Published On: 20 Nëntor, 2016

Mos kini frikë

Fjala e deputetes Mesila Doda në Parlamentin e Shqipërisë

Të nderuar deputetë,

Sot është një ditë e veçantë për politikën, qytetarin, për drejtësinë në vend. Është dita, në të cilën do duhet të nisë rrugën e saj Republika e Dytë. Ndryshimi rrënjësor i një sistemi që do duhej të kontrollonte veten dhe politikën, që do duhej të ishte në shërbim të qytetarit, por që në fund u bë palë me të gjithë pushtetet, përveçse me qytetarin, ndaj kjo reformë nuk është ndëshkim, është çlirim, çlirim për qytetarin e thjeshtë dhe për këdo që dëshiron një atdhe ndryshe.

Të nderuar kolegë, megjithë diferencat në vite, një pjesë e jona që është në këtë sallë, ka thuajse të njëjtën moshë në politikë.
Kemi nisur të merremi me këtë profesion pa e ditur, pa qenë ndoshta të ndërgjegjshëm për zgjedhjen që bëmë qysh në dhjetor të vitit 1990. Ka kaluar çerek shekulli që hymë nga dera në politikë dhe mundohen të na nxjerrin nga dritarja dhe ne sërish hymë.
“Kjo paska qenë e shkruar për brezninë tonë si politikanë”, kishte për të thënë dikush. Por, unë jam njeri që nuk i besoj fatit, rastësisë.

Unë besoj në Zot, ndaj besoj tek liria e njeriut, tek liria e shoqërisë.
Kjo është arsyeja që sot dëshiroj t’ju pyes:
A ndjeheni të lirë që të votoni?
A e keni gjithë frymën që liria të jep për të votuar sot?

Jo, më kot e përmenda këtë udhëtim më shumë se 25 vjet, sepse ky rrugëtim ka patur veç një qëllim, lirinë. Unë të paktën për këtë jam nisur, ndaj vazhdoj të ecë, diku me revan, diku duke tërhequr çapat që baltovina e politikës t’i ngadalëson. Por, nuk dëshiroj të ndalem, ashtu si besoj që edhe një pjesë këtu kanë vullnetin e duhur për të bërë përpara.

Tash, pas kaq e kaq vjetësh mendoj se po çelim një derë lirie, të cilën kishim të gjithë mundësinë ta kishim hapur në vitet e para të ’90, por nuk patëm guxim.

Nuk zgjodhëm udhën e drejtësisë, në atë kohë, por të marrëveshjes së kulisave, e lamë litarin jashtë.
Nëse në atë kohë do kishim bërë larjen e ndërgjegjes nëpërmjet gjyqit të saj, nëse në atë kohë do të kishim guximin të dënonim krimin e instaluar në shtet që deshi të vriste lirinë, sot nuk do ishim këtu, kaq të ngarkuar me emocione, drojë, polemika, mosbesim, pabesi.

Kjo erdhi, sepse e zhvilluam gjithë progresin e Kombit mbi mëkatin fillestar, mbi gjirizin e diktaturës.

Nëse atëherë, kur duhej, do kishim hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit, do kishim rehabilituar një herë e mirë e plot dinjitet të përsekutuarit politikë, do kishim kthyer pronën tek i zoti, do kishim zhvilluar kapitalizmin mbi bazë të ekonomisë së tregut dhe jo rryshfetit, sot nuk do të kishte diplomatë të huaj që do tundnin gishtin mbi fytyrën e politikës.

Por, nuk e bëmë, sepse zgjodhëm udhën e gjysëm të vërtetave, gjysëm gënjeshtrave, gjysëm të thënave dhe të pathënave.
Jam e bindur që kjo nuk bë me keqdaqshje, por nga frika, të cilën mbjell në zemër mungesa e lirisë, ndaj deri më sot tërhoqëm këmbën zvarrë.

Frika trondit qënien njerëzore, frika ngjall pabesinë dhe për t’u mbrojtur prej saj kryen krimin që të t’i dalësh para frikës, pabesisë.
Ndaj sot ju pyes:
A keni frikë që do votoni?
Ne, të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk kemi.
E kemi vrarë frikën.
Megjithëse jemi pak, por unë shpresoj që të jemi përditë e më shumë.
E kemi vrarë frikën qysh kur vramë etërit themelues të së keqes në dhjetor.
Kjo është arsyeja që kërkuam me forcë, kur flisnim për dekriminalizimin që të përfshinim edhe krimet e komunizmit, sepse krimi nuk njeh harresë, nuk njeh përshkallëzim.

E kemi vrarë frikën, kur kërkuam të hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Por, ju u drodhët, klonuat një ligj, në mënyrë që ta dështonit. Ku e keni sot Komisionin që vetë e votuat? Pse e nxorrët nga punimet e kësaj legjislature siç nxorrët edhe ligjin për heqjen e medaljeve për xhelatët e së kaluarës? Sepse keni frikë dhe në këtë frikë jeni të gjitha palët bashkë! Ka edhe më shumë. Bashkë me amendamentet e tjera të depozituara në komisionin e reformës PDIU ka kërkuar që gjyqtarët dhe prokurorët e diktaturës të mos jenë pjesë e sistemit të ri që do ndërtojmë. Ju nuk e përfshini në Kushtetutë? Ne do kërkojmë të përfshihet në të gjitha ligjet e gjyqësorit. Ka dhjetra e qindra vajza e djem të rinj, magjistratë e juristë, idealistë e të shkolluar që mund të bëjnë një sistem efiçent, të ndershëm e të pakorruptuar. Ne nuk mundet ta lëmë sistemin në duar të pengmarrësve, nuk e lemë dot peng të së kaluarës.

Të nderuar kolegë,
Në historinë politike të secilit prej nesh, ka ditë të mira dhe të këqija, por uroj që kjo dita e sotme të jetë e bukur.

Unë jam një njeri politik, jam e lidhur ngushtësisht me të, e gdhij dhe e ngrys ditën time si një ditë politike. Shpesh e kuptoj që kjo mund të bëhet barrë tek ata që të shoqërojnë në jetë, tek familja ime, por ma merr mendja që në një farë mënyre ky duhet të jetë pengu që kemi gjithsecili nga ne.

Përpiqemi në këtë hullinë tonë dhe shpesh si thoshte dikur një mik i shtrenjtë, e vetmja dhuratë që kemi është helmi. Por, nuk ndalemi, sepse është pak më shumë se ne vetë të bërit politikë, të prodhojmë ligje, reforma, të ndalim tentativat e abuzivizmit dhe meskinitetit.

Besoj se shumë prej jush përdorin të gjitha mundësitë për komunikuar, dialoguar, për të ushtruar politikën, për të mësuar çfarë mendojnë gjindja për ne.

Sot, për fat të keq jemi të përfshirë të gjithë në një thes. Të lexosh, të dëgjosh si shprehen njerëzit për politikën të zë krupa.
Tash, rëndom të gjithë kanë të njëjtin opinion për politikanin, sa i kanë bërë identikitin

Ju vizatojnë si hajna, që vidhni ç’të mundni.
Ju vizatojnë si njerëz të hurit dhe të litarit.
Ju vizatojnë si njerëz që bëni drogë, prostitucion, vrisni.
Ju vizatojnë si njerëz që blini zgjedhjet.
Ju vizatojnë si kodoshë prostitutash.
Ju vizatojnë si njerëz që nuk ju hyn gjëmb në këmbë se polici ju fshin këpucët, kurse gjykatësi ju lidh ushkurët.

Për fat të keq, nuk bëjnë dallim, kur flasin për politikën. Të gjithë na fusin në një thes.

Sot, atje jashtë ku gjendet qytetari i thjeshtë, të thuash që je deputet të mendojnë se ke para sa të hanë qentë, por di më pak se 36 gërma që ka alfabeti.

E padyshim dallkaukë ka edhe në këtë sallë të nderuar kolegë, sepse kolegë jemi edhe me dallkaukun.
Në këtë vend ka bërë hajër ai që ka patur këmbëzën e lehtë dhe ka blerë mandatin, me të njëjtën lehtësi që ka blerë gjykatën.

Sipërmarrja është mësuar të prodhojë duke i paguar gjobën të fortit, sepse drejtësia sillet me të vetë si e fortë. Kapitalizmi i Shqipërisë ka për “bibël” rryshfetin, prona mbivendoset ose fitohet me atentat.

Kërkojmë drejtësi për të gjithë, por drejtësi jep e merr veç i forti.
Sistemi që kemi përfituar deri më sot, është sistemi i atij policit që gjobit pa mëshirë një golf dysh të lodhur, por që përshëndet sllonin.

Zonja dhe zotërinj,

Pikërisht për këtë padrejtësi endemike ne sot kërkojmë që dhe ju si ne të vrisni frikën.
Ngulmuam në aplikimin e demokracisë direkte për këto ndryshime thelbësore dhe mesa duket paskemi patur të drejtë.
Ju kërkuam referendum, sepse politika nuk ka dhe nuk duhet të ketë frikë nga populli. Nëse referendumin sot do ta kishim të mundur, nuk do të kishim një krizë kaq të fortë politike me negociatorë që shkojnë e vijnë, krerë partish që bëjnë si felinët e shkurtit.

Mblidhnim firmat dhe pyesnim sovranin, meqë sovranitetin e kemi aq shumë për zemër.

Kërkojmë të zgjidhemi prej tij, ndërsa i përjashtojmë nga çdo vendimarrje për katër vjet rresht. Ne duhet të bëjmë pjesë të kulturës sonë politike referendumet, kombëtare dhe vendore, të ndryshojmë ligjin për referndumin dhe ta bëjmë lehtësisht të realizueshëm se ky është garant i arrogancës dhe abuzivizmit, i vendimarrjes se keqe dhe marrive të çastit të pushtetit nopran. Ky duhet të jetë dhe objekti i sesionit të ardhshëm të punës së këtij Kuvendi. Ta bëjmë sovranin garantin tonë, garantin mbi të cilin nuk shkelim dot.

Kur vendosim të bëjmë një Kushtetutë të re, ne nuk kemi si të anashkalojmë qytetarët. Jemi mësuar shpesh me marrëveshjet e natës ku mblidhen tre koka e bien dakord ta hanë tre milionë të tjerë. Edhe kësaj here për fat të keq qytetari u morr peng. U tërhoq zvarrë në një proces pa frymëmarrje, në një proces që kërrkush nuk e di se çfarë është, derisa vendosin ta ndanin drejtësinë si plaçkë, gjysma për mua e gjysma për ty. Jeni bërë turp i këtij vendi. Drejtësia duhet të zgjedhë veten dhe vetëm veten, ndërkombëtarët duhet të garantojnë ndershmërinë e këtij procesi, sepse sa herë ka futur hundët politika, aq herë ka denigruar çdo nismë të mirë, pasi nuk luftoni as për shtet e as për drejtësi, po për pushtet dhe pengmarrje. Ky është obsedimi juaj, dashuria dhe frika juaj më e madhe, ky do jetë varri ku do jo çojnë shqiptarët.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të ishim levat që caktojmë fatin e ardhmërisë së kësaj toke, qoftë edhe 140 gra e burra që janë këtu.
Duhet të ngrihemi mbi meskinitetin që shkakton frika dhe të shkojmë të pyesim njerëzit, prandaj ngulmojmë prej muajsh për referendumin.

Ndaj edhe sot që ne, ligjvënësit e PDIU-së jemi besimplotë që reforma në drejtësi do të votohet nga shumica dërrmuese e deputetëve, ngulmojmë tek referendumi. Nuk kemi shpatulla ta mbajmë të vetëm këtë peshë. Referendumi notifikon, i jep fuqi, i jep legjitimitet çdo procesi.

Kur e thamë fillimisht idenë e referendumit, skeptikët, analistët, politikanët e shpërfillën, sepse ne e kemi bërë zero mundësinë e demokracisë direkte, duke minuar një shtyllë të rëndësishme të demokracisë. Tani që e kemi këtë mundësi duhet ta kthejmë, sepse kthejmë një përmasë lirie, të cilën nuk jua mohojmë dot shqiptarëve. Nuk ka përse të kemi frikë nga referendumi, sepse sipas nesh njerëzit janë zgjedhës dhe jo dele dhe ju jeni deputetë dhe jo çobanë.

Ata që ishin skeptikë para do muajsh, këto ditë e panë referendumin si zgjidhje të krizës. Partnerët tanë ndërkombëtarë erdhën pa kurrfarë kompleksi tek ky propozim i PDIU-së dhe në fakt unë isha i lumtur, tek shihja që kjo tezë nëpërmjet zotit Hahn apo Flakenshtajn tingëllonte më mirë se sa kur e thonim ne, pasi njerëzit e politikës në Shqipëri shpesh kanë nevojë t’jua kujtosh që e ke lirinë, nuk je rob i mureve që vetë ngren.

Po kështu, të shkojmë në popull për kreun e shtetit. Nëse nuk jemi aq të zotë të zgjidhim një krizë politike këtu në Kuvend, të shkojmë tek njerëzit se ndoshta ata mund të kenë pjekuri më të madhe se gjithë klasa politike.

Mos e keni frikë agora-n; prej saj vjen demokracia, të cilën e flisni, por keni frikë ta aplikoni.
Zonja dhe zotërinj,

Deputetët e PDIU-së vijnë në këtë sallë të bindur, pa kurrfarë ekuivoku që të votojnë pro Reformës në Drejtësi, sepse shumë nga çështjet tona themelore, mbi të cilat është ngritur forca jonë politike varen prej raportit që ne vendosim me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët për hir të së vërtetës shpesh më duken më patriotë se ne vetë, na kanë thënë që nëse kjo Reformë në Drejtësi nuk kalon, mbyllen dyert e integrimit dhe progresit.
Epo, ndoshta pak më shumë se mjaft të tjerë këtu, PDIU nuk gjen dot zgjidhje për kauzat e veta jashtë Europës.

Në këtë kornizë ne shohim zgjidhjen e Çështjes Çame, bashkimin kombëtar, krijimin e asaj Shqipërie, e cila ka tok të gjithë shqiptarët, qofshin këta të Tiranës, Prishtinës, Gostivarit apo Margëlliçit.

Ndaj kjo votë pro reformës sot, është votë patriotike, votë kombëtare.
Kalin e Trojës këtu nuk ka përse ta fusim.
Po ku është qasja jonë ndaj Perëndimit?

Ku është ajo qasje që kemi aq dëshirë ta përmendim qysh tek të parët tanë, qysh nga ndarja e Bizantit e deri tek Skënderbeu?

Sot, kemi mundësinë e madhe të tregojmë që dëshirojmë Perëndimin jo me fjalë, por me votë, ndaj Reforma në Drejtësi është një derë që na fal më shumë liri.

Jemi mësuar që gjer më sot, në këtë sallë mos të ushtrojmë vetëm politikë, por të japim edhe drejtësi.
Ky ndoshta është një vend i rrallë, ku politika vendos për taksat, pronën, por dhe për ata që gjykojnë padrejtësitë mbi pronën, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet e ekonomisë së tregut.

Klasa politike ka ndërtuar filtra të këtillë paprekshmërie nëpërmjet fuqisë së emërimit sa ka arritur të prodhojë një sistem që sjell begati për atë që është në pushtet dhe garanton begati për atë që do të vijë në pushtet. Prandaj, lufta për marrë pushtetin në këtë vend kalon mbi çdo parim moral a demokratik.

Këto filtra sigurie për të zaptuar pushtet nuk e lënë shoqërinë shqiptare të zhvillohet.

E kemi kapur për gryke shqiptarin atje poshtë, sepse nuk e lëmë të marrë drejtësi dhe të vetmin rregull loje i kemi dhënë ligjin e xhunglës.

Zonja dhe zotërinj,

Sot ne kemi një mundësi që të nisim ndryshimin, sot kemi mundësi të ndërtojmë një sistem, i cili do kërkojë shumë kohë të ngjizet.
Por sot, kjo reformë në drejtësi do të jetë hapi i parë për të ngritur një sistem që pretendon drejtësi për të gjithë, por që do të hasë gjatë ndërtimit të tij rezistencën më të fortë, të atyre që ngritën sistemin e vjetër, të cilët e volën me kaq makutëri.
Kjo rezistencë do të jetë e ashpër, e paepur, sepse pretendojmë të shkallmojmë atë që Migjeni e quante “mali që s’bëzan”.
Të paktën, ne që kërkojmë të mos futemi tek ai thes, ku na kanë vizatuar të gjithë të zezat e botës, ne mos të rezistojmë, sot duhet të votojmë.

Të nderuar kolegë,
Nuk e kemi vënë kurrë në dyshim votën tonë si PDIU për reformën në drejtësi, por nuk e kuptuam kurrë përse së bashku me të u përfshi neni 18, ndryshimi it e cilit i hapte rrugë martesave homoseksuale.

Sot, ky nen nuk është më, falë këmbënguljes së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Por, do të ishte sjellje prej kryeneçi, nëse sot nuk falenderonim të gjithë deputetët që u shprehën kundër kësaj mundësie për të ndryshuar familjen shqiptare.

Falenderoj të gjithë ata deputetë opozitarë që ju bashkuan betejës sonë, falenderoj të gjithë atë shumicë dërrmuese deputetësh të mazhorancës, të cilët pa drojë, me kurajo zgjodhën familjet e tyre të shkëlqyera para deformimit që na u propozua si ujë nën rrogoz.
Nuk po ju përmend me emër, sepse vetë zgjodhët ta bënit këtë betejë së bashku me ne në anonimitet dhe kjo jua ngre akoma më shumë vlerat.

Falenderoj besimtarët e të gjitha religjoneve në Shqipëri, të cilët si përherë kapërcejnë dallimet duke rrëfyer edhe kësaj here një formë të shkëlqyer të tolerancës fetare, një lartësi njerëzore ku politika nuk ju ndjek dot të armatosur siç janë me thika për sho-shoqin.
Tani, dëshiroj t’u drejtohem homoseksualëve.

Gjatë kësaj kohe di që jeni mërzitur dhe më keni sulmuar, fyer me një fjalor që niste nga inkuzicioni, Mesjeta, besimi im, familja e më tej.

Unë nuk jam nga ato që kam frikë, ndaj i kam shpërfillur sulmet, mallkimet dhe kërcënimet.

Por, sot diçka do jua them:
Unë kurrë nuk do ta diskriminoj një qënie njerëzore, qoftë kjo homoseksuale.
Sepse një njeri si unë, me besimin tim në Zot dhe në familje ka kultin e dashurisë për qënien njerëzore.
E neveris atë që persekuton, dhunon, mënjanon, veçon një qënje njerëzore, qoftë ky edhe për shkak të orientimit homoseksual, ndaj dhe kam votuar ligjin e antidiskriminimit.

Nuk e kufizoj veten të ngre mure për një qënie njerëzore. Ushqej për këdo të njëjtin respekt e dashuri që Zoti im ushqen për të gjithë ne. Por, familja është ajo që vjen nga martesa e një burri dhe një gruaje, që sjellin e shumojnë jetën në tokë. Kjo është kredo ime dhe nuk do të rresht asnjë ditë të pushoj së besuari e së luftuari në kauzat, në të cilat besoj.

Të nderuar kolegë,
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i jep aq vota sa ka për Reformën në Drejtësi.
Ju lutemi ta votojmë të gjithë.
Çdo votë sot në këtë sallë është visar.

Sami Frashëri dikur thoshte: “Një kokërr gruri s’e mbush hambarin, por ndihmon kokrrat e tjera që e kanë mbushur.”
Votat e PDIU-së janë tashmë në hambar, një nga një presim dhe votat tuaja.

Ju faleminderit.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...