Published On: 1 Gusht, 2017

Kujt (nuk) i duhet e ëma e Skënderbeut?!

  • Por ç’përbën në të vërtetë “teza” kontraverse e hedhur nga Moutchi? Aspak nuk duam të biem në atë lojë banale të hapur prej tij duke argumentuar “shqiptarësinë” e Vojsavës, por të japim disa argumente logjike për pavlefshmërinë e kësaj “teze” që mund të rimerret në vonë nga ndonjë mendje “më e hollë” se ajo e Moutch-it.

Bujar Vani

pinioni publik, në mënyrë periodike, provokohet prej shkruesish mediatikë me ndonjë “shashkë” që hidhet ndaj figurës simbolike të Skënderbeut, duke shkaktuar edhe një reagim të kuptueshëm emocional të të tjerëve, që e shohin si një cenim të aureolës kombëtare të ngritur me mjaft mundim në vetëdijen e shqiptarëve. Kjo pasi emri i Skënderbeut është kthyer në një lejtmotiv (bashkë me atë të Nënë Terezës) në përballje me të huajt si shprehje e identitetit dhe simbolikës së spikatur shqiptare, ndoshta edhe duke “u rënë në qafë” personazheve të tjerë historikë mjaft të rëndësishëm për shkak të njohjes relative që kanë gjithsesi këto dy figura në fjalë në mjedisin europian e më gjerë. Evokimi i pareshtur i një personazhi si Skënderbeu, “që mbrojti Europën në kohë të vështira për të”, pra i një heroi të lavdishëm të njohur europianisht, duket se iu shërben shqiptarëve si koracë mbrojtëse karshi fushatave denigruese që hera-herës hapen mbi ta në opinionin publik ndërkombëtar, edhe të nxitura nga qarqe politike të interesuara.

Dhe pikërisht, për shkak të kësaj ndjeshmërie dhe të kësaj nevoje kombëtare për të ridimensionuar një figurë historike në përmasa edhe të hiperbolizuara, vijnë edhe provokimet dashakeqe të shkruesve mediatikë në fjalë, që në emër të lirisë së mendimit dhe të përpjekjes për debat “të shëndetshëm”, helmojnë opinionin publik duke e futur në qorrsokake të errëta. Këtu fillon keqpërdorimi i historisë për shkaqe dhe synime politike të sotme, më së shumti në çorientim dhe ndotje të mendimit publik, e shpërthejnë debate aspak të frytshme që nuk dihet se ku të çojnë, pasi nisen nga handikape logjike e përfundojnë po në alogjikë masive.

Debatet në të vërtetë nuk kanë të bëjnë me qytetarët e thjeshtë të cilët e duan Skënderbeun pa kushte dhe e kanë mishëruar në vetëdijen dhe kujtesën e tyre kolektive si hero kombëtar, pasi atyre iu mjafton vetëm imazhi, emri, kujtimi i tij. Këto debate stisen dhe mvishen me “problematikë” të diskutueshme në trajtimet mediatike mbi të, që më pas veprojnë në manipulimin e gjykimit të po këtyre qytetarëve. Skënderbeu është ai që është, por publicistë, veprimtarë mediatikë, propagandistë të rrymave të ndryshme apo zëdhënës të qarqeve politike të ndryshme (të huaja apo  vendase) kërkojnë t’i mveshin atribute që iu interesojnë atyre për qëllimet që ndjekin ata vetë, duke orientuar më tej opinionin publik të përgjithshëm në ato shtigje që iu volisin atyre, duke ngritur një tymnajë keqkuptimi dhe keqinterpretimi, medemek në përpjekjen për të “emancipuar” qytetarët. Përmes spekulimit me faktin historik, ata ngulmojnë t’i mveshin Skënderbeut atribute që në të vërtetë shprehin pikëpamje, ide (apo dhe ideologji) që iu interesojnë atyre, duke i kundërvënë pakundërshtueshmërisë së përgjithshme publike mbi atë personazh, qëndrime apo orientime të njëanshme e të mbrapshta në funksion të politikave të importuara.

Debatet përgjithësisht janë stisur pikërisht për t’i hequr këtij personazhi atë karakter të pranuar mbarësisht si simbolikë kombëtare, e jo për të “vërtetësuar” historinë apo për të pasuruar lëndën historiografike mbi të, pasi nëse do të ishte kështu, debati apo risitë do të ishin të mbara dhe do të mbesnin në një rrafsh përpunimi shkencor e nuk do të ngjallnin reagime subjektive ndjesore në publik. Ato nuk synojnë të plotësojnë kompleksitetin e natyrshëm të personazhit në fjalë e të pasurojnë mendimin e kualifikuar mbi të, por duke u nisur qëllimisht nga premisa të ndryshme dhe nga elementë të shkëputur prej kontekstit, thjeshtë bëjnë diversion mbi kujtesën dhe mbi vetëdijen kombëtare të shqiptarëve.

Rasti “Moutchi”

Trazimi i fundmë i opinionit publik në lidhje me figurën e Skënderbeut erdhi nga një shkrues fshati që prej vitesh përpiqet me zell të bëhet “interesant” duke iu turrur pikave nevralgjike të vetëdijes shoqërore, me gjithë padijen e theksuar vetjake; të bëhet “i madh” duke gjuajtur malin me gorica nga maja e pemës ku ka hipur; të shfaqet si “simbol i mendimit të lirë” edhe pse shërben prej vitesh si ushtar i bindur me pagesë, pa u graduar aspak për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të tij, e vetëm duke u emëruar në shkallën e “analistit zyrtar”. Me infantilizëm të theksuar, ai, si një fëmijë i shtirur, deklamon se ka marrë përsipër “t’i turret Skënderbeut”, ashtu si dhe Krishtit e Muhamedit, për “të rrëzuar mitet”, pra për të çliruar shoqërinë nga shtypja e vetëdijes dhe e mendimit të emancipuar! Sikur të ishte kështu, duhej admiruar dhe mbështetur, madje edhe të konsiderohej një “Hero” në këtë lëmë. Por a mundet një delirant i vobektë, i pajisur vetëm me disa fraza kontraverse, ndërkohë që pret shpërblimin si ushtar i bindur, të marrë atributet e heroit?!

E megjithatë, ai arriti të stisë një debat. Në një broshurë të porositur, me titull të huazuar nga fast food-et, hedh “shashkën” e radhës: Vojsava, e ëma e Skënderbeut na paskësh qenë serbe. Vetëm kaq mjaftoi që të gjithë t’i turren Moutchi-it! Dhe në fakt ia arriti qëllimit, u mediatizua në një moment shterrimi dhe bajatizimi monoton në mediat ku militon. Pasi ai nuk kishte qëllim të sillte risi në faktologjinë historiografike e as të bënte skup mediatik me ndonjë gjetje origjinale apo tezë të panjohur. Në këtë drejtim ai është mjaft mediokër dhe pa fantazi, por ai thjeshtë njeh nervin patetik të shqiptarëve dhe mjaftohet vetëm t’ua ngacmojë disi. Dhe vërtetë, mjaft shkrime me frymë patriotizmi patetik i dhanë jehonë më tepër se ç’duhej emrit dhe broshurës së pavlertë të tij.

Por ç’përbën në të vërtetë “teza” kontraverse e hedhur nga Moutchi? Aspak nuk duam të biem në atë lojë banale të hapur prej tij duke argumentuar “shqiptarësinë” e Vojsavës, por të japim disa argumente logjike për pavlefshmërinë e kësaj “teze” që mund të rimerret në vonë nga ndonjë mendje “më e hollë” se ajo e Moutch-it.

Së pari, ajo nuk përbën ndonjë risi faktologjike, pasi është tepër e njohur dhe e artikuluar se Vojsava është bijë e zotërve të Pollogut, dhe autorë të huaj profanë të gjeografisë dhe etnografisë, apo edhe autorë të angazhuar, e kanë quajtur trevë sllave atë territor që shtrihej mes Tetovës e Gostivarit të sotëm.

Së dyti, as skup mediatik nuk përbën, pasi nuk është artikulim origjinal, por i huazuar nga një tezë propagande serbe e bajatizuar, e përhapur gjerësisht në fillimet e shekullit 20, e tashmë e lënë mënjanë edhe nga vetë serbët. Pra, është e vjetruar dhe “e dalë boje” sa vetëm një shkrues i pakënduar mund të marrë kurajon ta përdorë si të tillë. Ndryshe do të ishte nëse Moutchi do ta nxirrte të ëmën e Skënderbeut nga dinastia kineze Qing, ky po do të përbënte skup edhe nëse do të ishte me fakte të manipuluara!

Së treti, është një handikap i logjikës elementare të kryqëzosh në argument linjën e gjakut me atë të qumështit, vetëm e vetëm se kështu realizohet detyra e marrë. Pasi nëse do të ndiqej logjikisht linja e qumështit, nëna e Vojsavës është nga dera e Muzakajve, kështu që edhe nëse i jati do të ishte sllav, kjo nuk ngrinte peshë. E nëse do të ndiqej linja e gjakut, i jati i Skënderbeut, Gjoni, është i etnisë shqiptare e, edhe sikur Vojsava të ishte sllave, nuk do të kishte rëndësi.

Së katërti, çfarë do t’i hiqte peshës së simbolit kombëtar të Skënderbeut “fakti” se Vojsava ishte sllave, nëse do ta pranonim për një moment për hatër të Moutch-it? Për korrektesë ky i fundit duhej të thoshte edhe se Katerina e Madhe e Rusisë ishte prusiane, se një mbretëreshë e Anglisë ishte franceze, se dinastia e Gjikajve të Rumanisë ishte shqiptare, se mbret i Bullgarisë ishte gjermani Ferdinand i Koburgut, se princesha Helenë e Shtëpisë së Savojës ishte malazeze, se Oto i Greqisë ishte gjerman… se dinastia e Karagjorgjëve ishte shqiptare etj. etj. Dhe këto fakte nuk hedhin asnjë hije keqkuptimi apo zhvlerësimi në rëndësinë që kanë ata në historinë e vendeve përkatëse. Pastaj nëse zbresim në logjikën e kohës, martesat bëheshin sipas rangjeve e nuk mund të kuptohej që sovrani të merrte një vajzë bareshë nga Skrapari apo Labinoti për arsye etnie! Por kjo padije i falet Moutch-it, pasi ai ka qëllim “të demokratizojë” edhe Mesjetën, ashtu siç demokratizoi trevën e tij kur ishte kryetar PD-je në fillimvitet ’90!

Tre aspekte të vlerësimit të Skënderbeut

Një provokim i tillë i rastit Moutchi, apo edhe i rasteve të tjera që kanë si qëllim çoroditjen e opinionit publik, të cilët nuk kanë lidhje aspak me rrafshin studimor e historiografik, gjen në fakt një truall të përshtatshëm mbi të cilin vepron: ngatërrimi i koordinatave shqyrtimore të lëndës që merret në diskutim. Pasi elementi historiografik i shkëputur nga konteksti dhe kompleksiteti i tij merret si argument për qëllime politike, ideologjike, diversive e kështu me radhë. Në dukje fakti është kokëfortë dhe i jep mundësinë mendjeve sharlatane ta përdorin atë sipas oreksit, edhe pse shkelin rëndë aspektin logjik dhe tematikën e çështjes.

Edhe në rastin e trajtimit të figurës së Skënderbeut, e në kontekstin tonë, edhe të nënës së tij, kapërcimet logjike të “argumenteve” ngjan se lëvizin pikërisht mbi këtë truall. E pa dashur t’i hyjmë një analize shteruese, por thjeshtë për të hedhur një piketë mendimi më sistematik, sipas gjykimit tonë, figura e Skënderbeut përgjatë shekujve në memorien dhe vetëdijen shqiptare ka kaluar nëpër tre etapa të dalluara qartas, në përkim edhe të fazave të vetë historisë së popullit e të kombit shqiptar, duke marrë edhe atributet përkatëse të kohës: në këto etapa ai është shfaqur përkatësisht si personazh historik, si mit dhe si hero kombëtar. Dhe në secilën etapë është trajtuar sipas këtyre atributeve, qoftë në materialin shkrimor qoftë edhe në atë figurativ.

Kështu si personazh historik në dokumentet e kronikat shkrimore të kohës së tij, por edhe në trajtimet e mëvonshme po në këtë linjë, ai paraqitet me konkretësinë e tij të njeriut politik dhe ushtarak, me tërë kompleksitetin e ngjarjeve që përshkojnë jetën dhe veprën e tij në këtë cilësi. Ai është feudali i kohës që merr zotërimet e tij të trashëguara, zgjeron territore qoftë edhe në kurriz të aleatëve (sipas logjikës së kohës), lidh aleanca, bën dhe prish marrëveshje, lëvron lidhjet diplomatike me palë të ndryshme, lidh krushqi politike me feudalët e tjerë (edhe të etnive të tjera), zhvillon beteja të shumta me fuqinë më të madhe të kohës, perandorinë osmane (të cilën e njeh mirë për shkak të rrjedhës së ngjarjeve të jetës së tij), shfaqet si ushtarak dhe strateg i shkëlqyer, herë ndeshet e herë bie në ujdi me fuqinë tjetër të kohës Venedikun, mbështet dinastinë aragoneze të Napolit përkundër feudalëve të tjerë italianë, bëhet barrierë e vlertë përkundër kalimit të osmanëve në Europën e krishterë edhe pse shumë shtete të këtij areali kanë lidhur marrëveshje me vetë osmanët etj. etj. Dhe i tillë trajtohet edhe në paraqitjet figurative, ndër gravurat që shoqërojnë kronikat apo botimet mbi të, sipas përfytyrimit “tokësor” të një personaliteti politik, komandanti ushtarak, me tipare dhe atribute njerëzore. Edhe në vetëdijen dhe konceptimin e bashkëkohësve – qofshin nënshtetas të tij apo të zotërimeve të tjera shqiptare, qofshin politikanë, ushtarakë, diplomatë shtetesh e popujsh të tjerë, – ai shihet realisht si i tillë, pra si personazh historik, dhe, sipas këndvështrimit dhe interesave të gjithkujt, vlerësohet apo qortohet për këtë apo atë veprim.

Pra, kjo është etapa konkrete e jetës dhe veprimtarisë së tij politike e ushtarake, etapë e gjykueshme dhe e analizueshme në kriteret historiografike, publicistike e më gjerë.

Ndërsa si mit ai nis të mbruhet me kontributin e humanistëve të kohës së pasvdekjes dhe rënies së zotërimit të tij nën sundimin e osmanëve, kohë e cila u shoqërua edhe me ikjen masive të arbërve për në Itali. Prej penës së Barletit, Beçikemit e të tjerëve humanistë shqiptarë apo të huaj, figura e Skënderbeut përmes glorifikimit fillon të marrë atributet e mitit, çka u pasua dhe u konsolidua më tej nga kolonitë arbëreshe të përqendruara në jugun e Italisë, por edhe në qendra të tjera kulturore urbane të veriut italian, ku jetuan dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre mjaft artistë dhe intelektualë shqiptarë, deri në ngritjen e “Shkollave shqiptare”. Dhe kjo etapë, pra e mitizimit të Skënderbeut, e cila zgjat për disa shekuj, i detyrohet më së shumti komunitetit arbëresh që, për të konservuar veten nga asimilimi në një truall të huaj dhe për të ruajtur kohezionin shoqëror, e ngriti figurën e tij në një mbrojtës të bashkësisë dhe të shoqërisë. E si çdo mit që krijohet nga realiteti historik, duke marrë tipare të së mbinatyrshmes, gati-gati karakterin e të shenjtës, të “hyjnores”, prej të cilit njeriu (apo në rastin tonë një popull) përmbush natyrën e vërtetë të tij duke përkujtuar origjinën vetjake, edhe ai i Skënderbeut tashmë ka përveç vlerës historike prej nga buron, edhe një vlerë simbolike përgjithësuese për identitetin arbër (apo më tej shqiptar). Në përmasat e heroit historiko-mitik ai shërben njëkohësisht për të ripërtërirë vetëdijen etnike, për të ushqyer konstitucionin shpirtëror e kulturor të tyre, për të përligjur autonominë politike e kulturore të tyre, për të ngjizur gradualisht frymën kombëtare në shekujt e mëpasëm. Kjo edhe në mungesë të lidhjeve aktive dhe ndërveprimit me atdheun amë për shkak të rrethanave historike, si dhe të përballjes me një mjedis vendas që gjithsesi e kishte të njohur figurën e Skënderbeut për shkak të veprimtarisë së tij ushtarake edhe në jugun italian. Madje ky mit që, siç thamë, merr lëndën edhe në panegjerikët e humanistëve, arrin të ndikojë ndjeshëm edhe në historiografinë e mëvonshme shqiptare, ku përzjehen elementët historiogafikë me ato legjendarë e mitikë. Emri i tij (që evokon një emër tjetër të madh të historisë, Aleksandrin e Madh), shpata e tij, deri dhe kali i tij u mveshën me përmasën mitike ashtu siç e kërkon tradita e krijimit të miteve, duke iu dhënë atribute të veçanta të pazakonta.

Edhe në krijimtarinë qoftë popullore apo të kultivuar, apo edhe në paraqitjet figurative tashmë Skënderbeu jepet në këto karakteristika, pra të mitit. E si i tillë, ai tashmë është i admirueshëm, i pagjykueshëm, simbol dhe bosht i vetëdijes popullore. Tashmë nuk ka fort rëndësi konteksti historik mbi të cilin vendoset, ai i kapërcen kohët, ai është themeli i identitetit dhe prijë për ecurinë e mëtejshme të shoqërisë drejt vetëafirmimit dhe konsolidimit.

Më tej si hero kombëtar, Skënderbeu nis të marrë atributet kur ideja dhe identiteti kombëtar filloi të ngjizet kulturalisht e politikisht edhe tek shqiptarët prej disa shekujsh nën sundimin osman, me sa duket duke e rikonkretizuar mitin e ruajtur tek arbëreshët, në funksion të një pikete themeltare për realizimin e objektivave kombëtare. Pra, nga kulti mitik i personazhit historik, ai u bë një fetish kombëtarist të cilin kujtesa kolektive e shfrytëzoi për të kërkuar të drejtën e një pavarësimi politik që kishte zanafillën në bashkësinë etnike të gjakut si në kohë të Skënderbeut. Figura e tij shërbeu si pikë referimi në kohë të turbullta për shqiptarët për të ripërtërirë kujtesën dhe identitetin kombëtar. Tashmë ai nuk i shërbente më shoqërisë thjeshtë si një mit për të ruajtur vetëdijen etnike të dallueshme, si në rastin e arbëreshëve, por në funksion të një qëllimi politik. Evokimi i figurës së tij në periudhën e Rilindjes, qoftë në manifestet politike, qoftë në literaturën propagandistike e kulturore, i vlente qëllimit përbashkues kombëtar, por jo më pak edhe në periudhën e mëpasme të themelimit e konsolidimit të shtetit, deri dhe në periudhën e komunizmit.

Në këto periudha, e sidomos në këtë të fundit, ai shfaqet dhe rrënjoset si “Heroi kombëtar” i padiskutueshëm, duke iu spikatur më së shumti atributet e luftëtarit legjendar kundër pushtuesit, të udhëheqësit për liri e pavarësi, të simbolit për bashkim, të njeriut të thjeshtë e të palodhshëm, gati-gati në shëmbëllim të udhëheqësit komunist që rrinte “gju më gju me popullin”. Elementët historikë realë edhe në etapën e heroit kombëtar, ashtu si të mitit, nuk ngrenë peshë, pasi heroi nuk vihet në diskutim, ai pranohet dhe adhurohet në atë model që jepet, duke i shërbyer siç thamë qëllimit politik.

 

Trualli mbi të cilin lëvizin “Moutch”-ët

 

Pra, pikërisht duke ngatërruar qëllimisht këto tre aspekte, ngrihen edhe debatet e stisura që nuk kanë si qëllim qartësimin historiografik të një periudhe apo të një personazhi historik të një kohe të shkuar, por goditjen përmes elementit historiografik të “mitit” tashmë të tejkaluar me etapën e dytë që thamë, dhe sidomos të “heroit kombëtar” të etapës së fundme. Goditja bëhet si përherë nga hileqarët, “nën brez”, duke aluduar se si mund të jetë hero kombëtar shqiptar biri i një nëne “serbe”! Pra, në fakt askujt nuk i duhet e ëma e Skënderbeut si faktologji historike, por si “dash” për të thyer portat e vetëdijes kombëtare, për të lënduar atë sedër kombëtare të ngjizur me vështirësi e mes rrjedhash të trazuara historike.

Po për qëllime politike apo ideologjike, figura e Skënderbeut është përdorur dhe transformuar përmes “faktesh” sporadike të shkëputura nga kompleksiteti  historik, edhe në rrafshe të tjera, qoftë krahinore apo edhe fetare e utilitare. Kështu është parë nga këndvështrimi islamik, nga këndvështrimi kristian, nga ai krahinor etj. Interesa utilitare të politikës integruese të ditës e dëshirojnë më tej Skënderbeun si “europianist”, “integrist” etj. terma të zhargonit propagandistik të ditës, a thua se vetë Skënderbeu ishte pararendës i Europës së Bashkuar, apo deri dhe themelues i “shoqërisë civile”, pasi edhe individë të kësaj të fundit kanë marrë përsipër ta artikulojnë atë sipas interesave të tyre.

E nga gjithë çka parashtruam deri më tash mund të nxjerrim si përfundim se kjo “çoroditje” në trajtimin e sotëm të figurës së Skënderbeut vjen pikërisht nga stadi prej të cilit niset gjithsecili duke ngatërruar etapat dhe duke marrë prej saj vetëm ata elementë që i duhen për qëllimin e vet. Ndërkohë që historiografia në këtë rast duket e pafuqishme për të thënë fjalën e vet të zhveshur prej mitizimit apo heroizimit të personazhit historik, e duke lënë publicistë e propagandistë ta përdorin atë sipas dëshirës.

Po kujt i duhej në këto kohë origjina e nënës së Skënderbeut?! Këtë përgjigje mund ta japin vetëm Moutchi dhe porositësit e tij… /SHQIPTARI.eu

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...