Published On: 29 Maj, 2017

Mbi 2 mijë monitorues, në zgjedhjet e 11 qershorit

Procesin e zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë do ta monitorojnë organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afati për aplikim për mbikëqyrje të këtij procesi do të mbyllet më 4 qershor.

“Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e vendeve të huaja, dhe media mund ta dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u akredituar për vëzhgimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve është nga data 11 maj deri më 4 qershor 2017”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, vetëm para disa ditësh nga përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se vetëm Bashkimi Evropian do të angazhojë rreth 100 vëzhgues të procesit zgjedhor në Kosovë dhe se sipas tyre ende nuk dihet saktësisht numri i vëzhguesve, pasi që procesi i akreditimit ende nuk ka përfunduar.

Artan Murati nga KDI ka thënë për portalin Arbresh.info se koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim i udhëhequr nga KDI-ja, edhe këtë herë do të monitorojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Fillimisht, DnV do të ketë të angazhuar diku 70 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të monitorojnë fushatën paraelektorale dhe proceset tjera para zgjedhjeve. Pastaj, në ditën e zgjedhjeve DnV do të ketë mbi 2000 monitorues në të gjithë vendin, përfshirë këtu komunat me shumicë serbe”, tha ai.

Sipas Muratit, procesi do të monitorohet edhe përmes Qendrës së Thirrjeve me mbi 100 persona do të marrë informata të vazhdueshme nga tereni, kudo që ndodhen vëzhguesit tanë.

“DnV do të raportojë në periudha të ndryshme mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 11 qershor”, theksoi ai.

Në OSBE kanë thënë për portalin Arbresh.info se ky mision do të ofrojë asistencë teknike për komisionet komunale zgjedhore në katër komunat veriore të Kosovës, por nuk do t’i monitorojë këto zgjedhje.

“Si herëve tjera, Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk do t’i monitorojë as këto zgjedhje. KQZ ka kërkuar nga Misioni që të ofrojë asistencë teknike për komisionet komunale zgjedhore ne katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok), si dhe përkrahje teknike për këshillat e vendvotimeve, përsëri në katër komunat veriore,” thonë në OSBE.

Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar praninë e ekipeve të vëzhgimit gjatë zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka paralajmëruar se monitorim do të ketë edhe nga vende të ndryshme nga e gjithë bota, për të dëshmuar dhe garantuar një proces të rregullt dhe transparent. /arbresh.info

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...