Published On: 18 Nëntor, 2016

Mbi papërgjegjësinë dhe injorancën

Dren Dushi
Tek në vitin 1950 institucionet arsimore të Jugosllavisë morrën njëzet studentë shqiptarë, dhe se në këtë periudhë ne kishim rreth 73 % të popullsisë analfabetë. Nuk do mend të kuptohet pse ne ende kemi probleme të mëdha në perceptim, shprehje, analizim e aq më pak kritikë me bazë. Arsyetimi është i thjeshtë, nëse në vitin 1950 ne kishim 20 studentë dhe shumicën e popullsisë analfabete, atëherë i bie që edhe brezat e më vonshëm, ndonëse mund të mos kenë qenë analfabetë, kanë pasur prindër ose gjyshër të tillë.
Emancipimi intelektual është proces relativisht kompleks, duke qenë se varet jo vetëm nga brumi gjenetik (si faktor primar) por edhe nga rrethanat e individit. Kjo do të thotë që kot lind një njeri me një koeficient të lartë intelegjence, kur prindërit e tij janë analfabetë, dhe prindërit e shokëve të tij janë po të tillë. Rrjedhimisht, gjeneratat tona të pas 1950, nuk përfaqësojnë (në shumicë dhe përgjithësi jo plotni) një emancipim intelektual, të tillë që të japin zgjidhje për probleme të cilat shkaktohen po nga mungesa e një njohje të thellë analititke dhe perceptuese. Ne mund të kemi tash individë me arritje të mëdha, e që kanë qenë me prindër analfabetë, por kjo nuk është “mostër” reprezentuese. Pastaj, pak kush nga shqiptarët e Kosovës mund të kenë prindër të cilët kanë pasur prindër jo analfabetë ose gjysëm-analfabetë.
Për të thjeshtësuar këtë, nëse ke lindur në vitiet 50’ në Kosoovë, je me rrethana më të pavolitshme në raport me vitet 60’, 70’ dhe 80’. Këto të fundit ishin “frymëmarrje” për emancipimin intelektual të shqiptarëve dhe se kjo dëshmohet mirë me faktin që Kosova arriti të prodhojë edhe shkenctarë e intelektual të mirë gjatë kësaj periudhe, meqë, përveq Universitetit të Prishtinës, infrastrukturë arsimore ishin edhe universitetet tjera në Jugosllavi. Natyrisht, që dy-tri dekada normalizim në këtë aspekt nuk mjafojnë që një shoqëri të arrij vetëdije minimale për kompleksitetin social gjithënjë në rritje në botën bashkëkohore. Në vitet 90’ Kosova prap i’u kthye kaosit (në krijimin e brezave të rinjë) dhe në vitet 2000’+ “komandantllëkut intelektual” e partizimit të Universitetit.
Nga këto zhvillime, sot Kosova ka gjenerata të cilat në krye të institucioneve arsimore shpesh kanë pasur individë jo-adekuat dhe pa njohuri rreth çështjeve edukativo- arsimore. Por nuk janë vetëm këta faktorë përcaktues për dështimin tonë arsimor, i lehtë pandehshëm madje edhe në qarqet e “elitës” të cilën e kam quajtur “elita e tranzicionit kaotik” teksa mllefoset dhe skuqet gjatë debateve, dhe nuk janë në gjendje të ndërtojnë një pyetje të thjeshtë e logjike, ndonëse thirren në emra të ndryshëm si: “analistë, kryeredaktorë, gazetarë” etj. Faktori tjetër është niveli i zhvillimit ekonomik, dhe përmbysja e “piramidës” që ndodhi së voni në Kosovë, duke zëvendësuar profesionistët e paktë me militantët e shumtë ( e lehtë kapshme kjo nëse dëgjojmë disa nga bisedat grabovciane).
Zhvillimi i ulët ekonomik (gjendje normale nëse marrim faktorët e sipër përmendur) zëvendëson shkollimin adekuat me një shkollim “shkel e shko”. Shumë nga studentët e Kosovës kanë probleme ekonomike marrë parasysh gjendjen me punësim dhe kapacitetet ekonomike të Kosovës në raport me natalitetin. Kjo shkakton një depresion dhe mungesë shprese te studentët, të cilët detyrohen të lexojnë skripta në vend të librave që kushtojnë shumë, dhe kjo gjendje psikologjike dhe shpirtërore e tyre reflektohet edhe te aftësia e tyre studiuese, por edhe intelekt-ndërtuese.
Rrjedhimisht, ne fare lehtë mund të konstatojmë, pa i futur edhe shkollim-bizneset private në këtë shpjegim, se Kosova ende pas shumë dekadave vazhdon të jetë në një anomalitet arsimor. Por nuk mbaron me kaq, pjesa që shkëputet nga gjendja e përgjithshme, pra pjesa që përfaqëson intelegjencën e re në krijim e sipër, konstaton se ambienti në Kosovë është anti-intelekt, anti-shkencë dhe anti-vlerë duke i bërë këta që të largohen nga Kosova, për t’a varfëruar edhe më shumë Kosovën në aspektin e intelegjencës.
Në këto rrethana, nuk duhet çuditur me (pa)reagueshmërinë e shoqërisë së Kosovës ndaj skandaleve, papërgjegjësisë së elitës politike, idiotsisë së mediave, izolimit, varfërisë, inflacionit e deri te vrasjet e vetëvrasjet, në kohë të tilla, idiotsia është në fokus, e kundërta e saj në heshtje, por që do të kishte një reagueshmëri të lartë, nëse ju krijohet mundësia e ikjes.
Ku mbetet zgjidhja?
Po supozojmë se japin zgjidhje të mirë, por shtrohet pyetja, kujt do t’i shërbehej kjo zgjidhje? Natyrisht, nëse respektojmë konstatimet e më sipërme zgjidhja nuk ka kujt i shërbehet, meqe sado e mirë të jetë ajo, do të binte ndesh me interesat e elitës aktuale politike. Rrjedhimisht, zgjedhja është te ndryshimi i kësaj elite (po qe se është e mundur). Por këtu na vjen një tjetër pyetje, a mund ky nivel emancipimi dhe këto rrethana të pa-favorshme të krijojnë mundësi për grupime të reja politike reformuese dhe evolutive. Për të dhënë këtë përgjigjie duhet të presim mbase një kohë, të shohim nëse Kosova, në këto fazat e krizave të ndryshme, ka arritur të kuptoj diçka, nëse jo Kosova, të paktën një elitë e re.
Ndryshimi në Kosovë nuk do të vijë nga poshtë-lart (kush nga poshtë?), por nga lart-poshtë (një elitë e re). Nëse një grup (i vogël) intelektualësh arrijnë të bashkëpunojnë dhe fillojnë të hartojnë një platformë për zgjerim të ndikimit të tyre (marrë parasysh që kjo do të pengohet nga mediokriteti) atëher Kosova ka shpresë që në 10 vitet e ardshme të ketë një gjendje më të mirë e cila mbase do të kishte efekt në ngushtimin e hapsirës për mediokritetin dhe kaosin, si shkaktues i shumë dëmeve në procesin e shtet-ndërtimit bashkëkohor. Deri atëher, Kosova do të jetë siç është tash, me probleme nga ekonomia e arsmimi, e deri te vrasjet e vetëvrasjet, por më e dhimbshme se kjo, te mos-reagimi ndaj tyre.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...