Published On: 27 Gusht, 2017

Lutje për Kosovën: Kush e vrau Xhemail Mustafën?

Gani Mehmetaj: Kujtime (51)

 

 23 nëntor 2000

Vrasja e Xhemail Mustafës ishte vrasja më rëndë e pasluftës në Kosovë. Më parë i vranë dhjetëra aktivistë të LDK-së, i kërcënuan e u bënë shantazhe qindra të tjerëve, mirëpo me zgjedhjet lokale, ndërsa paralajmëroheshin zgjedhjet qendrore, shpresohej se grupet paramilitare që e donin pushtetin me çdo çmim, do të binin në binarë të demokracisë, duke i pranuar rregullat e lojës politike. Me gjithë praninë e mbi dyzet mijë trupave ndërkombëtare, pasiguria nuk ishte asnjëherë më e brishtë. Trupat ndërkombëtare na ruanin nga ndërhyrja e Serbisë, por kundër grupeve që donin të merrnin pushtetin me dhunë e të përvetësonin tërë pasurinë kombëtare nuk bënin gati asgjë. Ndërkombëtarët i regjistronin vrasjet, por pak gjë bënin për të kapur vrasësit apo për t’i dënuar. Atë ditë kur u vra Xhemail Mustafa rrija në zyrën time në Pallatin e Shtypit, duke i redaktuar materialet për revistën “Titanic”, me të cilën nisa të merresha që të mos rrija kot. Hyri papritmas Naime Beqiraj si era e malit dhe më kumtoi lajmin: E vranë Xhemail Mustafën! Më bëhet se ende pa e përfunduar fjalinë, më dolën pyetjet e pathëna: Kush? Si? Ku? E shikova, por nuk isha në gjendje t’ia thosha ndonjë fjalë të artikuluar. Lajmi më tronditi. Nuk doja ta besoja, megjithëse e dija që është e vërtetë. Shumë të qeta u zhvilluan zgjedhjet lokale, ndërsa druanim nga vrasjet, shantazhet e vjedhjet masive të votave. Shumë me eufori i morëm rezultatet e para, ndërsa duhej ta dinim se ata që e projektuan veten në majat e pushtetit nuk do të hiqnin dorë aq lehtë nga pushteti. Më doli parasysh disa ditë më parë në restorantin e “Grandit”, ku Xhema rrinte shpesh, ndërsa unë më rrallë. Pimë kafe, megjithëse i thashë se më bezdisin fytyrat e shëmtuara që t’i mbërthejnë sytë me pafytyrësi e kërcënueshëm. Më këshilloi t’i shpërfillja, ilaçi më i mirë kundër tyre. Bisedonim për gjërat nga më të ndryshmet. Vazhdimisht më këshillonte të bëja kujdes, sidomos më thoshte, të mos eksponohesha me shkrime. “Askush nuk të mbron”, ma përsëriste shpesh. Disa muaj më herët na e sugjeroi të mos vazhdonim botimin e gazetës “Dardania press”, sepse jemi në rrezik. Derisa bluaja këto gjëra, dola nga redaksia i përhumbur. I rashë trup e tërthor qytetit pa e përshëndetur dhe pa e takuar asnjeri. Nuk doja të flisja as të ndalesha me askënd, duket as të tjerët në ato çaste nuk donin të më jepnin të njohur, sepse vështirë të sorollateshe mbi dy orë nëpër qytet ku i njihje gjysmën e banorëve e të mos të të jepte askush të njohur. M’u kujtua lajmi i vrasjes së Jusuf Gërvallës në dimrin e acartë të vitit 1982, ndërsa ecja i përhumbur dhe i vetmuar rrugicave me borë të kazermës së ushtrisë jugosllave në Kranj të Sllovenisë, pasi e lëshova kufjen e telefonit publik. Atëbotë askujt s’munda t’i thosha se e vranë Jusuf Gërvallën, me askënd s’mund ta qaja hallin. Ishte kohë tjetër: e tmerrshme dhe e frikshme. Kurrë nuk më kishte shkuar nëpër mend se do ta ndieja veten prapë të braktisur e të pikëlluar gati njëzet vjet më vonë nëpër rrugët e Prishtinës, qytetin tim të dashur. Në kazermë nuk guxoja t’ia thosha askujt se e vranë kolegun e mikun tim në Gjermani, sot s’kisha kujt t’i thosha e vranë një shok e koleg me të cilin punuam në një rubrikë njëzet vjetët më të mirë të jetës sonë. Me Xh. Mustafën u njohëm në fillim të punës sime në gazetën “Rilindja”, më 1979, megjithëse e mbaja në mend nga studimet, kur ai vazhdonte vitin e dytë, ndërsa unë isha në vitin e parë, “brucosh”. Xhema shkruante për letërsinë, unë për filmin. Tavolinat e punës i patëm përballë njëri-tjetrit. Shquhej për njohuri të thella letrare e teorike, qarqet letrare e intelektuale e çmonin vlerësimin e mendimin e tij. Rrezatonte pjekuri e maturi për dallim nga ne që përpiqeshim ta gëzonim moshën. Më vonë u shqua për shkrime analitike e të guximshme që e pasuronin rubrikën e kulturës dhe gazetën” Rilindja” në përgjithësi. Rrinim shpesh në bufenë e gazetës, ose në kafenetë e qytetit, debatonim për çështjet që na preokuponin, madje edhe për ato që në një rreth më të gjerë kufizoheshim. Redaktor e gazetar shumëvjeçar i gazetës, u bë njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i qëndruar parimor botëkuptimit të tij. Ëndrrës së madhe i ndenji deri në fund, nuk pati luhatje asnjëherë, as atëherë kur miqtë tanë të përbashkët patën tundime, druajtje apo presione që të shkëputeshin nga kompozicioni i trenit të LDK-së. Pastaj u bë njëri ndër njerëzit kyç në parti e Presidencë, pavarësisht presioneve e kërcënimeve. Gjatë 78 ditëve të terrorit serb në Kosovë, kaloi nëpër rrathët e ferrit, por shpëtoi. Po ta kapnin kriminelët e Milosheviqit, sigurisht do ta ekzekutonin, sikurse Aganin e të tjerët. Të gjitha këto i mendoja, ndërsa sillesha vërdallë nëpër qytet, ndonjëherë duke u kthyer në të njëjtën rrugë që kalova një gjysmë ore apo një orë më parë. Athua si mund të jem dukur? Më kanë vërejtur të tjerët, apo edhe ata me hallet e veta, kalonin si hije pranë meje. Së fundi u futa në restorantin e “Grandit”, më bëhet se i pashë të gjithë ata njerëz që i shihja edhe herë të tjera, më panë me të njëjtin shikim bezdisës. Një përftim mashtrues më kaloi nëpër tru, por e shmanga, sepse e dija që nuk është e vërtetë. U kalova pranë, duke i shpërfillur. Dikur nisa të hamendësoja, cili nga këto fytyra urdhëroi vrasjen? Apo ata mund të jenë të tjerë? Me celular thirra në Qendrën Informative të Kosovës, ku ma konfirmuan vërtetësinë e lajmit. Kot që shpresoja të qe ndryshe. Xhemail Mustafa ishte këshilltar i presidentit Rugova, punonte në QIK, shkruante për dy gazeta ditore, kishte një erudicion që pakkush e pati në Kosovë. E karakterizonte mençuria e maturia, që nuk i shquante të tjerët. Por ajo që ishte me rëndësi, Xhemaili ishte njeriu më me ndikim te Rugova, mbase i vetmi nga themeluesit e LDK-së, që mbeti pranë tij. Vrasjen e tij në mbrëmje e dhanë të gjitha mediet elektronike me paraqitjen e ngjarjes në tërësi me të gjitha detajet. Të vinte plasja kur e dëgjoje se si vrasësit u larguan të qetë në drejtim të panjohur, pa i penguar askush dhe pa hasur në asnjë polic ndërkombëtar. Besohej se duhet të kenë rënë në sytë e dikujt, por cili qe ai që do të denonconte? Askush nuk arriti t’i identifikonte, askush nuk ishte dëshmitar, askush nuk i kapi, askush nuk guxoi të dëshmonte. Policia e UNMIK-ut e rekrutuar nga Britania e Madhe deri në Somali e Indi nuk garantonin siguri po dole dëshmitar.
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...