Published On: 22 Tetor, 2016

Laura Mersini, shkencëtarja shqiptare që ka dridhur teorinë e “Big Bang’ut”

Përballë saj janë një numër i konsiderueshëm të interesuarish, kryesisht studentë që e dëgjojnë me vëmendje. Laura Mersini-Houghton ligjëron me kompetencë, me gjallëri e me elokuencë duke bërë përpjekje që edhe çështjet kaq të ndërlikuara të astrofizikës, kozmologjisë që merren me universin, kohën e krijimit të tij etj. t`i bëjë sa më të kapshme për publikun. Ndërsa ky publik, edhe pse ka ardhur në amfiteatrin e Universitetit Teknik të Cyrihut ETH, sigurisht nuk është i specializuar në fushën ku shkencëtarja e njohur shqiptare është tashmë autoritet në nivel planetar.

Shumica e të pranishmëve kanë ardhur nga kureshtja që të shohin një bashkatdhetare që ka bërë emër në një lëmë pothuaj të pashkelur nga shqiptarët, në kozmologji dhe astrofizikë. Ajo është në Cyrih, e ftuar nga Shoqata e Studentëve shqiptarë të Cyrihut dhe portali dialogplus. Prezantimin e saj e bën profesori i fizikës në universitetin ETH, Toni Shiroka, i cili ka bërë edhe moderimin.

Në ligjëratën e saj, zonja Mersini, që është profesoreshë në universitetin Universitetin e Karolinës së Veriut, në SHBA ka shtjelluar probleme lidhur me teoritë aktuale për krijimin e universit. Në këtë kontekst ajo ka mbrojtur teorinë e saj që vë në pikëpyetje teorinë e “Big Bangut”. Sepse, dr. Mersini pyet: çfarë ka pasur para kësaj dhe këtë e shtjellon në Teorinë e saj të “Multiversit” që domethënë se ka më shumë se një univers. Sipas saj, teoria e Big Bang-ut është e pamjaftueshme për të shpjeguar krijimin e universit. Dhe, kjo teori e kozmologes shqiptare, ka pasur një aprovim nga qarqe shkencore të avancuara në botë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë të shkurtë me Laura Mersinin.

Keni ardhur në Zvicër për të ligjëruar para studentëve rreth teorisë suaj për krijimin e universit. Ju punoni në një universitet amerikan, por a keni ndonjë bashkëpunim edhe me universitete apo institute tjera zvicerane?

Dr. Laura Mersini: Në fakt unë punoj në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe bashkëpunoj me shumë universitete e institute gjithandej nëpër botë. Por në Zvicër deri më tash nuk kam pasur rast të kem ndonjë bashkëpunim dhe në përgjithësi, është hera e parë që vij në këtë vend, ku sonte e mbajta ligjëratën. Dhe nesër në mëngjes kthehem në Amerikë.

Ju në teorinë tuaj e vini në dyshim teorinë e “big bang-ut”. Si e shpjegoni këtë me pak fjalë?

Dr. Laura Mersini: Pikërisht me atë që e thash edhe në ligjëratë e që konsiston në atë se çfarë kishte përpara kësaj, para se të bëhej “big Bang-u”. Dhe përveç meje janë edhe teoritë e dy ose tre shkencëtarëve të tjerë të cilët e vënë në dyshim “Big Bang-un” dhe mundohen të japin përgjigje të tjera lidhur me krijimin e universit.

Ballafaqimi me paskajësinë e universit (ose universeve) me errësirën që e mbështjell këtë hapësirë dhe me mungesën e përgjigjeve se si u bë “hapi i parë”, a ju sjell pranë “zgjidhjeve” që u jep religjioni këtyre çështjeve?

Dr. Laura Mersini: Një nga mënyrat për ta hequr problemin e “hapit të parë” është universi që studiohet me metoda shkencore dhe që këtu bëhet ndarja nga religjioni. Dmth as mohohet as pohohet por shkenca është një tjetër nivel, tjetër rrafsh, ajo ka objekt studimi ligjet e natyrës. Dhe në këto studime ka saktësi, proceset janë absolutisht të matshme. Kjo vlen edhe për pohimin se multiversi është krijuar para 14.7 bilionë vitesh, që u përmend gjatë ligjëratës.

Është folur në mediat shqiptare lidhur me nominimin tuaj për çmimin Nobel për fizikë. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?

Dr. Laura Mersini: Sipas rregullit, nominimet për çmimin Nobel nuk dihen asnjëherë para se të jepet çmimi. Prandaj edhe në rastin tim nuk mund të them asgjë pasi që nuk e di nëse jam nominuar ose jo. Por dihet që nga anët tona kanë dëshirë të mburren me diçka para se të ndodhë. Kjo ka ngjarë mbase edhe në rastin tim, pra janë spekulime mediale.

Ju studimet bazë i keni mbaruar në Shqipëri, në Universitetin e Tiranës. A është ky fakt një shtysë, një motivim shtesë për studentët shqiptarë që të synojnë më shumë, të kenë ambicie shkencore?

Dr. Laura Mersini: Sigurisht që po. Me zell dhe punë është e mundur të arrihet shumë, edhe me studime të mbaruara në Shqipëri. Unë kam mbaruar studimet pesëvjeçare të Fizikës në Tiranë, që është një kurs paksa më i përzgjedhur. Ideja e fizikës pesëvjeçare është që të punohet në mënyrë më intensive por jo që kam pasur ndonjë trajtim të veçantë. Pastaj shkallët tjera të studimit e të specializimit përfshirë edhe gjithë avancimin tim shkencor, i kam mbaruar jashtë vendit, në SHBA.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...