Published On: 31 Tetor, 2016

Madia


Nga Edison Ypi

Për të mos u shtyrë më thellë në mjegullat e kohës, qëllimi i komunikatorëve të mesjetës, murgjve dhe dervishëve misionarë, nuk ishte përhapja e së vërtetës në kuptimin e sotëm por e dogmave që nuk pranojnë verifikim. Njehsimi i mesazhit me faktet ishte i padëshirueshëm si për dhënësit dhe për marrësit. Megjithatë mes palëve një marrëdhënie ekzistonte. Misionarët arrinin ta komunikonin atë që u interesonte përmes asaj që pritej, dëshirohej, pëlqehej, funksiononte, përmes ëndrrës. Mes qendrës së ngushtë prej nga mesazhet vinin dhe bazës së gjerë që mesazhet i merrte, nuk qarkullonin fakte por ëndrra. Njerëzve të shumtë të bazës së kënaqur me ëndrrën nuk u interesonte të dinin çfarë faktikisht ndodhte në qendrën e ngjeshur të pak krerëve. Po ashtu, qendra e pak barinjve nuk merakosej fort çfarë saktësisht ndodhte në periferinë amorfe. Ishte kohë e artë për protagonistët adhurues të ëndrrës mohues të faktit, poetët, artistët. Ishte fatkeqësi për ithtarët e strukur të pazëshëm të faktit dhe mohues të ëndrrës. Ëndrra, kjo çimento e mirë për të mbajtur të lidhura qendrën me periferinë funksionoi për qindra vite.
Kur nisën shpikjet e mëdha, avulli, hekurudha, korrenti, drita elektrike, telegrami, telefoni, shtypshkronja, gazeta, autor i shumicës së të cilave shpikje qe një adashi im, marrëdhënia thelbësisht ëndërrtare mes qendrës dhe periferisë nisi të ndryshojë. U krijua një gjendje e ndërmjetme; një numër njerëzish nisën të interesoheshin se çfarë faktikisht ndodhte në qendër. Qendra nisi të interesohej për çfarë konkretisht ndodhte në periferi. Ëndrra zbriti nga piedestali. Piedestali u shemb. Rëndësia e dishepujve të ëndrrës, ra. Rëndësia e adhuronjësve të faktit, u rrit. Për të ruajtur ekuilibrin bazë-qendër dhe që marrëdhënia të vazhdonte të ekzistonte, në kushtet e reja lindi domosdoshmëria e një institucioni, nevoja e përdorimit të një mjeti të ndërmjetëm mes faktit, ëndrrës, dhe adhuruesve përkatës. Lindi Media, gazetat, revistat, radiot, televizionet etj. Media, po aq sa lumturoi dishepujt e shumëvuajtur të faktit apo të vërtetës, dëshpëroi adhuruesit e ëndrrës. Zhvillimi i teknologjive favorizoi gjendjen e ndërmjetme që u inkurajua si diçka pozitive që duhej pranuar prej të gjithëve, si shtim i shanseve për gjithkënd që deri atëherë kishte për të thënë por pengohej, kishte diçka për të bërë por nuk i mundësohej, shkurt si shtim i Lirisë. Media ishte dhe është një Liri, që si me gjithçka tjetër edhe abuzohet. Media u përdor edhe për manipulim. Aq sa tashmë shumica e protagonistëve të saj nuk janë njerëz qëllimmirë por mbijetues përmes manipulimit.
Me shpikjen e Internetit, u shfaq një tendencë e re, një fazë e tretë, si gjithë dukuritë bashkëkohore, në dukje më e thjeshtë, në thelb më e ndërlikuar se dy fazat e para.
Preokupimet që po shfaqen lidhur me fatin e Medias në formën e ankesave të tipit “audienca është bërë e cekët”, “njerëzit i janë larguar leximit”, “interesimet kulturore artistike po degradojnë”, nuk kanë bazë, janë klithma të mbijetuesve përmes mediave, dëngla të të patalentuarve që Median e përdorin në interes të vetes. Ajo që pas pak pritet të ndodhë është fantastike. Duke u informuar në çdo çast dhe për gjithçka jo vetëm nga celulari që e mban gjithë kohës me vete, por edhe nga shtypja e një butoni me të cilin së shpejti do pajisen soba, lavatriçja, tenxherja e groshëve, do bëhet e mundur përmbysja  e tablosë së hershme me murgj dhe dervishë me zero fakte dhe vetëm ëndrra, për të kaluar shumë shpejt në vetëm fakte dhe zero ëndrra me protagonistë secilin prej të gjithë banorëve të planetit.
Shteti islamik, disa pranvera demokratike arabe të dështuara, atentatet terroriste, zhvendosjet migratore, e deri te haberet për nisjen e luftës së tretë, nuk të lënë të dyshosh se me botën dhe qytetërimin diçka ka ndodhur.
Po, diçka ka ndodhur.
Media e ndotur ka lindur Madian hëpërhë të pastër.
Nëse në kohën e murgjve dhe dervishëve njerëzit jetonin të mbështjellë me ëndrra të bukura, tash e tutje njeriu do jetojë i mbështjellë me lajme të sigurta të verifikuara nga shumë burime.
Dashuria e njerëzimit me ëndrrën mbaroi. Nuk ka më ëndrra, ka fakte. Në të ardhmen e afërt do jetë po aq e pakuptimtë ta dyshosh lajmin sa edhe para qindra vitesh ëndrrën.
Injoranti, shpifaraku, budallai, hajvani i sotëm me maus në dorë, nuk është problem. Do lodhet. Do dali ndonjë hundëlesh t’i fusë një grusht. Do t’i ngulet diku ndonjë hu. Do përfundojë në çmendinë ose në burg. “Një mesjetë tjetër duket në horizont”, “teksti vdiq, mesazhet do përcillen vetëm me video” dhe të tjera marrina, janë grahmat e fundit të manipulatorëve të cilët do vazhdojnë të na pengojnë derisa të arrijmë ku kemi qenë. Por në një nivel shumë më të lartë. Te një mënyrë thelbësisht e re komunikimi. Tek Madia, që si e thotë vetë emri “mad”, protagonistë të krisur të saj do jenë ata të cilëve bota u përket; murgjit dhe dervishët e paepur, idealistët e përkushtuar, autorët e talentuar, fictionarët e fandaksur, artistët shpirtmëdhenj e zemërzjarrtë.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...