Kosova

LDK-ja preferon opozitën, e fton PAN-in të lidhë koalicion me pakicat

Lidhja Demokratike e Kosovës mund të zgjedhë të shkojë në opozitë, mes ofertave për koalicion qeverisës qoftë me koalicionin PAN (PDK, AAK dhe Nisma) apo me Lëvizjen Vetëvendosje.

Koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) si fitues në zgjedhjet e 11 qershorit, në disa raste ka paralajmëruar se do ta ketë LDK-në pjesë të koalicionit të ardhshëm.

Po ashtu, edhe Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti që ka dalë në vendin e dytë nga zgjedhjet dhe pret rastin ta formojë Qeverinë nëse koalicioni PAN dështon, ka paralajmëruar se koalicionin mund ta formojë me LDK-në.

 Por, zyrtarët e LDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se tash për tash nuk ka interesim që të hyhet në koalicione.

Agim Veliu, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke pritur që partitë që kanë marrë numër më të madh të votave ta formojnë Qeverinë në bashkëpunim me pakicat.

“Ne po presim që Qeverinë ta formojnë ata që e kanë rrëzuar Qeverinë. Ata i kanë numrat, do të thotë ne po presim që PAN-in, bashkë me Vetëvendosjen edhe me Listën Serbe dhe me pakicat tjetra ta formojnë Qeverinë. Këta janë ata që e kanë rrëzuar Qeverinë. Këta janë ata që janë bërë bashkë dhe po presim që ata të formojnë Qeverinë. Neve nuk na jepet ajo mundësi”, tha Veliu.

Lidhja Demokratike e Kosovës, nënvizoi Veliu, ka pasur disa ftesa për takime për të biseduar rreth mundësisë së koalicioneve, por tash për tash, siç thotë ai, nuk ka interesim.

“Unë jam ithtar i asaj që ne më mirë është shumë [të mbesim] në opozitë se sa të hyjmë në variante që nuk janë të favorshme për LDK-në. Qëndrimi ynë është ky, që njëherë për njëherë, nuk jemi të interesuar të hyjmë në këto variante”, tha Veliu.

Por, nga koalicioni PAN, përkatësisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si pjesë e këtij koalicioni, thonë se llogarisin edhe në koalicionin me LDK-në.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që ka nominuar kandidatin për Qeverinë e ardhshme, dhe ai është Ramush Haradinaj, thotë se koalicionit PAN, si koalicioni me më së shumti vota, do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.

“Ne i kemi votat për të formuar Qeverinë, mirëpo, zoti Haradinaj është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të lidhë marrëveshje edhe me LDK-në, për të pasur një Qeveri më stabile dhe funksionale”, tha Lekaj.

Duke i komentuar deklaratat e zyrtarëve të LDK-së se nuk duan të hyjnë në koalicione me partitë që tashmë pretendojnë se do ta formojnë Qeverinë, Lekaj tha se në politike nuk duhet të mbahen inate, por sipas tij duhet të mendohet për interesat e vendit e jo ato personale.

“Nuk është hera e parë që është deklaruar LDK-ja. Ka pasur kundërshtime të fuqishme dhe para tri viteve që të formojë një koalicion më PDK-në, mirëpo në fund ishte formuar ai koalicion. Në politikë, unë më shumë e shoh interesin e vendit dhe interesin e subjektit si tërësi, jo individëve të caktuar. Është rasti që të dalim jashtë kornizave të interesit të subjektet politik apo grupeve e individëve të caktuar”, tha Lekaj.

Po ashtu, edhe Lëvizja Vetëvendosje, pretendon se do ta formojë Qeverinë, duke besuar se koalicioni PAN nuk do t’ia dal të sigurojë minimumin prej 61 votave në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje pret që ta ketë partner të koalicionit LDK-në bashkë me partitë e tjera që janë pjesë e saj.

Tinka Kurti nga zyra për media në Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë. Ajo thotë se tashmë ftesat për partnerët e koalicionit janë të hapura.

“Ne besojmë që populli ka votuar për ndryshime. Lëvizja Vetëvendosje është bërë partia më e madhe, kurse PDK është dërguar në opozitë. Ne duhet të bëhemi bashkë që pas Kuvendit të ri të kemi edhe Qeveri të re. Duket që z.Veliu i ka ngatërruar gjërat, duke filluar fushatën për zgjedhjet lokale në Llap”, tha Kurti.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuesit e partive politike thonë se ende nuk kanë krijuar koalicione paszgjedhore për krijimin e Qeverisë së re të vendit.

Formim i Qeverisë, kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *