Published On: 17 Maj, 2017

Mesnata e “pokerit politik” të Kosovës

 Shkruan: Nehat Hyseni
Mesnata e të martës, 16 maj 2017 do të mbahet mend si “mesnata e pokerit politik të Kosovës”. Meqë afati i fundit për dorëzimin e koalicioneve garuese për zgjedhjet e 11 qershorit 2017 skadonte në orën 24:00, gjatë tërë ditës partitë politike e vunë në lëvizje të kumarit politik “sui generis”, duke mëshefur kartat në dorë secili prej secilit. Fillimisht, gjatë orëve të vona të pasdites, u publikua akti i lidhjes së koalicionit midis LDK-së dhe AKR-së së Behgjet Pacollit, që sa duket e trishtoi deri në palcë Kadri Veselin, si “debytant” apo si lider që e kishte për herë të parë dhe e bënte “sefte” pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare si lider i PDK-së. Vetëbesimi i tij i tepruar, si kapadai, i cilësuar si “kapo” i kahmotshëm i nëntokës politike kosovare, që më parë kishte luksin e konfidencialitetit, errësirës dhe konspiracionit e mostransparencës. Kurse, tani i ështe ekspozuar “reflektorëve” të publikut, që gjithçka e bëjnë transparente dhe e sfidojnë politikbërjen nëpër “skuta të errëta”, që gjatë kohë siguronte “parajsën” e veprimit të nëntokës politike kosovare. Prandaj, prishja e koalicionit qeverisës duke e luajtur lojën e “dorës së fshehur”, me parashikimet e bazuara në matematikën politike të bazuar në kalkulimin e rezultateve të zgjedhjeve të kaluara parlamentare, papritmas dolën si të dyshuara se mund të përsëriten. Prandaj, logjika e “reprizës” këtë makineri të skenës politike kosovare, befas, me një të hedhur të nënshkrimit të Behgjet Pacollit, e vuri në panikë kampin politik të PDK-së së Kadri Veselit, duke e hedhur në ujë çdo parakalkulim “gjenial” të tij. Madje, sa duket, Kadri Veseli, si kandidat i PDK-së, që e rrëzoi me dyfytyrësi apo më mirë me thënë, me pabesi e dredhi Qeverinë Mustafa, me ndihmën e opozitës me qëllim që ta zen vet karrigën e kryeministrit. Por, përnjëherë z.Veseli e kuptoi se edhe Isa Mustafa din të bëjë politikë. Duke parë se iu rrezikua seriozisht jo vetëm ëndrra për karrigën e kryeministrit, por edhe mbetja në opozitë, ai hoqi dorë nga pretendimi për kryeministër. Ishin këto momente dramatike të një kumari apo pokeri politik, ku formula e fitores qëndron në “bllofin” apo mashtrimin politik të lojës së nashtrimit tē kundërshtarit duke lizur rolin e të fortit edhe atëherë kur ke letra të dobëta apo kur ke mundësi të humbjes së sigurt. Andaj, “letrat politike” mbaheshin të fshehura deri në minutat e fundit të mesnatës së 16 majit 2017. Kamerat televizive dhe gazetarët në korridorin e KQZ-së, para zyres së regjistrimit të koalicioneve si dhe vendja e opinionit ishin fokusuar aty. Por, edhepse kaloi mesnata dhe filloi data 17 maj, asgjë nuk kuptohej, duke e shtuar kështu dramacitetin dhe ankthin e pritjes së opinionit. Sa mjeshtër të “përkryer” të konspiracionit u treguan këta mjeranë ogurzi të politikbërjes kosovare, që dështuan katërcipërisht kësaj radhe. Sepse, u pa puna se nuk munden të na shesin pafundësisht “dushk për gogla”, në momentin kur u kumtua vendimi i tyre për koalicionin PDK+AAK+Nisma, që të gjithë e dinim, madje shumë kohë më parë! Por, këtë na e demantonte Ramush Haradinaj me “vijat e kuqe” të tij, që me abrakadabrat e pokerit të mesnatës, “lugetërit” e deridjeshëm i shndërruan në “engjuj”, kurse vijat e kuqe u bënë jeshile apo të gjelbërta! Obobooooo! Sa shumë demagogji, matrapazllëk e pafytyrësi të mëdha, në këtë vend të vogël?! Dhe kjo klasë politike e pabesë, e pamoralëae e mashtruese duhet ta udhëheq Kosovën: ta zgjidhë çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Asociacionit, të ushtrisë, etj. Sigurisht se këtë do ta vendos populli, me dorë të vet, në kutitë e votimit më 11 qershori 2017, qoftë duke votuar, apo edhe duke i bojkotuar ato.

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...