Published On: 13 Gusht, 2017

Lumturia e Vetonit me ‘qime’!

Shkruan: Kimete Berisha

Shyqyr more Zot, ka ardhur koha që meshkujt t’i mbjellin flokët (ta ‘shërojnë’ kompleksin e tyre kryesor, që ua nxin jetën).

Kaloi koha kur burrat e shkretë ‘Iknin bashkë me erën’ duke e ndjekur frizurën e tyre (kryesisht të zezë) për ta kapur ‘të gjallë’, pa përfunduar në degët e naj peme.
Pra, drama mashkullore e tullacëve merrte përmasa dramatike kur fryente era.

Njerëzit kanë nevojë të duken të bukur.
Zoti nuk ka dashur që njerëzit të jenë të barabartë, prandaj dikush duket shumë bukur, dikush pak më pak, dikush ndjehet i shkurtër, dikush ndjehet superior se ia ka dhënë Zoti të jetë i gjatë.
A e keni provu çfarë padrejtësie hyjnore është ajo kur ecën krah për krah me një zgatavell, qysh të duket vetja se të kanë sharru këmbët n’asfalt!

Dikush i ka flokët e gjatë e të bujshme, dikush s’e ka asnjë qime.
Populli ka thënë ‘lefsh i keq e me nafak’, pra ka dashur të thotë se më shumë në jetë të duhet nafaka (fati i mirë) sesa bukuria.
Se, bukuria bile bëhet pengesë, njerëzit duan ta ‘konsumojnë’ bukurinë tënde.
Pastaj, askush nuk të merr seriozisht kur dukesh shumë bukur.

Në kohën kur shqiptarët nuk i mbjellin arat (se s’kanë llogari), Veton Surroi me shokë i mbjellin flokët! Dhe boll mirë ia bëjnë. Pse mos m’i mbjell kur mundesh!
S’di a më shtrenjtë kushton rasadi a qimet!
Sa kushton një qime s’di, por e di se është shumë me rëndësi qē Vetoni të duket bukur. Me zbukurimin e tij, zbukurohet edhe Kosova.
Çdo investim në bukurinë tënde fizike është investim në bukurinë e atdheut.

‘Burrat e mëdhenj’ kemi kujtu që nuk picillohen, po rren ish kanë.
Napoleoni gjithë n’shtiklla kish pas maru tuj i ra këmbët gërrç.
Masandej kishin pas flejt gjithë natën meshkujt me llokma e me ‘shtipalka’ s’e kishim pas ditë.

Mosha nuk ekziston si ndjenjë, veç si numër. Veç kur shikohesh në pasqyrë mund të të bie në mend sa vjet i ke.
Përndryshe, shpirti gjithmonë ndihet ai që ka qenë në fillim, i ri.

Të gjjthë kanë dëshirë të duken bukur, sidomos ata që nuk duken bukur.
Plaku e plaka 100 vjeçarë kanë dëshirë të duken bukur, dhe kjo dëshirë e tyre nuk është qesharake, por është shumë e dhimbshme, e dhimbshme është nevoja e pashterrshme e njeriut për bukuri.

Ta kishim pasur këtë uri për dashuri do të kishim qenë të lumtur. Se bukuria fizike u pa dhe po shihet se nuk na bën të lumtur.

Anipse, mendoj se asgjë nuk e ndal vuajtjen dhe melankolinë, asnjë bukuri që shihet me sy nuk e mbulon dhe nuk e mundë ndjenjen e zbrazëtisë, kotësisë dhe nostalgjisë për kohën e shkuar.

Kur vuan kurrë nuk të bie në mend se ‘sa e bukur je’, shkaku se bukuria jote fizike u takon të tjerëve ta shohin, ti e sheh bukurinë tënde (shumë rrallë) veç kur shikohesh në pasqyrë.

E gjeta edhe një paradoks qimor: qimja e shkëputur nga qimet tjera ta çon gërdinë, kurse kur bashkohet me ‘qimet tjera’ bëhet ‘simbol i bukurisë’.

P.S. Trendi i Vetonit (i cili, çdo respekt, ngjyrën e qimes ia ka përshtatur moshës, e ka zgjedhur qimen e hirtë), do të ndjeket nga konsulli i nderit i Kosovës, Blendi Fevziu, se për dallim nga Kosova, në Shqipëri ka shumë më shumë ‘Blenda’ që kanë nevojë për mbjellje të flokëve, korrja e të cilave quhet ‘kënaqësi’.
Por, konsulli më parë duhet të ndërmerr diçka për gjoksin, se në foto plazhi (që i ka postuar në Instagram), po duket i bëshëm, gati-gati si Çiljeta.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...