishte renditur e plotë Enciklopedia britanika, bie në sy edhe një libër tjetër, ai i një autori anglez të shek. XVIII, Edward Gibbon me titull “Rënia e Perandorisë Romake”, i cili po ashtu është i mbushur me skeda, si dhe “The Illyrians” nga John Wilkes nga viti 1995, por edhe disa libra të autorëve të ndryshëm për Lekën e Madh.
Aty është edhe kompleti i veprave të Presidentit dhe “Iliricum sacrum”. Këta libra, si dhe disa të tjerë për mineralet e kristalet i ka pasur në dorë gjatë Presidenti Rugova dhe fryt i studimit të tyre është edhe një vepër që ka lënë në dorëshkrim për lashtësinë iliro-shqiptare dhe tjetri për mineralet e kristalet e Kosovës. Ende qëndron një tavolinë e vogël ku Presidenti e ka pirë kafenë e mëngjesit dhe ka ndenjur kohë pas kohe, dhe gjithmomë e ka pasur nga një libër.
Po aty i ka gjetur përditë fjalimet e radhitura apo telegramet, mesazhet e ndryshme që ia ka lënë djali i vogël Uka, pasi më parë Presidenti i kishte shkruar rreth mesnatës.
Fare pak dihet se Presidenti Rugova, si rrallë ndonjëherë ndonjë President në botë, të gjitha fjalimet, telegramet dhe mesazhet i ka shkruar vetë. Presidenti Rugova ka qenë i përkushtuar për familjen e vet. I është shmangur jetës publike me familje. Bashkëshortja, zonja Fana dhe djemtë Mendimi e Uka, si dhe vajza e vogël Teuta, secili në mënyrën e vet i kanë ndihmuar Presidentit dhe kanë qenë të përkushtuar ndaj Kryefamiljarit, andaj vështirë e kanë të përballojnë mungesën e bashkëshortit dhe babait të tyre, sado që përpiqen. Bashkëshortja Fana, si zonjë e vërtetë e shtëpisë në plotkuptimin e fjalës, 16 vjet më parë braktis profesionin e pedagoges për t’iu përkushtuar bashkëshortit dhe familjes, duke rritur dhe edukuar tre fëmijë. E fundit ka rënë në gjumë dhe e para është zgjuar. Është kujdesur për çdo detaj rreth Presidentit. Zonja Fana më s’ka lot. Ka vetëm kujtime të pufund. Djali i madh, Mendimi, i rritur “në prehër të gjyshes”, e cila ka dhjetë vjet që nuk jeton më, ka disa vite që merret me meteorologji, duke shënuar çdo ditë të gjitha parametrat klimatike, por më gjatë merret me disenjim e kompjuteristikë. Mbi të gjitha ai ka si pasion fotografinë artistike. Ai ka bërë disenjimin e medaljeve që ka ndarë Presidenti dhe të simboleve të tjera. Djali i dytë, Uka, ndoshta se për dhjetë ishte fëmija më i vogël, është i lidhur shumë për babain. Madje si fëmijë katërvjeçar ka mësuar të lexojë vetëm për ta imituar babain e vet duke lexuar. Uka këto gjashtë vitet e fundit, tashmë kur ishte bërë burrë, i ka qëndruar shumë afër Presidentit dhe si një lloj sekretari personal i tij, i ka ndihmuar në shumë punë, të themi teknike: duke ia shtypur të gjitha shkresat e ndryshme dhe fjalimet, duke u kujdesur rreth takimeve në rezidencë etj. Ai shpesh bënte shaka dhe krijonte atmosferë humori në rezidencë. Ndoshta më së shumti Presidenti do t’i mungojë vajzës Teuta, e cila sa herë është kthyer nga shkolla e ka përqafuar babain. Ajo si nxënëse shembullore, tani sapo ka mbaruar klasën e nëntë dhe në vjeshtë do të shkojë në shkollë të mesme. Tani me siguri ka pasur shumë nevojë për ta konsultuar babain për shumë gjëra…
Presidenti Rugova ndonëse ka pasur edhe momente të vështira, pas bisedave nganjeherë aspak të këndshme, por gjithmonë është përpjekur të mos e ngarkojë familjen me tensionet politike. Gjithmonë e ka relaksuar atmosferën në familje, ndonëse në situata të ndryshme nuk e ka pasur aspak lehtë. Andaj gjatë kohës së lirë në TV gjithmonë ka pasur dëshirë të përcjellë emisione të lehta muzikore dhe humoristike.
Ribotim
Autori Sabedin Haliti, është magjistër i gazetarisë, ishte bashkëpunëtori ndoshta më i ngushtë i presidentit Rugova, edhe pse nuk ishte pjesë e stafit të tij. 
Haliti është gazetari që e mbajti gjallë QIK-un deri në mbylljen e tij nga kryesia aktuale e LDK-së apo nga vetë Isa Mustafa
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...