Published On: 10 Gusht, 2017

Mendime mbi librin “Ikja e Madhe” me autor shkrimtarin patriot, Albert Zholi

Studiues: Harallamb Kota

Libri “Ikja e Madhe”, është i ndërtuar me mjeshtëri, ku ndërthuret arti i të shkruarit me një stil të rrokshëm e të rjedhshëm i cili më ka zhytur në meditime. Libri “Ikja e Madhe”, është vlerë artistike, letrare dhe padyshim historike. Por mbi të gjitha është vlerë kombëtare, pasi pasqyron me ngjarje të jetuara, reale, situatat dramatike të emigrantëve shqiptar në Greqi dhe qëndrimin mospërfillës të një Qeverie  “Demokratike” në Shqipëri.

Këto mendime janë  shumë pak për një libër tepër të madh, pasi histori kaq reale dhe të mbushura me emëra emigrantësh shqiptar, mes tyre personalitete të njohura, të letrave, historisë, kulturës dhe shkencës shqiptare, radhë kush mund t’i shkruaj.

E them këtë, pasi historiografia shqiptare vuan nga tematikat e dhimbshme lidhur me trajtimin e shqiptarëve të larguar nga atdheu i tyre të emigruar në vende të ndryshme të rruzullit tokësor. Historiografia shqiptare vuan nga evidentimi i kontributeve të bashkkombasve tanë që shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare me studimet e tyre shkencore me botime letrare e kulturore, me fitimin e medaljeve apo shkëlqimin e tyre në fusha të ndryshme, të artit dhe të sportit. Kur them historiografia, “vaj medet” administrata e lartë shtetërore apo institucionet përgjegjëse në vartësi të saj. Një ndër justifikimet “rutinë dhe të pështirë” që “mbrohet” administrata shqiptare, është “mungesa e fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit”.

Shterpësia mendore dhe mungesa e inisiativave për të mbështetur artin dhe kulturën e shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, është pasojë e ambicieve të sëmura të stimuluara nga grupime njerëzish mediokër dhe militant të partive politike të cilët kanë pushtuar zyrat e administratës shtetërore.

Militanti dhe i paafti, nuk mund të jetë atdhetar, si pasojë nuk mund të ketë dashuri për bashkkombasit e tij, por vegjeton dhe mendon për interesat partiake dhe të vetes së tij.

Mjaft intelektual shqiptar të emigruar në dhe të huaj, u tjetërsuan dhe mohuan atdheun e tyre origjinor. Kjo dukuri u pa dhe po shihet ende edhe sot nga poet shqiptar, të cilët i kanë thurur dhe i thurin himne “mitologjisë helene”, duke synuar të marrin lavdërime dhe të përfitojnë lehtësira individuale e familjare nga shteti grek.

Albert Zholi, ndryshe nga këta intelektual, emigroi në Greqi dhe nuk ndoqi udhën e të paudhëve, por atë të patriotëve shqiptar, duke u kthyer në pishtar për qindra dhe mijëra shqiptar të pafat që kaptuan male e lumenj dhe përshkuan në këmbë, zbathur e të uritur, qindra kilometra udhë tokësore, natën e ditën, në të ftohtë e në shi, të përgjuar e të ndjekur nga rojat kufitare greke e qentë e tyre, për të mbritur diku dhe për të siguruar një punë.

Odisea e shqiptarëve që përshkruan Albert Zholi në librin “Ikja e Madhe” është tronditëse. Kohërat e vështira pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe kapitullimi ekonomik me falimentimin e firmave piramidale, i detyruan shqiptarët të emigronin në shtetin grek. Përshkrimi i këtyre situatave dhe i dramave njerëzore të ndodhura në ambjente të ndyshme në qytezat greke, në rrethinat e Athinës apo brenda mjediseve të superpopulluara të kryeqytetit grek, janë dëshmi rrënqethëse të një kohe “homerike” në fundin e shekullit të 20.

Libri “Ikja e Madhe” me autor Albert Zholi, e hap siparin me Rilindasin e madh Aristidh Kola, i cili ka përfaqësuar penën, kulturën dhe diturinë e popullit arvanitas në Greqi dhe ka mbrojtur origjinën e tyre shqiptare. Dhënia e titullit “Qytetar Nderi” nga Kuvendi Komunal i qytetit të Skënderajt, rilindasit Aristidh Kola, është një gjetje e zgjuar dhe një dëshmi e ndjenjave atdhetare të kësaj treve shqiptare në Kosovën martire. Duke vendosur në krah të Aristill Kolës shkrimtarin e madh shqiptar Dritëro Agolli dhe shkencëtarin e shquar Moikom Zeqo, autori Zholi ka synuar lidhjen e munguar midis personaliteteve të shquara shqiptare të ndara nga kufiri midis dy shteteve. Trajtimi i problemeve kosovare, lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe shkëputje nga Serbia, ndërgjegjësimi i mediave dhe i popullit grek lidhur me këtë luftë, është një synim madhor i autorit Zholi dhe një përkushtim i madh patriotik që e lartëson atë, pasi jo të gjithë marrin përsipër ngarkesa të kësaj natyre, të cilat të krijojnë situata të vështira morale, familjare dhe ekonomike. Këto situata përballoi me vetmohim autori Albert Zholi gjatë qëndrimit në Athinë.

Libri “ Ikja e Mdhe”, është kompozuar me mjeshtëri nga autori Zholi, duke i paraqitur ngjarjet e emigrantëve rjedhshëm dhe kronologjikisht, sikur ndodhesh para një seri tabllosh të pikturuara nga dora e një mjeshtri të madh, apo sikur sheh një film ku pasqyrohet me shumë seri, drama e një populli të keqtrajtuar nga shteti grek dhe të braktisur nga shteti shqiptar.

Sidoqoftë mesazheve të shumta lidhur me fatkeqësitë e popullsisë shqiptare të emigruar në Greqi dhe keqtrajtimit të saj nga autoritatet greke, autori Zholi, nuk mungon të japë mesazhe shprese për mbijetesën e tyre dhe normalizimin e marrëdhënieve midis të dy popujve kufitar.

Duke lexuar librin “Ikja e Madhe” me autor patriotin e shquar Albert Zholi, lexuesi njihet me të vërteta historike të asaj periudhe të vështirë për popullin shqiptar, me emigracionin klandestin, me ndërlikimet e jetesës në Greqi, me luftën për mbijetesë, përballjen me poshtërimet racore dhe përpjekjen mbinjerëzore të shqiptarëve për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Albert Zholi, e ka kaluar provën e mbijetesës, duke u përballur  me policinë greke, me ultra nacionalistët grekë dhe me elementin antishqiptar në Greqi. Shumë personalitete shqiptare, të emigruar në Greqi, midis tyre Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Spartak Braho, Nasho Jorgaqi, Irakli Koçollari, Mihallaq Qilleri, Agim Pipa, Lirio Nushi, Arben Llalla e Floriana Paskali etj, gjetën përkrahje në Greqi nga bashkatdhetari i tyre Albert Zholi.

Eshtë në nderin e tyre të kujtojnë mikun e tyre Albertin dhe të shkruajnë për ditët e vështira që kaluan në Greqi.

Studiues: Harallamb Kota

Tiranë 19.07.2017

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...