Lajme

Libra të rinj deri në klasën e gjashtë – të vjetër për klasat tjera

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë këtë vit shkollor ka vendosur që për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë të shfrytëzohen tekstet e gjeneratës paraprake.

Ndërsa për nxënësit nga klasa e para deri në klasën e gjashtë edhe këtë vit do të bëhet sigurimi i teksteve falas.
Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit të përpiqet të kursejë buxhetin duke shfrytëzuar tekstet e gjeneratës paraprake, prej klasës së gjashtë deri në të nëntën.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, i ka thënë Radio Kosovës se të gjithë nxënësit edhe këtë vit shkollor do të kompletohen me tekste shkollore.

 Ndërsa, prindërit në bashkëpunim me kujdestarët e klasave do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen e teksteve për nxënësit e gjeneratave të ardhshme.

“Nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë të gjitha tekstet të gjithë nxënësit do t’i kenë të përdorura nga viti paraprak. Klasa e parë deri të klasa e gjashtë janë të gjitha tekstet e reja”, ka thënë Kadriu

Prindërit e intervistuar u shprehen se ruajtja e teksteve për gjeneratat e ardhshme është një vendim i qëlluar, se në këtë mënyrë bëhet kursimi i fondeve për arsim.

“Do të thotë që, fëmija im kur të shkojë në shkollë në fillim të vitit, ia japin librat prej tjetrit që i ka dorëzuar, ajo është shumë pozitive. Unë mendoj se në qoftë se janë të ruajtura mirë është mirë, se kjo shkon në financim të shtetit, që mos të dëmtohet shteti çdo vit. Vetëm sa letra shpenzohet, sa ngjyra. Më mirë është me i ruajt, me pas kujdes si nga ana e nxënësve dhe nga ana e prindërve se me ato mjete mund të investojnë diçka, si në ndonjë laborator etj.”

Sipas Ministrisë së Arsimit, vendimi për ruajtjen e teksteve shkollore, përveç shmangies së keqpërdorimeve, kursimit të buxhetit, ka për qëllim edhe vetëdijesimin e nxënësve për rëndësinë e librit.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *