Kosova

Muhamet Mustafa tërhiqet nga aktiviteti politik

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e fundit, Muhamet Mustafa, ka bërë me dije se do të tërhiqet nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik në institucione.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa, që ka qenë pjesë e listës për deputetë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, ka thënë se edhe nëse ia ka dalë që të sigurojë votat e mjaftueshme për një mandat të ri deputeti, këtë nuk do ta pranojë dhe do të tërhiqet tërësisht nga aktiviteti politik.

“…disa rezultate që kam marrë në disa degë të Prishtinës tregojnë një rënie të përkrahjes në krahasim me zgjedhjet e kaluara e edhe ato të vitit 2010. Sigurisht këtu shkakun duhet kërkuar në gabimet e mia. Ndaj pa marrë parasysh se a do të kem mjaft vota për të marrë serish pozitën e deputetit apo jo, kam vendosur të tërhiqem nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik në institucione”, ka deklaruar Mustafa.

Më poshtë gjejeni të plotë postimin e Mustafës:

VOTUESVE TE MIJ TE CMUAR

Po u drejtohem me këtë porosi të sinqertë siç jam munduar të bej në secilin komunikim me ju duke përfshirë edhe diskutimet dhe intervenimet e mia përgjatë dy mandatve të kaluara në Kuvend.

Jam i lumtur që procesi zgjedhur , marrë në përgjithësi, u zhvillua mirë dhe brenda standardeve deri në këtë fazë, sa i përket rangimit të forcave politike. Kemi dhënë një mesazh të mirë sidomos tek partnerët tanë e që ka rëndësi për përmirësimin e imazhit të vendit dhe forcimit të pozitës së tij ndërkombëtare.

Jam poashtu i lumtur që një përvojë e imja dhe një bagazh i studimeve përgjatë disa dekadave ka gjetë mundësinë që të dëshmohet në Kuvend për dy mandate, për faktin se rekomandimet tona të kahershme kanë gjetë zbatimin në disa nga masat e politikave ekonomike që aprovoi Qeveria në largim, veçanërisht në fushën e politikave tatimore të favorshme për investitorë dhe prodhuesit vendorë , duke përfshirë këtu edhe shërbimet. Këtu duhet përfshirë edhe Ligjin mbi Trepçën, Ligjin mbi investimet strategjike , një serë ligjesh për energjinë, për trafikun, për standardizimin dhe Ligjin mbi pronën industrial dhe intelektuale. Gjithashtu, nëpërmjet Komisionit kontribuuam në prezantimin e mirë të Kuvendit në marrëdhëniet ndërkombëtare , duke kryer rolin e raportuesit në SEECP dhe Kryesuesit në Parlamentin e Komunitetit Europian të Energjisë. Ky përbën edhe një satisfakcion për mua gjatë punës në udhëheqjen e Komisionit të Kuvendit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, industri dhe tregti .

Gjatë aktivitetit parazgjedhor kam mundur të vërej se përkrahja për mua si kanditat për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme, gjatë komunikimit me votues, ka qenë inspiruese. Megjithatë, disa rezultate që kam marrë në disa degë të Prishtinës tregojnë një rënie të përkrahjes në krahasim me zgjedhjet e kaluara e edhe ato të vitit 2010. Sigurisht këtu shkakun duhet kërkuar në gabimet e mia. Ndaj pa marrë parasysh se a do të kem mjaft vota për të marrë serish pozitën e deputetit apo jo, kam vendosur të tërhiqem nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik në institucione.

Kam vendosur që në vitet që vijnë, aq sa do të kem shëndetin dhe mundësitë tu përkushtohem tri projekteve :

• Punës në Riinvest, në thellimin e studimeve lidhur me çështjet kyçe të zhvillimit ekonomik, politikave zhvillimore e makroekonomike, për të forcuar rolin e Riinevstit si një organizatë kërkimore, avokuse si një think tank i pavuarur.

• Konsolidimin e Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike që e patëm themeluar në nëntor të vitit 2012 me disa kolegë nga Tirana e Maqedonia, por që për shkak të punës sime në Kuvend ka mbetur pezull.

• Do të mbështes themelimin e një Klubi apo Asociacioni të Prishtinalive, të cilët me dekada janë margjinalizuar

Gjithashtu, me duhet të përkushtohem edhe në çështjet rreth familjes e familjarëve që pa të drejtë I kam lënë anash.

Sikurse edhe deri tash do të jem në disponim të institucioneve të Kosovës për të dhënë mendimin dhe këshillën time kurdo që kërkohet, pa marrë parasysh formacionet politike që do ti udhëheqin.

I falënderoj të gjithë votuesit e mi dhe shpresoj shumë që do të me mirëkuptojnë!

I juaji,

Muhamet Mustafa

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *