Published On: 21 Shtator, 2017

LDK me‘Lidhjen’ për fitore hap fushatën zgjedhore për komunat e Kosovës

Në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të enjten se jo vetëm anëtarët e simpatizantët e LDK-së, por të gjithë qytetarët e komunave që kemi udhëhequr në këto katër vitet e fundit, janë dëshmitarë se si LDK qeveris mirë, me duar të pastra dhe në mënyrë transparente.
“Pushteti lokal që do të qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në secilën prej komunave, do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim. Ne e kemi dëshmuar këtë në komunat që kemi qeverisur, prandaj duam t’u japim qeverisje të mirë edhe komunave tjera”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se qeveria qendrore e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërprerë praktikat diskriminuese ndaj komunave të caktuara, ka shtrirë mbështetjen e qeverisë në të gjitha komunat e Kosovës dhe këtë e kanë vërejtur qytetarët e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është ndryshe, prej krejt partive dhe grupeve tjera politike që funksionojnë në Kosovë. Lidhja Demokratike e Kosovës është institucion që mishëron traditën dhe aspiratën civilizuese të popullit të Kosovës. Prandaj, jam besimplotë që më 22 tetor, qytetarët e Kosovës, do të demonstrojnë kulturën demokratike dhe veprimin civilizues evropian”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se duke dalë masivisht në zgjedhjet e 22 tetorit dhe duke votuar kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale, do t’ia rikthejnë vendit tonë imazhin e mirë dhe respektin e mbarë botës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Unë, do t’i jemi mirënjohës kontributit të secilit individ e institucion, i cili angazhohet që votimet për pushtetin e ardhshëm lokal të zhvillohen në një atmosferë të qetë, të garës së ndershme dhe demokratike”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i LDK-së, ka thënë se ata që menduan se e dëmtuan LDK-në, e dëmtuan Kosovës, e dëmtuan zhvillimin e saj, i lanë qytetarët të izoluar pa viza, i ndalën investimet dhe e ndërprenë përkrahjen financiare ndërkombëtare për vendin tonë.
“Kjo gjendje nuk do të zgjasë shumë. Do ta lirojmë Kosovën nga kjo mjegull, do t’ia japin rrugën e drejt dhe rrugën evropiane”, ka thënë kreu i LDK-së.
Ai ka shtuar se ne nuk “bëjmë konkurrencë me dhunën, sepse të tjerët janë ata që ushtrojnë dhunë. Ne nuk bëjmë konkurrencë në krim dhe korrupsionin, sepse të tjerët janë ata që janë zhytur në krim dhe korrupsion. Ne nuk bëjmë konkurrencë në propagandë të ekstremit të majtë, sepse të tjerët janë ata që bëjnë këtë propagandë”, ka thënë Mustafa.
Në fund Mustafa ka thënë se me mbështetjen tuaj të fortë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, “ju do të përçoni mesazhin se dëshironi qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh, krijimin e vendeve të reja të punës dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte dhe vazhdon ta ketë rrugëtimin politik të bazuar në tri shtylla të forta: liri, pavarësi dhe demokraci, ideuar nga Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova.
“Vetëm LDK-ja e ka programin dhe njerëzit kompetentë e me duar të pastra, për të qeverisur komunat e Kosovës, në shërbim të qytetarëve. Kandidatët tanë janë njerëz me biografi të pastër, profesionistë të dalluar dhe të përgjegjshëm para qytetarëve”, ka thënë Abrashi.
Ai ka shtuar se Programi i LDK-së për qeverisjen katër vjeçare në kryeqytet dhe në të gjitha komunat e Kosovës, nuk është i bazuar në fjalë të mëdha, por në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm.
“Këto katër vjet që shkuan, ishin katër vite të humbura për kryeqytetin tonë. Ne nuk e kemi luksin dhe nuk duhet të lejojmë që Prishtina të humb asnjë ditë tjetër. Nuk e kemi luksin dhe nuk do të lejojmë që cilado komunë e Kosovës të humb ndonjë ditë”, ka thënë Abrashi.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...