Published On: 31 Gusht, 2017

Kush e goditi eskortën e presidentit Rugova?

Gani MEHMETAJ: Kujtime (56)

Fushata e zgjedhjeve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nisi në një situatë të tensionuar, megjithëse forcat ndërkombëtare të policisë garantonin siguri, por këtë siguri askush nuk e merrte seriozisht. Prandaj, policët amerikanë e gjermanë tashmë u bënë pjesë përbërëse e stafit të Kryesisë së LDK-së, që i shoqëronin nga shtëpia në punë e anasjelltas. Asnjë hap nuk e lejonin ta bënte nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, apo një pjesë e anëtarëve të kryesisë pa eskortën e policëve të aleatëve tanë (policia amerikane dhe gjermane ishte në eskortën e Rugovës tërë kohën), ruanin edhe në selinë e LDK-së , asnjë vizitë a fushatë nuk bëhej në terren pa këta policë profesionistë. Reagonin dhe vepronin si në filma.

Të veproje ndryshe qe vetëvrasje, sepse nga neglizhenca e mungesa e përcjelljes së truprojave pësuan dhjetëra veprimtarë, kështu  pësoi edhe Xhemail Mustafa, njeriu i parë i presidentit, mungesa e të cilit ndihej dukshëm. Të vinte keq pse ishte kështu e jo ndryshe, dëshpëroheshe në këtë atmosferë terrori që u krijua. Askush nuk qe i sigurt, ashtu sikurse nuk ishim të sigurt para vitit 1999, atëherë kur vepronin forcat serbe në Kosovë.

Kur niseshin në ndonjë qytet të Kosovës gjatë fushatës për zgjedhjet qendrore, përcjellja e armatosur, por edhe shërbimi teknik, niseshin të përgatitur me armatim, antiplumb e makina të blinduara si të shkonim në luftë. Në xhipin presidencial me ekipin pararojë, përcjellja ishte e përgatitur me automatik të shkurtër “Uzi” izraelit, revole të të gjitha llojeve, armë të tjera automatike etj. Pos meje gati secili mbante revole në brez. Në suitën e Rugovës bënin pjesë disa nga kandidatët për deputetë.  Kolë Berishën, nënkryetar i LDK-së, e përcillnin në zyrë e në shtëpi, njësi speciale gjermane, herë amerikane, kurse Nekibe Kelmendin, Eqrem Kryeziun etj. i  mbronte njësia speciale angleze, gjermane a amerikane.

Sikur nuk i mjaftonte goditja që pësoi nga policia serbe kur ia vranë burrin e dy djemtë, N. Kelmendit, pas luftës i shkuan disa burra për ta kërcënuar, që të hiqte dorë nga LDK-ja… E zemëruar nga ky kërcënim, u pati thënë, si s’ju vjen turp pas gjithë asaj që më ka ndodhur, vini e më kërcënoni? Hiqmuni qafe. Prandaj, forcat ndërkombëtare vendosën ta ruanin, pavarësisht kundërshtimeve të saj. S. Hamitin nuk e përcillnin forcat e policisë speciale, nuk e vlerësuan qarqet ndërkombëtare se ishte i rrezikuar, por ai angazhoi truprojë personale.

Ndërkaq, gjatë gjithë kohës sa isha në zyrat e LDK-së, para e pas fushatës s’kishte ditë që nuk vinte njësia speciale e policisë amerikane apo gjermane, kontrollonte korridoret, zyrat e të gjitha ambientet e godinës së LDK-së me detektorë e qen specialë, hipte në kulm të objektit, kontrollonte çdo skutë dhe vetëm pastaj na lejonte të futeshim brenda, pasi e fusnin nënkryetarin. Ishte atmosferë e nderë e plot tension. Flitej se shërbimet e fshehta amerikane, britanike e gjermane kishin të dhëna për përpjekje për vrasjen e kreut të LDK-së, prandaj i ruanin si të ishin kryetarë të shteteve të tyre. Dy-tre policë gjermanë a amerikanë rrinin gjatë gjithë kohës para zyrës së Berishës.

Kur niseshim në terren nën masat e rrepta të sigurisë, ndërsa vazhdimisht pëshpëritej se mund të ketë prita, na mungonte vetëm përshëndetja me njerëz të familjes.

Me gjithë këtë shtrëngim nga brezi i sigurisë së eskortës së presidentit dhe të Kryesisë së LDK-së, jo rrallë pati incidente në rrugë. Në një rast ndërsa shkonim me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë, duke u futur nën urën e Prishtinës që çonte në Fushë-Kosovë, dëgjuam kërcitjen e gomave që frenonin çmendurisht, ndërsa në retrovizor pamë një xhip të madh presidencial sesi u lakua nga goditja e një kamioni- betoni të një firme të njohur ndërtimi. Të gjithë menduam se e goditën Rugovën, por xhipi i Rugovës iu shmang, ndërsa xhipi pas tij e neutralizoi kamionin duke i dalë në rrugë. Kolona u ndal për disa çaste. Njërit nga truprojat i ra revolja në asfalt, tjetri vrapoi të shihte si është gjendja, por shpejt u futëm nëpër makina dhe vazhduam tutje.

A ishte rastësi futja e kamionit që bartte beton në rrugën kryesore, në çastin kur po kalonte me shpejtësi të madhe eskorta presidenciale? Ata që merreshin me sigurinë e Presidencës thanë se nuk qe rastësi. Një varg rrethanash e dëshmonin këtë gjë.

Incidenti tjetër, ditën tjetër, na ndodhi në Deçan. Kur u futëm në sheshin e shtatores së Salih Çekut, ndërsa na priste turma e madhe e simpatizuesve, të mbledhur para shtatores, një grup militantësh të partisë lokale kundërshtare të veshur me të zeza, nisën të provokonin njerëzit e sigurimit të Rugovës, atyre që rrinin para makinave zyrtare të eskortës. Llukmani, njëri nga truprojat e presidentit, nga natyra i qetë, nxori revolen dhe dëboi provokatorin, që nuk ishte i vetëm, dhjetëra syresh silleshin nëpër turmë. U bë rrëmujë, vrapuan të tjerë në ndihmë të atij që nxori revolen, u afruan edhe një grup ushtarësh të armatosur të KFOR-it. Pas pak situata u qetësua.

Në qytetet e Dukagjinit kërcënimet e paralajmërimet nuk qenë të pakta, por megjithatë mund të bëhej fushatë. Nga Drenica kërcënonin që nga fillimi, atëherë kur i bëheshin homazhe varrit të Adem Jasharit, dhe atëherë kur nisi fushata lokale. I druanin Rugovës, prandaj donin t’ia ndalonin me të gjitha mjetet vizitën në Drenicë, ku ai pati simpatizues të shumtë, që i terrorizonin kundërshtarët politikë, i trajtonin sikur t’i kishin muzhikë a skllevër.

Përpjekje për ta vrarë presidentin Rugova pati edhe më vonë. Në një atentat me eksploziv të teledirigjuar afër objektit të “Sllovenia sportit” në kryeqytet, granata e dirigjuar u përplas për dyert e makinës së blinduar, gati të hidhte xhipin në erë. Fatbardhësisht nuk u vra e nuk u plagos askush. Shpëtuan nga më e keqja edhe kalimtarët e rastit, sepse trotuari nga doli predha (kontejner plehrash)  ishte plot me njerëz. Dëshmitarët u tmerruan, opinioni u skandalizua.

Rugova pas atentatit vazhdoi në rezidencën e tij në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku duhej të takohej me Havier Solanën. Shkuarja në rezidencë menjëherë pas atentatit, ngjante me shkuarjen e mbretit Zog në Parlament, kur u përpoqën ta vrisnin në shkallët e Parlamentit shqiptar. Historia shqiptare me përbetime, intriga, vrasje politike, e kurdisje të nëntokës po përsëritej sërish pas shtatëdhjetë e ca vjetësh. Në fakt vrasjet e kësaj natyre nuk kishin pushuar asnjëherë.

Rugova kësaj radhe shpërtheu, duke e mallkuar prapë grupin që po vriste njerëz e po kurdiste atentate. Mllefi i tij qe i ngjashëm me fjalët nervoze gjatë varrimit të Xhemail Mustafës, kur i mallkoi vrasësit.

“Krahu i luftës”, sikurse i  quanin grupet e armatosura, e kishte pronësuar territorin e Drenicës, me pasuri e me elektorat, sidomos rrethin e Skenderajt e të Drenasit. Ata e pronësuan edhe kompleksin memorial të Adem Jasharit, megjithëse ishte Rugova ai i cili i luti amerikanët në mars të vitit 1988 që të mos e quanin luftën çlirimtare të Adem Jasharit luftë terroriste, gjë që ata e përfillën me respekt. Adem Jashari u takoi strukturave të armatosura të  LDK-së, që u stërvitën në kazermat e Elbasanit.  Por pronësimi sillte përfitime.

Drenica mbeti e izoluar gjatë tërë kohës.

Nëntori solli edhe një lajm tjetër të kobshëm, vrasjen në pritë të Bekim Kastratit, gazetar i “Botës sot’ dhe Besim Dajakut, pjesëtar i njësisë për mbrojtje të presidentit Ibrahim Rugova. Nga prita shpëtoi Gani Geci. Lajmi pastaj u zgjerua me informacion shtesë: “Në një pritë të organizuar, në hyrje të Skenderajt, një grup kriminelësh, në terrin e natës, shtinë me armë zjarri në drejtim të veturës ku ishin Bekim Kastrati, Besim Dajaku, Gani Geci e Shani Geci. Bekimi mbeti i vrarë në vend. Besimi erdhi gjallë deri në spital, ndërkaq Gani Geci u plagos në këmbë”.

Smajl Hajdarajn e vranë më 17 janar 2002 në hyrje të banesës së tij në Pejë, të njëjtën ditë kur i vranë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka. Ishte komandant i UÇK-së për rajonin e Rugovës, inxhinier, veprimtar, e së fundit deputet i Republikës së Kosovës. E vranë në të njëjtën mënyrë sikurse i vranë veprimtarët e intelektualët e tjerë, që i përkisnin LDK-së. Prapë askush nuk u kap, ndërsa pati spekulime për vrasësit e porositësit.

Ukë Bytyçin, kryetarin e Asamblesë Komunale në Suherekë dhe kryetar i Degës së LDK-së, e vranë në mesditë. Në këtë atentat u qëlluan Bajram Bytyçi dhe Bafti Bytyçi, që ndodheshin bashkë me Ukë Bytyçin në veturë. Atentati u bë në fshatin Leshan, që ndodhet në rrugën Suharekë-Prizren, thuhej në njoftimin nga vendi i ngjarjes tragjike.
Në zgjedhjet e djeshme komunale Dega e LDK-së në Suharekë, nën drejtimin e Ukë Bytyçit, mori shumicën absolute të votave.  Vrasjen e Ukë Bytyçit, nuk e priste askush, ndërsa  u bë në kohën kur shpresohej se fushata do të ishte e qetë e pa krisma.

(Me kanë thirr shumë lexues, të interesuar ta kenë fejtonin në tërësi. Librin “Ëndrra e madhe” nga janë marrë këto fragmente mund ta gjeni në librarinë “Altini” , “Dukagjini” dhe në Sheshin Nëna Terezë, në Prishtinë).  

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...