Debate Lajmi Kryesor 2

Kurthi diskursiv i Vuçiqit në verëdalldisjen shqiptare

Shkruan: Nijazi Muhamedi

“Oferta” më e re e presidentit serb, Vuçiq, mbi të tashmen dhe të ardhmen e raporteve serbo-shqiptare po telalliset ndër shqiptarët njashtu si e ka hamendësuar ai: si një “lajm i fundit befasues”, si “ndryshim i ri mendjeje e tij” apo edhe i “establishmentit serb”, e të tjera afishimesh “ekskluzive” në mediat dhe portalet shqiptare. Me pritshmërinë  “ekskluzive” të ndër shqiptarët të “lakadredhës së tij diskurzive”, mes rreshtave të së cilës e ka ripërsëritur edhe njëherë “pikëmendjen njëqindvjeçare serbe” për mbajtjen (tash “rikthimin”) e Kosovës nën Serbi, Vuçiq vetëm e provon edhe njëherë efektin e “mësimdhënies” serbe për çdo president apo kryeministër serb për dialog me shqiptarët: “oferta” për dialog serbo-shqiptar apo dredhi të tjera nënshtrimi ndaj tyre, të trazohen verës, kur  shqiptarët (sipas hamendësimeve të tyre mbi etnopsikologjinë shqiptare) i zë deti, i zë havaja, i zë një verëdalldisje e çmendur, aq më tepër ndër këto kohë kur  kjo verëdalldisje e ka zënë edhe shtypin dhe aktorët politikë të shqiptarëve të rënë në një pushtetdalldisje të çmendur dhe ashtu hutueshëm mund ta kapin edhe grepin e “ofertës” pas së cilës,” si një dush i ri freskimi “ekskluziv” është fshehur, djallëzia e moçme e “pikëmendjes pushtuese” serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Njohësit e mirë dhe të qetë të lëvizjeve taktike aktuale të presidentit serb, Vuçiq, rreth Kosovës, këtë marifet diskurziv të ri të tij, të shpallur pak më hapur në një gazetë zvicerane, nuk gjejnë elemente të reja për ta konsideruar këtë paraqitje si “një kthesë”, apo diçka përtej kësaj, po vetëm një përpjekje për “kurth të ri diskurziv” ndaj aktorëve politiko-shtetëror “gjithëshqiptarë” (Shqipëri -Kosovë).Në këtë intervistë,  në portalet e mediat shqiptare u rrotullua si “lajm i fundit befasues”(?), ai në fakt duhet lexuar dhe kuptuar mirë, se edhe kësaj here ka folur paturpshëm sikur pavarësia e Kosovës është e paqenë, ose se jep të kuptohet(nga ana e serbëve të vet dhe opinioni europian) se “duhet gjetur një zgjidhje e shumanshme, brenda “një konfederate si Zvicra”(si del nga konteksti i intervistës),ose “një zgjidhje të dhembshme për të dyja palët: që  do të thotë: njohja e risundimit nga pala shqiptare; kënaqja e risundimit për palën serbe; e jo njohjen e “pavarësisë” , që i ka dhënë zgjidhje tashmë, dhe kjo duhet të jetë një çështje e dialogut të brendshëm të këtij  presidentit me popullin e vet, “dialog” të cilin, sikundër është njoftuar, ky president tashmë e ka nisur. Së këndejmi, njohësit e mirë të këtyre lëvizjeve të tij, pas të cilave, sikundër e dijmë, qëndrojnë ekipe konsulentësh të përgatitur, nuk e marrin aq pa sherr këtë shqitje të tij -nga dialogu i brendshëm serb tek oferta për “dialog të ri” serbo-shqiptar, që i vjen sikur ajo fjala e urtë shqipe -u nis për dasmë e doli për shkarpa, sikundër u ndodhi “politikëbërësve” të Kosovës në “dialogun e deritashëm “Kosovë-Serbi”.

Ne duam të themi, që kjo “ofertë”, të cilën serbët, me atë “pikëmendjen” e tyre të njohur, do ta rrotullojnë gjatë kohë tash e paskëtaj, por do t’i shkojë kotnisht në raport ndaj  ne shqiptarëve që e ka adresuar, edhepse e dimë që për një hap kësodore ka marrë një “inkurajim” jo bash bosh nga “lehtësia ” e futjes në “huti dialogimi” e palës kosovare që e shpërudhi keqazi kornizën e dialogut; duke ia shtuar kësaj  edhe ndonjë inkurajim të ri që Vuçiq mund ta ketë marrë nga lëvizjet jolegjitime të Presidentit Hashim Thaçi për ta vazhduar krye më vete dialogun, i cili, po qe se nuk bëhet zap përmes mekanizmave politiko- kushtetues, afërmendsh që ka shumë gjasa të dalë aty ku dëshiron Vuçiqi që të dalin shqiptarët: në delegjitimimin e pavarësisë me dorën e vet…!

Së këndejmi, ne prapë themi që Vuçiq ta mbarojë atë që e ka nisur me popullin: dialogun brenda-serb dhe në raport me njohjen e zgjidhjes që i është dhënë çështjes së Kosovës, që njëherësh do të thotë edhe në raport me shqiptarët. Sa të humbë kohë duke hamendësuar “kurthe të reja diskurzive” për “negocim” për një gjë që tashmë është bërë  faktike dhe e panegociueshme, duhet të gjejë “taktikën diskurzive” për opinion serb, për ta përgatitur që të njohë Kosovën shtet më vete, dhe afërmendsh mandej se raportet shqiptaro-serbe, përmes një dialogu të ri me dinjitet të barabartë postpavarësisë shqiptaro-serb, duhet të rivendosen brenda një horizonti të ri e të qëndrueshëm, pozitivizues e civilizues  dhe në interes reciprok të të dy popujve fqinj për shekullin XXI e përhershmërisht.

Vuçiq duhet inkurajuar, pra, ta hamendësojë “taktikën diskurzive” për dialogun brendaserb që e ka nisur dhe këtu mund t’i ndihmojë leximi i “taktikës diskurzive” të Gjeneralit De Gol që e përdori për të bindur (shkalla-shkallë përmes një stratagjeme për bindje të turmës) që Franca të njihte Algjerinë..! Po, ne më tepër do t’ia preferonim (ri)leximin nga ana e tij të D.Tucoviqit, një De Gol i vërtetë serb dhe me autoritet edhe për opinionin e ndriçuar serb, edhe për konsideratat pozitive shqiptare ndaj Tucoviqit, dhe ja pika më e pozitivizuar për një dialog me dinjitet dhe legjitimitet të barabartë postpavarësisë shqiptaro-serb për këtë shekull.

Përse të mos jetë kjo për Presidentin Vuçiq një lexim “verëesëllimi” të dobishëm, që ia urojmë; ndërsa zotëria e tij ende për ne mendon gabuar, duke hamendësuar se gjithë ne shqiptarët na ka zënë “verëdalldisja” e moçme dhe e re për të rënë në kurthe të moçme e të reja mashtrimi…!

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *