Published On: 24 Tetor, 2016

Meta: Kanabisi, çështje serioze! Partnerët janë shqetësuar

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report TV 

Nga Ilir Babaramo 

Do të doja ta nisnim bisedën me Dekretin e Presidentit, i cili ka refuzuar atë që disa e quajnë “Ligji i plehrave”, disa të tjerë “Ligji i mbetjeve urbane”, por, përtej tautologjisë semantike që krijohet, unë do të doja qëndrimin tuaj. Ju do të votoni në favor të dekretit të Presidentit, apo kundër tij?

Mendoj se kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje kaq të thjeshtë, për arsye sepse çështja është komplekse dhe, përveç përmbajtjes së çështjes dhe diskutimeve të ndryshme, këtu kemi edhe një shqetësim të opinionit publik, deri diku edhe një instrumentalizim të tij, që nuk është i tanishëm, por i hershëm.

Por në çdo rast kemi një shqetësim publik dhe është e rëndësishme që miratimi i një ligji të tillë, kaq sensitiv, të mos bëhet në konflikt me opinionin publik, për arsye se kjo ka të bëjë edhe me imazhin e vendit, si një vend, që ka si prioritet zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e sa më shumë të turistëve të huaj.

Në këtë drejtim, unë besoj se është e gjithë koha e mundur për të bërë një vlerësim sa më objektiv, sa më të ftohtë, larg politizimit të tepruar të çështjes, në mënyrë që në çdo rast ne të kemi në konsideratë që vendimmarrja do të jetë në interes të publikut të gjerë dhe në interes afatgjatë për vendin.

Jeni shprehur se ky ligj, për shkak të ndjeshmërisë që ka krijuar në opinionin publik, duhet të shqyrtohet, të kalojë edhe nga një ekspertizë e BE-së. I qëndroni kësaj ideje?

Çështja më e rëndësishme është të ketë një konsensus ose, më saktë, të ketë një shterim të të gjithë mosbesimin aktual, që ekziston për zbatimin e ligjit, në radhë të parë.

Së dyti, absolutisht unë i qëndroj idesë se, në rast se gjatë këtij dialogu apo debati ka çështje, të cilat kërkojnë një ekspertizë më të thelluar europiane, padyshim që do të ishte shumë me interes që të kërkohej, sepse nuk bëhet fjalë për një ligj që do të ketë efekt të përkohshëm, por bëhet fjalë për një ligj që do të ketë efekt afatgjatë dhe është e mira të mos jetë temë e debateve në të ardhmen apo e kontestimeve në të ardhmen.

Pra, nëse ju kuptova drejt, ju lini të kuptohet që qeveria duhet ta tërheqë dhe ta sjellë në një moment të dytë, pasi të ezaurohen të gjitha këto që ju parashtruat?

Nuk mund të jap asnjë vlerësim përfundimtar, sepse besoj se ekziston një proces vlerësimi që ka nisur të bëhet mbi Dekretin e Presidentit dhe natyrisht në çdo rast të tillë unë do të veproj në përputhje me linjën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë drejtim, sipas informacioneve të mia, z. Vasili, si kryetar i këtij grupi, po edhe si njohës i këtyre çështjeve, është në dialog me të dyja palët, edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile, që kanë ngritur shqetësimin për këtë çështje, edhe me Shoqatën e Ricikluesve, të cilët janë të interesuar për miratimin e tij me qëllim që të vijojnë punën e tyre.

Cili është thelbi i këtyre bisedimeve që po kryen z. Vasili?

Nuk mund t’ju them asgjë, sepse ato po kryhen ndërkohë.

Cili është thelbi?

Për të dëgjuar argumentet e secilës palë të interesuar. Ato kanë  argumentet e tyre për të kuptuar bazën e shqetësimit apo qoftë le të themi të rrezikut për çështje të caktuara që shqetësojnë shoqërinë civile.

Gjithsesi,  pas dy ditësh do të votohet. Si do të jetë vota juaj?

Nuk mund t’ju them asnjë gjë për këtë çështje, sepse  edhe mua më duhet të  dëgjoj argumentet dhe të thellohem, si të gjithë anëtarët e tjerë të grupit parlamentar.

Mënyra si u soll në  Kuvend (disa thonë nga qeveria, disa të tjerë nga 3 deputetë), por pavarësisht se kush e ka sjellë, tregon se ky është një ligj që është mbështetur fuqimisht nga Kryeministri. A mendoni se ishte rruga më e mirë e procedurës parlamentare sjellja në kohën, kur të gjithë ishin të përqendruar te reforma në  drejtësi?

Kjo është një çështje e diskutueshme, por jo më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është që çdo miratim i mundshëm të mos realizohet në konflikt  me opinionin publik apo me një pjesë të tij, sepse çdo lloj kontestimi në të ardhmen  nuk do të jetë pozitive dhe nuk do të  jetë mirë për askënd.

Kjo që po ndodh në opinionin publik, a ju krijon  një lloj ngjashmërie me atë që ndodhi para dy vjetësh, me sjelljen e armëve kimike të Sirisë? A ka ngjashmëri?

Nuk besoj se është diçka e ngjashme, por ekziston një shqetësim që vjen për shkak të mungesës së kapaciteteve tona në afat për të trajtuar mbetjet e vendit.

Së dyti, është shqetësimi që vjen nga moszbatimi i drejtë i ligjit, gjë që mund të sjellë  një  përkeqësim akoma më serioz të parametrave të mjedisit në vend dhe kuptohet që  ndjeshmëria në vend për ruajtjen, për mbrojtjen e mjedisit  ka ardhur duke u rritur, gjë që natyrisht, është pozitive.

Kryeministri Rama a ju ka kërkuar mbështetje për ta kaluar këtë ligj dhe  çfarë keni diskutuar për këtë?

Kohët e fundit nuk kemi pasur ndonjë diskutim për çështjen në fjalë. Unë besoj që është edhe interesi i tij që në çdo rast, në çdo miratim, të garantojë moskontestimin e ligjit dhe të zbatimit të tij.

Le të flasim për polemikat dhe replikat që kanë shpërthyer mes 3 ministrave të rëndësishëm të kabinetit qeveritar: Ministri i Drejtësisë, z. Manjani, hodhi idenë e futjes së ushtrisë në shkatërrimin e hashashit, kanabisit, duke e konsideruar një emergjencë kombëtare, ndërkohë që një propozim i tillë u prit, pse të mos themi edhe me romuze nga Ministri i Brendshëm dhe nga ministrja e Mbrojtjes. Ju e konsideroni një situatë emergjente luftën kundër  trafikut të bimëve narkotike?

Pa asnjë diskutim, besoj se kjo është një çështje serioze, e cila ka krijuar mjaft probleme dhe shqetësime jo vetëm brenda vendit. Është një çështje që ka zënë mjaft vend edhe në shqetësimin e medies ndërkombëtare, të vendeve  partnere. Në këtë drejtim është çështje që duhet marrë shumë seriozisht  dhe kërkon një bashkërendim të të gjitha institucioneve brenda vendit, të policisë, prokurorisë, të Shërbimit Informativ dhe të të gjitha strukturave të tjera. Në këtë drejtim duhet bërë pa dyshim shumë më tepër, duhet bërë që në fazën e parë, parandaluese, të moslejimit të mbjelljes, pasi fazat e tjera, sigurisht, e bëjnë çështjen shumë më të vështirë dhe dëmtojnë imazhin e vendit në tërësi.

A duhet  të përfshihet ushtria?

Unë mendoj se çdo institucion që mund të japë kontributin tij duhet të përfshihet dhe këto çështje është mirë të zgjidhen në tryezën  e qeverisë dhe të institucioneve.

A e besoni shifrën 99,8%, që të kujton një kohë të largët, të paktën mua më kujton një kohë të largët, që Ministria e Brendshme  thotë se është shkatërruar kanabisi në territorin shqiptar?

Ajo që është më e rëndësishme për mua është të parandalohet mbjellja e kanabisit. Ky është suksesi më i rëndësishëm që mund të kishte policia, shteti, pushteti vendor,  Shërbimi Informativ dhe të gjitha institucionet, pasi në çdo rast mbjellja e tij është një investim, të cilin e bëjnë jo thjesht vetëm grupet kriminale, të cilat përpiqen ta menaxhojnë këtë fenomen, por edhe njerëzit, të themi viktimat e këtij trafiku, të cilët e shohin atë si një rrugë  të shpejtë për të investuar  diçka dhe për të fituar sa më shpejt.

Kështu që, në këtë drejtim, suksesi më i rëndësishëm është parandalimi dhe kontrolli i territorit.

Në opinionin publik po shtrohet terreni për të legalizuar përdorimin e drogave të lehta, të hashashit për shembull, ju e mbështesni këtë ?

Unë them se në çdo rast ky është një fenomen, i cili duhet luftuar, nuk duhet krijuar kurrsesi iluzioni që kjo është një rrugë me interesa apo leverdi për familjet shqiptare, ose për shoqërinë shqiptare, sepse pasojat sociale do të jenë mjaft të rënda. Unë besoj se kemi filluar të shohim sinjale të qarta të asaj që mund të ndodhë nesër.

Në rast se do të duhet të kemi një legalizim të kanabisit për arsye të industrisë farmaceutike, atëherë kjo është një gjë që mund të bëhej, dhe natyrisht që kërkon konsensus në çdo rast, dhe të jetë një proces, i cili kontrollohet në mënyrë tërësisht transparente nga shteti, dhe si një mundësi për të pasur një rritje të të ardhurave, por në interes të shtetit dhe të qytetarëve dhe kurrsesi të grupeve kriminale.

Pra, nëse e kuptova saktë, jeni pro idesë së z. Kokëdhima, që kanabisi të lejohet për arsye mjekësore dhe destinacion mjekësor dhe industrial?

Kjo çështje kërkon një zgjidhje konsensuale, sepse jam i bindur që askush nuk mund të marrë një vendim pa konsensus, dhe në çdo rast që mund të ketë një zgjidhje të tillë, duhet të jetë e qartë se kjo është në interes të shtetit dhe të qytetarëve dhe kurrsesi të grupeve kriminale.

Për trafikun thatë se është bërë shqetësim edhe i shtypit perëndimor. Po në takimet që keni pasur me homologë ose me politikanë të rëndësishëm gjatë vizitave tuaja, ju është shprehur shqetësimi për kanabisin dhe për drogat e tjera që vijnë nga Shqipëria?

Padyshim, kjo është një çështje që klasifikohet si pjesë e krimit të organizuar, në radhë të parë është një shqetësim për vendet kryesore partnere, por edhe që ndajnë kufirin me ne, si Italia apo Greqia, po natyrisht që është bërë shqetësim përtej këtyre vendeve.

Reflektimi në disa media ndërkombëtare i këtij fenomeni tregon se është një shqetësim që duhet adresuar shumë seriozisht se sa deri tani, dhe mbi të gjitha duhet parandaluar që në momentin e parë të mbjelljes. Sepse më pas do të jetë shumë më e vështirë për ta luftuar, por edhe çdo luftë më pas, qoftë edhe  përmes shkatërrimit dhe gjithçkaje tjetër, është një përkeqësim i imazhit të vendit, sepse evidenton akoma më tej ekzistencën e këtij fenomeni.

Opozita, në rastin më të mirë thotë se mbjellja e hashashit është toleruar nga strukturat e policisë, ndërsa në akuzën më të ashpër thotë se kjo është bërë edhe me pëlqimin e Ministrit të Brendshëm, pse jo edhe të Kryeministrit. Ka pasur akuza konstante, të përhershme…

Është normale që opozita të akuzojë vazhdimisht. Ajo që është e rëndësishme është se opozita vetë ka përgjegjësinë e saj për ekzistencën e këtij fenomeni, edhe përpara vitit 2013 dhe njëkohësisht duhet të kuptojmë të gjithë se kjo çështje duhet të na çojë drejt një konsensusi për t’i dhënë një zgjidhje të qartë, të plotë dhe përfundimtare.

Z.Meta, do të doja ta vazhdonim intervistën lidhur me jehonën që ka pasur vizita juaj në Athinë, e cila ende po shkakton polemika. Më e fundit ishte ajo e kryetarit të PDIU-së, i cili në mbledhjen e tij të fundit publike, aludoi qartë dhe fare hapur kundër jush. Po ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë: a i keni shitur interesat e Çamërisë në takimet që patët me ta në Athinë?

Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e folklorit lidhur me këtë çështje që e konsideroj një çështje mjaft të rëndësishme dhe serioze, e cila meriton një zgjidhje dhe që mund ta ketë një zgjidhje, sipas vlerësimit tim, vetëm përmes dialogut dhe mirëkuptimit me Greqinë. Sepse unë personalisht nuk shoh asnjë zgjidhje të njëanshme,  duke shmangur dialogun me Greqinë.

Në rast se dikush tjetër ka një zgjidhje të  njëanshme, duhet të na e thotë dhe në rast se e vlerësojmë që kjo është zgjidhja e duhur, nuk kemi asnjë arsye përse të mos e mbështesim.

Bindja ime e plotë është që kjo zgjidhje do të vijë vetëm përmes dialogut dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë. Kjo është një plagë që ka ndodhur në të kaluarën; kjo është një plagë që nuk është mbyllur; kjo është një plagë që duhet shëruar dhe mund të shërohet vetëm me  një dialog të mençur dhe të kujdesshëm.

Për sa u takon qëndrimeve të mia ato kanë qenë publike dhe besoj se edhe qëndrimet në gazetën “Kathimerini”, që është gazeta më serioze e shtypit grek, kanë qenë mjaft të qarta edhe për çështjen çame, edhe për ligjin e  luftës, edhe për çështje të  tjera të së kaluarës.

Përmendët gazetën “Kathimerini”, por artikulli i fundit i saj në lidhje me këtë çështje thotë se pas PDIU-së qëndron Erdogan. Ju mendoni se…

Nuk merrem me komentet e gazetës “Kathimerini, por merrem me qëndrimet e mia të dhëna për këtë gazetë.

Në shtyp, sidomos në media, është  spekuluar se gjatë bisedimeve që ju keni pasur me  kryeministrin Tsipras është  rënë dakord që ata të heqin ligjin e luftës, por me kusht që  në Tiranë të mos  brohoritet fitore. Mund ta konfirmoni këtë gjë?

Ajo që mund të konfirmohet është se kjo ka qenë një vizitë në kuadrin e shkëmbimit në nivelin më të lartë të kontakteve parlamentare. Nuk ka qenë një vizitë, e cila ka marrë përsipër të diskutojë apo të zgjidhë çështje të caktuara, sepse i takojnë diplomacisë dhe  ekzekutivit, por,  pa dyshim, është hapur edhe kjo çështje nga ana ime.

Unë mund t’ju them se nuk shoh një partnere më të disponueshme për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sesa qeveria aktuale, pasi mendoj se qeveritë e tjera që do të vijnë në Greqi do të jenë më të vështira  për të diskutuar çështje të tilla.

Kështu që duhet të mendojmë me shumë kujdes dhe mirëbesim që të trajtohen këto çështje, të vihen në rrugën e zgjidhjes dhe të ndikohemi sa më pak nga presionet politike apo elektorale.

Interesante kjo që thatë, që bëtë dallimin midis qeverisë së Tsiprasit dhe qeverive që kanë qenë ose që mund të vijnë pas tij. E thatë që është më pozitive në  qasjen ndaj shqiptarëve…

Mund ta  shohim edhe për çështjen ndaj emigrantëve.

Çfarë ka ndryshe?

Është një qeveri shumë më e hapur, e gatshme për t’u dhënë edhe shtetësinë fëmijëve të emigrantëve, që lindin atje, por edhe për t’u zgjidhur shumë probleme, shumë pengesa praktike e burokratike që ata kanë. Kjo është një qasje publike e Syriza-s për integrimin më të plotë të tyre.

Si mendoni ju, sa kohë duhet që të zgjidhet çështja çame dhe si? Pas z. Berisha, ju jeni politikani më jetëgjatë dhe më me influencë në jetën politike të këtyre 25 vjetëve. Si e mendoni ju zgjidhjen e çështjes çame?

Në radhë të parë, unë e mendoj te rritja e mirëbesimit midis palëve. Mendoj se kjo është thelbësore. Njëkohësisht, kuptohet që çdo zgjidhje duhet të vijë si rezultat i një garancie se nuk do të ketë një tejkalim të së drejtës. Po ashtu, mjaft e rëndësishme është të kuptojmë edhe qëndrimin e palëve, pra të mos kuptojmë vetëm qëndrimin e palës sonë dhe argumentet e saj, por të kuptojmë edhe qëndrimin e palës tjetër dhe mundësitë apo pamundësitë e saj për ta trajtuar çdo çështje të së kaluarës në mënyrën më të mirë.

Prandaj, unë them se ka shumë rëndësi klima, ka shumë rëndësi një arritje e një marrëveshjeje kuadër për të gjitha këto çështje, e cila të jetë e pranueshme dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare, me konventat ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë të dyja vendet, dhe me standardet europiane.

Për mua thelbësore në radhë të parë është shfuqizimi formal i ligjit të luftës, i cili hap rrugën edhe për shumë zgjidhje të tjera, të cilat janë elemente të rëndësishme të kësaj çështjeje, që ne e konsiderojmë “çështja çame”.

Çfarë kuptuat nga takimet që patët me nivelet më të larta në Athinë? Do ta heqin ligjin e luftës? Çfarë ju premtuan atje?

Për këtë çështje nuk mund të them asgjë, por, pa dyshim, mendoj se ka një disponim pozitiv për të ecur drejt zgjidhjes së çështjeve të së kaluarës. Kjo do të varet nga vetë dinamika e marrëdhënieve, prandaj unë gjithmonë kam apeluar për të rritur frymën e mirëbesimit midis palëve dhe jo për t’i fryrë frymës së mosbesimit.

Duhet të kemi parasysh që në Greqi, përveç qeverisë, është edhe opozita, edhe opinioni publik. Natyrisht, në çdo vendim që qeveria do të marrë atje, do të ketë në konsideratë edhe këta faktorë, sikurse edhe këtu që për çdo vendim që qeveria merr, ka parasysh edhe opozitën, edhe opinionin publik. Mjafton të duken fare pak shkëndija në horizont për të frenuar vendime të rëndësishme dhe të mëdha.

Pra, kanë dëshirën për të hequr ligjin e luftës dhe nuk kanë votat në parlament?

Mund të them se kanë dëshirë për t’u dhënë problemeve të së kaluarës një zgjidhje sa më të drejtë.

Ndërkohë, u duk sikur vizita juaj e qetësoi fqinjin jugor, por 3-4 ditë, pasi ju u kthyet, patëm një demonstrim force nga ministri i Jashtëm Kotzias, i cili përmendi që Greqia ka 10-fishin e GDP-së sonë, që ka mbrojtje të disafishtë e kështu me radhë, pra ishte një tregim force. Si e gjykoni ju këtë, apo ka qenë një përgjigje ndaj deklaratave të Ramës dhe Bushatit?

Unë mendoj se qëndrimet, që ju theksuat se janë shprehur nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, në fakt, janë të panatyrshme, duke pasur në konsideratë profilin e tij si intelektual, si profesor, si ekspert i ligjit dhe i të drejtave të njeriut. Duke parë edhe vullnetin e tij pozitiv në tërësi për përmirësimin e marrëdhënieve, por edhe nga takimi që pata me të dhe nga klima që lexova në Greqi në tërësi, kam vënë re se ai personalisht ka qenë në një pozitë të vështirë, sidomos pas deklaratave të Komisionerit Hahn. Sepse ka qenë mjaft i akuzuar nga opozita në mënyrë të veçantë, por edhe nga shtypi dhe opinioni publik sikur nuk i ka mbrojtur siç duhet interesat e vendit të tij.

Mendoj se ka qenë më shumë një intervistë për opinionin  publik atje sesa një mesazh për Shqipërinë, për më tepër që ka qenë një intervistë komplekse që prekte marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e Greqisë dhe jo vetëm marrëdhëniet me Shqipërinë. Dihet që Greqia ka marrëdhënie të vështira edhe me Maqedoninë, edhe me Turqinë gjithashtu. Nuk është kjo baza e qëndrimit tonë, pra një reagim i momentit.

Për mua mbetet e rëndësishme që ne të tregojmë vullnet pozitiv për përmirësimin e marrëdhënieve dhe për trajtimin me mençuri të të gjitha çështjeve, duke përfshirë edhe çështjen çame, sepse ne jemi të interesuar dhe vetë komuniteti është çam është i interesuar për zgjidhjen dhe nuk është i interesuar thjesht për retorikë. Pra, duhet të punojmë më shumë për rezultate sesa për të zhvilluar më tej retorikën.

Deklaratën e Komisionerit Hahn e shikoni si diçka rastësore, personale, apo si një ndryshim qëndrimi të Bashkimit Europian dhe sa ndikon ajo në vijim?

Unë nuk mund të flas në emër të Bashkimit Europian, por mund të them se këtë deklaratë e kam parë si një tregues të vullnetit pozitiv të Komisionerit Hahn, edhe si përfaqësues i Bashkimit Europian, për të nxitur zgjidhjen me dialog të çështjeve të së kaluarës, duke përfshirë edhe çështjen çame, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo që mund të them është se në çdo rast kjo deklaratë është pozitive, por gjithmonë zgjidhja për këtë çështje dhe për çështje të tjera do të vijë pa asnjë diskutim nga një dialog Shqipëri-Greqi Dhe për këtë duhet punuar pa u lodhur.

Ndërkohë, z. Idrizi është shprehur se nuk do të lejojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në Luginën e Vjosës, nëse nuk ndërtohet një memorial për ata që janë viktima të gjenocidit, të shpërnguljes së çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ju mendoni se duhet të kemi një qëndrim ndaj Greqisë, të ndërtuar mbi parimin e reciprocitetit apo duhet të kemi frikë nga një veto e mundshme e Greqisë në raport me proceset e integrimit?

Mendoj se në raport me Greqinë duhet të investojmë për të rritur mirëbesimin midis dy qeverive, dy vendeve, dy popujve, sepse më e rëndësishme për ne është të çojmë në vend të gjitha këto padrejtësi që vijnë nga e kaluara, të rivendosen të drejtat e shqiptarëve të larguar nga Greqia dhe për këtë na duhet një klimë sa më e mirë, sa më pozitive, sa më mirëbesuese.

Po aq polemika sa shkaktoi vizita juaj në Athinë, aq shkaktoi edhe vizita e kryeministrit dhe takimet që pati ai me homologun serb Vuçiç në Beograd dhe në Nish.

Ju,  si i shikoni këto polemika? I prisnit? Apo, për të qenë më i drejtpërdrejtë, a gaboi Rama në Beograd dhe në Nish?

Nuk kam qenë shumë i vëmendshëm për arsye se kjo vizitë ka ndodhur pak a shumë në të njëjtën kohë kur ishte edhe vizita ime në Greqi. Megjithatë mendoj se raportet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë më se normale, ashtu sikurse është e rëndësishme të kemi një koordinim të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos përsa i takon çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me dialogun Kosovë- Serbi.

Sepse ne jemi mjaft të interesuar që ky dialog të përparojë, që marrëveshjet të zbatohen dhe, natyrisht, nëse ka polemika kjo është çështje e cila është e vështirë të evitohet, duke pasur në konsideratë se ende këto raporte shikohen me një sy të ndryshëm, do të thosha unë, nga faktorë të ndryshëm. E rëndësishme është të ecet përpara me dialog si në mes Shqipërisë dhe Serbisë, ashtu edhe midis Kosovës dhe Serbisë.

Në çdo rast dialogu Shqipëri-Kosovë mua më duket gjithmonë më i thjeshtë.

Ndërkohë kemi një deklaratë në këtë kontekst të kryetarit të shtetit shqiptar, z. Nishani, i cila tha se prioritetin dhe axhendën shqiptaro- serbe duhet ta përcaktojë Prishtina. Ju ndani të njëjtin shqetësim të tij, sepse është folur shumë gjatë kësaj jave që vizita dhe deklaratat e z. Rama e anashkaluan lidershipin e Kosovës, madje edhe vetë Kosovën…

Unë besoj se raportet Shqipëri-Serbi, janë raporte midis dy vendeve, të cilat kanë një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, për perspektivën e tij europiane. Natyrisht që këto raporte edhe ndikohen, edhe kushtëzohen nga raportet e Serbisë me Kosovën, por ato nuk janë marrëdhënie, të cilat janë të fokusuara apo janë të kushtëzuara vetëm nga kjo çështje.

Shqipëria dhe Serbia kanë angazhimet e tyre në shumë aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, edhe si një kusht për integrimin evropian të të dyja vendeve, kështu që unë besoj se ka vend për një bashkëpunim akoma më aktiv midis Shqipërisë dhe Serbisë, ashtu sikurse ka vend për një dialog të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, që nuk lejon asnjë lloj keqkuptimi, qoftë edhe të krijuar nga mediet.

Si gjithnjë faji i medias…  

Media, kuptohet, reflekton qëndrimin e politikanëve, qëndrimin e analistëve, qëndrimin e faktorëve të ndryshëm.

Qëndrojmë te një mbledhje e qeverisë, që u zhvillua në Gjirokastër, pa ministrat e LSI-së. Çfarë përshtypje ju la?

Nuk kam as përshtypje e as informacion, por mund të ketë mbledhje, s’ka asnjë problem, të Kryeministrit me ministrat e Partisë Socialiste. Nuk është mbledhje qeverie, është një mbledhje informale.

Në çfarë niveli janë marrëdhëniet tuaja me Partinë Socialiste?   

Mendoj se janë marrëdhënie normale bashkëpunimi.

Kur rivalët tuaj për postin e kryetarit të LSI-së, sidomos z. Spahiu, flasin me terma shumë më të ashpër ndaj Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama, çfarë ndjesie keni kur i dëgjoni bashkëpunëtorët tuaj aktualë?

Është një e drejtë e tyre, është një konkurrim i tyre, është një platformë e tyre, që në fund të fundit do të votohet më 6 nëntor.

Ju a ndani të njëjtin shqetësim me ta?

Unë ndaj një filozofi pak më ndryshe, e cila bazohet te qëndrueshmëria ndaj marrëveshjeve, qoftë dhe në mënyrë të njëanshme, dhe te vendosmëria për t’u qëndruar marrëveshjeve qoftë dhe në mënyrë të njëanshme.

Kur thoni “të njëanshme”, do të thotë se pala tjetër e kësaj marrëveshjeje është duke e prishur këtë marrëveshje? 

Nuk thashë këtë gjë. Unë thashë qëndrimin tim. Pra, e mirëkuptoj padurimin apo ngacmimin e cilitdo në LSI, për një arsye apo për një tjetër, por kjo nuk më çon në reagime të nxituara, kjo sipas mendimit tim.

Por a mendoni që ka ardhur koha për të marrë një vendim se çfarë do të bëni me koalicionin? Do ta ripërsërisni këtë kontratë?

Ne po vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona në  koalicion sipas marrëveshjes së Shkodrës.

Afrimin e PDIU-së në këtë koalicion e shikoni si një kërkesë të z. Rama për t’ju shmangur nga bashkëqeverisja?

Ne nuk kemi asnjë shqetësim të tillë, përkundrazi, LSI-ja ka një rol të qartë në të ardhmen. Ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme e qeverisë, ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri.

Pra, ju i keni të dyja opsionet në tavolinë. Edhe koalicionin…

LSI-ja në çdo rast do të jetë një forcë që do të ketë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen në jetën politike të vendit. Kjo besoj se është më e rëndësishme për LSI-në.

Duke pasur parasysh sistemin elektoral partitë kryesisht detyrohen të lëvizin drejt krijimit të koalicioneve. Ju keni 3 mundësi për të krijuar koalicion. Të qëndroni te ky që jeni, të ktheheni te koalicioni me Partinë Demokratike dhe tek ajo që keni bërë në vitin 2009 që drejtuat një koalicion tuajin si poli i tretë. Cila prevalon nga  këta 3 skenarë?

Unë besoj se LSI-ja do të marrë vendimin më të drejtë në kohën e duhur. Ky nuk është një vendim që mund ta marr unë që sot jam më shumë një kandidat për kryetar se sa një kryetar i LSI-së. Ky do të jetë një vendim i forumeve të kësaj force politike dhe do të jetë vendimi më i drejtë, besoj unë.

Forumet votojnë një propozim dhe propozimin kryesisht e bëjnë kryetarët…

Të shikojmë se çfarë do të ndodhë dhe mbi të gjitha të shikojmë rezultatin e zgjedhjeve të datës 6 nëntor të LSI-së.

Rezultatin e zgjedhjeve të 6 nëntorit?

Po. Kemi zgjedhjet për kryetar në datën 6 nëntor.

E ngatërrova me zgjedhje të tjera. Kujtova se mos prisnit zgjedhjet në Amerikë.

Ato nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet tona.

Me lejoni të këmbëngul pak. Po kalon viti i tretë. A keni ndonjë bilanc qoftë dhe provizor të këtij koalicioni?  Keni bërë mirë që keni hyrë apo keni gabuar? Si do ta perceptoni?

Absolutisht që vendimi ynë për këtë koalicion ka qenë i drejtë. Mendoj se ka disa arritje të rëndësishme pozitive. Janë disa reforma të rëndësishme të cilat janë realizuar, apo janë në proces, por, pa dyshim që ka shumë vend për përmirësime për t’i realizuar këto reforma me një gjithpërfshirje edhe më reale, për të ruajtur gjithnjë dialogun me qytetarët, sepse  këto reforma bëhen për ta.

Çfarë duhet përmirësuar?

Në radhë të parë, klima  e biznesit mendoj që ende ka vend për t’u përmirësuar. Mendoj se duhet të kemi konsideratë se pa tërhequr investime të huaja dhe pa qenë edhe më konkurruese sesa deri tani, qoftë edhe me vendet fqinje dhe me vendet e rajonit do ta kemi të vështirë të krijojmë më shumë vende pune, më cilësore dhe më të mirëpaguara. Kaq nuk është pak, ka edhe shumë çështje të tjera, patjetër që duhen të përmirësohen.

Marrëdhëniet tuaja me Edi Ramën janë ashtu siç i mendonit më 1 prillin e vitit 2013, apo janë larg të qenit ashtu siç i parashikonit?

Unë mendoj se nga vizita në Kinë…

Po mos t’i biem nga Kina…

Jo, do t’i bie pak nga Kina, sepse është shumë interesante. Nga vizita ime në Kinë më ka ngelur në mendje mesazhi i vajzës së Deng Xiaoping, të cilën pata kënaqësinë ta takoja.

Është figurë emblematike…

Pasi me insistimin tim është botuar libri i saj në Shqipëri, për Deng Xiaopingut gjatë revolucionit kulturor dhe është botuar pa dhënë ajo një konfirmim, në respekt të së drejtës së autorit, për pamundësi në komunikim më shumë sesa për mosrespektim të kësaj të drejte të rëndësishme. Pata kënaqësi ta takoja dhe t’ia jepja këtë libër të përkthyer në shqip, i cili është ribotuar disa herë, duke pasur mjaft sukses.

Ajo më tha diçka mjaft të rëndësishme: “E ardhmja e një vendi, babai im mendonte, se e ardhmja e një vendi duhet të varet sa më pak nga një njeri ose nga pak njerëz”. Pra, e ardhmja e një vendi duhet të varet nga një sistem i konsoliduar, që prodhon garanci afatgjate për shoqërinë. Kështu që kjo besoj se kjo është një përgjigje për cilindo, që mendon se e ardhmja e një koalicioni apo e ardhmja e një vendi duhet të varet nga raportet personale të dy kryetarëve apo të tre kryetarëve e kështu me radhë.

Në këtë drejtim ajo që mund të them, është se është e rëndësishme që raportet LSI-PS në të ardhmen, si dy forcat kryesore të koalicionit aktual, të jenë edhe institucionale.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...