Published On: 8 Korrik, 2017

Lutfi Haziri hedh deklaratën bombë: 29 Deputetët e LDK-së nuk guxojnë dhe nuk mund të ndahen nga grupi parlamentar

  • Cila është zgjidhja për krijimin e Qeverisë tregon Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së në një intervistë ekskluzive për Gazetën Shqiptari.eu. Cili është kushti i LDK-së, që ajo të hyjë në Qeveri, do ta mësoni këtu, pasi kjo parti është kthyer në çelësin e zgjidhjes së krizës. Por, si do ti përgjigjet LDK-ja, atyre që hyn për ‘oxhaku’ në këtë parti, dhe kush janë emrat e mëdhenj që i munguan listës zgjedhore të LDK-së, me të cilën ajo do të mund të ishte fituese? Kur do të reformohet LDK-ja dhe si do të dal nga kriza paszgjedhore, dhe se kush do të fitojë garën zgjedhore në zgjedhjet lokale, lexojeni intervistën në vijim.

Shqiptari.eu: Zgjedhjet po shkojnë drejt certifikimit, dhe rezultate tashmë janë të qarta. LDK-ja pësoi humbje tronditëse, por ende askush nuk po shprehet i gatshëm të marrë përgjegjësitë në parti?

Lufi Haziri: Nuk është tronditëse për LDK-në sepse LDK-ja ka konkurruar kësaj here në mënyrë të veçantë dhe specifike pasi që z. Isa Mustaf ka liruar rrugë dhe jemi bashkuar rreth emrit të Avdullah Hotit për kandidaturë. Çështja kryesore që LDK-ja e ka arritur në këto zgjedhje është rrëzimi i Kadri Veselit nga kandidatura për kryeministër për vetëm tri orë, nga frika e tij për t’u ballafaquar me kandidatin e LDK-së, dhe frika e qytetarëve prej koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe vota ndëshkuese që ka dalë në Kosovë karshi kësaj situate, por jo drejtpërdrejt me LDK-në.

 

LISTA e LDK-së eliminoi figura emblematike

 

Shqiptari.eu: Z.Mustafa, për shkak të rënies së Qeverisë paralajmëroi tërheqje, por tash që humbi edhe më keq partia në zgjedhje, duket se nuk po e mendon tërheqjen nga kreu i saj?

Lufi Haziri: Z. Mustafa nuk ka qenë në listë, ka qenë udhëheqës i procesit të zgjedhjeve, bile nuk e ka udhëhequr as shtabin zgjedhor dhe është marrë me unifikimin e listës zgjedhore. Lista e LDK’së ka qenë luista më hapur në historikun 28 vjecar të saj, gjithëpërfshirëse, por që fatkeqësisht nuk e solli rezultatin. Kjo listë e LDK’së, përkundrazi, eliminoi figura emblematike dhe figura sinonim i rugovizmit shtyrjes përpara. Por, ne e mbijetojmë këtë situatë, besojmë shumë shpejtë dhe rikthimi i LDK-së është paralajmëruar më 11 qershor, i cili do të ndodhë definitivisht në në një rrugë politike jo të lehtë, por është rrugë me një drejtim sepse Kosova ka nevojë të integrohet në familjen e madhe europiane. Kosova ka nevojë për gardianë të Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë dhe gardian i vetëm janë nejrëzit e LDK-së.

Shqiptari.eu: A është koha që dikush në parti, t’ia kujtojë se janë bërë shumë humbje nga humbja e Prishtinës, dhe se është koha që të reflektojë për këtë?

Lufi Haziri: LDK ka mision, nuk ka rezultat, numra… LDK për 28 vite të aktivitetit të saj është marrë më shumë me shtyrjen e misionit politik të saj, për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Ballkan, me integrimin e shqiptarëve në Ballkan në përgjithësi drejt perëndimit dhe drejt NATO-s. Ky është mision i yni dhe ky është një angazhim i yni. Ata që duan të bëjnë lojëra të demokracisë dhe ata që kanë hyrë nëpër birë të oxhakut në LDK dhe mendojnë që me rezultatin e keq të LDK-së ta goditin për vdekje, e kanë gabim dhe nuk mund t’i mbijetojnë kësaj. LDK reagon gjithmonë kur ka nevojë njeriu i saj dhe anëtari i saj. Ne e kemi kuptuar që janë mërzitur me koalicionin e fundit, por ne e kemi bërë për shtet, ashtu qysh e kemi bërë koalicionionin në vitin 2002, 2004 dhe 2008. Ne jemi bërë urë politike, ushqyes politik dhe kemi bërë pajtim politik në Kosovë. I kemi ndalë vëllavrasjet në Kosovë. Ata që duan ta kthejnë vëllavrasjen në Kosovë dhe dhunën politike dhe kohërat e rënda, nuk janë më me LDK-në, nuk janë pjesë e saj.

Shqiptari.eu: A keni pasur informacione si parti, se Vetëvendosje kishte një rritje kaq të ndjeshme?

Lufi Haziri: S’ka pasë informacione as Vetëvendosja, sepse ata kanë qenë sipas sondazheve, partia e tretë me një rritje të pritur që ka ardhur. Por, koalicioni i PAN-it apo PAM PAM-it është koalicioni që i ka frikësuar qytetarët dhe ata kanë votuar ta ndalin këtë koalicion.

Shqiptari.eu: A po e vuan LDK-ja, faktin e mos reformimit, edhe pse në emër të këtyre reformave, një grup udhëheqës i tyre, vite më parë e çoi drejt ndarjes?

Lufi Haziri: LDK-ja e ka mbijetuar ndarjen e dhimbshme 2006-2007, e cila ka ndodhur për gabimet e saj dhe shkaku i skenarëve të jashtëm. Unifikimi nuk ka ndodhur edhe më tutje. Unifikimi i LDK-së duhet të ndodhë në një proces të tashëm që mund ta ndërtojë për këto dy vite. Proces i unifikimit dhe i hapjes paralelisht në mënyrë që ta bëjmë rikthimin e madh të filozofisë politike të LDK-së për t’iu kthyer ndërtimit të shtetit si parti e parë politike. Deri atëherë, nuk duhet të punojmë me njerëzit tanë, me njerëzit që jetojnë kudo në Europë e Amerikë sepse ata janë kontribuesit e mëdhenjë. Ne duhet t’i rikthehemi vetes sonë dhe interesit të shtetit.

 

Humbësi i këtyre zgjedhjeve është PDK-ja

 

Shqiptari.eu: Pse nuk po thirret një Kuvend pune, dhe që të paktën të bëhej një ndryshim i vlershëm në udhëheqje, që të mund ta tërhiqte partinë drejt stabilizimit para zgjedhjeve lokale?

Lufi Haziri: Kjo pyetje dhe kjo përgjigje, sikur që e ka formën nuk është e saktë. LDK nuk i nënshtrohet skenarëve dhe diktateve të jashtme, as të atyre të ashtuquajtur fitues në thonjëza sepse në Kosovë (LDK) nuk ka fitues kur partia ka humbë. I mjerë është ai deputet, i cili mendon që ka shumë vota kur partia e tij ka dalë e treta. I mjerë është ai deputet që nuk e ka kuptuar që është kontribues në humbjen e saj, sepse lidershipi i LDK-së nuk ka qenë pjesë e listës. Kështu që, përgjegjësia politike balancohet dhe drejtpeshohet vetëm me ata që kanë qenë pjesë e listës, sepse lista prej 110 njerëzve ka garantuar që me nominimin e z. Hoti, ka garantuar sukses. Ata duhet ta garantojnë suksesin se në cilën shkallë është arritur. Por, unë mendoj që humbësi i këtyre zgjedhjeve është PDK-ja si rrënuese e qeverisë, rrënuese e institucioneve, parti  mosmirënjohëse dhe partia që helmon puse e rrënon ura. Ata janë humbës, ndërsa të gjithë të tjerët janë fitues.

 

I mungonin listës Nexhat Daci, e Fatmir Sejdiu

 

Shqiptari.eu: A keni menduar se gabimet e mëdha, si qasja radikale ndaj demarkacionit, ku më shumë lobonte dyshja Mustafa-Thaçi, për dhënien e territorit Malit të Zi, se sa vet qeveria malazeze ka ndikuar në rënien e besimit tek LDK-ja? Po ashtu Mustafa ishte shumë premtues për Asociacioni ndërkohë, që Gjykata Kushtetuese në mbi 20 pika ka gjetur antikushtetutshmëri.

Lufi Haziri: Kjo qeveri, që po pritet të ndërtohet, ka mundësi ta procedoj ligjin e njëjtë dhe ta kalojë ligjin e njëjtë. Por, sido qoftë ka nevojë për konsensus tash, në mënyrë që ta përballojë ratifikimin në Kuvend.

Kauza rreth demarkacionit dhe asociacionit dhe kundër LDK-së, kryesisht ka qenë agjendë e opozitës e stimuluar prej PDK-së. U pa që prapa këtij skenari ka qenë PDK dhe Kadri Veseli me të vetmin qëllim që ta rrëzojnë LDK-në. Pse Kadri Veseli arriti t’i bashkojë PDK-në, VV-vë, AAK-në, Nismën, Listën Serbe, turqit, boshnjakët dhe romët, kundër LDK-së?! Pse Kadri Veseli i bashkoi të gjithë kundër LDK-së, jo vetëm tash, pse i bashkoi menjëherë pas luftës kundër LDK-së dhe pse në prag të liberalizimit të vizave i bashkoi kundër LDK-së? Sepse LDK-ja mbetet, jo vetëm rivali, por konkurrenti i vetëm politik.

 

LDK-së i mungon Sabri Hamiti si deputet sepse kundër tij dikush ka punuar

 

Shqiptari.eu: A u ndëshkuat edhe për shkak të politikave përjashtuese duke filluar më parë me figura personalitete si Donika Gërvalla, Idriz Zeqiraj nga diaspora (të cilët nuk u lanë të jenë as pjesë e Kuvendit), më pas të ish deputetëve Shpejtim Bulliqi, Adem Salihaj, Hatim Baxhaku etj.,? Por, edhe të disa figurave si Vjosa Osmani, Arben Gashi, Anton Quni u lanë shumë lart, dhe ju dha përparësi të ardhurëve të fundit?

Lufi Haziri: Lista ka qenë gjithëpërfshirëse. Unë mendoj që LDK-së i mungon Sabri Hamiti si deputet sepse kundër tij dikush ka punuar mos me qenë aty. Ata që kanë punuar dikujtë t’ia fryjnë votat, kanë punuar që dikujtë t’ia zvogëlojnë votat. I mungon listës Nexhat Daci, e Fatmir Sejdiu mbi të gjitha sepse Lumri Abdixhiku, Driton Selmanaj, Vjosa Osmani, Arben Gashi e Valentina Bunjaku Rexhepi ose edhe emrat tjerë janë përfshirë në listë dhe i kanë marrë këto vota që i kanë marrë. Por, pse në listë nuk janë ata që duhet me qenë dhe pse u ‘prenë’ duhet me mendu ata që e kanë bërë. Sepse dikush po punon me rrënu Kalanë e LDK’së, ashtu qysh e dikush ka mendu me rrënu në vitin 1998, ka dalë prej saj pasluftës, e edhe tash ata që punojnë me rrënu dhe dëmtu LDK’në, kanë me dalë prej saj. Ata që kanë hyrë për oxhaku, ne mund t’ju themi që kthimi prapa nuk është prej oxhakut, por përmes derës.

Shqiptari.eu: Mbi të gjitha votuesi duket se ju ndëshkoi sepse bëtë marrëveshje jo parimore me PDK-në, zgjodhët Thaçin president, Kadri Veselin kryetar Kuvendi, dy njerëzit më të akuzuar nga LDK-ja dhe opinioni i saj, për dhunën politike dhe vrasjet në LDK. Si do të riparohet kjo?

Lufi Haziri: Ka qenë ky koalicion ku LDK-ja e ka pasur kryeministrin. Kuvendi e ka zgjedhur kryeministër të dytë Isa Mustafën. I pari ka qenë Bujar Bukoshi në vitet e ‘90-ta. Më mirë është t’ia bëni pyetjen Kadri Veselit pse e lëshuan qeverinë. LDK e ka kapitalizuar kërkesën dhe për dy vite e gjysmë ka udhëhequr me qeverinë. Ky është fakti dhe rezultati politik për të cilin ne jemi angazhuar. Ata që kanë qenë kundër Isa Mustafës për kryeministër dhe kundër LDK’së për përfaqësim në qeveri, e kanë gabim sepse më 11 qershor kanë dalë që ta fitojnë garën për ta udhëhequr qeverinë. Ata duhet të japin llogari pse nuk e kanë fituar garën dhe LDK-ja tash duhet të zgjedhë ose të shkojë në opozitë parti politike, e cila do ta luaj rolin politik në ndërtimin e koalicioneve në të ardhmen. Por, jo pa kryeministër sepse standardi i ri i vendosur në vitin 2014 është LDK me kryeministër. Pa kryeministër, LDK nuk ka nevojë dhe nuk mund të hyjë në qeveri asnjëheërë.

Shqiptari.eu: PAN-i duket se nuk i ka votat, çelësi po vlerësohet të jetë LDK-ja, nëse ju mbeteni kategorik jo me PAN-in, atëherë a do të thotë kjo se ju i jepni shans Vetëvendosjes?

Lufi Haziri: PAM PAM-i nuk është në opsion për neve. PDK e ka helmuar pusin ku ka pi ujë qe 17 vite dhe i ka rrënuar urat e bashkëpunimit. Nuk vjen në shprehje koalicioni ose partneriteti. Ata e kanë problem me bashkëpunuar me LDK-në, për asnjë ligj, për asnjë proces politik në këtë fazë. Ndërsa, opsionet tjera janë të hapura sepse LDK-ja e ka interesin e vet. Por, standardi i vitit 2014 është standardi i kryeministrit sepse LDK-ja nuk mundet të bie nën standardin e vitit 2014. Ne deri në vitin 2010 e kemi pasur standardin e presidentit, për të cilin kemi luftuar dhe e kemi realizuar me z. Fatmir Sejdiu, pas ndarjes nga jeta të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me VV-në si opsion na bashkon legjitimiteti politik, kaptina e integrimeve të shqiptarëve në Ballkan  dhe integrimeve euroatlantike, por ka edhe shumë tema të hapura ideologjike që na ndajnë. Për shembull, roli historik i Ibrahim Rugovës se me çfarë dioptrie e shohin ata sot e tutje, pastaj dialogu politik në BE dhe NATO, politikat sociale, sistemi pensional, por ne besojmë që mund t’i kalojmë me biseda dhe komunikim.

Shqiptari.eu: Po a ka gatishmëri që presidenti Thaçi t’ia jap një shumice tjetër, pas PAN-it, rastin për krijimin e Qeverisë së re, dhe cila do të ishte ajo shumicë?

Lufi Haziri: Kjo është pyetje për z. Thaci.

Shqiptari.eu: Nëse PAN-i dështon, cilat variante kanë më shumë shanse, një koalicion i prirë nga LDK-ja e VV-ja, një qeveri teknike apo shkuarja në zgjedhje të reja?

Lufi Haziri: Në diskrecion, ai që e bënë shumicën parlamentare dhe shumicën e bënë LDK-VV, pra 61 deputetë, që është shumicë politike dhe shqiptare, ndërsa me minoritetet shkon nga 71 deri në 81 deputetë. Praktikisht, ne e kemi mundësinë të krijojmë shumicën politike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Por, a na jep në diskrecion këtë mandat, duhet ta pyesni sërish z. Thaçi.

Shqiptari.eu: Çfarë prisni nga Gjykata speciale, afër 20 veta pritet të arrestohen brenda disa javësh, do të ketë tronditje?

Lufi Haziri: Mendoj që është spekulative ditë, javë apo muaj. Gjykata Speciale ka mandat dhe jurikiksion të Kosovës. Është Gjykatë e Kosovës, nuk është ndërkombëtare. Presim përfundimisht që të vendoset drejtësia. Kosova është përballur 3 herë me drejtësinë ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës, që kanë çu njerëz para këtij tribunali dhe kanë dalë të pafajshëm ose janë dënuar. Ka pasur drejtësi ndërkombëtare përmes EULEX-it dhe ICO-s dhe është procesi i tretë i drejtësisë si pasojë e veprimeve dhe e krimeve të luftës.

 

Ata që kanë faje duhet të dalin para Gjykatës speciale

 

Shqiptari.eu: Nëse presidenti i vendit duhet t’i dorëzohet drejtësisë, Gjykatës speciale, a do të  shkojë vendi në zgjedhje?

Lufi Haziri: Është spekulative. Nuk besoj dhe nuk mund të flas për arrestimin e njerëzve të caktuar në Kosovë. Problemi i krimit nuk ka emër dhe mbiemër, krimi është krim dhe gjithkund në botë trajtohet si krim. Pavarësisht se kush ka bërë krim, duhet t’i nënshtrohet drejtësisë. Por, është spekulative që të themi se presidenti, kryeministri apo kryetari Kuvendit, ministria, deputeti etj., se do të ballafaqohen. Kjo i mbetet prokurorit special për krime të luftës në Kosovë, i cili është amerikan dhe e ka besimin e institucioneve e qytetarëve të Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të lirisë, në pafajsinë se rezistencës ushtarake, politike dhe popullore në Kosovë, por ata që kanë faje duhet të dalin para drejtësisë.

Shqiptari.eu: Çështja e daljes së presidentit para drejtësisë është rregulluar me ligjin për Gjykatën speciale në Kuvend, i miratuar sipas rekomandimeve të PE-së, bazuar plotësisht në raportin e Dik Martit, i cili e akuzon Thaçin, Veselin. Po ashtu emri i tij dhe të tjerë janë përmendur me vite, dhe nuk janë demantuar madje.

Shqiptari.eu: A mendoni të rikandidoni  në Gjilan, nëse jo a keni një kandidat fitues, veçmas pas goditjes që morët nga Vetëvendosje?

Lufi Haziri: Me rëndësi që në Gjilan nuk ka pasur goditje, por janë numrat e njëjtë dhe mbështetja e njëtë. Rritja e VV-së në Gjilan është fakt, por është bërë në kurriz të partive tjera dhe në kurriz të reagimeve tjera politike. Por, LDK-ja në vjeshtë me cilin do emër që konkurron, do të dalë fituese në zgjedhjet loakle dhe në zgjedhjet parlamentare në të ardhmen.

Shqiptari.eu: Do ta ketë LDK-ja kryetarin e ri para zgjedhjeve lokale apo si mendoni se do të menaxhohet partia më tej?

Lufi Haziri: LDK-ja nuk lidhet me javë, me muaj, me emra e me mbiemra. LDK-ja e ka kryesinë e strukturën e saj dhe vlerëson e vendos vetëm atëherë kur ka nevojë LDK-ja me pasë procese e nuk diktohet nga jashtë. Më së paku diktohet nga partitë rivale. LDK-ja është unike sot. Deputetët e saj nuk guxojnë dhe nuk mund të ndahen nga grupi parlamentar, duke përfshirë edhe depuetët e AKR-së dhe Alternatives. Ai që del nga 29, definitvisht do të japë llogari para votuesve të LDK-së sepse këto vota janë të LDK-së.

Shqiptari.eu: Kur besoni se Kosova do të çlirohet nga krimi i organizuar?

Lufi Haziri: Gjykata Speciale në kompetenca e ka zbardhjen e krimeve të luftës në periudhën dy vjeçare. Ndërsa, gjykatat dhe prokuroria e Kosovës, që unë besoj në institucione, ata e kanë për bazë ta luftojnë çdo lloj krimi në Kosovë dhe Kosova po hynë në procesin e zbardhjes së krimeve dhe vendosjes së drejtësisë përfundimisht. Edhe pse, është vonë, është koha e fundit. / SHQIPTARI.EU

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...