Published On: 14 Qershor, 2017

LDK-ja duhet ta përkrahë formimin e qeverisë nga VV-ja, por jo të jetë pjesë e saj

Zgjedhjet dhe LDK

Arsim Canolli

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit treguan se LDK nuk ia doli të fitojë besimin e qytetarëve të Kosovës. Arsyet do të duhej t’i dinte secili që ka pak shqisë politike. Votuesit e vjetër e të rinj, si ata me zemër të plastë si ata me zemër të gëzuar, e votuan kryesisht VV-në për të sjellë ndryshime.

Pavarësisht se si e konceptojnë dhe a mund ta bëjnë ndryshimin e premtuar VV-ja, vullneti i qytetarëve, votuesve të Kosovës, në zgjedhje të lira e demokratike u pa dhe ky vullnet duhet të respektohet. Qytetarët kanë votuar VV-në sepse sipas tyre ka pasur konsistencë të fjalëve. Por, pritet të shihet, nëse e formon qeverinë e re, se a ka konsistencë të veprimit, taktit e kreativitetit politik.

Kosovës i duhen ndryshime që dalin nga përplasjet konstruktive, guximi individual dhe kreativiteti politik e jo ndryshime nga maskimet e dekorimet e situatave atypëraty e shpejteshpejt. Edhe partive politike u duhen këto ndryshime. LDK-së i duhen këto ndryshime më shumë se sa të gjitha partive të tjera. LDK nuk duhet të kridhet në vetëmjaftueshmëri të rolit të saj historik e as në kurse të “transformatologjisë formale”.

LDK duhet të mendojë për identitetin e saj. LDK duhet të mendojë gjatë, me krye të ftohtë e zemër të ngrohtë e të hapur. Por, kurrë me zemër të plastë! Prandaj, besoj fort se LDK nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme që del nga rezultatet e 11 qershorit. LDK duhet ta përkrah formimin e qeverisë së re të Kosovës nga VV-ja, por jo të jetë pjesë e qeverisë së saj.

LDK duhet të dalë në opozitë për ta njohur vetveten dhe për ta forcuar vetveten. Për të arritur këtë, LDK duhet të fillojë konversacionin e saj të thukët politik me vetveten dhe me qytetarët e Kosovës. Por, në opozitë, duke analizuar thellë. Sepse, LDK duhet të mendojë për të ardhmen e vet dhe të ardhmen e politikës në Kosovë e rajon.

Dalja e LDK-së në opozitë sot do t’i ndihmonte politikës së Kosovës, shtetit të Kosovës, shqiptarëve gjithkund dhe fëmijëve tanë nesër. Kosova duhet të ndjekë politika ekonomike të tregut të lirë, por të rregulluar mirë, të cilat japin mundësi për të fituar bukë e jo politika që japin bukë të gatshme. Kosova është shtet laik dhe duhet të respektojë fetë, por nuk duhet të flirtojë me asnjë fe e “izëm” fetar.

Nuk duhet të krijojë premtime të rreme për “drejtësi fetare” në emër të islamafobisë inekzistente. Mendoj se është koha për secilin simpatizant, votues e anëtar të mendojë thellë për potencialin e LDK-së së ardhshme. Si anëtar i thjeshtë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të vazhdojë të mbetem përkrahës i ndryshimeve të mira brenda LDK-së në opozitë.

Prishtinë, 14 qershor 2017

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...