Sport Sporti Nderkombetar

Majkëll Felps humb në garën e oqeanit, dy sekonda më i ngadaltë se peshkaqeni

“Peshkaqeni” i Baltimores kundër peshkaqenit të bardhë. Dueli për supremacinë e oqeanit shndërrohet në një blof të madh mes tifozëve të notarit amerikan Majkëll Felps. Ngjarja televizive, e transmetuar në “show”-n televiziv “Discovery Channel” dedikuar “Javës së peshkaqenit”, nuk i ka respektuar pritshmëritë, ndonëse u transmetua në 220 shtete.

Sfida emocionuese në 100 metra mes notarit, që krenohet me 23 titujt olimpikë të fituara dhe kafshës më grabitqare të oqeanit, u zhvillua dhe u nda në vijën e finishit për vetëm dy sekonda. Megjithatë, gara nuk u mbajt në kohë reale. Me një pendë të vetme për të rritur shpejtësinë e tij (9.5 km/h) dhe nën mbikëqyrjen e ekspertëve dhe zhytësve, Felps notoi në brigjet e Afrikës së Jugut i vetëm dhe jo përkrah peshkaqenit të bardhë, sikurse ishte imagjinuar nga tifozët e tij.

Në sajë të efekteve speciale me kompjuter, dukej që sportisti më i dekoruar i të gjitha kohërave notonte ngjitur me peshkaqenin, por të ndarë nga një vijë si në një pishinë olimpike, duke krijuar idenë se të dy protagonistët ishin duke notuar së bashku. Në fund, koha e shënuar nga peshkaqeni ishte 36.1 sekonda ndaj 38.1 sekonda të 32-vjeçarit nga Merilend.

“Nuk kemi qenë në ujë në të njëjtën kohë. E di që kjo është pyetja që të gjithë kanë bërë gjatë javëve të fundit. Isha i sigurt dhe ky ishte prioriteti im”, u shpreh Felps pas kësaj aventure speciale në karrierë. Mes të tjerash, amerikani theksoi: “Kjo garë ishte një nga më të vështirat e karrierës sime, për shkak të temperaturës së ulët që kishte uji dhe pritshmërive”.

Ndërkohë, në një postim të shkurtër në rrjetin social “Twitter”, Felps la të hapur një tjetër duel të tillë. “Tjetër garë? Herës tjetër në ujë më të ngrohtë”. Suksesi i peshkaqenit të bardhë erdhi vetëm në metrat e fundit, kur ai i dha shtytje përfundimtare duke bërë një kërcim për të kaluar vijën e finishit virtual.

Felps ka fituar 28 medalje olimpike në karrierë, duke përfshirë 23 të arta, 26 tituj botërorë dhe 39 rekorde botërore, tre prej të cilave janë ende në fuqi (100 dhe 200 m në stil flutur dhe 400 m miks). Felps nuk e bëri realitet të përballej me një kafshë, precedent i njohur në të kaluarën.

Sprinteri olimpik amerikan (kampion i katërfishtë në Lojërat e 1936-ës), Xhesi Ouens vrapoi në mjaft raste me kuaj, ndërsa lojtari i regbisë të Afrikës së Jugut, Brajan Habana, sfidoi një leopard. Gjithashtu, edhe golfisti Bo Uikli pretendon se është përballur me një orangutang gjatë një dueli boksi, edhe pse historia e saj nuk është verifikuar kurrë.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *